Foto: Pal Lekaj/Facebook

Dy kontratat e Komunës së Gjakovës me disa çmime një cent për pozicion

Kompania ‘Erpo-Print’ ka nënshkruar dy kontrata me Komunën e Gjakovës për të furnizuar me “material të shtypur’, duke ofertuar në më shumë se gjysmën e pozicioneve me çmime jo-normalisht të ulëta. 

Kompania ‘Erpo-Print’, kontratën e parë e kishte nënshkruar në vitin 2019 që kishte një vlerë prej 47 mijë e 376 euro, kurse kontratën e dytë e ka nënshkruar në dhjetor të vitit 2021 dhe vlera e saj ishte 49 mijë e 935 euro.

Derisa kontrata e dytë është ende në proces të zbatimit, kontrata e parë është përfunduar dhe KALLXO.com i ka analizuar gjitha faturat e saj. Nga analiza rezulton se Komuna e Gjakovës nuk i kishte kërkuar fare pjesën më të madhe të pozicioneve të cilat ishin kontraktuar me çmime shumë më të ulëta se sa çmimi i tregut.

Për më tepër, Komuna e Gjakovës ka vazhduar me i kërku shërbimet dhe produktet që i kishte kontraktuar në vitin 2019, por që asnjëherë nuk i kishte porositur. Kjo i ka mundësuar kompanisë “Erpo-Print” që të jetë dukshëm me çmim më të lirë edhe në tenderin e dytë dhe në fund të nënshkrujë edhe kontratën. 

Pronar i kompanisë ‘Erpo-Print’ është Erzen Pozhari. Ai e ka pranuar se është përkrahës i partisë në pushtet në këtë komunë, Aleancës për Ardhëmërinë e Kosovës (AAK).

Pozhari ka të publikuar fotografi me deputetin e kësaj partie, Pal Lekaj. Fotografia është gjatë para-fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2019.  

I kontaktuar nga KALLXO.com, Pozhari ka thënë se Lekajn e ka ‘kumbar’ të familjes që nga viti 2003, por që nuk është pjesë e AAK-së. Sipas tij, afërsia me ish-kryetarin e Komunës së Gjakovës nuk ka ndikuar që të fitojë tenderë nga Komuna e Gjakovës, por ka qenë kompania që ka ofertuar me çmimin më të lirë.

Pozhari është arsyetuar se me çmimin e ofertuar ka llogaritur edhe fitimin si biznes sepse ka produkte që i kanë mbetur në stok.

Foto: Pal Lekaj/Facebook

Tenderi i parë – Produktet e ofertuara me vetëm 1 cent

Nga 107 pozicione në total që kanë qenë në kontratë, Komuna e Gjakovës ka porositur vetëm 45 të tilla, ndërsa 62 pozicione që kanë qenë kryesisht me çmime jo-normalisht të ulëta nuk janë porositur fare. Nga 62 pozicione që nuk janë porositur, 32 prej tyre janë me çmim të kontraktuar prej vetëm 1 cent.

Kompania ‘Erpo – Print’ është zotuar që të kryejë shërbimin ‘Tapeta me montim’ me vetëm 1 cent për një metër katror apo 6 euro për 600 metra katrorë, aq sa është sasia e kërkuar me kontratë.

‘Erpo-Print’ është kontraktuar që të furnizojë Komunën e Gjakovës me ‘Fasiklla të formatit A3, me plastifikim me peshë 350gr’, për vetëm 1 cent. Për këtë pozicion nuk ka pasur asnjë porosi nga ana e Komunës së Gjakovës. 

Për dallim nga fasikllat e formatit A3 ku është ofertuar me 1 cent, për produktin ‘Fasiklla të formatit A4, me plastifikim me peshë 350gr’, ‘Erpo-Print’ ka ofertuar me çmimin 50 centë për copë. Komuna i kishte kontraktuar 1,000 copa fasiklla të tilla, por në fund i ka porosituar 4,450 në vlerë 2,275 euro. Pra, vetëm për këtë pozicion ka shpenzuar 1,275 euro më shumë se sa që ishte planifikuar.

Situatën e njejtë e kemi edhe tek dy pozicione të tjera të kontraktuara. Për shërbimin “Shtypja e librave plani ditor A4 100 faqe kopertina e plastifikuar 300 gr”, kompania ‘Erpo-Print’ kishte ofertuar me vetëm 1 cent. Por për këtë shërbim të lirë, nuk ka pasur asnjë porosi nga ana e Komunës së Gjakovës. 

Ndërsa për një shërbim të ngjashëm “Shtypja e librave plani ditor A4 100 faqe, B5 kopertina 300 gr e plastifikuar brendija 80 gr”, i cili kushtonte 3 euro për copë, ka pasur kërkesë nga Komuna e Gjakovës. Janë porositur 193 copë me çmim total prej 579 euro.

Për furnizim me ‘Mahica me shtyp color’, një copë është kontraktuar me çmim prej 3 euro. Janë porositur 570 copë të tilla nga Komuna e Gjakovës, me një vlerë totale prej 1,710 euro. Ndërsa një ‘Kapelë me shtyp color’ e kontraktuar për vetëm 1 cent, nuk është porositur asnjëherë. 

‘Katalogu 120 faqe color B4 300gr brendësia 170gr’ është kontraktuar për 2 euro dhe Komuna e Gjakovës ka porositur 500 të tillë për të cilat ka paguar 1 mijë euro. Ndërsa ‘Katalogu 116 faqe kolor A4 kopertina 300gr mbrendesia 170gr me kopertina të forta’ edhe pse ishte kontraktuar me vetëm 10 centë për copë, nuk ka pasur asnjë porosi nga Komuna e Gjakovës. 

KALLXO.com ka hulumtuar çmimet e tregut për produktet që Komuna e Gjakovës ka porositur dhe ka gjetur se çmimet kanë qenë të njejta njëjtë me ato të kontraktuara ose pak më shtrenjtë.

Për ‘Mirënjohje A4 300gr’, çmimi i kontraktuar nga Komuna e Gjakovës ishte 60 centë për copë, njëjtë si çmimi i tregut. Sasia e kontraktuar ishte 1,500 copë, ndërsa sasia e porositur në fund nga Komuna e Gjakovës ishte 749 copë.

Situatë e njëjtë ishte edhe tek shërbimi ‘Fotokopje A4 color’, ku çmimi i kontraktuar për copë ishte 4 centë. Të njejtën vlerë e kishte edhe në treg.

Por në një pozicion tjetër, është vërejtur një dallim pak i madh, sa i përket çmimit të kontraktuar dhe atij në treg. ‘Katalogu 120 faqe, color B4 copertina 300 gr mbrendësia 170’, çmimi i kontraktuar ishte 2 euro për copë, ndërsa në treg çmimi për copë për këtë pozicion ishte 9 euro.

Sipas kompanive të kontaktuara nga KALLXO.com, çmimet pësojnë ndryshime varësisht nga koha dhe sezona.  

KALLXO.com ka hulumtuar për çmimet e tregut edhe për produktet që nuk janë porositur nga ana e Komunës së Gjakovës, e të cilat janë kontraktuar prej 1 deri në 10 centë. KALLXO.com ka gjetur diskrepancë të madhe, sa i përket çmimit të kontraktuar dhe atij në treg.

Për shembull, për shtypjen e billboardit që është kontraktuar me 10 euro, çmimi në treg aktualisht shkon deri në 60 euro.

Qiraja për një muaj për billboard, sipas kontratës, është 12 euro, ndërsa KALLXO.com ka gjetur se çmimi akutalisht në treg është nga 500 deri në 1,500 euro.

Tutje, ‘Kartolina A5 300 gr’ është kontraktuar me 1 cent për copë ndërsa në treg çmimi është 1 euro për copë.

Për ‘Fotokopje A4 bardh e zi’, çmimi i kontraktuar po ashtu ka qenë 1 cent për copë, ndërsa çmimi në treg është 6 centë për copë. Po ashtu, edhe ‘Fotokopje A3 bardh e zi’, çmimi i kontraktuar ka qenë 1 cent, ndërsa në treg është 10 centë për copë.

