Emigrantët shkëmbejnë mjerimin për pasigurinë

Për turmat e kosovarëve të cilët ia kanë mësyrë Hungarisë, Villa Lira është një paralajmërim i cili tingëllon poetik për mundësitë  e gjetjes së një jete më të mirë nëpërmjet tentimit të hyrjes vjedhurazi në Bashkimin Evropian.

Emri i kompleksit restorant-hotel në Serbinë veriore të qon ndërmend liren turke dhe rrëfimet shqiptare për gjetjen e saj që nënkuptojnë pasurinë dhe jetën më të mirë.

Villa Lira në fakt është një shenjë e qartë për klientelën kryesisht shqiptare kosovare dhe për shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë jashtë shtetit të tyre të varfëruar e izoluar.

Sipas Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, rreth 50,000 njerëz e kanë braktisur Kosovën gjatë muajve të fundit.

Llogaritjet tjera shkojnë edhe deri në 100,000.

Pavarësisht prej shifrës së saktë, numri është qartazi i konsiderueshëm, nga turmat e natës të cilat u panë në stacionin e autobusëve të Prishtinës, shtigjet e shkelura shumë nëpërmes pyjeve të Serbisë veriore, si dhe trenave të stërmbushur me emigrantë brenda vet Hungarisë.

Largimi nga shtëpia është një rrezik i madh për kosovarët.

Shumë kanë shitur tokën, shtëpitë dhe veturat, dhe në disa raste kanë hequr dorë nga punët e tyre të rregullta, duke kërkuar një jetë të re në Gjermani apo diku tjetër.

Edhe rrugëtimi mund të jetë i rrezikshëm. Disa kanë vdekur gjatë rrugës. Tjerët rrezikojnë të kapen. Shumica e atyre që kapën kërkojnë azil, i cili së paku blen pak kohë, nëse veç janë në qendër paraburgimi. Sidoqoftë, për shumë prej tyre, ia vlen të marrësh çfarëdo rreziku përsipër, për të ikur nga varfëria dhe izolimi i Kosovës.

E vizitova Villën Lira më 5 shkurt, një javë para se autoritetet serbe ta mbyllnin atë.

Me vendndodhje në Palic, deri më tani një qytet i heshtur pushimoresh nga epoka e Habsburgut afër kufirit serb me Hungarinë, Villa Lira lidhte emigrantët me kontrabandistët për të cilët ata besonin se do t’i dërgonin përtej kufirit të shtetit anëtar të BE-së, Hungarisë, me nga 200 euro për secilin.

Kur e vizitova atë, diku rreth 70 burra, gra dhe fëmijë kosovarë ishin grumbulluar jashtë.

Një burrë flokëverdhë i rreth të tridhjetave e ca doli nga brenda me një birrë në dorë. “A nuk ua thashë të mos qëndroni atje në rrugë? Nuk dua që të shiheni jashtë. Futuni brenda, tani”, bërtiti ai në gjuhë të folur shqipe të Kosovës.

Në ndërkohë, veturat të cilat po bartnin ata çfarë dukeshin të jenë sirianë arritën. Ai ktheu mbrapsht. “Jemi përplot. Shkoni. Ikni. Përplot – a kuptoni? S’mund t’u ndihmojë sot”.

Burrit nuk i pëlqente që gazetarët po xhironin. Ma mori kamerën dhe telefonin.

“Unë jam pronari këtu – ti nuk bën asgjë pa lejen time përndryshe do ta thyej kamerën”, tha ai. “A do ta shohësh se si e bëj?”

Ai tallej me kërcënimet se do ta thirrja policinë: “Jepi. Policët janë këtu, në xhepin tim. Kë do ta thërrasësh?”

U largova, pa telefonin dhe kamerën. Në periferitë e përbaltura të Palicit, skaj rrugës i gjeta dy meshkuj shqiptarë të Kosovës në të njëzetat e tyre.

Ata ishin nga Broja në Kosovën qendrore, fshati i Hashim Thaçit, ish-kryeministër dhe aktualisht ministër i punëve të jashtme. Kishin vendosur të tentojnë të futen në Hungari pa ndihmën e një trafikanti.

Njëri, i quajtur Fitim, tha: “I njohim njerëzit të cilët janë mashtruar nga pronari i Villa Liras. Pasi që ua merr paratë e të gjithëve ai i shet disa prej tyre tek policia serbe, ashtu që ata duhet t’i paguajnë edhe ata. Do të ecim deri në Hungari vet në muzg – nuk do ta paguajmë kurrfarë trafikanti”.

Përgatitja për t’u larguar:

Më 3 shkurt, në Llugë, një fshat në Podujevë, Zahide Konushevci po ua vendoste dorëzat në duart e tre fëmijëve të saj, Nitës, Rinesës dhe Gentritit, duke i bërë ata gati për rrugëtimin e gjatë nëpërmes pyllit në kufirin Serbi-Hungari.

“Do të jetë e vështirë për fëmijët ta kalojnë atë kufi, duke ecë në këmbë në këtë mot dimri, por është më mirë të vuajnë për pak kohë sesa të vuajnë për tërë jetën e tyre” tha babai i tyre, Isa Konushevci.

Diku rreth 200 njerëz kanë lëshuar këtë fshat prej 2,000 njerëzish. Isa, së bashku me rreth 100 njerëz, punonin në një firmë vendase. Tani, ajo i punëson vetëm 30 njerëz sepse i është ngadalësuar puna.

“Nuk mund ta durojë më këtë. Po largohem sepse nuk shoh shpresë për një të ardhme më të mirë në Kosovë”, tha Konushevci.

“Udhëheqësit të cilët na kërkojnë të mos e braktisim Kosovën nuk kanë kurrfarë kredibiliteti të na e kërkojnë të bëjmë këtë, sepse ata janë njerëzit përgjegjës të cilët e kanë sjellë Kosovën në gjendjen në të cilën ajo është tani”, vazhdoi Konushevci.

Numrat janë duke fluturuar:

Kombinimi i saktë i faktorëve prapa valës së madhe të papritur në emigrim është i paqartë. Ajo çfarë është e qartë është se numrat po rriten pabesueshëm.

Në nëntor të vitit 2014, aplikimet e reja për azil në shtetet e BE-së nga Kosova u dyfishuan krahasuar me muajin paraprak.

Rritja dramatike vazhdoi në janar. Hungaria dhe Gjermania kanë qenë shtetet më të prekura.

Deri në dhjetor, shtetasit kosovarë konsideroheshin si 40 për qind e të gjithë atyre të cilët u zbuluan duke hyrë paligjshëm në kufijtë e jashtëm të BE-së, sipas Frontex-it, i cili menaxhon kufijtë e bllokut.

Ekonomia mos-funksionuese duhet të fajësohet padyshim. Papunësia është lëkundur prej 40 deri në 50 për qind të popullatës së rritur për së paku një dekadë.

Sidoqoftë, Armend Malazogu, kompania Frutomania e të cilit punëson 70 njerëz përgjatë tërë vitit dhe 300 punëtorë sezonalë, për të bërë lëng pemësh, thotë se pakënaqësia duhet të fajësohet më shumë sesa dëshpërimi.

“Njerëzit nuk vdesin nga uria në Kosovë dhe nuk po largohen vetëm pse nuk ka bukë në tavolinë”, thotë Malazogu.

“Ata po largohen sepse autoritetet nuk mund të ofrojnë arsimim të mirë dhe përkujdesje të mirë shëndetësore për ta”, shtoi ai.

“Ata largohen sepse duan që fëmijët e tyre të arrijnë më shumë sesa që kanë arritur prindërit e tyre sa i përket arsimimit dhe sepse duan të shërbehen nga një sistem shëndetësor i cili nuk i lë në baltë”, vazhdoi ai.

Efekti po ndjehet në shkolla pasi që nxënësit thjesht po zhduken nga klasa.

“Më shumë se 800 nxënës i kanë lënë shkollat fillore dhe të mesme në Prishtinë qëkur ka nisur viti shkollor, prandaj jemi shumë të shqetësuar”, tha Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në nivel nacional, autoritetet e arsimit thonë se numri i nxënësve të cilët janë zhdukur që prej fillimit të vitit shkollor është mbi 5,000.

Rrugëtim i rrezikshëm për në Hungari:

Javën e kaluar familja Konushevci eci me vështirësi nëpërmes të turmave në stacionin e autobusëve të Prishtinës. Javëve të fundit stacioni është mbushur me ata që aspirojnë të bëhen emigrantë dhe familjet të cilat u thonë lamtumirë.

