Ilustrim

E kaluara ndjekë të kthyerit nga zonat e konfliktit

Pak ditë pas kthimit në Kosovë, N* një nënë e cila përjetoi luftën në Siri dhe Irak e kishte kuptuar se një jetë e re me sfida e vështirësi po e priste atë dhe djalin e saj të vogël. Në njërën anë frika sesi do të pritej nga rrethi i ngushtë dhe komuniteti dhe pasiguria ekonomike, në anën tjetër.

Fatkeqësisht, të dyja këto hamendësime i dolën të vërteta.

“Kur u kthyem në Kosovë më pyetën a do më shku në fakultet apo me ndjekë ndonjë trajnim. Unë ju thash, dua ta ndjekë një kurs të rrobaqepësisë”, rrëfen N* për BIRN, përvojën e saj pas kthimit në Kosovë.

Kursin e kreu me sukses, por prej atëherë kanë kaluar tri vite e punë nuk ka gjetur ende.

Jeton vetëm me djalin e saj në një banesë me qira të cilën ia paguan shteti.

“Kom apliku në disa vende për rrobaqepësi po më kanë thënë se duhet përvoja, e unë përvojën nuk e kam”, thotë N* si me habi, kur pyetet mbi arsyet se pse nuk ka arritur të punësohet.

Në fakt, ka disa arsye që po ua vështirësojnë punësimin të kthyerve nga zonat e konfliktit. Edhe pse N* nuk e thotë prerazi, megjithatë nga hulumtimi del se edhe paragjykimet për të kaluarën janë pengesë evidente.

Në përgjithësi, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ende të krijojnë mekanizma të qëndrueshëm dhe që u ofrojnë perspektivë afatgjate ekonomike dhe rehabilituese të kthyerve nga zonat e konfliktit.

Mungesa e perspektivës ekonomike dhe punësimit vlerësohet të jetë një pengesë kryesore për risocializim dhe riintegrim.

Kjo potencohet edhe në Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit.

“Me gjithë përpjekjet e institucioneve shtetërore që të adresojnë të gjitha këto sfida, kryesisht ekonomike dhe sociale, ende ka ambient për zhvillim të faktorëve që shpien në ekstremizëm të dhunshëm”, thuhet në këtë dokument.

Punësimi vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore me të cilën përballen qytetarët e Kosovës edhe pas dy dekadash nga përfundimi i luftës.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e papunësisë në Kosovë është 25,8 për qind, duke e bërë Kosovën shtetin më të varfër në rajon dhe Evropë.

Më shqetësuese është papunësia tek të rinjtë me rreth 50 për qind të tyre si të papunë.

Pasiguria për të ardhmen

Tani për tani, familjet e riatdhesuara nga zonat e konfliktit e kanë të sigurt vendbanimin, si dhe të gjitha nevojat bazike që mund t’i kenë në procesin e riintegrimit. Për fëmijët ofrohet mbështetje me trajnime dhe asistencë për inkuadrimin në sistemin edukativo-arsimor, ndërsa për gratë, ofrohen grante të vogla për punësim dhe kurse për zanate të ndryshme.

Mirëpo, askush nuk e di sesa mund të zgjasë kjo ndihmë.

N* tregon se e ka të sigurt qiranë e banesës edhe për gjashtë muaj, të hyrat nga sociali, por ajo i druhet të ardhmes.

“Çka do të ndodhë me ne kur shteti nuk do të na paguajë më qiranë e banesës dhe kur nuk do të jemi më pjesë e skemave sociale”.

Pas ardhjes në Kosovë, këto familje janë bërë me automatizëm pjesë e skemave sociale. Ndihma nga sociali varion nga 50 deri në 150 euro. Mirëpo edhe kjo ndihmë modeste mund t’ju ndërpritet, pasi familja të fillojë riintegrimin në komunitet.

Këtë e di edhe N*, por njëherë përnjëherë ajo thotë se e ka një hall tjetër.

“Problemin ma të madh e kemi me e siguru vendbanimin e përhershëm”.

Në bazë të statistikave zyrtare, në Kosovë në formë të organizuar nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak janë riatdhesuar gjithsej 121 persona prej të cilëve 78 janë fëmijë, 33 gra dhe 10 burra. Kurse në formë vetanake janë kthyer 123 meshkuj, 6 gra dhe 6 fëmijë.

Asnjëri prej tyre nuk është i punësuar në sektorin publik. Në sektorin privat ka raste të rralla të atyre që edhe gjejnë një vend pune, por më shumë janë si të vetëpunësuar.

Mungojnë programet afatgjate për punësim

Përveç ndonjë iniciative ad-hoc nga organizatat joqeveritare, BIRN ka gjetur se në aspektin institucional mungojnë programe afatgjate që do të mundësonin punësim të qëndrueshëm.

Ta zëmë, në databazën e Agjencisë së Punësimit punëkërkues të regjistruar mund të ketë edhe nga kjo kategori, mirëpo kjo kalon pa u vërejtur nga stafi i kësaj agjencie. Thjesht nuk ekziston një mekanizëm identifikues. Për pasojë, të gjithë të riatdhesuarit në Kosovë nga kjo kategori, që regjistrohen si të papunë, lehtësisht mund të përjashtohen nga trajnimet e ndryshme për punësim.

Ky problem në dukje i vogël, por me peshë në riintegrimin social të kësaj kategorie, nuk do të ekzistonte sikur të kishte komunikim të mirëfilltë mes Zyrave për punësim nëpër komuna dhe departamenteve të Ministrisë së Punës.

“Nga puna jonë kemi vërejtur se ky komunikim mungon tërësisht në të gjitha institucionet”, thotë në një bisedë për BIRN, Shpat Balaj, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Kjo është konfirmuar në një përgjigje për BIRN nga vetë Agjencia e Punësimit, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

“Dua të ju informoj se nuk kemi informacion lidhur me këtë kategori”, ka thënë shkurt Shpëtim Kalludra, zyrtar në këtë agjenci, kur është pyetur për numrin e personave të riatdhesuar nga zonat e konfliktit, e që janë të punësuar në sektorin publik dhe atë privat. Përgjigje kjo agjenci nuk ka dhënë as për programet që i kanë në dispozicion për trajnim dhe punësim për këtë kategori.

Sipas hulumtuesit Balaj, kjo situatë e ka një shpjegim të thjeshtë.

“Në përgjithësi mungon një qasje e institucionalizuar karshi trajtimit të kësaj kategorie nga institucionet në Kosovë. Edhe ato veprime që ndërmerren, më shumë janë ad-hoc dhe kanë të bëjnë me projekte të organizatave apo grante të vogla nga niveli qendror”.

Paragjykimet, pengesë në punësim

Edhe paragjykimet për të kaluarën e tyre janë evidente dhe pengesë reale në punësim. Hulumtuesi i QKSS-së, Shpat Balaj, kujton një rast që e ka hasur nga puna në terren, kur është dashur madje të intervenoj edhe Policia.

“Është fjala për një person që pas punësimit, punëdhënësi me të kuptuar të kaluarën e tij ka dashur ta largojë nga puna. Është dashur intervenimi i Policisë për të garantuar se çdo gjë është në rregull”.

Ndërsa në sektorin publik, punësimi është thuajse i pamundur për shkak të dy arsyeve kryesore.

“Vështirësi në punësim në sektorin publik ka për arsye që veshja e tyre nuk është në koordinim me kodin e veshjes të përcaktuar dhe nuk mund të pajisen me vërtetimin e të kaluarës kriminale as të gjykatës e as të policisë”, thuhet në një përgjigje për BIRN nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në kuadër të kësaj ministrie tashmë funksionon një divizion i veçantë që merret me personat e riatdhesuar dhe të ekspozuar ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Sidoqoftë, në mandatin e Divizionit për Parandalim dhe Riintegrim të personave të radikalizuar (DPRPR) nuk është punësimi i drejtpërdrejtë i këtyre personave. Vizioni strategjik i këtij departamenti është që të rikthyerit të vetëpunësohen.

Mandati i divizionit më shumë është “lehtësues”.

“Deri më tani jemi në dialog me dy kompani nga sektori privat për punësim të 12 grave të cilat kanë përfunduar trajnimet profesionale dhe janë të gatshme të kontribuojnë për tregun e punës së kërkuar nga kompanitë”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.

Meqë shumica e këtyre familjeve jetojnë në vendet rurale dhe punësimi është më i vështirë, prandaj edhe fokusi i tyre është në vetëpunësim.

Mirëpo ndihma nga shteti edhe në këtë rast është solide.

Deri më tani nga Ministria e Brendshme janë dhënë 58 grante të vogla, kryesisht në hapjen e bizneseve të vogla.

Shërbimi Sprovues, ana tjetër e medaljes

Kosova i ka të aprovuara dy dokumente që e rregullojnë fushëveprimin e institucioneve karshi kësaj kategorie: Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës dhe Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit.

Strategjia përshkruan, ndër të tjera, tre masa praktike për riintegrimin: ofrimin e “këshillimit psikologjik dhe fetar për të burgosurit në lidhje me aktivitetet e paligjshme të lidhura me ekstremizmin”, ofrimin e “mbështetjes sociale për familjet e tyre” dhe “zhvillimin e programeve të reja të punësimit ose metodave tjera të riintegrimit të individëve të deradikalizuar në shoqëri”.

Sipas një raporti për vitin 2018 të përgatitur nga Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës pranë Zyrës së Kryeministrit, objektivi i deradikalizimit dhe riintegrimit të personave të radikalizuar ka shkallën më të ulët të zbatimit krahasuar me tre objektivat e tjerë, me vetëm 36% të aktiviteteve të parapara të zbatuara. Për më tepër, raporti vëren se janë zbatuar vetëm katër nga 11 aktivitetet e planifikuara.

Dy mekanizmat kryesor që kanë rol kryesor në zbatimin e kësaj strategjie janë Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës (SHSK), që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas raporteve të organizatave të ndryshme, në të dy këto institucione, sidomos në Shërbimin Sprovues, mungon stafi i trajnuar profesionalisht për trajtimin e personave të kthyer nga zonat e konfliktit.

Sipas një raporti të hartuar nga QKSS, sidomos Shërbimi Sprovues ka mungesë të stafit të trajnuar dhe i mungon një buxhet specifik për këto raste. Rëndësia e këtij institucioni është tejet e madhe pasi në mandatin e saj hyjnë të gjithë personat e liruar me kusht dhe që kanë dënime alternative. Pra puna e SHSK-së ka të bëjë drejtpërdrejtë me riintegrimin në komunitet të të kthyerve.

“Shërbimi Sprovues përballet me mungesë të stafit për kryerjen e punëve sipas mandatit ligjor. Kjo i limiton mundësitë që individët e dënuar për terrorizëm të trajtohen profesionalisht nga ana e ShSK-së, për shkak të mungesës së stafit të specializuar për këto raste”, thuhet në raportin “Vlerësimi Bazë për Shërbimin Sprovues të Kosovës”.

Aktualisht, në SHSK punojnë gjithsej 65 punonjës kurse me trajtimin e të dënuarve apo të liruarve më kusht, duke përfshirë edhe ata për terrorizëm, merren rreth 40 zyrtarë.

“Përgjatë viteve, numri i rasteve për trajtim në SHSK është rritur vazhdimisht, por kjo nuk është përcjellë edhe me rritjen e stafit për këtë institucion. Përkundër planeve të Qeverisë së Kosovës për shtimin e numrit të stafit për SHSK-në, ende nuk është bërë ndonjë veprim konkret”, thuhet në këtë raport.

BIRN është interesuar të dijë për programet që ofron Shërbimi Sprovues për riintegrim, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, pak më mirë qëndron Shërbimi Korrektues, institucion ky që merret me të burgosurit brenda burgjeve. Një numër jo i vogël i atyre që kthehen në Kosovë nga zonat e konfliktit, gjenden nëpër burgje, si të dënuar.

Për këto raste, SHKK ka krijuar një njësi të veçantë brenda burgjeve me staf të trajnuar. Vetëm gjatë vitit 2021 janë trajnuar 46 zyrtarë të SHKK-së, ndërsa në kuadër të projektit të KE këtë vit janë trajnuar 18 zyrtarë të cilët punojnë me këtë kategori të burgosurve si dhe 23 zyrtarë nga burgjet tjera.

“Për rehabilitimin dhe riintegrim të kësaj kategorie të të burgosurve ofrohen programe të ndryshme si Programi i Përgjithshëm i Rehabilitimit, Menaxhimi i zemërimit, zhvillimi i shkathtësive kognitive, vijimi i shkollës së mesme profesionale, aftësim profesional në fusha të ndryshme si: axhustator, zdrukthëtar, hidroinstalues ndërsa po ashtu angazhohen në punë sipas nevojës në punëtori brenda institucioneve si në “Sito shtyp”, “Dizajn grafik”, etj.”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të SHKK-së.

Roli i zbehtë në riintegrim i KKSB-ve

Hulumtuesi në QKSS, Shpat Balaj, mendon se problemi i të kthyerve nga zonat e konfliktit, nga institucionet e Kosovës më shumë është parë si çështje e sigurisë, e më pak si problem i riintegrimit dhe rehabilitimit.

Kjo qasje vërehet edhe në strategjinë e përpiluar për këtë kategori.

“Strategjia parasheh pak në riintegrim dhe është më e fokusuar në parandalim të ekstremizmit edhe luftim të ekstremizmit. Më së paku parasheh programe për riintegrim edhe rehabilitim”, thotë ai.

Balaj kërkon një përfshirje edhe të nivelit komunal, përfshirje të shumë trupave dhe iniciativave komunitare.

“Nga një hulumtim që ekziston për Qendrat e Mjekësisë Familjare (QKMF) nëpër komuna, është shiku se a kanë psikolog, dhe ka dalë se një të tillë e ka vetëm komuna e Ferizajt”.

Në anën tjetër, edhe stafi nëpër Qendrat për Punë Sociale nuk kanë ndonjë trajnim të veçantë për këto kategori dhe në shumë raste nuk e kanë as informatën se personi i cili po kërkon ndihmë është i riatdhesuar nga zonat e konfliktit.

Secila komunë në Kosovë nga viti 2009 i ka të themeluara Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi (KKSB). Sipas Balajt, fuqizimi i tyre do të ishte një mundësi e mirë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Zgjidhja është në komunitet. KKSB-të janë dora e parë e komunitetit”.

Megjithatë, në bisedën për BIRN, N* thotë se e kanë pritur mirë në komunitetin ku jeton, por, sipas saj, sa vlen kjo kur e ka të sigurt banimin vetëm edhe për gjashtë muajt e ardhshëm.

 

Ky artikull është realizuar në kuadër të programit Resilient Community, i cili realizohet nga një konsorcium organizatash i përbërë nga BIRN, PEN dhe PIPS, dhe që udhëhiqet nga ATRC. Programi mbështetet nga USAID dhe Ambasada e Holandës përmes programit GCERF.