Ecja e Kosovës përpara përmes pesë prioriteteve ekonomike

Shumë barriera e pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës, por janë veçuar pesë kryesore për të cilat duhet intervenime të menjëhershme.

Këto masa prioritare janë parakusht për të siguruar rritje më të madhe ekonomike, e për rrjedhojë rritje edhe të punësimit dhe të mirëqenies për qytetarët e Kosovës.

Reformat serioze të orientuara kah ndërtimi i ekonomisë së bazuar në treg dhe krijimi i një stabiliteti ekonomik dhe politik janë faktorë kyç të rritjes në ekonomitë në tranzicion. E për Kosovën aktualisht janë të nevojshme:

  1. Formulimi i Strategjisë Afatgjatë të Zhvillimit Ekonomik (SAZHE)
  2. Sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë
  3. Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat përmes zbatimit me përpikëri të Ligjit të Punës si dhe zhvillimi i sektorit privat
  4. Luftimi i ekonomisë jo-formale
  5. Luftimi i korrupsionit

Këto masa janë si parakushte në mënyrë që të merren masat tjera që kanë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik dhe gjenerimin e punësimit.

Formulimi i Strategjisë Afatgjate të Zhvillimit Ekonomik (SAZHE)

Kosova aktualisht nuk ka Strategjinë Afatgjate të Zhvillimit Ekonomik për të shërbyer si një dokument strategjik-ombrellë, i cili do të përshkruante rrjedhën dhe orientimet e zhvillimit të vendit. Kemi strategji të shumta dhe të detajuara sektoriale, por përballemi me vështirësi në koordinimin dhe zbatimin e tyre. Kjo ishte njëra prej pengesave kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Qeveria duhet të formulojë një strategji afatgjate të zhvillimit ekonomik për periudhën deri në vitin 2030, që është cikli i ardhshëm i strategjisë së BE-së, duke e sinkronizuar atë me Agjendën për zhvillimin e qëndrueshëm të BE-së që shtrihet deri në 2030. Këtë Strategji duhet ta aprovojë edhe Kuvendi i Kosovës. Ky dokument duhet të përfshijë të gjitha qëllimet aktuale, përparësitë dhe aktivitetet që rrjedhin nga proceset strategjike të BE-së, veçanërisht ‘BE 2030’, të cilat duhet të integrohen me përparësitë e zhvillimit strategjik të Kosovës në fushat e përpunuara më tej nën-strategjitë sektoriale.

Formulimi i Strategjisë Afatgjate të Zhvillimit Ekonomik ka rëndësi shumëdimensionale për Kosovën. Kosova duhet sa më shpejtë që është e mundur të krijojë një Qendër Shtetërore të Bashkërendimit Ndërsektorial të udhëhequr nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për formulimin e Strategjisë Afatgjate të Zhvillimit Ekonomik. Kjo qendër do të definonte objektivat zhvillimore të Kosovës mbi bazën e resurseve të saja dhe do të shërbente si bazë për planifikime të mirëfillta.

Para së gjithash rëndësia e Strategjisë Afatgjate të Zhvillimit Ekonomik është: a) ekonomike; b) financiare dhe c) fiskale.

a) Rëndësia ekonomike: Strategjia është parakusht për zhvillimin e degëve të ekonomisë, rritjen e punësimit, pasi do t’i adresojë pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kombinimi i duhur i politikave ekonomike mund të gjenerojë modelin ekonomik që siguron vetëqëndrueshmëri të rritjes ekonomike.

b) Rëndësia financiare. Strategjia Afatgjate është e domosdoshme edhe për financimin publik të qëndrueshëm të Kosovës. Kjo për faktin sepse financimi i qëndrueshëm publik në një shtet është i kushtëzuar nga ekzistenca e tri dokumenteve bazike: a) strategjia afatgjate e zhvillimit ekonomik; b) korniza afatmesme e shpenzimeve (KASh), dhe c) buxheti. Korniza afatmesme e shpenzimeve është derivat i strategjisë afatgjate të zhvillimit ekonomik ndërsa buxheti është derivat i Kornizës afatmesme të shpenzimeve publike.

