Drenasi, komuna ku matet burrëria dhe fjala

Me nivel të lartë të burrërisë, Drenasi ka arritur të shndërrohet në një komunë ku krenaria e burrave të zonës vendoset nën kontrollin e ligjit dhe të bëhet shembull për komunat e tjera. Burrave me mustaqe u ndalohet pirja e duhanit në kafiteri e komuna ka arritur që të jap shembull për komunat e tjera edhe për respektimin e barazisë në mes burrave dhe grave në qeverisje.

Ramiz Lladrovici ka mbajtur standardin e drejtimit të drejtorive nga gratë megjithëse drejton komunën e cila zyrtarisht është pa plan.

Me 36 fshatra dhe 6 lagje urbane në një territor të gjerë të shtrirjes së qytetit në të cilën vetëm 0.39% e komunës së Drenasit ka plan rregullues dhe plan Urban, ndërsa pjesa tjetër apo 99.61% e territorit të komunës nuk ka plane rregulluese dhe plane urbane.

Komuna e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci ka ndaluar ndërtimet pa leje në zonat urbane në qendrën e Drenasit dhe Komoran, si dhe uzurpimin e pronës komunale.

Ndërsa, në zonat komosative përgjatë rrugëve nacionale e regjionale nuk janë ndalur plotësisht, por thonë se ndaj tyre janë iniciuar procedura.

Ndër punët e para për qeverisjen e Lladrovcit ishte obligimi që partia të cilës i përket Lladrovci – PDK të obligohej t’i paguaj borxhet ndaj komunës për qiranë e një objekti që po e shfrytëzonte. Komuna ka arritur ta obligoj PDK-në të paguaj 23 mijë euro borxh nga 27 mijë sa ishin në total.

Jeta në Drenas të imponon që çdoherë të përballesh me rrezikun që mund të goditesh nga treni, në vendin ku shumë njerëz kanë pasur fatin të aksidentohen e madje edhe të humbin jetën. Së fundmi janë shkaktuar edhe dy aksidente në të cilën treni ka goditur veturën duke kaluar mbi hekurudhë.

Disa metra larg hekurudhës në qendër të Drenasit, përkatësisht të rrethi i qytetit, qytetarët nuk kanë stacion të autobusëve, ndonëse numri më i madh i qytetarëve që lëvizin me autobusë apo kombi presin dhe ndalen aty. E rreziku është edhe kur qytetarët detyrohen që të zbresin në qoshe të rrugës kryesore të rrethit në Drenasit.

“Stacioni” e autobusëve – Foto: KALLXO.coom

Për të garantuar shëndetin e qytetarëve, Ramiz Lladrovci erdhi në pushtet me premtimin se “Mjeku ka me shku të qytetari, jo qytetari të mjeku”.

Por, ky premtim, që përbënte risi në sistemin shëndetësor të Kosovës, nuk u realizua.

Në Negroc, vite më parë gjatë pushtetit të paraardhësve të Lladrovcit, komuna kishte ndërtuar një ambulancë në pronë të një fshatari e që në fund pronari vendosi që ta shfrytëzoj vet pasi komuna nuk i ofroj kompenzim për tokën.

Ambulanca e shfrytëzuar nga fshatari u bë temë ne debatin për komunën, ndërsa përpos premtimeve zgjidhja ende nuk ka ndodhur.

“E kam taku zotnin [pronarin e tokës] dhe ai do ta jep mundësinë që ambulanta të funksionalizohet dhe të shkojë mjeku aty….Ka me qenë funksionale në mandat temin se unë kam premtu qe mjeku ka me shku të qytetari. Dhe ai objekt që është ndertu aty nuk mundet me e pengu as ai pronar që e ka leju e askush tjetër”, kishte thënë ai në vitin 2016.

