Foto: Freepik.com

‘Dy armiq’ ngrisin një fole

Trashëgimia e luftës në Kosovë dhe tensionet e vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë nuk i kanë penguar dy të rinj nga dy shtetet armike të ndërtojnë një jetë së bashku në Prishtinë.

Për dy të rinj nga vendet armike që ishin dy vjeç gjatë luftës së Kosovës, e kaluara e dhimbshme, marrëdhëniet e këqija mes dy vendeve dhe tensionet e vazhdueshme nuk e kanë ndaluar dashurinë për njëri-tjetrin.

Për Suzana Mariqin, 25 vjeç, nga Novi Sadi i Serbisë dhe Gent Sejdiun, po ashtu 25 vjeç, nga Ferizaj i Kosovës, armiqësia shekullore dhe lufta e përgjakshme nuk kanë qenë pengesë për të jetuar së bashku.

Përkundrazi, ata konsiderojnë se këto çështje i kanë ndihmuar të mësojnë më shumë për të dy narrativat për luftën.

“Unë nuk jam shumë tipike, nuk do ta mbroj regjimin [serb]. Regjimi i viteve 1990, regjimi i Millosheviçit, për mua ishte si regjimi i Hitlerit në Gjermaninë naziste, një regjim që solli shumë terror, shumë gjëra të këqija” – tha Mariq.

Në opinionin e të dy vendeve flitet pak për martesat e mundshme mes kosovarëve dhe serbëve, pas dëmeve të mëdha që la pas lufta në Kosovë. Të dyja shoqëritë i shohin ide të tilla si një mollë të ndaluar.

Por Suzana dhe Genti thanë për BIRN se i kanë mbyllur veshët ndaj paragjykimeve shoqërore dhe politikës për të ndërtuar një jetë të përbashkët.

“Edhe para se të takoja Suzanën, nuk isha kundër martesës me një serbe. Suzana u bë fati im dhe fillova një jetë të re” – thotë Genti Sejdiu.

Ata kanë një vit që jetojnë së bashku në Prishtinë, pavarësisht paragjykimeve dhe rrethanave historike. Të dy e konsideruan lidhjen e tyre që në fillimet e bashkëjetesës si një martesë, të cilën planifikojnë ta kurorëzojnë me fëmijë.

Rrëfimi për njohjen dhe lidhjen e tyre është ndërtuar mbi dy personazhe që e kanë pranuar njëri-tjetrin dhe që kanë vendosur të kthehen nga vendet ku punonin jashtë për të jetuar në Kosovë.

“Për mua nuk ishte e vështirë të pranoja marrëdhënien tonë sepse punoja me boshnjakë dhe serbë dhe me shumë njerëz nga vende të tjera. Tashmë kam parë se çfarë kulture kanë, si ngjashmëritë ashtu edhe dallimet. E pashë që nuk jemi aq të ndryshëm, kështu që nuk ishte e vështirë për mua. Nuk kam pasur kurrë problem me përkatësinë etnike të Suzanës” – thotë Sejdiu, i cili punon si ndërtues.

Mariq dhe Sejdiu jetuan për disa vite në Slloveni ku kishin punuar përkohësisht jashtë profesionit të tyre. Ata u takuan rastësisht në një plazh afër Rijekës, në Kroaci.

“Është shumë e vështirë të përfshihesh në shoqërinë e tyre [sllovene]. Unë punoja atje në një hotel dhe nuk më pëlqeu sepse ishim të margjinalizuar dhe nuk ishim pjesë e shoqërisë. Kështu erdhëm në Kosovë dhe gjetëm punë dhe fillova të studioj në Universitet. Kam studiuar për drejtësi në Serbi, por nuk e mbarova” – kujton Mariq.

Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Në Kosovë, Suzana ka filluar studimet në Departamentin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës dhe në të njëjtën kohë punon në organizatën Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.

Ajo ka ardhur nga Novi Sadi për të jetuar me Gentin dhe i vetmi dokument kosovar që ka është ID i fakultetit, ndërsa punon me leje të përkohshme.

“Nuk kam dashur të punoj në sistemin juridik në Serbi dhe me diplomë juridike, spse jashtë shtetit nuk mund të bësh asgjë. Kështu që tani jam e fokusuar në studimet ballkanike dhe më pëlqen, sepse mund të jem përkthyese apo profesoreshë” – shton ajo.