Kosova e ka dokumentin nën b dhe c, pra KASh-in dhe buxhetin, ndërsa i mungon strategjia afatgjate e zhvillimit ekonomik, i cili është dokumenti bazik mbi bazën e së cilës duhet të përpilohen dy dokumentet vijuese. Kjo është arsyeja që Kosova nuk mund të ketë rezultate konsistente, por vetëm fragmentare dhe të përkohshme.

c) Rëndësia fiskale. ‘Conditio sine qua non’ (kusht i domosdoshëm) për një ekonomi të qëndrueshme është ekzistimi i një politike fiskale të qëndrueshme dhe afatëgjate. Politikë e qëndrueshme fiskale është ajo e cila mund të vazhdojë të ekzistojë pa pasur nevojë për modifikime, ndërsa me politikë të paqëndrueshme fiskale kemi të bëjmë atëherë kur ekzistenca e saj kushtëzohet me ndërmarrjen e ndryshimeve të caktuara. Në rastin e Kosovës vazhdimisht ka pasur modifikime në domenin e shpenzimeve, me theks të veçantë në vitet e fundit. Kjo ka bërë që politika fiskale të marrë karakter ad-hoc. Kjo shprehje, në anglisht, në përgjithësi nënkupton një zgjidhje të dizajnuar për një problem ose detyrë specifike, jo të përgjithësuar dhe që nuk synon të jetë në gjendje të përshtatet me qëllime të tjera. Në rastin e politikës buxhetore në Kosovë fraza ad-hoc nënkupton ofrimin e financimit për një rast me “prioritet” duke mos i marrë parasysh rastet tjera të cilat jenë të prioritetit të njëjtë. Në Kosovë, deri tani, Qeveria përmes politikës buxhetore nuk ka synuar të rialokojë burimet në përputhje me prioritetet ekonomike (maksimalizimi i fitimit) dhe prioritetet sociale (të mirëqenies publike) por ka synuar që përmes buxhetit dhe shpenzimeve ad-hoc të neutralizoj pakënaqësitë sociale të kategorive të ndryshme në sektorin publik.

Monedha euro – Foto: REL/AFP

Pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës, në domenin e të hyrave, ka bërë ndryshime kryesisht vetëm në normat tatimore, si TVSh, Tatimi në të Ardhura të Korporatave dhe Tatimi në të Ardhura Personale. Këto ndryshime me mburrje janë quajtur reforma tatimore. Reforma e mirëfilltë fiskale nuk bëhet vetëm me ndryshime në norma tatimore. Problemi kryesor është që sistemi tatimor i Kosovës akoma vazhdon të mbështetet kryesisht në dogana. Kjo nënkupton që dizajnuesit e politikës fiskale duhet të gjejnë burime tjera të të hyrave brenda territorit të Kosovës si zëvendësim i të hyrave nga dogana. Sistemi dhe politika fiskale në Kosovë ka nevojë për reformim të thellë dhe të mirëfilltë në të gjitha segmentet e saj konform me Strategjinë Afatgjate të Zhvillimit Ekonomik dhe në funksion të realizimit të saj.

Luftimi i ekonomisë jo-formale

Ekonomia joformale është pjesë e një ekonomie që as nuk tatohet (pasi shmanget ose operon ilegalisht) dhe as nuk monitorohet nga asnjë formë e qeverisjes. Ndryshe nga ekonomia formale, aktivitetet e ekonomisë joformale nuk përfshihen në prodhimin e brendshëm bruto (PPB ose GDP) të një vendi. Si e tillë, ekonomia joformale kryesisht përfshinë konceptet si evazionin fiskal (ekonomia gri, kontrabanda dhe aktivitetet tjera ilegale), punësimin jo-formal dhe nën-deklarimin e pagave të punëtorëve, si të hyrat e fituara nga aktivitetet ilegale, etj.

Ekonomia joformale qëndron në top listën e barrierave të të bërit biznes në Kosovë, pasi e njëjta përveç që i zvogëlon të hyrat e shtetit ka ndikim direkt në konkurrencë jo të drejtë në mes të bizneseve. Një ambient i biznesit i cili karakterizohet me informalitet të lartë i pengon firmat e reja, legale dhe inovative të rriten dhe të krijojnë vende të reja pune në treg. Për me tepër, kjo dërgon sinjale shqetësuese tek investitorët e huaj, duke i dekurajuar ata për të investuar në Kosovë.

Ekonomia joformale shtrihet gjithandej. Aktualisht më e theksuar është shmangja tatimore dhe doganore përmes kontrabandës që bëhet përmes rrugëve alternative në veri të Kosovës. Ekonomia joformale, qoftë në formë të kontrabandës, qoftë në formë të ekonomisë së hirët vazhdon edhe brenda territorit të Kosovës, ku personat fizik dhe juridik përdorin çdo formë shmangie vetëm që të mos paguajnë tatim dhe si pasojë buxheti shtetëror dëmtohet me qindra miliona euro në vit. Sektorët më problematikë me prezencë të ekonomisë joformale janë: sektori i ndërtimit, shërbimeve sidomos hoteleri, restorante, tregtia dhe transporti.

