Dosjet penale të dhjetëra ish- policëve të dorëhequr në veri të Mitrovicës

95 dosje penale që u hetuan në të kaluarën, ekzistojnë në regjistrat e Inspektoratit Policor të Kosovës për zyrtarë policorë të cilët katër muaj më parë dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në stacionet policore në veri të Mitrovicës.

Këto raste janë iniciuar, hetuar e trajtuar gjatë periudhës kohore që nga viti 2011 deri në vitin e kaluar.

Zbulim i fshehtësisë zyrtare, manipulim me prova, keqpërdorim i detyrës, mashtrim, mundësim i arratisjes për personat e dënuar, dhunim, sulm seksual, nxitje e përçarjes, janë vetëm disa prej veprave penale që përmenden në regjistrat e Inspektoratit Policor të Kosovës për ish- policët e dorëhequr në veri të Mitrovicës.

Numri i atyre që ofruan dorëheqje vitin e kaluar nga pozitat e tyre në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, është 573.

Në këto dorëheqje nuk hyn edhe ai i ish- drejtorit në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq i cili me vendim të plotëfuqishëm është larguar nga Policia e Kosovës në lidhje me veprimet të cilat kishte kryer duke mohuar detyrat e përcaktuara me ligje dhe rregullore të institucionit që i shërbeu.

Dy kapitenë, pesë togerë, shtatë rreshterë, 77 policë, një polic i ri dhe tre zyrtarë shërbyes civil të nacionalitetit serb të cilët ishin pjesë e institucionit të Policisë së Kosovës janë hetuar përgjatë dhjetë viteve të fundit nga IPK.

KALLXO.com ka siguruar statistikat e dosjeve penale të dhjetëra ish-policëve që dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.

Këta ish-policë dyshohen për vepra të ndryshme penale.

Për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, më saktësisht veprat penale kalim i kufirit në mënyrë të paautorizuar dhe nxitje e përçarjes dhe mos durimit, janë të evidentuara dy raste. Të dyja këto janë hetuar nga ana e hetuesve policorë.

Për veprat penale kundër jetës dhe trupit më saktësisht kanosje, sulm, lëndim trupor e pjesëmarrje në rrahje janë hetuar 43 ish-policë të dorëhequr.

Tutje, 15 ish-policë ishin hetuar nga IPK edhe për vepra që ndërlidhen me liritë dhe të drejtat e njeriut më saktësisht, shkelje të statusit të barabartë, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare si dhe fotografime të paautorizuara.

Dy ish-pjesëtarë të PK-së, janë hetuar për vepra penale që ndërlidhen me integritetin seksual më konkretisht një për dhunim e një tjetër për sulm seksual.

Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar një polic për dhunë në familje e dy të tjerë për vepra kundër ekonomisë më konkretisht për tregti të ndaluar e shmangie nga tarifat doganore.

Pesë ish-policë në veri të Kosovës janë hetuar nga IPK për vjedhje, asgjësim të pasurisë dhe mashtrim.

Dy ish-policë janë hetuar për vjedhje të pyllit, e dy të tjerë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Dosjet e ish-policëve në veri të Mitrovicës janë regjistruar gjatë viteve 2011-2022.

Në përgjigjet e IPK-së për KALLXO.com thuhet edhe se katër policë janë hetuar për mbajtje në pronësi e kontroll të paautorizuar të armëve si dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

13 ish-policë janë hetuar për rrezikim të trafikut publik dhe ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur.

Dy ish-pjesëtarë të PK-së në veri janë hetuar për deklarim të rremë, një për pengim i të privuarit apo procedurës zyrtare, tre për manipulim me prova, dy për legalizim të përmbajtjes së rremë dhe gjashtë për mundësim të arratisjes së personave të dënuar.

Tutje, pjesë e dosjeve hetimore në IPK janë edhe ish- pjesëtarë të policisë që dyshohet se kryen vepra penale kundër rendit publik, një prej tyre për pengim të personit zyrtar, dy për sulm ndaj personave zyrtar e një tjetër për vetëgjyqësi.

