Foto: REL

Dosjet e heshtura të të drejtave të autorit

Njëri nga ligjet e rëndësishme që synonte të rregullonte përdorimin e të drejtave të autorit, edhe pse është miratuar në vitin 2013 ende nuk gjen zbatim.

Ligji për të drejtat e autorit rregullon që prodhimet si artikujt, fotografitë, këngët, video materialet, etj, nuk mund të transmetohen e ritransmetohen pa lejen e autorëve.

Mirëpo një hulumtim i BIRN zbardhë se sistemi i drejtësisë ende nuk ka arritur të gjykojë e hetojë paditë të cilat janë adresuar nga palët për këtë temë.

Shtatë gjykatat themelore të vendit të kontaktuara kanë pranuar se nuk kanë ende aktgjykime mbi paditë apo aktakuzat për të drejtat e autorit. Prokuroria e Shtetit në anën tjetër ka konfirmuar se brenda vitit 2021, vetëm pesë lëndë janë trajtuar dhe kanë përfunduar me aktakuza.

Të dhënat e sistemit të drejtësisë tregojnë që në vend nuk ka probleme me këtë temë mirëpo hulumtimi i BIRN shpërfaqë problemet e mëdha që mediat në vend kanë pasur me të drejtën e autorit. 

Në mes viteve 2019 dhe 2021, Këshilli i Mediave të Shkruara ka konstatuar në 53 raste që mediat kishin shkelur të drejtën e autorit gjatë publikimeve dhe ripublikimeve të materialeve.

Qështjet ende nuk janë dërguar në gjykatë, pasi rastet model të ngritura nga mediat në këtë fushë kanë kërkuar mbi 6 vjet për t’u gjykuar në shkallën e parë.

Avokatja Merita Emini Stublla përfaqëson dy palë në gjykatë për të drejtat e autorit. Sipas saj mungesa e efikasitetit të gjykatës në trajtimin e këtyre rasteve është problematike dhe dekurajuese. 

“Palët që i përfaqësoj unë presin më shumë se pesë vite për t’iu zgjidhur lënda, kjo është dekurajuese për të gjithë, pasi nuk arrijnë t’i realizojnë të drejtat e tyre”, thotë avokatja Sublla.

Dosjet e të drejtave të autorit trajtohen në dy nivele. Vjedhja e të drejtave të autorit është vepër penale, e cila hetohet nga prokuroria ndërsa palët kanë të drejtë që lëndët t’i inicojnë edhe në konteste civile direkt në gjykatë.

Të dhënat nga prokuroria tregojnë se e vetmja prokurori e cila është marrë me trajtimin e rasteve të të drejtave të autorit është Prokuroria e Prishtinës. 

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, thotë se kanë zgjidhur tri lëndë të kësaj natyre.

“Ne kemi pranuar tri kallëzime penale. Rastet janë zgjidhur dhe janë ngritur tri aktakuza ndaj 5 personave”, thotë Ulaj.

Të dhënat e prokurorisë nuk sqarojnë se ndaj kujt janë ngritur aktakuzat mirëpo një e dhënë nga gjykata tregon që të njëjtat ende nuk janë gjykuar. Sipas Mirlinda Gashit, zëdhënëse në Gjykatën e Prishtinës deri në maj të vitit 2022, kjo gjykatë nuk i ka përfunduar lëndët. Sipas saj një dosje është pranuar por e njëjta ende nuk është zgjidhur.

Prokuroritë e tjera, në Gjakovë, Gjilan, Prizren, Pejë e Mitrovicë, nuk kanë dosje të hapura për të drejtat e autorit ndërsa edhe gjykatat te rretheve nuk kanë pranuar dosje civile për këtë fushë apo nuk arrijnë të gjenerojnë statistika pasi dosjet ruhen në kopje fizike.

Problemet e të drejtave të autorit përpos që nuk gjejnë trajtim në gjykata kanë probleme edhe në instanca të tjera.  Drejtoresha Ekzekutive e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, Ardita Zejnullahu, potencon si problem faktin që në vend nuk janë funksionalizuar pagesa e ristransmetimit, të cilën duhet t’a bëjnë operatorët kabllorë.

Sipas Zenjullahut, prej momentit të miratimit të vendimit të Qeverisë për tarifën për shfrytëzimin e të drejtave të autorit, operatorët kabllorë nuk paguajnë dhe se nuk ka kush t’i detyrojë që të respektojnë këtë vendim.

Qeveria e Kosovës në vitin 2020 kishte miratuar tarifat për shfrytëzimin e të drejtave të autorit dhe pronës intelektuale. 

Zenjullahu tha se Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), e ka të specifikuar në rregulloren e saj se nuk ka të drejtë që të pranojë kontrata për të drejtat e autorit nese nuk kanë marrëveshje kompanitë kabllore me Vapiku-n për këtë tarifë.

“Operatorët kabllorë po ankohen se tarifat janë të mëdha, e ku këta operatorë edhe kanë ngritur padi ndaj vendimit të qeverisë”, shtoi Zenjullahu.

Ajo gjithashtu shtoi se nuk kanë kapacitet të bëjnë monitorimin e shkeljeve të të drejtave të autorit.

Kosova është në mesin e vendeve me përdorim të lartë të internetit ndërsa në vend funksionojnë qindra platforma të ritransmetimit e publikimit të lajmeve. 

Kaosi në të drejtat e autorit krijon miliona euro dëme për prodhuesit e përmbajtjes mirëpo ky dëm ende nuk është llogaritur për shkak të mungesës së studimeve dhe zbatimit të ligjit.