As shoqëria nuk i pranon martesat kosovaro-serbe

Është shumë e rrallë në Kosovë të dëgjosh për çifte të përziera kosovaro-serbe. Situata e tensionuar mes dy shteteve, narrativat e ndryshme dhe mospërballja me të shkuarën që do të çonte në pajtim, e bëjnë thuajse të pamundur lidhjen e njerëzve në institucionin e martesës.

Rreth 23 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, tema mbetet tabu dhe ka pak hulumtime për të. Martesa mes kosovarëve dhe serbëve nuk haset në diskutime publike, duke u parë si e ndaluar dhe pothuajse e pamundur.

Antropologia Angjelina Hamza-Hasanaj, e cila studion martesat e përziera, thotë se pa prekur çështjet politike mes dy shteteve, e sheh të hershme bashkimin e këtyre dy palëve në një familje.

“Sot, nëse ndodhë një martesë e tillë (që në literaturën shkencore njihet si martesë e përzier) në mes dy personave nga popuj armiq, po të ndalemi dhe ta analizojmë në kontekstin kulturor dhe në çfarëdo konteksti tjetër, nënkupton shumë” – tha Hamza-Hasanaj për BIRN.

BIRN pyeti familjet kosovare dhe serbe në Kosovë për këtë, dhe shumica hezituan të flasin, duke i përshkruar martesat e tilla si një gjë që “nuk mund të ndodhë”.

“Edhe në ëndërr, po ta shihja vajzën apo djalin tim duke u martuar me një serb, do të çmendesha. Nuk do ta falja kurrë” – tha Lumja nga Vushtrria, nënë e gjashtë fëmijëve.

Hamza-Hasanaj thotë se martesa është një fazë shumë e rëndësishme e ciklit jetësor dhe realizimi i saj është i rëndësishëm jo vetëm për partnerët, por edhe për familjen dhe shoqërinë në përgjithësi.

“Përfshirja në këto martesa prek një dimension të gjerë përveç familjes, prek dhe dimensione të tjera të jetës si ato: socio-kulturore, ekonomike, politike, juridike” – shton ajo.

Hamza-Hasanaj konsideron se vendimi për një martesë të tillë të përbashkët varet nga vendosmëria dhe marrëveshja e çiftit dhe mbi çfarë baze, kulturore apo duan ta ndërtojnë jetën e tyre.

Rreth gjashtë familje nga të dyja palët thanë për BIRN se asnjëra shoqëri nuk është e përgatitur për një martesë që bashkon dy popuj armiq në një familje.

“Përderisa ende në familjet shqiptare të Kosovës, janë të freskëta pasojat e luftës së fundit, marrim shembull konkret rastin e masakrës dhe të zhdukurve të fshatit Mejë, ku ka familje që ende nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre, pa hyrë në detaje të tjera, them se kjo e bënë të vështirë dhe të pa pranueshme për momentinpranimin e martesave të tilla” – shtoi Hamza-Hasanaj.

Serbët e Kosovës në Prelluzhë të Vushtrrisë dhe Zubin Potok gjithashtu thanë se nuk do ta mirëpritnin martesën me kosovarët.

“Nuk është e mundur përderisa jam gjallë. Unë jetoj në Kosovë, por kurrë nuk do ta pranoja një kosovar si pjesë e shtëpisë sime” – tha Dragan nga Zubin Potoku, baba i dy vajzave dhe një djali.

Mirëpo, Genti dhe Suzana thonë se nuk kanë hasur në asnjë pengesë nga vetë familjet e tyre dhe për paragjykimet e shoqërisë, kanë mbyllur sytë ndaj tyre.

“Nëna ime nuk i ndan njerëzit sipas kombësisë apo fesë. Ajo ka miq shqiptarë, bullgarë dhe etni të ndryshme, kështu që unë mësova të mos përçahem. Mësova të shikoj se si është një person, i mirë apo i keq, çfarë zakonesh ka ai person, karakteri i tyre – ato gjëra që mësova të ndaja, por vetëm ato” – thotë Mariq.