35 ish-pjesëtarë të policisë së Kosovës të dorëhequr vitin e kaluar janë hetuar për korrupsion.

Madje për disa prej tyre KALLXO.com pati publikuar edhe hulumtimin e rastit të kontrabandës në veri të Mitrovicës në vitin 2019.

25 ish-zyrtarë policorë janë hetuar për keqpërdorim të detyrës, një për përvetësim në detyrë, katër për marrje ryshfeti, një për ushtrim të ndikimit, tre për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe një për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Në janar të vitit 2019, KALLXO.com publikoi materiale filmike nga hulumtimi gjashtëmujor për rrjetet e kontrabandës në Leposaviq e Zubin Potok.

Hulumtimi solli pamje filmike të momenteve kur para dorëzohen në vende të caktuara për llogari të policëve të Kosovës.

Hulumtuesit e KALLXO.com kanë vendosur kamera të cilat kanë filmuar me ditë të tëra rrugët ilegale duke filmuar në flagrancë dhjetëra kamionë të kontrabandës.

Reportazhi i cili u publikua atë kohë transmetoi edhe dëshmi të kontrabandistëve të zonës, të cilët flasin për lidhjet e tyre me Policinë dhe format e kontrollimit të pagesave të parave.

Pas publikimit të një serie me këtë çështje, në dhjetor të po atij viti, Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur një aksion të gjerë për zyrtarë policorë të dyshuar për përfshirje në vepra penale, si keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Në mesin e zyrtarëve të dyshuar kishte grada të ndryshme, policë, togerë e rreshterë.

Dëshmi për lidhjet e policisë me kontrabandën në veri

Suspendimi nga detyra i Drejtorit të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq bëri që i njëjti të largohet nga ky institucion.

Gjuriq u suspendua pasi mohoi që të respektonte dhe të punonte në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat.

Pas këtij veprimi të Gjuriq, ngjashëm vepruan edhe kolegët e tij.

573 zyrtarë policorë serb në veri të Mitrovicës ofruan dorëheqjet e tyre me shkrim nëpër stacionet policore të vendosura në katër komunat me shumicë serbe.

Përgjatë vitit të kaluar pati një mori tensionesh në veri të Mitrovicës për shkak të çështjes së targave të veturave.

Vendimet e Qeverisë së Kosovës nxitën qytetarë e zyrtarë atje që të kundërshtonin me veprime të ndryshme qortimin e gjobitjen e banorëve që jetojnë atje në lidhje me targat serbe.

Edhe këtë herë pati barrikada. Ato qëndruan për më shumë se dy javë ditë.

Barrikadat u vendosën pas arrestimit të ish- zyrtarit policor Dejan Pantiq. Ai dyshohet se kreu vepër penale që ndërlidhet edhe me terrorizëm në lidhje me sulmin që iu bë zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Mitrovicës Veriore.

Qytetarët serb të përkrahur edhe nga grupe të ndryshme të cilat u identifikuan nga organet e sigurisë si grupe kriminale, vendosën barrikada dhe pamundësuan që Pantiq të transferohet në qendër të ndalimit për të mbajtur paraburgimin.

Kushti për largimin e barrikadave ishte lirimi i Pantiq.

Pantiq iu zëvendësua masa e sigurisë që kishte ajo e paraburgimit  me arrest shtëpia.

Policia e Kosovës në janar shpalli konkursin për të rekrutuar policë të rinjë të cilët vendin e punës do ta kenë në Drejtorinë Rajonale në veri të Mitrovicës.

Në këtë konkurs i cili u zgjat për disa herë për shkak që nuk kishte aplikime, u interesuan dhe kandiduan 141 persona.

Nga këta, 98 prej tyre këtë muaj do t’i nënshtrohen intervistimit me gojë.