Dallim shumë i madh është vërejtur edhe tek ‘Kalendari i tavolinës 12 faqe kopertina konstrukt 21cm x 15cm’, pasi që çmimi i kontraktuar ka qenë 50 centë për copë, ndërsa çmimi në treg është 2.8 euro.

Vlera e parashikuar e tenderit të parë ka qenë 138 mijë euro, në të cilin kanë ofertuar 6 operatorë të përgjegjshëm. Në fund është shpallur fituese kompania ‘Erpo – Print’ me ofertën 47 mijë e 376 euro apo gati 100 mijë euro më lirë se vlera e parashikuar për këtë tender nga Komuna e Gjakovës. Kontrata është nënshkruar më 17 tetor 2019.

Saga e tenderit të dytë 

Kontrata për tenderin e dytë për “Furnizim me material të shqypur” është nënshkruar më 8 dhjetor 2021. Fillimisht vlera e parashikuar nga Komuna e Gjakovës për këtë tender ishte 152 mijë euro. Kompania ‘Erpo-Print’ ka ofertuar me 103 mijë euro më pak se vlera e parashikuar e kontratës apo 49 mijë e 935 euro.

Në kontratën e nënshkruar, janë edhe çmimet për secilin pozicion. Për shembull, ‘Erpo-Print’ për dizajnimin dhe prodhimin e një reklame 3D, ka ofertuar 10 centë për metër katror. Për të njëjtin pozicion, kompania tjetër që ka dorëzuar ofertën në këtë tender, ‘Blendi’, ka ofertuar me çmime dukshëm më të larta.

Për dizajnimin dhe prodhimin e reklamës ndriçuese të tipit 3D, kjo kompani ka ofertuar 65 euro për metër katror, apo për 64.99 euro më shumë se kompania që ka fituar tenderin.

KALLXO.com ka kontaktuar me edhe me disa biznese që nuk kanë ofertuar në këtë tender për të parë se sa është çmimi i tregut për këto pozicione të kërkuara nga Komuna e Gjakovës. Kompania ‘Art Graphics’, në një përgjigje dhënë KALLXO.com ka thënë se ofertojnë vetëm në bazë të shkronjave. Sipas tyre, për dizajnimin dhe prodhimin e reklamës 3D ata kanë një ofertë që është 40 euro për një shkronjë, ndërsa për komplet çmimin e reklamës kanë thënë se varet prej llogos dhe dimensioneve.

Dizajnimin, shtypjen dhe montimin e një billbordi me dimension 3×4 metra, ‘Erpo-Print’ ka ofertuar vetëm 1 cent për metër katror. Për të njëjtin pozicion ‘Blendi’ ka ofertuar me 3 euro për metër katror, ndërsa për dizajnimin dhe printimin e posterave, kjo kompani ka ofertuar me 5 centë për copë. Kurse ‘Art Graphics’ për dizajnimin, shtypjen dhe montimin e një billbordi, sipas specifikave me dimension 3x4m, ka thënë se çmimi i tregut zakonisht është 150 euro.

Tutje, dizajnimin, shtypjen dhe montimin e një ‘Citylight’ me dimension 120x185cm ‘Erpo-Print’ ka ofertuar ta kryejë për 1 cent. Ndërsa ‘Blendi’ për dizajnimin, shtypjen dhe montimin e një Citylight, ka ofertuar që ta kryejë për 5 euro. Kurse për të njëjtin pozicion, ‘Art Graphics’ ka thënë se sipas specifikave, do të kushtonte 80 euro.

Këto çmime janë pa TVSH dhe mund të pësojnë ndryshime në treg.

Një ‘mal’ me ankesa në Gjykatën e Tenderëve

Edhe pse tenderi i dytë ishte iniciuar me 25 shkurt 2020, kontrata është nënshkruar vetëm në fund të vitit 2021 pasi tenderi tri herë është pezulluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit apo siç njihet ndryshe Gjykata e Tenderëve.

Në këtë tender kishin ofertuar katër kompani: ‘Erpo-Print’ kishte ofertuar me 49 mijë e 935 euro; kompania ‘Blendi’ kishe ofertuar me 139 mijë e 639 euro;  ‘Agimi-De’ kishin ofertuar me 128 mijë e 785 euro dhe ‘Litografia’ me 90 mijë e 655 euro.

Më 12 nëntor 2020, kompania ‘Erpo-Print’ ishte rekomanduar për kontratë me çmimin e ofertuar prej 49 mijë e 935 eurove, si aplikuesi me çmimin më të lirë të ofertuar. Kompania ‘Blendi’ është eliminuar me arsyetimin se nuk ka prezantuar sigurimin e tenderit. Kompania ‘Agimi-De’ dhe ‘Litografia’ kishin ofertuar me çmime më të larta. Të njëjtat janë ankuar me pretendimin se kompania e rekomanduar për kontratë ka ofertuar me çmime jo-normalisht të ulta.

Ankesën e kompanisë ‘Agimi-De’ për çmimet jo-normalisht të ulëta të kompanisë së rekomanduar, Komuna e Gjakovës e ka refuzuar si të pabazuar, me arsyetimin se kompania fituese e tenderit i plotëson të gjitha kushtet e kërkuara në dosjen e tenderit. 

“Sipas rregullave për tenderë jo-normalisht të ulët, Autoriteti kontraktues nuk e ka konsideruar se operatori ekonomik ‘Erpo-Print’, ka ofruar çmime abnormalisht të ulëta për tender apo pozicion, prandaj nuk ka shkuar sipas kësaj rregulle”, thuhet në arsyetimin e refuzimit të ankesës, të datës 25 nëntor 2020.

Ndërsa ankesën e kompanisë ‘Blendi’, Komuna e Gjakovës e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar. Kjo kompani ishte ankuar pasi që në vendimin për eliminim nga tenderi nga Komuna e Gjakovës ishte thënë se kompania nuk kishte prezantuar sigurimin e tenderit. Për eliminimin e tyre, këto dy kompani kanë deponuar annkesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kompania ‘Blendi’ ka kërkuar nga OSHP-ja që ta detyrojë Komunën e Gjakovës ta anulojë vendimin.

“Kërkojmë nga OSHP që ta obligoj Komunën e Gjakovës ta anulojë vendimin për dhënie të kontratës, ta eliminojë nga gara ‘Erpo-Print’, si operator ekonomik i pa përgjegjshëm, pasi siç i keni në listë, më shumë se 95% e artikujve janë abnormalisht të ulta”, thuhet ndër të tjera në ankesë.

Edhe kompania ‘Agimi-De’ ishte ankuar se kompania ‘Erpo-Print’, e rekomanduar për tender, ka aplikuar me çmime abnormalisht të ulëta.

Organi Shqyrtues i Prokurimit më 20 dhjetor 2020, ka aprovuar ankesat e dy kompanive dhe ka obliguar Komunën e Gjakovës që të anulojë vendimin për dhënien e kontratës kompanisë ‘Erpo-Print’. Komuna e Gjakovës ka anuluar vendimin dhe më pas ka vazhduar me procedurën e tenderimit.

Më 5 shkurt 2021 përsëri ka zgjedhur fituese të tenderit kompaninë ‘Erpo-Print’, me vlerën e ofertës prej 49 mijë e 935 euro, si ofertuesi me çmimin më të lirë.

Kompania ‘Litografia’ është eliminuar me arsyetimin se nuk ka prezantuar Certifikata për Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë, si dhe nuk ka bërë vazhdimin e validitetit të oferatave.

Ndërsa kompanitë ‘Agimi-De’ dhe ‘Blendi’ janë eliminuar me arsyetimin se nuk kanë qenë ofertuesit me çmimin më të lirë në tender. Përsëri të dy këto kompani kanë ushtruar ankesë në Komunën e Gjakovës. Më 12 shkurt 2021, Komuna e Gjakovës i ka refuzuar ankesat e dy kompanive si të pabazuara dhe ka vazhduar me procedurën e prokurimit.