Gjendja e ekonomisë joformale në Kosove nuk është qartë e identifikueshme. Megjithatë, raportet vendore dhe ndërkombëtare theksojnë se ekonomia joformale në Kosovë është më shumë se 30% e PBB-së ose shprehur në numra i bie rreth 1.8 miliardë euro në vit. Një vlerësimi i fundit sektorial i masës së ekonomisë joformale i financuar nga BE-ja në vitin 2017 me të dhënat statistikore të vitit 2015, gjeti që shkalla e ekonomisë joformale në Kosovë arrinte deri në 31.7 % (EU, Further Support to Kosovo Institutions in fight against organized crime, corruption and violent extremism, 2017, fq.37). Një shkallë e tillë e  mos deklarimit të të hyrave nënkupton se bizneset kontribuojnë më pak se që duhet në buxhetin kombëtar dhe si rezultat  shërbimet publike, që do të mund të financoheshin nga tatimet e bizneseve, janë për një të tretën më të vogla se që do të mund të ishin. Kosova renditet në mesin e vendeve me moral fiskal të ulët si Algjeria (35%), Afrika Jugore (35%), dhe Ruanda (32%).

Ky nivel aq i lartë i ekonomisë joformale shkakton dëme të drejtpërdrejta ndaj konkurrencës dhe bizneseve të rregullta që i paguajnë tatime shtetit. Një tjetër efekt negative ka të bëjë me investimet e huaja direkte, sepse investitorët seriozë nuk do të vijnë në një vend ku evazioni fiskal përbën mbi 30% të PBB-së. Në këtë drejtim ajo gjithashtu paraqet pengesë të madhe në matjen e treguesve makroekonomik siç janë: bruto produkti vendor (BPV), shkalla e rritjes ekonomike dhe papunësisë, etj. të cilat reflektohen në krijimin e politikave ekonomike.

Ekonomia joformale në Kosovë influencohet nga shumë faktorë siç janë perceptimi mbi kualitetin e qeverisjes publike me të cilën qeveria funksionon, politikat tatimore, sjellja e administratës tatimore, barra tatimore e perceptuar, struktura tatimore në përgjithësi si dhe strategjia e përdorimit të masave shtrënguese. Këta janë vetëm disa prej faktorëve që ndikojnë mbi gatishmërinë e tatimpaguesve për të paguar tatimet. Në rastin e Kosovës konsideroj se faktorë kryesor influencues të ekonomisë joformale në përgjithësi dhe evazionit tatimor në veçanti janë: Kualiteti i dobët i qeverisjes institucionale dhe Mungesa e sundimit të ligjit.

a) Mungesa e sundimit të ligjit në Kosovë ka ndikuar në zvogëlimin e transparencës mbi aktivitetet e institucioneve publike, ka rritur korrupsionin dhe ka rritur mosbesimin te tatimpaguesit dhe, si rezultat, tatimpaguesit nuk kanë dëshirë që ta financojnë qeverisjen me anë të pagimit të tatimeve dhe si pasojë bëjnë evazion tatimor. Adam Smith gati tre shekuj më parë theksonte se “Atje ku të paktën ka një dyshim të zakonshëm për shumë shpenzime të panevojshme dhe keqmenaxhim të shpenzimeve publike, legjislacioni që e ruan atë respektohet pak”.

Nëse i referohemi historisë së shteteve me edukatë të lartë tatimore do shohim se edhe këto shtete në fillimet e konsolidimit të tyre kanë pasur një evazion shumë të lartë tatimore, por sundimi i fort, i drejt dhe permanent i ligjit ka bërë që ato të bëhen shtete me edukatë të lartë tatimore.

b) Përgjegjësia e institucioneve qëndron, përveç tjerash, në krijimin e mekanizmave që sigurojnë kualitet të qeverisjes dhe politike të qëndrueshme fiskale. Kjo nuk është arritur mjaftueshëm në Kosovë.

