Foto: Denis Sllovinja / Galeria e Arteve

Dyshimet për shkelje ligjore rrezikojnë konkursin për drejtor të Galerisë Kombëtare

Një gabim administrativ në njoftimin për konkursin për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe dyshimet për konflikt interesi, rrezikojnë anulimin e tij.

Pavarësisht se kanë kaluar afër tre javë nga përfundimi i intervistimit të kandidatëve, MKRS ende nuk ka bërë të ditur rezultatet e konkursit.

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës është hapur në muajin shtator 2021, ndërsa është mbyllur më 4 nëntor 2021.

Intervistimi i kandidatëve konkurrues për drejtor të GKK-së ka përfunduar më 25 nëntor 2021.

Çështjet e konstatuara

Pika 9, e listuar tek pjesa: detyra dhe përgjegjësitë e drejtorit të GKK-së, në shpallen e konkursin, pjesa ku thuhet se: drejtori i GKK-së për punën e tij i raporton Këshillit Drejtues (KD) të GKK-së, përkatësisht drejtorit të Departamentit të Kulturës (DK) në MKRS, dhe fakti se kryetarja e Këshillit Drejtues (KD) të GKK-së Zake Prejvukaj kishte konkurruar së bashku me njërin prej kandidatëve që kanë konkurruar për drejtor të GKK-së, në një projekt për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, janë duke u shqyrtuar nga MKRS, para se të merret vendimi përfundimtar për zgjedhjen e drejtori të ri të GKK-së.

E para si gabim administrativ, pasi ligjërisht drejtori i GKK-së nuk i raporton drejtorit të DK-së së MKRS-së, por vetëm KD-së së GKK-së dhe rast i dytë si konflikt i mundshëm interesi.

Zyrtarë të MKRS janë treguar të rezervuara lidhur mos njoftimin për rezultatet konkursit pas përfundimit të intervistimit të kandidatëve.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se ende nuk janë përmbyllur procedura për konkursin.

“Çdo lëshim administrativ vlerësohet nëse është shkak ligjor për anulim apo procedurë për përsëritje. Ne nuk mund të paragjykojmë para se të kemi vlerësimet e duhura të njësive përgjegjëse të administratës. Nuk e dimë ende këtë fakt”, ka thënë ajo.

Fetiu ka thënë se një vendim do të merret shpejt, por deri në publikimin e artikullit, nuk ka ndonjë njoftim shtesë nga MKRS.

Ndërkaq, Zake Prelvukaj, kryetare e KD-së së GKK-së ka thënë për KALLXO.com se këshilli e ka kryer punën e vet dhe pret nga Ministria verifikimin e çështjeve të ngritura, sidomos sa i përket konfliktit të interesit.

“Ata (MKRS) kanë thanë se, pasi unë kam konkurruar për në Bienalen e Venedikut, ku kuratore e kam pasur Artën (Arta Agani, ish drejtoreshë e GKK-së dhe kandidate në konkursin aktual), është konflikt interesi, kaq di, nuk di më shumë. Kam kërkuar një përgjigje më shkrim, na kanë premtuar se na japin, jeni në pritje, nuk di më shumë”, ka thënë ajo.

Paralajmërimi për anulim

Mundësitë për dështimin e konkursit për drejtor të GKK-së, ishin ngritur edhe gjatë raportimit të ministrit të MKRS-së, Hajrulla Çeku para komisionit të Kuvendit të Kosovës për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Bislim Bislimi, zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së, i cili shoqëronte ministrin gjatë raportimit, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve për konkursin për drejtor të GKK-së, pati deklaruar se MKRS po shqyrton ligjshmërinë e gjithë procedurës së konkursit.

“Janë disa çështje që po analizohen. Nuk mund të shpallim diçka kur kemi dyshime për konflikt interesi, po ashtu edhe vijat e raportimit që nuk janë sqaruar si duhet në konkurs”, pati deklaruar Bislimi.

Sipas Ligjit për Institucionet e Kulturës, zgjedhja e drejtorit të GKK-së, bëhet nga Këshilli Drejtues i GKK-së.

“Drejtorin e emëron dhe e shkarkon Këshilli Drejtues nëse me ligj të veçantë nuk është përcaktuar ndryshe”, thuhet në nenin 35, pika 1 të Ligjit për Institucionet e Kulturës.

Mandati i drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës është 4 vjet, me mundësi rizgjedhjeje.

Pa skadimit të mandati të ish drejtoreshës së Arta Bunjaku – Agani në nëntor të 2020, MKRS hapi konkurs për drejtor të GKK. Por, në fillim të këtij viti u detyrua ta anulojë për mos interesim të kandidatëve.