Top Secret Privacy Confidential Classified Stamp Concept

Ekipi ligjor i Trump e pranon mundësinë që ish-presidenti të akuzohet

Ekipi ligjor i Donald Trump e ka pranuar mundësinë që ish-presidenti mund të paditet mes hetimeve për ruajtjen e sekreteve qeveritare në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida.

Pavarësisht faktit se ditë më parë pretenduan se ishte e paimagjinueshme që Trump të akuzohej, avokatët e tij bënë një pranim të qartë në një dosje gjyqësore të hënën, duke propozuar se si të kryhej një shqyrtim i jashtëm i dokumenteve që u sekuestruan nga FBI në gusht.

Gjykatësi federal Raymond Dearie, i caktuar për të ndihmuar në administrimin e procesit të rishikimit, i kishte kërkuar më parë Trump ta detajonte çdo material të ruajtur në Mar-a-Lago që ai mund të kishte vendosur t’i deklasifikonte. Në dosjen gjyqësore, avokatët e Trump thanë se kërkesa e tij për ta bërë këtë mund ta dëmtojë çdo mbrojtje të mundshme nëse ai më vonë akuzohet dhe se ai nuk duhet të “zbulojë plotësisht dhe në mënyrë specifike një mbrojtje për meritat e çdo aktakuze të mëvonshme pa u evidentuar një kërkesë të tillë” gjatë shqyrtimit.

Që nga e marta, avokatët e Trump kanë pretenduar se ai mund t’i deklasifikonte cilindo nga dokumentet, por nuk kanë thënë se ai në të vërtetë e ka bërë një gjë të tillë.

Ish-presidenti deri më tani ka qenë i prirur ta shqyrtojë publikisht mundësinë që ai mund të akuzohet për kërkimin e FBI-së. Në një intervistë të 15 shtatorit me prezantuesin konservator të radios Hugo Hewitt, Trump tha: “Nuk mund ta imagjinoj të jem i paditur, nuk kam bërë asgjë të keqe” – qoftë në rastin e dokumenteve të klasifikuara, qoftë në hetimin e përpjekjeve të tij për t’i minuar rezultatet e zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat ai i humbi nga kundwrkandidati demokart, Joe Biden.

Trump gjithashtu shtoi se nuk mendon se njerëzit e Shteteve të Bashkuara do ta mbështesin një gjë të tillë dhe se akuzat nuk do ta pengojnë atë të kandidojë përsëri për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, nëse ai dëshiron një kandidim.

Prokurorët e departamentit të drejtësisë amerikane e kanw paraqitur propozimin e tyre për shqyrtimin e jashtëm të dokumenteve të sekuestruara, me dallime kryesore: ndërsa ekipi i Trump dëshiron që Dearie t’i bëjë të rishikueshme dokumentet e sekuestruara brenda disa ditësh, departamenti i drejtësisë pohoi se ai duhet së pari të kontrollojë me agjencinë federale përgjegjëse për menaxhimin e të dhënave të qeverisë.

Dearie do të ketë takimin e tij të parë me avokatët e ish presidentit Trump dhe prokurorët e departamentit të drejtësisë të martën në gjykatën federale në Brooklyn. Ai u emërua në rolin e tij nga gjyqtarja federale me seli në Florida, Aileen Cannon, e cila po mbikëqyr procesin e rishikimit të dokumenteve të bërë të nevojshme nga kërkimi në Mar-a-Lago.

Cannon i ka dhënë Dearie një afat deri në 30 nëntor për t’i shqyrtuar dokumentet.

FBI ka thënë se kërkimi i saj në vendpushimin e Trump erdhi pasi agjentët zhvilluan prova bindëse se ish-presidenti po ruante atje materiale sekrete qeveritare. Sipas zyrtarëve, agjentët sekuestruan rreth 11,000 dokumente, si dhe 48 dosje bosh të markuara me shenja të klasifikuara.

Trump dhe bashkëpunëtorët e tij kanë qenë gjithashtu nën hetimin e Kongresit për veprimet e tyre para, gjatë dhe pas sulmit vdekjeprurës të Kapitol Hillit të SHBA-së e organizuar nga një turmë e mbështetësve të tij më 6 janar 2021.

Sulmi synonte ta ndalonte Dhomën e Përfaqësuesve dhe Kongresin e SHBA-së që ta vërtetonin fitoren e presidentit aktual Joe Biden në garën e vitit të kaluar për Shtwpinw e Bardhw. Ndër të tjera, Trump akuzohet se i ka injoruar lutjet për t’i tërhequr përkrahësit e tij në ditën e rrethimit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala