ARKIV - Homazhet në nderim të Astrit Deharit - Foto: KALLXO.com

Edhe pas katër vitesh, vdekja e Astrit Deharit vazhdon të mbetet mister

Sot bëhen katër vjet nga dita kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej pas dyshimeve për sulmin në Kuvend.

Rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit akoma mbetën të pa sqaruara dhe akoma nuk dihet se çfarë saktë kishte ndodhur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit.

Ajo çfarë dihet është se menjëherë pas konfirmimit të vdekjes së tij në opinion ishin dhënë deklarata të ndryshme në lidhje me mënyrën e vdekjes së tij.

Deklaratat e para ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Pas autopsisë, rezultatet sipas kryeprokurorit të atëhershëm në Prizren, Sylë Hoxha, kishin konstatuar se Astriti kishte pasur probleme me frymëmarrjen.

Rezultatet e autopsisë nuk ishin bindëse për familjen e Astritit, dhe prindërit e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje e kishin drejtuar gishtin tek pushteti duke e quajtur vdekjen e tij vrasje.

Vdekjen e Deharit e bëri më të mistershme pas gjashtë muajsh edhe vdekja e Naser Makollit i cili kishte qenë dëshmitari kyç dhe personi i parë që e kishte gjetur të vdekur Astrit Deharin.

Naser Makolli, në një deklaratë të tij, e kishte përshkruar Astritin si një njeri të qetë, të lumtur, që nuk paraqiste asnjë çrregullim, asnjë frikë apo shqetësim dhe se i njëjti asnjëherë nuk e kishte përmendur se do të mund t’i bëjë diçka vetes.

Deklarata e Naser Makollit: Astrit Dehari asnjëherë s’e ka përmendur se mund t’i bëjë diçka vetes

Për të zbardhur rastin e vdekjes djalit të tyre, familja Dehari kishte kërkuar kryerjen e një super-ekspertize.

Me propozim të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 50 mijë euro për mbulimin e kostos së super-ekspertizës.

Prindërit e Astrit Deharit kishin thënë se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

Jashtë vendit për ekspertizë ishin dërguar edhe video incizimet e kamerave të sigurisë së qendrës së paraburgimit në Prizren.

Në ekspertizën e kryer në Austri thuhej se nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje në kamerat e sigurisë dhe se ky konstatim e përjashtonte mundësinë e manipulimit me kamera.

Ndërsa ishte ekspertiza zvicerane i kishte shtuar edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit pasi ishte kërkuar që të hapej edhe një herë hetimi duke mos e përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Rasti Dehari: Analiza e Zvicrës nuk përjashton vrasjen

Deri te ky rekomandim për rihapjen e hetimit instituti zviceran kishte ardhur pasi kishte konstatuar prezencën e ADN-së së një personi tjetër në rripin e orës së ekzaminuar.

“Kampionet e realizuara mbi faqen e jashtme të rripit dhe kuadrit të orës së markës “MOËATCH”(19-T034971d1) ka mundësuar të kemi një profil të ADN-së së përzier. Ai është i përbërë nga një fraksion madhor i pjesshëm (14/16 lokuese) me prejardhje nga një person i panjohur që ne e kemi emëruar H1. Ky profil i ADN-së është ndryshe nga ai i z. Dehari ASTRIT (#A.D), një fraksion minor në veçanti është i pranishëm. Ky megjithatë nuk është i realizueshëm. Kampionet e kryer mbi faqen e brendshme të rripit dhe kuadrit të orës (19-T03497d2) nuk na kanë mundësuar të kemi një profil të realizueshëm të ADN-së”, thuhet në raport.

Raportin e plotë në gjuhën shqipe mund ta lexoni KËTU

Pas ekspertizës zvicerane, zbulimi i misterit i vdekjes së Astrit Deharit ishte bartur në duart e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Ndërkaq për ta bërë edhe më të mistershëm këtë rast në janar të vitit 2020 u raportua zhdukja e cimerit tjetër të qelisë së Astrit Deharit.

Adonis Gashi, njëri nga tre shokët e qelisë në të cilën po mbahej Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë.

Gashi ishte dënuar në rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi ndërsa ishte në liri për disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata e shkallës së parë.

Ndryshe nga dy shokët e dhomës së Astritit, shoku i tretë i burgut Luz Allakaj u lirua.

Për lirimin e tij kishte reaguar Lëvizja Vetëvendosje pasi i njëjti ishte falur nga Presidenti Thaçi.

Atij iu falën 3 vjet e gjysmë burgim nga Presidenti pasi ishte duke e vuajtur dënimin për vrasjen e të miturit 13 vjeçar.

Astrit Dehari ishte arrestuar në vitin 2016 si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për terrorizëm kundër shokëve të tij.

Atdhe Gashi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha u akuzuan në dhjetor të vitit 2016 për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

Në lidhje me këto akuza, në nëntor të vitit 2017, katër të akuzuarit ishin dënuar me mbi 21 vite burgim.

Atdhe Arifi  u dënua me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet burg, Egzon Haliti, me 5 vjet e gjysmë burg si dhe Adea Batusha u dënua me 2 vjet burg.

Ky vendim ishte prishur nga Gjykata e Apelit e cili e kishte kthyer çështjen në rigjykim pas shkeljeve të cilat i kishte konstatuar.

EKSKLUZIVE: Rigjykim për Aktivistët e VV-së të Dënuar për Terrorizëm