Entuziazmi i Lladrovcit se do të gjejë zgjidhje ‘ si të shkon në zyrë’ është zbehur sepse edhe pas 3 viteve nuk arriti që të gjejë një ujdi me pronarin e pronës. Nga kjo komunë kanë deklaruar se rasti është dërguar në hetuesi.

“Për shkak të marrëveshjes gojore të këmbimit të pronës me pronarin nga qeverisja e kaluar (sipas pronarit) nuk kemi mundur të funksionalizojmë objektin dhe e kemi dërguar në hetuesi”, kanë thënë nga Komuna e Drenasit.

Në anën tjetër, në kohë pandemie kur bëhet thirrje vazhdimisht që qytetarët të pastrojnë duart shpesh edhe me sapun, si masë mbrojtëse kundër COVID-19, qytetarët që shkojnë në QKMF e Drenasit nuk kanë as ujë për të pastruar duart në banjo.

KALLXO.com ka verifikuar në muajin maj se banjo në katin e parë nuk ka ujë e as shampon për pastrim.

Gjendja e banjos në QKMF në Drenas në muajin maj – Foto:KALLXO.com

Përveç kësaj edhe infrastruktura lë shumë për të dëshiruar. E njëjta pamje ishte edhe kur Lladrovci hyri në garë për të parin e Drenasit në vitin 2017.

“Sa i përket shërbimeve të pastërtisë, unë sigurisht do të bëjë me kompani sepse pastrues janë aty, sepse sigurisht që nuk i kanë punu siç duhet asnjëherë as banjot, as shërbimet që kanë qenë në QKMF”, kishte thënë Lladrovci.

Ndër problemet që kanë shoqëruar Qendrën Kryesore Mjekësore Familje (QKMF) në këtë komunë ka qenë mungesa e mamografisë, ultrazërit dhe rëntgenit.

Lladrovci i pyetur nga Jeta Xharra në “Debatpernime” kishte deklaruar se pajisja e mamografisë dhe ultrazërit janë “shumë të shtrenjta e që do t’i sigurojë përmes donacioneve”.

Më 20 mars përmes një donacioni nga Qeveria Japoneze që kapë vlerën rreth 70 mijë euro, QKMF është furnizuar me aparatin e Mamografisë.

Për shërbimin e rëntgenit, Lladrovci në të njëjtin emision kishte thënë se shumë shpejtë do të ofrohet. Ky premtim i tij është realizuar pasi që është funksionalizuar dhomat e shërbimit të rëntgenit dhe e kanë riparuar rëntgentin i cili është në funksion dhe shërbimet kryhen rregullisht çdo ditë pune në QKMF – Drenas.

Gjithashtu edhe aparati ultrasonik është aktivizuar dhe ekzaminimet Ultrasonike janë të rregullta nga ana e Radiologut sipas indikacioneve, gjithashtu edhe dy ultrazëra (aparate) janë në funksion, njëri në Maternitet dhe tjetri në shërbimin e kontrollit gjinekologjik-obstetrik.

Mungesa e ujit të pijes

Të dhënat tregojnë se janë 22 fshatra të Drenasit që ende nuk kanë ujë të pijes. Banorët e fshatrave Shtuticë, Vërboc, Tërstenik I dhe II, Gllobar, Baicë, Likoshan, Gllanasellë, Godanc, Dobroshec, Çikatovë e Vjetër, Krajkovë, Shtrubullovë, Zabel i Ulët, Korroticë e Ulët, Poklek, Vasilevë,  Nekoc, Kizharekë, Nekoc, Fushticë e Ulët dhe Korroticë e Lartë kishin shpresat se në verën e vitit 2019 më në fund do të bëheshin me ujë nga projekti i qeverisjes së kaluar për të cilin edhe ishte bërë pranimi teknik.

Qeverisja paraprake kishte vendosur gypat, mirëpo kur për qeverisjen e Lladrovcit erdhi koha që ta funksionalizojnë këtë projekt, e panë që gypat diku ishin të vendosur jo si duhet, e diku nuk kishte fare.

E që gjithë çështja është kthyer nga zero. Ramiz Lladrovci këtë rast e ka dërguar në hetuesi, e që fati i banorëve për ujë të pijes nuk as ndonjë afat.

“Pas përfundimit të gjitha punëve dhe vendosjes gypave primar në lotin e mbetur të projektit, gjatë punës në terren na kanë dalë parregullsi dhe keqpërdorim të projektit që na ka shkaktuar pasoja të pariparueshme, duke na kthyer 10 vite e më shumë prapa. Nga të dhëna që i kemi pas, si projekte kanë figuruar si të paguar dhe të përfunduar, por që në fakt nuk është realizuar, përkatësisht ka munguar gypi kryesor nga bazenat e Ferronikelit në drejtim të bazenave të Kamenicës”, ka thënë komuna e Drenasit.

“Ne shpresojmë që gjatë këtij viti do t’i zhvillojmë të gjitha procedurat e nevojshme në mënyrë që të riparojmë këto defekte dhe që ta funksionalizojmë rrjetin e ujit të pijshëm për qytetarët tanë”, vijon përgjigja.

Arsimi

“Drejtorët e shkollave në Komunën e Drenasit nuk mbajnë pozita politike. Ky ka qenë edhe zotimi i kryetarit Ramiz Lladrovci që asnjë drejtor nuk mund të mbajë pozita politike sepse kjo edhe do të bien ndesh me ligjin për shërbimin civil”, ka thënë Zyra për Informim.

Mirëpo, nga ato që KALLXO.com ka arritur të identifikojë përmes rrjeteve sociale janë katër drejtorë të institucioneve arsimore që publikisht kanë shfaqur simpatinë për partinë që i takon kryetari Lladrovci, PDK-në. E disa prej tyre kanë publikuar edhe fotografi nga fushata zgjedhore e PDK-së.

Lladrovci në emisionin “Debatpernime” në vitin 2017 kishte premtuar që gjatë mandatit të tij katër vjeçar.

“I kam dy çerdhe, nja e kam tu e zhvillu, në katër vjet i premtoj katër çerdhe”, kishte thënë Lladrovci më 21 shtator përballë Jeta Xharrës.

Pas afër tre viteve, kjo komunë ka mbetur me dy çerdhe – në Drenas dhe në Komoran. Të pyetur nga KALLXO.com lidhur më këtë premtim të Lladrovcit, nga Komuna e Drenasit janë përgjigjur me arsyetimin se një çerdhe është në fazën e fillimit të punimeve.

“Ndërtimi i çerdhes në Drenas është në proces të fillimit të punimeve dhe është donacion i Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Muhamet Gjokaj ka sqaruar se është në proces të ndërtimit edhe një çerdhe tjetër e financuar nga niveli qendror e cila pritet të ndërtohet në Komoran.

Sipas drejtorit të arsimit  bashkësitë që kanë nevojë për çerdhe bazuar në numrin më të madh të parashkollorve janë Orllat, Terstenik, Komoran, Drenas 2, Dobroshec dhe Baicë.

“Më kanë konfirmu që për këtë vit do të bëhet përshtatja e dy-tre klasave të shkollave për çerdhe në Terstenik. Kemi kerku me na përkrah me inventar dhe për numrin e certifikimeve të edukatorëve”, tha ai për KALLXO.com

Ndërkaq, edhe dy shkolla të tjera të premtuara ende nuk janë përfunduar. Lladrovci kishte premtuar ndërtimin e shkollës profesionale në Komoran. Punimet kanë filluar më 2 nëntor e që pritet të vazhdojnë deri në vitin 2021. Kurse, as ndërtimi i shkollës së mesme të ulët në Fushticë të Epërme nuk ka përfunduar, por për këtë thonë se do të përmbyllet për muajin shtator të këtij viti.