Veprimet e institucioneve të Kosovës në luftimin e ekonomisë joformale kanë qenë të zbehta dhe jo të koordinuara nga të gjitha qeveritë e deritanishme. Hapi më serioz në këtë kuadër është miratimi në muajin maj të këtij viti i një strategjie të rishikuar dhe një plan veprimi për të luftuar ekonominë informale. Megjithatë, kjo strategji do konsiderohet e suksesshme vetëm nëse jetësohet në praktikë duke u ndërmarrë veprimet që janë të parapara në të, si dhe nëse ka vullnet të fort politik të qeverisë për luftimin e kësaj dukurie. Nga praktikat e luftës së shteteve kundër ekonomisë jo-formale mësojmë se suksesi në luftimin e ekonomisë jo-formale ka rezultuar vetëm atëherë kur strategjitë për luftimin e kësaj dukurie kanë qenë të shoqëruara me një vullnet të fort politikë të qeverive dhe veprime të sinkronizuara ndërinstitucionale.

Nivelit të lartë të ekonomisë joformale i referohet edhe Raporti mbi zgjerimin i BE-së kushtuar Kosovës i cili ju dorëzua në këtë vit Institucioneve të Kosovës. Raporti tërheq vëmendjen se evazioni fiskal dhe informaliteti vazhdojnë të pengojnë ekonominë dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme, veçanërisht në inspektimet në terren të bazuara në rrezik dhe në bashkëpunimin ndërinstitucional.

Administrata Tatimore duhet të forcojë më tej kapacitetet e saj administrative dhe profesionale dhe të sigurojë proceset e përzgjedhjes bazuar në merita dhe transparente. Raporti i BE-së rekomandon, citoj “Kosova duhet të zbaton në mënyrë sistematike strategjinë për luftimin e ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit financiar (2019-2023) dhe planit të saj të veprimit; si dhe  rritjen e bashkëpunimit me kornizën ekzistuese të gjyqësorit për të siguruar gjykimin me kohë të rasteve të evazionit fiskal dhe mashtrimit”. Pra, mirë që është përpiluar strategjia për luftimin e ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit financiar, por nevojitet që ajo të zbatohet.

Gjetja e zgjidhjeve për ekonomin joformale ka rëndësi të madhe nëse shikohet nga perspektiva ekonomike dhe socio-politike. Në këtë kuadër konsideroj se dizajnuesit e politikës fiskale në Kosovë do jenë më të suksesshëm nëse përqendrohen në gjetjen e mënyrave që gradualisht të inkorporojnë sektorin jo-formal në atë formal, sesa që ta eliminojnë atë.

Sundimi i ligjit

Dy prioritete shumë të rëndësishme që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në ekonomi janë: Sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit.

Të dy këto prioritete janë shpjeguar gjerë e gjatë se si të permirësohen. Mungesa e sundimit të ligjit shkakton pasiguri juridike dhe pasiguria juridike e shtyp shpirtin e ndërmarrësisë, dekurajon investimet dhe shkakton pabarazi në një treg të hapur dhe konkurrues duke rezultuar në zvogëlim të rritjes ekonomike. Me nenin 10 të Kushtetutës së Kosovës është sanksionuar orientimi ekonomik i Kosovës si shtet me ekonomi të tregut dhe konkurrencë të lirë. Praktikat e shteteve me ekonomi të tregut kanë dëshmuar se kontestet komerciale, tatimore, financiare,etj., nuk mund të zgjidhen nga gjykatat e rregullta të cilat janë kompetente për zgjidhjen e kontesteve penale, civile dhe administrative prandaj duhet themeluar Gjykatat e Specilizuara. Në këtë kuadër theksi bie mbi Gjykatën Tatimore, Gjykatën Komerciale, etj. Gjykatat e Specializuara janë shtyllat kryesore të garantimit të sigurisë juridike për bizneset vendore dhe investitorët e huaj dhe në mënyrë direkte do të kenë ndikim në joshjen e investitorëve të huaj dhe zvogëlimin e papunësisë.

Edhe luftimi i korrupsionit është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi aktualisht korrupsioni është fenomen në përmasa të mëdha në Kosovë. Korrupsioni i përhapur në kombinim me institucione të dobëta vazhdojnë të pengojnë mjedisin e biznesit. Kosova ka bërë luftën kundër korrupsionit formalisht prioritet në agjendën kombëtare, por ajo duhet të bëhet prioritet dhe duhet të bëhen hapa konkret për luftimin e kësaj dukurie.

Të drejtat e punëtorit

Masa e fundit dhe e pesta për një zhvillim të qendrueshëm ekonomik është mbrojtja e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat përmes zbatimit me përpikëri të Ligjit të Punës si dhe zhvillimi i sektorit privat. Në sektorin privat, sipas të dhënave, janë të evidentuar mbi 222 mijë punëtorë (pa e llogaritur informalitetin) që është numër shumë më i lartë se i atij në sektorin publik që është 80 mijë. Biznesi privat mund të gjenerojë numrin më të madh të vendeve te reja të punës dhe paraqesin shtyllën kurizore të ekonomisë vendore.

