Emërimet e Qeverisë Kurti, çfarë shkollimi kanë anëtarët e bordit të Ujësjellësit “Prishtina”?

Më 2 prill, Qeveria në detyrë shkarkoi anëtarët e disa bordeve të ndërmarrjeve publike e më pas emëroi anëtarët e rinj.

Ndër ta ishte edhe bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Vendimi i cili mbante nënshkrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbante katër emra të rinj për bordin e përkohshëm të KRU “Prishtina”.

Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor, Hajrije Morina, drejtoreshë, Idriz Maliqi, drejtor dhe Seat Bilibani, drejtor.

Në mbledhjen e Qeverisë, Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, dha katër arsye pse u shkarkua bordi i Ujësjellësit.

“Shpërfillja e humbjeve të shkaktuara nga kryeshefi, mosadresimi i opinionit të Auditorit, mosadresimi i gjetjeve të auditorit të brendshëm dhe emërimi i parregullt i ushtruesit të detyrës së kryeshefit”, kishte deklaruar Hajdari.

KALLXO.com me anë të kërkesës për qasje në dokumente publike ka siguruar CV-të e anëtarëve të bordeve në shtatë ndërmarrje publike të emëruar përkohësisht nga qeverisja e tanishme.

Mentor Hyseni, kryesues i bordit të përkohshëm në ndërmarrjen publike KRU “Prishtina”, ka një përvojë mbi dhjetëvjeçare si auditor i brendshëm . Ai, siç është përshkruar në CV-në e tij, aktualisht është i angazhuar si ekspert i financave publike në Kuvendin e Kosovës.

Hyseni ka punuar edhe në disa pozita menaxheriale në institucione publike si dhe është i certifikuar si kontabilist dhe auditor i brendshëm.

Ai ka përfunduar studimet themelore për financa në Fakultetin Ekonomik, pranë Universitetit të Prishtinës. Në të njëjtin institucion universitar ka përfunduar nivelin master të studimeve në drejtimin Banka dhe Financa. Kryesuesi i bordit të përkohshëm në KRU “Prishtina” është kandidat për doktorant në drejtimin Banka, Financa dhe Ekonomi pranë Qendrës Evropiane për Paqe dhe Zhvillim (ECPD).

KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në të Mentor Hysenit, kryesues i bordit të përkohshëm në ndërmarrjen publike KRU “Prishtina”.

Hajrije Morina, është anëtare e emëruar nga ekzekutivi kosovar në bordin e përkohshëm të Ujësjellësit “Prishtina”.

Morina është me profesion hidro-inxhiniere ndërsa studimet postdiplomike i ka përfunduar në vitin 2009 në Universitetin e Bernit. Ajo, gjithashtu, ka përfunduar edhe studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në vitin 1990. Morina ka edhe disa certifikata në fushën e menaxhimit të projekteve në këtë fushë në Holandë dhe Zvicër.

KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në me përvojën e plotë të Hajrije Morinës, anëtares së bordit të përkohshëm në ndërmarrjen publike KRU “Prishtina”.

Idriz Maliqi është anëtari tjetër i emëruar në Ujësjellësin “Prishtina”. Ai ka përshkruar në CV-në e tij një përvojë si menaxher në disa projekte të ndryshme, kryesisht në fushën e ujit. Disa prej projekteve në të cilat ka qenë i anagzhuar kanë qenë edhe rajonale.

Maliqi ka përfunduar Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës pranë Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka deklaruar se flet rrjedhshëm përveç gjuhës shqipe edhe anglishten, serbo-kroatishten dhe gjermanishten.

KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në e Idriz Maliqi, anëtar i emëruar në bordin e përkohshëm të ndërmarrjes publike KRU “Prishtina”.

Seat Bilibani është anëtari i katërt i emëruar nga Qeveria Kurti në bordin e përkohshëm të KRU “Prishtina”.

Ai ka përfunduar studimet themelore në drejtimin Menaxhment në Kolegjin Biznesi dhe është duke përfunduar po në të njëjtin kolegj studimet master në Menaxhment dhe Financa.

Bilibani si përvojë pune në CV-në e tij ka përshkruar edhe punën si drejtor për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit për pesë muaj në vitin 2017.

KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në e Seat Bilibani, anëtar dhe drejtor në bordin e përkohshëm të Ujësjellësit “Prishtina”.

KALLXO.com me qëllim ka mbuluar të dhënat personale të anëtarëve të bordit për të ruajtur privatësinë e secilit.

KALLXO.com do të vazhdojë t’i publikojë CV-të e gjithë anëtarëve të emëruar nga Qeveria Kurti.

Standardi i ri i punësimeve nën arsyetimin e ‘emërimeve’

Përvojat e anëtarëve të emëruar nga Qeveria Kurti në Bordin e Telekomit

www.kallxo.com