“Komuna e Drenasit ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me Ministrinë e Administratës Publike për ndërtimin e shkollës së mesme të ultë në Fushticë të Epërme. Punimet kanë nisur në shtator të 2019 dhe pritet të përmbyllen në shtator të 2020”, ka thënë Komuna e Drenasit për KALLXO.com

Premtimi për kiflet i pa realizuar

Një tjetër premtim i pa realizuar gjatë këtyre viteve të mandatit të Lladrovcit është edhe për ndarjen e buxhetit për shujta për nxënës. Shpërndarja e shujtave parashihej të fillonte nga ndarja e buxhetit të vitit 2018. Por, ky premtim mbeti vetëm në ajër, nxënësit e komunës së Drenasit nuk i pranuan kurrë ato shujta.

Në anën tjetër, Lladrovci ka realizuar premtimin për funksionalizimi i shkollës së mesme të ulët në Poklek të Ri ( ish-shkolla e mesme teknike).

“Me fillimin e vitit të ri shkollor 2018/2019, shkolla e mesme e ulët në Poklek të Ri, ka filluar mësimin si paralele e ndarë e shkollës së mesme të ulët “Rasim Kiçina” në Drenas. Nga fillimi i vitit të ri shkollor 2018/2019 është funksionalizuar shkolla e re në fshatin “Poklek të Ri”, kanë bërë të ditur nga Komuna e Drenasit.

Në kuadër të fushës së arsimit, Lladrovci kishte premtuar edhe ndarjen e 200 bursave për vitin 2018. Premtim ky i cili është realizuar.

Infrastuktura

“Për 3 vitet ardhshme nuk do te ketë asnjë lagje ne komunë pa asfalt, pa rrjet të kanalizimit të ujërave të zeza”, janë fjalët që kishte thënë Lladrovci kur ishte kandidat për të parin e Drenasit.

Por, jo të gjithë qytetarët e Drenasit e kanë asfaltin të dera e shtëpisë. Qytetarët janë ankuar disa herë në KALLXO.com për mungesën e infrastrukturës rrugore.

Banorët e fshatit Dobroshec saktësisht lagjja Caraku kishin deklaruar për KALLXO.com se Lladrovci u kishte premtuar asfaltimin e rrugës së tyre “Adem Caraku” dhe ndërtimin e unazës së fshatit gjatë një tubimi elektoral.

Rruga e paasfaltuar në fshatin Dobroshec në muajin mars – Foto: KALLXO.com

Por, për këtë rrugë nga Komuna e Drenasit kanë thënë se arsyeja pse rruga nuk është ndërtuar deri më tani në këtë lagje, ka qenë për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.

“Komuna është ne dijeni për këtë problem të rrugës, mirëpo gjatë dëgjimeve buxhetore të mbajtura në vendbanime dhe takimeve me administrator të fshatit Dobroshec, lagjet tjera kanë qenë prioritet dhe me të rëndësishme për asfaltim pasi që kanë numër me të madh të shtëpive të banimit dhe banorë më shumë. Komuna me rishikim të buxhetit në vitin 2020 do të shikoj mundësitë për ndërtimin e rrugës e cila lidhet me lagjet Shehu dhe Prenku”, ka thënë zëdhënësi i Komunës, Bekim Dobra.

Në anën tjetër, që nga muaji janar i këtij viti bashkëfshatarët e kryetarit Lladrovci ishin ankuar për një projekt të Komunës për shtrimin e një rruge. Komuna nuk i mori parasysh ankesat e tyre dhe vazhdoi me planin e saj që në mes të arave të banorëve të shtrojë kocka dhe trotuar me dimensione të vogla.

Banorët e fshatit Gllanasellë përkatësisht të lagjes Nika, Topilla dhe Krasniqi ishin mbledhur për të protestuar ndaj këtij projektit. Sipas banorëve, ndërtimi i trotuarit me gjerësi dy metra pamundëson lëvizjen e lirë në institucionet e fshatit dhe në tokat e tyre bujqësore.

