Burimi i fotos - Dibran Hoxha FCB

Dosja ‘Kobra’- Vodhi shtetin 17 mijë euro, u dënua 1500 euro

Mbi 17 mijë euro u dëmtua buxheti i shtetit të Kosovës pasi Dibran Hoxhaj nuk i deklaroi saktë fitimet në lokalin e tij ‘Kobra City’.

I dyshuari për vrasjen e një 31-vjeçari nga Kukësi dhe plagosjen e një 27-vjeçari, Dibran Hoxha ndodhet në paraburgim.

Hoxha si pronar i ‘Kobra City’ për vitet 2011-2014 kishte dhënë informacione të pasakta me qëllim që t’i shmangej tatimit, ndërsa vendimi ishte shpallur në vitin 2019.

Shmangia prej 17 mijë euro, i ‘kushtoi’ Kobrës me vetëm 1500 euro gjobë.

Atij iu shqiptua edhe dënim i kushtëzuar ku dënimi prej 6 muaj burg nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen vepër të re penale. Për këtë dosje ishte arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

Dosja – ‘Kobra’ vodhi rrymë mbi 3 mijë euro, ishte dënuar me vetëm 200 euro

Dibran Hoxha në vitin 2012 ishte gjetur fajtor për vjedhje të energjisë elektrike në lokalin e tij ‘Cobra City’ në vlerë prej mbi 3000 euro, ndërsa ishte dënuar me vetëm 200 euro gjobë.

Edhe pse vjedhja e rrymës kishte ndodhur në 2012, vendimi ishte shpallur nga gjykata në vitin 2015.Gjykata me rastin e peshimit të rrethanave për të ardhur deri të dënimi prej 200 euro nuk gjeti asnjë rrethanë rënduese ndaj tij.

Ndërsa si rrethana lehtësuese gjeti pranimin e fajësisë, sjelljen korrekte para gjykatës, gjendjen statusore dhe rrethanat familjare të tij- është beqar jeton me anëtarët e familjes të cilët janë të varur nga i akuzuari, si dhe premtimin e tij që në të ardhmen të përmbahet nga sjelljet e tilla.

Ndërsa e pala e dëmtuar – KEDS ishte udhëzuar në kontest civil për kompensim dëmi.

Dibran Hoxha sipas prokurorisë prej një date që është e pavërtetuar e deri në janar të vitit 2012, në restorantin e tij “Cobra City” kishte vjedhur energji elektrike në vlerë prej mbi 3000 euro.

Prokuroria konstaton se gjatë kryerjes së një kontrolli nga zyrtari i KEDS, ishte vërtetuar se i akuzuari Hoxha kishte manipuluar me njehsor, ku si pasojë njehsori elektrik ka regjistruar 66.66 % të energjisë së shpenzuar më pak.

Me këto veprime KEDS-it i është shkaktuar dëm material në vlerë mbi 3 mijë euro.

I njohur në të gjithë Kosovën për jetë luksoze, makina të shtrenjta dhe flori, Dibran Hoxha për Gjykatën e Prizrenit ishte i varfër ekonomikisht kur ishte në pyetje shqiptimi i dënimeve.

 

Dosja ‘Kobra’ – Dibran Hoxha që bënte jetë luksoze konsiderohej i varfër nga Gjykata 

KALLXO.com ka siguruar dosjen e plotë kriminale të Dibran Hoxhës për 17 rastet në të cilat ishte dënuar.

Nga të gjitha këto raste të cilat janë analizuar, rezulton se asnjëherë “Kobra” nuk ishte dënuar me burg efektiv.

Rrahje, lëndime të rënda trupore, shmangie tatimore, vjedhje rryme, dëmtim i vulave zyrtare, dëmtim i pasurisë së huaj e kanosje, janë veprat penale për të cilat ishte dënuar ndër vite Dibran Hoxha.

Mirëpo ndonëse u dënua në 17 raste, asnjëherë nuk u dërgua në burg për vuajtje të dënimit sepse të gjitha dënimet ndaj tij ishin me gjoba ose me burg të kushtëzuar.

Në 13 nga 17 rastet në të cilat ishte dënuar, Gjyqtarët e Prizrenit nuk kishin gjetur asnjë rrethanë rënduese që do të ndikonte që Dibran Hoxha të dënohej më ashpër.

Sipas Ligjit, është obligim i çdo gjyqtari që t`i analizojë rrethanat që mund ta rëndojnë ose lehtësojnë dënimin e një personi të akuzuar i cili shpallet fajtor.

Mirëpo, ndonëse Dibran Hoxha ishte dënuar mbi dhjetë herë, kjo nuk ishte marrë asnjëherë si rrethanë rënduese, ndërsa rrethana që e lehtësonin dënimin ndaj tij kishte pothuajse në secilin rast.

Nga të gjitha rastet e analizuara rezulton se ndaj Dibran Hoxhës, Gjyqtarët kanë marrë parasysh në total 48 rrethana lehtësuese, ndërsa vetëm 5 rënduese të cilat mund të ndikojnë që dënimi të jetë më i ashpër.

Rrethanat se është student, ka sjellje korrekte ndaj gjykatës, ka rënë për herë të parë ndesh me ligjin, është i gjendjes së varfër ekonomike, është pajtuar me viktimën, është beqar, i papunë, është provokuar nga viktima, është penduar, e ka pranuar fajësinë, janë ndër rrethanat të cilat janë marrë parasysh në shumicën e rasteve që janë gjykuar në Gjykatën e Prizrenit.

“Dora e butë” e Gjykatës së Prizrenit nuk u përmirësua as nga Gjykata e Apelit.

Në shkurt të vitit 2021, gjyqtarët e Apelit, Kreshnik Radoniqi, Xhevdet Abazi dhe Afërdita Bytyçi, e kishin konfirmuar dënimin me gjobë prej 6 mijë eurosh ndaj Dibran Hoxhës për një vepër e cila sipas Ligjit dënohej nga 3 deri në 10 vite burgim.

Në këtë rast për lëndim të rëndë trupor, Dibran Hoxha u dënua nën minimumin e paraparë ligjor, pra u dënua me vetëm 6 muaj burgim, i cili u konvertua në gjobë prej 6 mijë eurosh, ndonëse minimumi që mund të shqiptohej në këtë rast ishte 3 vite burg.

Dënimet nën minimumin e paraparë sipas Ligjit mund të shqiptohen vetëm ndaj personave tek të cilët gjenden rrethana posaçërisht lehtësuese.

Në kohën kur vendimi nga gjykatësit e Apelit u mor, Dibran Hoxha veçse kishte mbi 10 dënime të plotfushqishme, mirëpo përkundër këtyre dënimeve edhe gjykatësit që kanë më shumë përvojë në gjykimin e krimeve nuk patën “guximin” që ta dërgojnë “Kobrën” në burg.

Gjyqtarët e Apelit e konfirmuan dënimin nën minimumin e paraparë ligjor dhe kërkuan që Dibran Hoxhajn nga dënimi prej 6 mijë eurove, të paguante vetëm ndryshimin prej 3660 euro që rezultoi pas zbritjes së ditëve në të cilat kishte qëndruar në paraburgim.

“Kobra” siç njihet në publik është dënuar plotë 16 herë për vepra të ndryshme penale, si: rrahja, lëndimi i rëndë trupor, shmangia nga tatimi, dëmtimi i vulave zyrtare, dëmtimi i pasurisë së huaj dhe kanosje. Në 12 raste dënimet kanë qenë me gjobë, ndërsa në 4 raste kanë qenë dënime me kusht.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK.