Një shtëpi në Spanovicë me një grafiti ku shkruhet “Ulëri”. Foto kortezi e Jadran Boban.Foto:Balkan Insight

Dy luftëra krijuan dy histori për një fshat kroat

Filmi i ri i regjisorit kroat Jadran Boban tregon se si krimet e kryera në luftërat e viteve 1940 dhe 1990 e transformuan dy herë fshatin Spanovicë dhe se si kujtesa selektive e fshatarëve ka krijuar dy versione të ndryshme të historisë së tij traumatike.

Në shekullin e XX atje u kryen krime lufte dhe fshati ndryshoi plotësisht përbërjen e tij etnike. Lufta e Dytë Botërore pa kroatët të dëboheshin, ndërsa lufta e Kroacisë në vitet 1990 për pavarësi dëboi serbët e tij.

“Ai fshati tjetër”, i cili u shfaq së fundmi në Festivalin e Filmit të Kroacisë Liburnia, ku u vlerësua me Çmimin Special të Jurisë, tregon historinë e Spanovicës. Ose më saktësisht, filmi flet për kujtimet –  nga banorët aktualë dhe ish-banorët e tij – e të kaluarës të errët të fshatit.

Jadran Boban, regjisori, i cili është diplomuar për histori, tha se vëzhgimi i “kujtesës personale dhe pabesueshmëria e saj” ishte tepër interesante për të, pasi vuri re se kujtimet e pjesëmarrësve të filmit kryesisht formësohen nga përkatësia e tyre etnike.

“Pra, në varësi të grupit etnik që i përkasin, njerëzit kanë ‘boshllëqe’ të dukshme në kujtesën e tyre kur flasin për disa ngjarje, veçanërisht kur bëhet fjalë për krime të kryera nga anëtarët e grupit të tyre”, tha Boban për BIRN.

Ai dhe ekipi i tij folën me me ish-banorë të Spanovicës, kroatë të cilët u larguan nga fshati në vitin 1942 kur ishin fëmijë të vegjël, por gjithashtu edhe me banorët aktualë të Spanovicës dhe fshatrave përreth – serbë që u kthyen aty pasi u larguan për shkak të luftës së viteve 1990.

“Qindra civilë u vranë në mënyrë barbare”

Jadran Boban

“Të gjithë fshatrat e tjerë të zonës më parë banoheshin nga serbët. Serbët dhe kroatët e sapoardhur jetonin në marrëdhënie relativisht të mira pak para Luftës së Dytë Botërore”, tha Boban.

Por gjatë Luftës së Dytë Botërore, në 1941, u krijua Shteti i Pavarur i Kroacisë, NDH. NDH-ja ishte një shtet kukull i drejtuar nga lëvizja fashiste ustashe me mbështetjen e Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste, që miratoi ligje të ashpra racore kundër serbëve, hebrenjve dhe romëve.

Boban tha se në Spanovicë u krijua një “bastion i fortë ustash” dhe më pas filluan arrestimet e serbëve të njohur nga fshatrat përreth. Kjo arriti kulmin në verën e vitit 1942, kur, nën drejtimin e zyrtarit ustash dhe komandantit të kampeve të përqendrimit të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Vjekoslav ‘Maks’ Luburiç, dhe “me pjesëmarrjen e një numri të madh banorësh të Spanovicës”, filloi “spastrimi” i serbëve në fshatrat përreth.

“Qindra civilë u vranë barbarisht dhe shumë gra dhe fëmijë u çuan nëpër kampe paraburgimi”, tha ai.

Njësitë partizane jugosllave vendosën ta rimerrnin Spanovicën nga ustashet në vjeshtën e vitit 1942. Në një betejë të ashpër, fshati u mor nga partizanët, “por pati hakmarrje nga ata fshatarë serbë që kishin humbur më parë të dashurit e tyre në masakrat e ustashëve”, tha Boban. Pjesa më e madhe e Spanovicës u dogj dhe një numër i madh civilësh të pafajshëm kroatë u vranë, ndërsa të tjerë u larguan në qytetin e Pakracit.

