Edhe Prishtina Kërkon Hetime Ndaj Del Pontes

Pas Republikës së Shqipërisë, edhe Qeveria e Kosovës kërkon nga autoritetet kompetente ndërkombëtare që të fillohen hetime kundër ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, ICTY, Carla del Ponte, për keqpërdorimin e autoritetit të saj si kryeprokurore.

“Duke i njohur autorizimet dhe privilegjet e saja ligjore, Qeveria e Republikës së Kosovës ndan mendimin se këto autorizime dhe privilegje janë tejkaluar dhe keqpërdorur deri në atë masë sa ka lejuar ngritjen e aktakuzave krejtësisht të pabaza, tendencioze e të kundërligjshme, duke çuar kështu në burgosjen dhe njollosjen e karaktereve të shumë figurave të çmuara politike të Republikës së Kosovës, si dhe duke dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë shtypi të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria përmend rastin Haradinaj dhe të tjerët, rastin Limaj e të tjerët në vitin 2003 dhe “fabrikimet fantastiko-shkencore” të Carla del Pontes lidhur me akuzat e senatorit zviceran, Dick Marty, ndaj krerëve të UÇK-së, përfshirë kryeministrin aktual Hashim Thaçi, si raste me të cilat Del Ponte ka abuzuar.

“Ndonëse gjithmonë me besimin e plotë në pafajsinë e z. Ramush Haradinaj, në luftën e pastër të UÇK-së, por edhe të gjykuarve të tjerë të këtij Tribunali- akuzat e pabazuara ndaj z.Fatmir Limaj dhe pjesëtarëve tjerë të UÇK-së të gjithë të shpallur të pafajshëm, ka qenë gjithnjë mbështetëse e fuqishme dhe bashkëpunëtore e punës së këtij Tribunali. Kjo është bërë pikërisht për të vërtetuar për të shumtën herë, nga instanca më e lartë, që këta persona dhe kjo luftë kanë qenë gjithnjë të pastër dhe në përputhje me të gjitha ligjet e luftës”, thotë Qeveria e Kosovës.

Por, Qeveria ndan mendimin se kjo tolerancë është abuzuar nga ish-kryeprokurorja Del Ponte, “e cila edhe tani ka pranuar publikisht që akuza e ngritur kundër z. Haradinaj ishte e pambështetur me prova të cilat mund të çonin në dënimin e tij”.

Qeveria e Kosovës shpreh indinjatën edhe lidhur me deklaratat e prokurorëve te tjerë të këtij Tribunali, “të cilët vazhdimisht kishin shprehur mosbesimin e tyre në provat e ofruara nga znj. Del Ponte, dhe veçanërisht në vetë deklaratat e saj të fundit me të cilat ajo ka pranuar që aktakuza që kishte ngritur kishte mungesë provash e dëshmitarësh”.

Qeveria kosovare i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Tribunalit dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare OKB-së që dhe të fillojë hetimin e veprimeve të saja të kundërligjshme të cilat në çdo situatë do të arsyetonin zhveshjen e saj nga privilegjet që ajo do të gëzonte normalisht si prokurore.