Nga Komuna e Drenasit kanë thënë për KALLXO.com se është e rëndësishme ndërtimi i këtij trotuari për shkak se paraqet sigurim për fëmijët.

“Komuna ka pranuar kërkesa nga ana e komunitetit të fshatit për rregullimin e trotuarit dhe të njëjtat është duke i implementuar në terren”, thuhet në përgjigjen elektronike të Komunës.

E qarkullimi bëhet i pamundur edhe në rrugët kryesore të Drenasit kur ka reshje të shiut.

Rrugët në qendër të Drenasit përkatësisht afër Komunës dhe në lagjen e Feronikelit janë vështirë të qarkullueshme për vozitësit e që vëshirëson edhe lëvizjen me këmbë.

Vërshimi i rrugës në qendër të qytetit të Drenasit në muajin maj- Foto:KALLXO.com

Kjo komunë është një prej vendeve më të prekura edhe nga vërshimet. Ndër vendet me të rrezikuara nga vërshimet deri në vitin 2018 në Komunën e Drenasit kanë qenë gjithsej tetë, prej tyre: Shtrubullovë, Çikatovë e Re, Komoran, Dritan, Vërboc, Shtuticë, Polluzh dhe Tërstenik.

“Gjatë vitit 2019 falë realizimit të projekteve në këtë drejtim është bërë pastrimi, zgjerimi dhe rregullimi i shtretërve të lumenjve, ndërtimi i urave dhe tombinave mbi lumin Drenica në Komunën e Drenasit, me ç’rast ka ndikuar që në komunën tonë tani të mos ketë më vende të rrezikuara nga vërshimet”, thuhet e Komunës së Drenasit..

Ambienti 

“Vetëm në një gjë nuk do të kemi kompromis – në ndotje të ambientit. Nuk do të ia lejojmë Feronikelit ndotjen e ambientit”, kishte thënë Lladrovci në vitin 2016 përballë në Jeta në Kosovë.

Banorët e Drenasit detyrohen të jetojnë mbi ajrin e ndotur nga kompania Feronikeli e që përveç kësaj hidhen mbetje toksike edhe në lum. Fabrika e Feronikelit që ulë papunësinë në Drenas po kërcënon shëndetin e një pjesë tjetër të qytetarëve. Gjithë çështja e kontrollimit të ndotjes nëpër ajrin e Drenasit është kompetence e vetë kompanisë për kontrollimin e përhershëm të filtrave.

Kjo fabrike tash e dy muaj është në remont. Mirëpo banorët e fshatrave Dobroshec dhe Qikatovë e Vjetër për më shumë se dy vjet janë në hall pasi kjo kompani vendosi një deponi të mbetjeve te metalit e cila njihet se skore, disa metra larg shtëpive të tyre. Kur ka erëra edhe të lehta, e kanë të pamundur daljen nga vendbanimeve pasi nga kjo mbetje krijohet pluhur në ajër.

Skorja në Drenas – Foto:KALLXO.com

Banorët janë ankuar në KALLXO.com duke e quajtur kancerogjen thithjen e këtij ajri.

Për vendosjen e kësaj skores në këtë vend kompania ka marrë leje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2018.

KALLXO.com ka dërguar disa herë pyetje për këtë çështje në drejtim të kësaj kompanie por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigjet. Gjithashtu KALLXO.com në muajin mars ka kërkuar qasje ne lejen mjedisore por nga Ministria e Mjedisit nuk kanë kthyer përgjigje.

Komuna e Drenasit ka pohuar për KALLXO.com se ka pasur kërkesa nga banorët lidhur me ndotjen nga transportimi i skories dhe që “inspektorët komunal i janë përgjigjur kërkesës dhe kanë kërkuar nga transportuesit të bëjnë mbulesën e transportuesit dhe pastrimin e rrugës nga ndotja, ndërsa  banorët janë udhëzuar se të njëjtën kërkesë të parashtrojnë në Ministrinë e Mjedisit, përkatësisht inspektorët e mjedisit në këtë ministri”.

Për të kontrolluar ndotjen komuna e Drenasit nevojitet që të krijojë më shumë zona të gjelbërta dhe të pasterta. Vitin e kaluar nga 90 deponi ilegale janë larguar 40 e që të dhëna për këtë vit nuk posedon e që lavdërohen për menaxhimin e mbeturinave. KALLXO.com ka verifikuar një deponi në rrugën “Sabit Maloku” në fshatin e kryetarit Lladrovci, Gllanasellë në muajin korrik.

Komuna e Drenasit, përkatësisht inspektorati ka shqiptuar 37 gjoba për degradim të mjedisit e që përfshinë edhe hedhjen e mbeturinave që nga viti 2017.

Deponia ilegale në fshatin Gllanasellë – Foto:KALLXO.com

Në anën tjetër, për shkak të mungesës së kanalizimit, ujërat e zeza derdhen në lumin Drenica e që për banorët është e pamundur të qarkullojnë afër tij.

Banorë të Komunës së Drenasit, përkatësisht të fshatit Çikatovë të Re apo siç njihet Drenas 3, janë ankuar se ujërat e zeza po derdhen në lumin “Drenica” që shtrihet përgjatë këtij vendbanimi dhe fshatit Shtrubullovë.

Kjo komunë ende nuk ka kolektor për grumbullimin e ujërave të zeza dhe bartjen e tyre deri tek impianti për pastrim. Komuna e Ramiz Lladrovcit kanë deklaruar se kanë planifikuar që të ndërtohet kolektori në fshatin Dobroshec përkatësisht të Guri i Plakes dhe që janë në proces të ndërtimit.

E njëjtë problem paraqet edhe pastrimi i lumit dhe rregullimi i shtratit. Projekti për rregullimin e shtratit të lumit Drenica është duke u realizuar në faza nga Ministria e Mjedisit kurse  sa i përket pastrimit te këtij lumi Komuna ka realizuar ne vitin 2019 rreth 40km pastrim të lumit, e për këtë vit kanë planifikuar që të pastrohen edhe disa segmente.

Barazia gjinore në pronësi dhe vendimmarrje

Lladrovci kishte premtuar në “Debatpernime” se do ta regjistroj pronën në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

“Një pjesë është veç në emër temin, dhe një pjesë është veç në emër të gruas ndërsa pjesë të tjera janë të përbashkëta. Ligji tash e rregullon dhe unë gjithmonë kam qenë në zbatim të ligjit dhe prona do të jetë e përbashkët”, kishte deklaruar ai.

KALLXO.com ka raportuar në prill të vitit të kaluar se gruaja e Lladrovcit ende nuk ka pronë. Lladrovci i pyetur nga KALLXO.com kishte deklaruar se nuk e ka regjistruara ende “për shkak të angazhimeve” që ka pasur.

“Unë e kam deklaru se do ta regjistroj, por akoma nuk e kam regjistruar për shkak të angazhimeve që kemi pasur, por pasurinë e kemi të përbashkët sikurse edhe jetën që e kemi”, kishte thënë ai.

Mirëpo, kryetari Lladrovci ka qenë shembull për emërimin e grave në poste ekzekutive që kur mori mandatin në zgjedhjet e 2016-es. Ai në “Debatpernime” në zgjedhjet lokale premtoi se edhe në mandatin e ri katër vjeçar do të vazhdojë këtë zotim.

“Në zgjedhjet e 2016-es kam thanë që do t’i emëroj tri-katër gra drejtoresha, unë e kam realizu. Sigurisht që do ta mbajë këtë zotim”, ka thënë Lladrovci në “Debatpernime” në vitin 2017.

Ndonëse ndërroi shpesh emrat, barazia gjinore u ruajt. Nga 12 drejtori sa ka kjo komunë, 6 prej tyre aktualisht udhëhiqen nga gratë dhe 6 nga burrat.

I pari i Drenasit kishte premtuar edhe drejtoresha në krye të institucioneve arsimore.  “Në arsim i kam gjete dy drejtoresha tanimë janë tetë drejtoresha dhe besoj brenda muajit do të 12 bëhen arsim”, ka deklaruar Lladrovci në shtator të vitit 2017.

Nga 33 institucione arsimore që janë në këtë komunë, 11 udhëhiqen nga gratë, bazuar në të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të komunës së Drenasit.

‘Monopoli’ në prokurim

KALLXO.com në muajin janar të këtij viti kishte raportuar hulumtimin për kompaninë që fitoi 20 tenderë për 15 muaj në komunën e Ramiz Lladrovcit.

Kompania “Fer-Petroll”  brenda 15 muajve (shtator 2018 – nëntor 2019) i ka fituar 20 tenderë nga komuna e Drenasit, në shumën totale prej 1 milion e 522 mijë euro. Kontratat e fituara nga kompania “Fer Petrol” janë kryesisht për mirëmbajtje dhe ndërtim të rrugëve.

Pronar i kompanisë ‘Fer Petroll’ është Mehdi Gjoka. Ai ka publikuar në rrjetin social ‘Facebook’ një fotografi me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin. Fotografia është publikuar në prill të vitit 2019.

“Asnjë tender nuk ka të bëjë me favorizim, apo përmes miqësisë, të gjithë janë fituar sipas procedurave ligjore të tenderimit”, kishte thënë zëdhënësi i komunës, Bekim Dobra.

Tenderi më i madh që ka fituar “Fer-Petroll” nga komuna e Drenasit, është e datës 29 tetor të vitit 2018, ku vlera e përgjithshme e kontratës është 328 mijë euro. Ky tender është për ndërtimin e rrugës Vuqak – Tërdec dhe është projekt tre vjeçar.

Papunësia

Drenasi i populluar me rreth 59 mijë banorë, del të jetë mjaft i varfër në krahasim me qytetet e mëdha që kanë numër të madh të banorëve.

Vetëm në muajin gusht të 2019, janë 1 mijë e 94 familje që kanë marrë ndihmë sociale, tregojnë të dhënat e raportit mujor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të siguruara nga KALLXO.com e që po në të njëjtën periudhe kohore, në Pejë, që ka mbi 94,000 banorë, janë 1 mijë e 18 familje që marrin ndihmë sociale.

Ramiz Lladrovci kishte premtuar se do të krijojë vende të reja të punës e sidomos për të rinjtë.

Lladrovci ka premtuar dhënien e pronave në partneritet publiko – privat për ndërtimin e një fabrike për riciklimin e mbeturinave në të cilën do të punësoheshin 250 punëtorë.

Zyra për Informim ka deklaruar  se pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me investitorin, Komuna ka siguruar pronë për këtë qëllim dhe në finalizim e sipër investitori por që për shkak të problemeve të brendshme të aksionarëve është tërhequr për momentin.

Kallxo.com ka siguruar edhe bisedën mes të dy palëve për këtë projekt, ku kjo kompani pezullon projektin për shkak së një donator është tërhequr. E që nga viti 2018 ende nuk është ndërmarrë asnjë në këtë drejtim nga asnjëra palë.

Modeli i Drenasit  

Drenasi është ndër komunat  e vetme në Kosovë që ka Planin e Reagimit emergjent ndërsa gjatë vitit 2017 ka testuar edhe implementimin e tij.

Të dhënat tregojnë se vetëm 15 shkolla të komunës kanë dalje emergjente ndërsa 18 të tjera nuk e kanë të rregulluar daljen në rast të emergjencës.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).