Pasi lufta përfundoi dhe Jugosllavia socialiste u krijua në vitin 1945, kroatët u ndaluan të ktheheshin në fshat dhe “konsideroheshin si ‘armiq të shtetit’”. Fshati u ripopullua nga fshatarë serbë nga Bosnja dhe zona përreth që kishin humbur shtëpitë e tyre në luftë.

“Emri i Spanovicës u ndryshua në Novo Selo dhe historia e tij u fshi nga diskursi publik. Sikur fshati të mos ekzistonte. Kjo vazhdoi kështu deri në vitin 1991”, shpjegoi Boban.

Gjatë luftës në vitin 1991, fshati ishte nën kontrollin e forcave paraushtarake serbe, por u mor nga Ushtria Kroate në dhjetor të atij viti. Pas kësaj banorët serbë u larguan.

“Fshatit iu rikthye emri Spanovicë dhe ai është mitizuar publikisht si një vend i sakrificës kombëtare kroate”, tha Boban.

“Tani në fshat jetojnë vetëm një duzinë banorësh – serbë të kthyer, kryesisht të moshuar – dhe nuk ka pothuajse asnjë shans që dikush tjetër të vendoset këtu. Fshati do të zhduket, ashtu si shumë të tjerë në Kroaci.”

“Lulëzon një ndjenjë padrejtësie”

Një personazh në filmin “Ai fshati tjetër”. Foto kortezi e Jadran Boban, Fotografi, Balkan Insight

Boban, i cili ka lindur në Zagreb në vitin 1969, është gjithashtu një grafik dizajner, ilustrues dhe video artist. Ai ka realizuar disa dokumentarë, më të njohurit prej të cilëve janë “I askujt”, i cili fitoi çmimin si dokumentari më i mirë në Festivalin e Filmit në Tuzla dhe “Fantazmat e Zagrebit”, që tregon për ish-anëtarë të lëvizjes antifashiste në kryeqytetin kroat.

Regjisori kujton kur kolegu i tij Vesna Kesiç, një gazetar, aktivist veteran dhe skenarist, sugjeroi të bënin një film për Spanovicës/ Novo Selon. Atë “e intrigonte ideja e konceptimit të filmit sipas bisedave të kryera me individë nga të dy palët, ajo kroate dhe ajo serbe”.

“Në veçanti, kishim dy bashkëbisedues të moshuar që ishin të gatshëm të flisnin me njëri-tjetrin. Unë kisha një vizion të tillë të filmit, një lloj bisede midis të dyve përmes së cilës ata do të diskutonin, nga këndvështrimet e tyre, për marrëdhëniet midis dy popujve në këtë zonë të trazuar të Sllavonisë Perëndimore”, tha Boban.

Për fat të keq, njëri nga të dy vdiq para se të bëhej filmi dhe “siç doli më vonë, ishte e pamundur të gjeje dikë që do të ishte i gatshëm, ose i guximshëm, dhe mjaftueshëm i vendosur për t’u përfshirë në atë lloj bisede”.

Ai sugjeroi që me kalimin e kohës, përmes kujtesës selektive, individët binden sinqerisht se ajo që ata mendojnë se mbajnë mend është e saktë.

“Një ndjenjë padrejtësie është gjithashtu e rëndësishme, e cila lulëzon nëse krimi nuk diskutohet publikisht, kur një grup njerëzish akuzohet për krime, qoftë ky i gjithë kombi apo një komunitet i caktuar”, shpjegoi ai.

Ata e kanë gjithashtu të vështirë “të pranojnë që trauma e rëndë ekziston edhe në anën tjetër”, shtoi ai.

Boban beson se reagimet e pjesëmarrësve ndaj filmit do të jenë të ndara, dhe ai nuk pret që njerëzit, “të cilët gjatë gjithë jetës së tyre kanë ndërtuar një lloj besimi” do të “përjetojnë ndonjë lloj katarsisi teksa shohin një film”.

Ai tha se nevojitet një ndryshim i “politikave të zbatuara nga lart”, nëse do të bëhet progres në ballafaqimin me të kaluarën në rajonin e ish-Jugosllavisë.

“Këto politika, në fund të fundit, kanë qenë përgjegjëse gjatë gjithë kësaj kohe për gjendjen e përhershme dhe të vazhdueshme të mungesës së tolerancës, mosbesimit dhe fajësimit të ‘të tjerëve’”, përfundoi ai.