Linja shtesë të autobusëve janë shtuar në orar për t’i përmbushur kërkesat.

Konushevcët përfundimisht e gjetën autobusin e tyre, por u deshtë të qëndrojnë në këmbë, sepse ishte shumë i mbushur.

“Po ëndërroj për një vend ku fëmijët e mi do të kenë arsim të duhur dhe ku nuk do të kanë nevojë për lidhje që të gjejnë një punë kur të diplomohen dhe ku asnjëri prej nesh nuk ka nevojë t’i japë ryshfet mjekut nëse na duhet përkujdesje shëndetësore”, tha Isa Konushevci, sapo u fut në autobus.

“Qeveria nuk e dëshmoi se mund të na ofrojnë secilën nga këto; Kurrë se kam menduar se do të jam këtu, 15 vjet pas [fundit të] luftës [me Serbinë]”, shtoi ai.

Megjithatë, rrugëtimi i tyre nuk qe i lehtë. Policia serbe e arrestoi familjen afër Suboticës, në afërsi të kufirit hungarez. Ata u liruan pasi që paguan një gjobë, tha vëllai i Isës, Gazmendi.

Por ato nuk u dorëzuan dhe nuk u kthyen në shtëpi. Tani ata janë në Hungari. “Ata janë në Budapest. Më kanë treguar se rrugës kanë vuajtur tmerrësisht shumë”,  Gazmendi raportoi këtë javë.

Përvoja e tyre e ashpër ka shtyrë Gazmendin të mendojë dy herë nëse ai duhet të ndjekë shembullin e tyre, dhe t’i çojë fëmijët e tij të vegjël, ashtu siç e kishte bërë plan.

Autoritetet janë të shqetësuara:

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një vizite në Ferizaj më 6 shkurt iu lut qytetarëve që të qëndrojnë.

“E dimë se Kosova nuk është në gjendjen në të cilën e kemi dashur të jetë sot, por emigrimi nuk është zgjidhja”, tha ajo.

Megjithatë, qeveria e kryeministrit Isa Mustafa, tashmë dy muaj e vjetër, ende duhet të dalë me çfarëdo zgjidhje për problemin e emigrimit masiv.

Javën e kaluar, ajo tha se mund t’i shlyejë borxhet që qytetarët u kanë institucioneve qeveritare dhe kompanive publike të cilat datojnë para vitit 2009.

Paralajmërimi u përballë me një ngritje kolektive të supeve.

Agron Demi, nga Instituti GAP, një think-tank me bazë në Prishtinë, thotë se paradoksalisht emigrimi masiv mund t’i japë Kosovës një hapësirë frymëmarrjeje shtesë të vlefshme ekonomike.

Diaspora ekzistuese, e cila numëron disa qindra mijëra në Evropë, me pjesën më të madhe në Gjermani dhe Zvicër, dërgon në shtëpi më shumë se gjysmë-miliardi euro për vit.

Demi vlerëson se këto para janë një shtytës i rëndësishëm për ekonominë vendore.

“Marrë parasysh se një pjesë e madhe e popullatës së Kosovës aktualisht jeton me remitanca të dërguara nga anëtarët e familjes të cilët punojnë në vende si Gjermania”.

Megjithatë, ai thotë se shumë kosovarë “janë lodhur duke jetuar kështu” dhe “duan të provojnë të bëjnë para për vetveten”.

Se sa do të kenë rastin të fitojnë para për vetveten në Evropë mbetet të shihet.

Zyrtarët gjerman janë të prerë se njerëzit të cilët kërkojnë azil në baza kryekëput ekonomike do të kthehen në shtëpi dhe thonë se shpejtësia e përpunimit të aplikacioneve është duke u përshpejtuar.

Manfred Schmidt, President i Zyrës Federale të Gjermanisë për Migrim dhe Refugjatë, tha se të duash një jetë më të mirë në Gjermani nuk është arsye e mjaftueshme sa duhet për t’u lejuar që të qëndrosh. “Shkalla e miratimit për aplikacionet e azilit të bëra nga qytetarët kosovarë praktikisht është zero për qind”, ka thënë ai për Deutsche Welle.

Hulumtimit i kontribuoi edhe Astrit Perani.