E Meritoj Kosovën më Shumë se Ti

Përvjetorët paraqesin kthesa të rëndësishme në jetën e një individi ose historinë e një shoqërie.  Në ditët e përvjetorëve ndodh një vlerësim kolektiv për të kuptuar metamorfozën nëpër të cilën kalon një popull. Mirëpo, vlerësimet shoqërore kanë gravitet më të madh kur përvjetorët kanë të bëjnë me përfundimin e ndonjë lufte. Përvjetorët e tillë paraqesin një kapitull të ri që reflekton ndryshe për të dyja palët e përfshira në luftë duke simbolizuar shpresë për njërën palë dhe pasiguri për tjetrën.

Muaji qershor shënoi katërmbëdhjetë vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë që erdhi si rezultat i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës i dha fund terrorit dhe masakrave serbe të ushtruara mbi popullatën shqiptare të Kosovës dhe mundësoi kthimin e gati një milion refugjatëve të shpërngulur prej shtëpive të tyre nga policia dhe ushtria e Serbisë. Për një shqiptar të Kosovës fundi i luftës ishte një shenjë se një jetë e re po fillon me perspektivë më të mirë. Për serbët e Kosovës kjo ishte një shenjë e qartë se pasiguria dhe frika janë duke u shfaqur. Ndërsa për marrëdhëniet ndër-etnike kjo periudhë u shoqërua me humbjen e fragmenteve të fundit të besimit dhe si rezultat i betonoi mundësitë e ballafaqimit me të vërtetën e luftës. Por, më interesantja është se kjo periudhë ishte koha kur filluan përçarjet e brendshme.

Pas një lufte shkatërruese Kosova mori një shteg të ri. Mijëra shqiptarë i vërshuan vendet e punës të para dhjetë vjetëve me shpresën se do të kthehen në to. Përkundër faktit që ky ishte një zhvillim i rëndësishëm pas një dekade të aparteidit të Millosheviqit, njashtu simbolizonte periudhën kur të gjithë si shoqëri filluam t’i varrosim virtytet e solidaritetit dhe zemërgjerësisë. Pas luftës të gjithë ia mësynë ta rehatojnë vetën së pari dhe kështu lufta jonë për mbijetesë u kthye në lakmi dhe luftë të asaj se kush e meriton Kosovën më shumë.

Sistemi i vlerave në shoqërinë tonë përjetoi një transformim drastik dhe çoi deri në shfaqjen e një koncepti ku ata që luftuan dhe qëndruan në Kosovë gjatë luftës meritonin shumë më shumë sesa të tjerët. Ndërkaq, ata të cilët me forcë u larguan nga shtëpitë e tyre dhe u bënë refugjatë trajtoheshin si më pak të rëndësishëm sepse përkushtimi i tyre për Kosovë zbehej nga fakti se nuk qëndruan në Kosovë.

Protestat e fundit në Kosovë në lidhje me gjykimin e disa prej ish-luftëtarëve të ish-UÇK-së tregojnë se sa të papërgatitur jemi kur vjen puna tek ballafaqimi me të kaluarën. Hetimet assesi nuk nënkuptojnë që personat në fjalë janë fajtorë, mirëpo nëse ka dyshime atëherë hetimet duhet të ndërmerren pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Problemi këtu prapë kthehet tek mentaliteti refugjatë apo luftëtarë.

Pjesëmarrja direkte në luftë vazhdon të pranohet si arsyetim për çfarëdo mos respektimi të ligjit apo rregullave në Kosovën e pasluftës. Pasurimi brenda natës, përfshirë edhe metodat ilegale, thjeshtë nuk kritikohen e as nuk kritikoheshe në verën e 1999, sepse që atëherë kishte filluar gara për atë se kush e meriton Kosovën më shumë. Si rezultat, në momentin që dikush dëshmonte se luftoi për Kosovë, atëherë të gjitha metodat për arritjen tek qëllimi i tyre anashkaloheshin – edhe nëse ato ishin ilegale dhe jofer.

Kjo mendësi u kthye në shprehi dhe tash, katërmbëdhjetë vjet pas luftës, çdo pore e jetës në Kosovë udhëhiqet nga mendësia “Unë e meritoj Kosovën më shumë se ti”. Kjo situatë e paralizon Kosovën në përpjekjet e saja për krijimin e një shteti funksional ku përkatësitë qoftë fetare, etnike e të tjera nuk arrijnë të bashkëjetojnë.

Përderisa përçarjet e brendshme ndodhin midis shqiptarëve në Kosovë midis atyre që luftuan dhe atyre që “ikën” dhe përçarjet e brendshme forcohen midis serbëve të jugut e të veriut, mundësia për një dialog fer dhe të qartë ndër-etnik shtyhet për dekada të tjera.

E në krejt këtë qark vicioz, Kosova e lë anash edhe një gjeneratë të tërë, e cila është zhytur thellë në të jetuarit me paragjykime dhe të drejta të vetë-rezervuara, pa asnjë perspektivë për përmirësim të jetesës dhe të mbështjellë me ndarje.