Në Kosovë, ligji i cili mbron të drejtat e punëtorëve është në fuqi që nga viti 2011, por si i tillë ky ligj nuk ka gjetur zbatim, në veçanti për punëtorët që punësohen në sektorin privat. Në Kosovë paga mesatare cilësohet të jetë më e lartë në sektorin publik dhe kjo ka shkaktuar që sektori privat të mos jetë punëdhënës i dëshirueshëm nga kosovarët. Për më tepër, shpeshherë kushtet e disfavorshme të punës, mosrespektimi i kontratave të punës dhe puna jashtë orarit kontribuon që sektori privat të cilësohet si një vend i pasigurt pune. Në vitin 2018 Inspektoriati i Punës ka kryer 9,531 insektime, që në raport me nr e bizneseve është numër shumë i vogël i inspektimeve të kryera. Mos-respektimi i të drejtave të punëtorëve në sektorin privat në mënyrë direkte e pengon zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Masat Pasuese

Pas ndërmarrjes së masave të lartëpërmendura, mund të vije në shprehje ndërmarrja e veprimeve që do të ndikonin në reduktimin e nivelit të papunësisë. Ulja e papunësisë mund të bëhet përmes zhvillimit të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla. Një nga nevojat e emergjente është sigurimi i mjeteve financiare kredituese përmes krijimit të Bankës së Zhvillimit të Kosovës, e cila do i kreditonte bizneset me norma shumë të ulta, apo simbolike të interesit.

Themelimi i kësaj banke që do t’i jepte përparësi kreditimit të sektorëve ekonomik si bujqësia dhe blegtoria. Një masë tjetër është mbështetja e sektorëve të caktuar përmes masave lehtësuese tatimore në varësi nga punësimet që bëjnë.

Përvec bankës, një infuzion për biznesin privat do të ishte edhe shfrytëzimi i parave që aktualisht menaxhohen nga Fondi i Trustit Pensiona dhe Fondi i Privatizimit. Këto mjete, në masë më të madhe, duhet të investohet në sistemin tonë bankar. Duhet të analizohet baza ligjore dhe mundësia e kthimit të mjeteve të Trustit të Pensoneve të Kosovës në Kosovë si mundësia e përdorimit të mjeteve të ngrira të Fondit të privatizimit.

Përvec sigurimit të financimit, në Kosovë bizneset kanë nevojë që t’i formalizojnë idetë e tyre për biznes. E kjo më së miri do të bëhej përmes një Agjencie që do të ofronte këshilla për bizneset. Këshillat përveç planave të thjeshta biznesore, do të ishin për bizneset veçse të konsoliduara për këshillime për rregullat dhe standardet e ekonomisë globale. Kjo Agjenci do të ndihmoj ndërmarrjet e reja për rregullat dhe standardet e ekonomisë globale, regjistrimin e biznesit, nxitjet tatimore, pagat, rekrutimin dhe konsultimin e burimeve njerëzore.

Autori është Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, bashëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal- Amsterdam, dhe anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të Profesorve të së Drejtës Tatimore -Amsterdam.

Artikulli i radhës është pjesë e serisë së analizave që ofrojnë zgjidhje për problemet më të mëdha të Kosovës, probleme të cilat qytetarët presin që do të adresohen në programe politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto analiza shkruhen nga ekipi jonë i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune në terren në fushën për të cilën po shkruajnë. Nëse ka njerëz tjerë me ide për zgjidhje të problemeve, e që janë jashtë partive, po i ftojmë të na shkruajnë analiza të ngjashme në ditët në vijim. Po e botojmë këtë seri me qëllim që të ushqejmë programet e partitë politike me ide për zgjidhje të problemeve. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë më shumë se zhurmë, huti dhe prognoza koti prej shoqërisë civile e mediave, andaj po ofrojmë ide për gjithë ata që e kanë seriozisht garimin në këto zgjedhje me program. Me këto analiza nuk po e luajmë vetëm rolin e kritikut dhe përshkruesve të mirë të problemeve, por, nëse lexoni deri në fund, do të shihni sugjerime për zgjidhje të problemeve. Të gjitha idetë janë të hapura për tu inkorporuar në programe të partive politike dhe për t`u përdorur nga qytetarë e gazetarë për të zhvilluar debate substianciale gjatë zgjedhjeve.