Dy të vdekur nga HIV/ AIDS këtë vit në Kosovë

Gjashtë raste të reja janë identifikuar në Kosovë me virusin HIV/AIDS vetëm gjatë vitit 2019. Nga këto raste, dy prej tyre kanë vdekur si pasojë e identifikimit të vonë.

Në Kosovë që nga paraqitja e rastit të parë në vitin 1986 janë të prekur 128 persona me këtë virus. Deri më tani 51 kanë vdekur, ndërsa 36 raste janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare.

Megjithatë, Kosova hyn në listën e vendeve me përqindje të ulët të të prekurve me HIV/AIDS.

Shumë persona, si të gjinisë mashkullore ashtu edhe femërore, të moshuar dhe të rinj, ndjehen të pasigurt kur mendojnë për kontaktet e veta seksuale me partnerët e mëhershëm dhe në këto raste preferohet testimi për HIV.

HIV vazhdon të jetë një çështje e rëndësishme globale për shëndetin publik, duke marrë më shumë se 32 milionë jetë deri më tani.

Në vitin 2018 sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë vdekur 770 mijë njerëz nga shkaqe të lidhura me HIV dhe 1.7 milion njerëz ishin infektuar rishtazi.

Sipas OBSh-së, më 2018, për herë të parë, individë nga grupet kryesore të popullsisë dhe partnerët e tyre seksualë përbënin mbi gjysmën e të gjitha infeksioneve të reja HIV në nivel global (përafërsisht 54%) më 2018. Për rajonet e Europës Lindore, Azisë Qendrore, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, këto grupe llogaritnin rreth 95% të infeksioneve të reja me HIV.

Po ashtu, sipas OBSh-së, midis viteve 2000 dhe 2018, infeksionet e reja me HIV ranë në 37% dhe vdekjet e lidhura me HIV ranë me 45%, me 13.6 milionë jetë të shpëtuara për shkak të terapisë antiretrovirale (ART).

Sipas profesorit të sëmundjeve infektive, Ilir Tolaj, në Kosovë nga aspekti gjinor, raporti gjinor i të prekurve me këtë virus është 50% / 50%.

“Vetëm në vitin 2019 janë tri raste të identifikuara me virusin HIV/AIDS, ku një prej tyre ka vdekur si pasojë e këtij virusi dhe lajmërimit të vonë. 33 raste janë me terapi kundër virusit. Raporti i të prekurve është 50% femra dhe 50% meshkuj ndërsa grupmosha më e përfshira janë 25-55 vjeç. Në Kosovë që nga rasti i parë vetëm katër janë të prekur për 33 vjet nga ky virus”, ka treguar Tolaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

E në Qendrat për Këshillim dhe Testim Vullnetar për HIV/AIDS, të cilat ekzistojnë që nga viti 2003 në Kosovë janë testuar vetëm 5.000 persona apo mesatarisht 320 raste në vit.

Koordinatori i Qendrës për Këshillim dhe Testim Vullnetar për HIV/AIDS, infektologu, Izet Sadiku tha për JnK se në këtë qendër janë diagnostikuar me HIV pozitiv 42 raste për 16 vjet.

“Prej hapjes së Qendrës për Këshillim dhe Testim Vullnetar ne kemi pasur 42 raste HIV pozitiv, ndërsa në vitin 2019 kemi pasur vetëm 1 rast HIV pozitiv”, tha Sadiku.

Sadiku po ashtu tha se në këtë qendër herë pas here janë realizuar edhe testet e shpejta të hepatitit B dhe C. Ky test tregon praninë e antitrupave në organizëm. Antitrupat paraqiten brenda (2-12) javëve pas infeksionit. Prandaj, që testi të jetë i sigurt, duhet të bëhet së paku pas 12 javësh pas kontaktit me virusin e maksimalisht brenda 6 muajve.

Këto qendra veprojnë në kuadër të Klinikës Infektive në QKUK, gjithashtu edhe në Prishtinë, në Ferizaj, Prizren dhe Pejë.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, prof. dr. Naser Ramadani, në shënimin e Ditës Botërore të HIV/AIDS tha se Kosova si vend përballet me sfida të mëdha socio-ekonomike dhe politike: shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, rritjes së përdorimit të drogave, sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, komunitet të MSM-ve të stigmatizuar, lëvizshmëri të shpeshtë të kosovarëve në vendet me prevalencë të lartë, dhe të gjithë këta faktorë, sipas tij, mund të nxisin një përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV-it, nëse ato nuk adresohen në mënyrë të drejtë.

Ndërsa Luljeta Gashi, e cila është shefe e Njësisë së HIV/AIDS/IST në IKSHPK, tha se Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, veçanërisht në mesin e popullatës MSM.

”Që nga viti 1986 deri në vitin 2019, në Kosovë janë raportuar 128 raste, deri më tani 51 kanë vdekur. Në vitin 2019, janë raportuar 6 raste, dhe dy prej tyre kanë vdekur. Komuna e Prishtinës dominon me numrin më të madh, të rasteve të raportuara”, thotë ajo.

Organizata Botërore e Shëndetit njofton se rajoni afrikan është më i prekuri (me 25.7 milionë). Ndërsa HIV është i përhapur në mesin e popullatës së përgjithshme në këtë rajon, një numër në rritje i infeksioneve të reja ndodhin midis grupeve kryesore të popullsisë.

Infeksioni i HIV shpesh diagnostikohet përmes analizave të shpejta diagnostike (RDT), të cilat zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV. Më shpesh këto teste ofrojnë rezultate testimi të njëjta, të cilat janë thelbësore për diagnozën e njëjtë të ditës dhe për trajtimin dhe kujdesin e hershëm.

Popullatat kryesore janë grupet që janë në rritje të rrezikut të HIV pa marrë parasysh llojin epidemik ose kontekstin lokal. Ato përfshijnë: burra që kanë marrëdhënie seksuale me burra, njerëz që injektojnë drogë, njerëz në burgje dhe ambiente të tjera të mbyllura, punonjës të seksit dhe klientët e tyre, dhe njerëz transgjinorë.

Nuk ka shërim për infeksionin HIV. Megjithatë, barnat efektive antiretrovirale (ARV) mund të kontrollojnë virusin dhe të ndihmojnë në parandalimin e transmetimit në mënyrë që njerëzit me HIV dhe ata me rrezik të konsiderueshëm të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme, të gjatë dhe produktive.

Është vlerësuar se deri në fund të 2018, rreth 79% e njerëzve që jetonin me HIV e dinin statusin e tyre. Rreth 23.3 milionë (ose 62% e të gjithë) personave që jetojnë me HIV ishin duke marrë terapi antiretrovirale (ART) dhe 53% kishin arritur shtypjen e virusit HIV pa rrezik për të infektuar të tjerët. 75%e personave me HIV e njohin statusin e tyre.

Diagnostikimi i vonë i HIV mbetet një sfidë në shumicën e vendeve në rajonin europian të OBSh dhe sipas vlerësimeve, vetëm 82% e njerëzve që jetojnë me HIV në rajon janë të vetëdijshëm për statusin e tyre. Kjo është ngushtuar në vendet e Europës Lindore, ku vetëm 74% e dinë statusin e tyre.

Ndërsa grupmosha më e prekur me virusin HIV është ajo mbi të pesëdhjetat, rreth 65 për qind.

Sipas statistikave nga UNAIDS, 37.9 milionë është numri i njerëzve që jetojnë me HIV / SISA në të gjithë botën në 2018. 8.1 milionë – Numri i përafërt i njerëzve që jetojnë me HIV globalisht që nuk kanë dijeni për statusin e tyre HIV-pozitiv në 2018. 160,000 – Fëmijë të infektuar rishtas në të gjithë botën në 2018.1.7 milion – Infeksione të reja në të gjithë botën në 2018. 770,000 – Numri i përafërt i vdekjeve të lidhura me SIDA në të gjithë botën në 2018. Nga 5,000 infeksione të reja çdo ditë në 2018,  61% janë në Afrikën Sub-Sahariane.

Dita ndërkombëtare kundër SIDA-s mbahet çdo vit me 1 dhjetor që nga viti 1988.