“Mamaja ime kur u njoh me Gentin, e pëlqeu menjëherë, sepse ishte i mirë dhe kishte karakter të mirë dhe ishte i sjellshëm dhe i pastër. Familja ime dëshiron që ne të shkojmë tek ata për Vitin e Ri”- shtoi ajo.

Disa familje kosovare konsiderojnë se përderisa nuk zbardhet fati i të zhdukurve, përdhunimeve, vrasjeve dhe humbjeve të tjera në luftën e Kosovës, nuk mund të bëhen martesa mes kosovarëve dhe serbëve.

Por Genti thotë se babai i tij në fillim e kishte problem ta pranonte Suzanën, kur u njoh me të ndryshoi krejtësisht mendim. Megjithatë, për nënën e tij, komunikimi mbetet problem pasi nuk flasin një gjuhë të përbashkët.

“Nuk është mirë që shoqëria të na gjykojë, sepse ne jemi brezi i pasluftës. Kur fillova këtë marrëdhënie, mendova: Pse ta harxhoj jetën time për gjykimet e dikujt dhe çfarë mendojnë njerëzit? Kjo është jeta ime dhe jo e tyre kështu që nuk më interesonte fare” – thotë ai.

Shumica e çifteve të përziera datojnë nga epoka jugosllave

Shumica e çifteve shqiptaro-serbe janë tani në të 60-at e tyre, të martuar në një epokë kur komunizmi laik kapërceu ndarjet etnike dhe fetare.

Ndryshe nga paslufta në Kosovë, në kohën e komunizmit jugosllav, kishte më shumë martesa mes njerëzve të etnive të ndryshme, veçanërisht mes njerëzve që i përkisnin elitave politike apo kulturore.

Disa nga rastet që mbeten në kujtesën kolektive janë martesa e aktorit Bekim Fehmiu dhe aktores serbe Branka Petriq, nga e cila kanë dy fëmijë.

Një tjetër rast publik ishte martesa e aktorit Faruk Begolli me balerinën e Teatrit Kombëtar të Beogradit, Zoja Gjokoviq, të cilët u divorcuan pas 17 vitesh martesë.

Përveç artistëve, edhe disa politikanë shqiptarë ishin martuar me serbë nga Kosova në vitet 1980 si Ali Shukrija. Përveç tyre edhe Alush Gashi dhe Halil Fejzullahu.

Në vitin 2019, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka pasur vetëm gjashtë martesa mes shqiptarëve me gra serbe dhe një martesë mes një serbi dhe një gruaje shqiptare.

Në vitin 2018 ka pasur pesë martesa mes burrave shqiptarë me gra serbe dhe gjashtë martesa mes serbëve me shqiptare.Në vitin 2017 ka pasur dy martesa mes burrave shqiptarë me gra serbe dhe dy serbëve me shqiptare; në vitin 2016 ishin gjashtë për të dyja palët.

Lufta institucionale për dokumente

Suzana dhe Genti thonë se martesa e tyre po pengohet institucionalisht pasi institucionet e të dy vendeve nuk pranojnë dokumentet e njëri-tjetrit, ndërsa nga ana tjetër duan që martesa e tyre të kurorëzohet ligjërisht.

“Problemi më i madh që kemi është me dokumentet. Të rinjtë po vuajnë dhe politikanët po bëjnë shaka me ne” – thotë Mariq.

Antropologia Hamzaj thotë se politika luan një rol të rëndësishëm në jetën e popujve të Ballkanit.

“Se sa do ketë bashkëjetesë shoqërore në mes të dy shteteve në fjalë, me padyshim se duhet kaluar vite dhe te mbetet për tu parë e hulumtuar në vazhdimësi kjo çështje” – shtoi ajo.

Nga ana tjetër, Genti dhe Suzana thonë se nuk besojnë se politika e tillë funksionon për të mirën e njerëzve.

“Ne nuk kemi as televizor në shtëpinë tonë sepse nuk duam të merremi me këto çështje. Nëse ka luftë, do ta shohim në rrugë. Gjithçka është propagandë, çfarë dëgjojmë, çfarë shohim dhe gjithçka tjetër. Në këtë shekull është shumë e vështirë të dallosh manipulimin. Politika nuk mund të më tregoj ku të qëndroj, ku të jetoj dhe çfarë të ha. Fundi i historisë” – përfundon Mariq.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.