Si rezultat i ankesave, më 18 shkurt 2021, edhe një herë është pezulluar tenderi. Ankesat janë hedhur poshtë si të pabazuara dhe gati dy muaj më vonë, më 16 prill 2021, kompania ‘Erpo-Print’ është shpallur fituese e tenderit.

Pasi kompania “Erpo-Print” është rekomanduar për kontratë, kompanitë përsëri janë ankuar në Gjykatën e Tenderëve. Edhe këtë herë, OSHP-ja ka miratuar ankesat dhe e ka kthyer tenderin në rivlerësim.

Organi Shqyrtues i Prokurimit edhe herën e dytë ka vendosur që të miratojë ankesat e kompanive ‘Agimi-De’ dhe ‘Blendi’, duke kërkuar nga Komuna e Gjakovës që të anulojë vendimin për dhënie të kontratës dhe lëndën ta kthejë në ri-vlerësim.

Më 8 qershor 2021, Komuna e Gjakovës nuk e rekomandon për kontratë kompaninë “Erpo-Print” si në tenderin e kaluar por kësaj radhe e rekomandoi kompaninë ‘Agimi-De’, oferta e të cilit kishte vlerën 128 mijë e 785 euro.

Kompania ‘Erpo-Print’ ishte eliminuar nga tenderi me arsyetimin se në 37 pozicione të ofertës, kishte aplikuar me çmime jo-normalisht të ulët.

“Ju keni prezantuar disa dokumente për arsyetimin e çmimit, ne i kemi analizuar dhe njëherë çmimet e pozicioneve të cilat i konsiderojmë si çmime jo-normalist të ulëta dhe pas analizës së çmimeve ne konstatojmë se ju nuk keni sjellë fakte bindëse për çmimet në pozicionet e cekura”, thuhet në arsyetimin e Komunës së Gjakovës, drejtuar ‘Erpo-Print’, për eliminimin nga tenderi.

Më pas, ‘Erpo-Print’ ka bërë ankesë në Njësinë e Prokurimit në Komunën e Gjakovës. Ankesa është aprovuar dhe tenderi është kthyer në ri-shqyrtim. Pas procesit të ri-shqyrtimit, më 14 korrik 2021, përsëri Komuna e Gjakovës e ka shpallur fituese kompaninë “Erpo-Print”, të cilën e kishte eliminuar për çmime jo-normalisht të ulëta.

Pesë ditë më pas, më 19 korrik, kompania ‘Blendi’ ka dorëzuar ankesë në Komunën e Gjakovës. Ankesa e saj është refuzuar më 27 korrik 2021 dhe Komuna e Gjakovës ka vendosur që të vazhdojë aktivitetin e prokurimit, me kompaninë e përzgjedhur ‘Erpo-Print’.

Kompania ‘Blendi’ përsëri ishte ankuar në Gjykatën e Tenderëve. Pas dorëzimit të ankesës, tenderi ishte pezulluar. Ankesa e fundit e kompanisë ‘Blendi’ kishte mbetur e bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pasi që ky institucion nuk ka pasur bord funksional nga 1 prilli i vitit 2021 e deri më 26 qershor 2022 dhe rrjedhimisht ankesa nuk ishte shqyrtuar.

Por, Komuna e Gjakovës ka vendosur që të mos pres verdiktin e OSHP-së, duke shpallur fitues edhe një herë tjetër kompaninë ‘Erpo-Print’. Kontrata është nënshkruar më 8 dhjetor 2021 dhe vlera e saj është 49 mijë e 935 euro edhe pse nuk kishte një vendim të OSHP-së, pasi kishte mbetur pa bord funksionale që nga muaji prill i vitit 2021. Gjykata e Tenderëve është funksionalizuar më 26 qershor të vitit 2022, pas 15 muajve pa bord vendimmarrës. Me ardhjen e bordit të ri është vendosur që ankesat që janë deponuar para 8 qershorit, të mos shqyrtohen.