Emmanuel Macron mbetet favorit për ta fituar presidencën e Francës edhe për një mandat

Shtatë muaj më parë Emmanuel Macron po qëndronte në kopshtet e Palais du Pharo në Marsejë, përpara sfondit të portit të vjetër të ndriçuar nga dielli ku tha një fjali që kujtohet ende.

“Nëse nuk mund të kemi sukses në Marsejë, nuk mund ta bëjmë një sukses të Francës”.

Më 16 prill, presidenti në detyrë u kthye në të njëjtin ambient madhështor për tubimin e tij të parë përpara votimit përfundimtar në zgjedhjet presidenciale franceze, më 24 prill.

Qyteti mesdhetar nuk votoi për Macronin në raundin e parë, duke e preferuar Jean-Luc Mélenchon të së majtës radikale. Pra, presidenti ishte në një terren armiqësor.

Por, duke u kthyer në qytetin e gjallë dhe rebel, Macron dukej se po thoshte: Nëse ai mund ta fitojë Marsejën, mund të ketë sukses në fitoren ndaj Francës.

Në ditët e fundit të fushatës, dy finalistët, presidenti aktual Macron dhe populistja-nacionaliste Marine Le Pen, ishin duke i ndjekur votat e atyre që nuk zgjodhën asnjërin prej tyre në raundin e parë.

Pjesa më e madhe e tyre ishin 7.7 milionë njerëz (22% e votuesve) që e kishin mbështetur zotin Mélenchon.

I vetëdijshëm për këtë, Macron u zotua në Marsejë t’i vendosë çështjet mjedisore “në zemër” të një mandati të dytë, ta dyfishojë ritmin e përpjekjeve të Francës për t’i reduktuar emetimet e karbonit dhe ta bëjë Francën vendin e parë të madh që i jep fund përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Një orë larg në veri të Marsejës, në skaj të kodrave Luberon, zonjusha Le Pen ishte një ditë më parë duke blerë mish në tregun lokal.

Për një orë, ajo kaloi nëpër tezgat që shisnin asparagus, ullinj dhe charkerate, ndërkohë që i përqafonte fëmijët ose pozonte për selfie me kalimtarët.

Disa protestues i kishin brohoritur me fjalët “ik në shtëpi” ose “fashist”.

Fatima Benmalek, një gjyshe me origjinë algjeriane, iu lut zonjës Le Pen që të mos e ndalonte mbajtjen e shamisë myslimane në publik, siç kishte premtuar.

Por mirëpritja që mori zonja Le Pen nga shumica e atyre që po i mbushin shportat e tyre të blerjeve, tregon se sa e ka zgjeruar ajo apelin e saj.

“Ajo është e qetë, e vendosur, më pak agresive se më parë,” thotë Josiane, një luleshitëse në pension.

“Ajo po i viziton të gjitha fshatrat. Macron, ai nuk është vërtet afër popullatës”.

Në anën e pasme të një fushate të zgjuar, udhëheqësja populiste nuk ka qenë asnjëherë më parë aq afër fitores së postit të Presidentit të Francës. Njëzet vjet më parë, babai i saj, Jean-Marie Le Pen, bashkëthemeluesi i partisë që ajo e riemërtoi nga Balli Kombëtar në Rally Kombëtare (National Rally) dhe e ka udhëhequr për më shumë se një dekadë, shënoi vetëm 18% në balotazhin presidencial.

Në vitin 2017, zonja Le Pen gati dyfishoi këtë rezultat, duke fituar 34% të votave, me 66% për zotin Macron.

Më 20 prill, mesatarja e sondazhit të The Economist e vendosi atë në 45%, me 55% për zotin Macron.

Megjithatë, ky rezultat është ende një hendek i madh. Në të vërtetë dinamika e sondazhit të raundit të dytë është zhvendosur në favor të Macron.

Macron foli për lidhjet e zonjës Le Pen me Rusinë, duke ua kujtuar shikuesve kredinë e saj të papaguar nga një bankë ruse.

“Ju po flisni me bankierin tuaj kur flisni me Rusinë”.

Fantazia e saj për ta ndërtuar një “aleancë të kombeve” brenda Bashkimit Evropian, tha ai, nuk ishte asgjë më pak se “ta nxirrte Francën” nga BE-ja. Çuditërisht, ai shkëlqeu mbi  zonjën Le Pen për detajet teknike dhe zotërimin e politikës.

Nga ana e saj, zonja Le Pen ishte një figurë më e qetë krahasuar me debatin që kishte me Macron në vitin 2017, duke ofruar shumë ndjeshmëri për ata që po luftonin për t’ia dalë mbanë.

Dyshja u përleshën për moshën ligjore të pensionit (të cilën ai dëshiron ta rrisë, nga 62 vjeç në 65) dhe propozimin e saj për ndalimin e shamisë myslimane në publik (të cilën ai e refuzoi me forcë). Një ndalim i tillë, deklaroi Macron, do ta “niste një luftë civile”.

Nuk ka gjasa që debati t’i ndryshojë shumë qëllimet e votimit. Edhe para se të ndodhte, ata në të majtë që janë instinktivisht armiqësorë ndaj Macron dukej se po përgatiteshin t’i linin mënjanë ndjenjat e tyre dhe ta mbështesnin atë, qoftë edhe për të mbajtur jashtë zonjën Le Pen.

Përqindja e votuesve të Mélenchon që thanë se do të mbështesnin zotin Macron u rrit me 10 pikë gjatë fundjavës së Pashkëve në 38%; vetëm 16% u rreshtuan pas zonjës Le Pen./The Economist