Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Donika Gërvalla-Schwarz: Ish-emigrantja bëhet kryediplomate e Kosovës

Më shumë se 40 vjet pasi u largua nga Kosova në moshën tetë vjeçare, Donika Gërvalla-Schwarz, vajza e një disidenti shqiptar të epokës jugosllave, është emëruar si ministrja e jashtme e vendit.

Donika Gërvalla-Schwarz ka marrë Ministrinë e Punëve të Jashtme në qeverinë e sapo-themeluar të Albin Kurtit pas katër dekadash që jetoi jashtë vendit nën sisteme politike shumë të ndryshme gjatë viteve, nga diktatura komuniste e Shqipërisë te social demokracia në Gjermani.

Gërvalla-Schwarz lindi në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, në vitin 1971, kur vendi ishte ende pjesë e Jugosllavisë socialiste. Ajo e kaloi fëmijërinë e saj të hershme duke jetuar midis Shkupit dhe Prishtinës, ku babai i saj, Jusuf Gërvalla, ishte një shkrimtar, këngëtar dhe artist i njohur.

Ai ishte gjithashtu një aktivist politik dhe jeta e të resë Gërvalla-Schwarz u kthye përmbys në vitin 1980 kur familjes së saj iu desh të emigronte në Gjermani menjëherë pasi babai i saj i shpëtoi arrestimit nga policia jugosllave për shkak të përfshirjes së tij në fushatën për më shumë të drejta për shqiptarët etnikë në Kosovë, e cila në atë kohë ishte krahinë autonome brenda republikës jugosllave të Serbisë.

Para se të largoheshin, familja iu nënshtrua kërcënimeve, tha Gërvalla-Schwarz për BIRN në janar. “Kaluam një periudhë shumë të vështirë një mujore, me shprehje dhune ndaj nënës sime dhe me skena që nuk do të doja që asnjë fëmijë t’i përjetonte”, tha ajo.

Ajo po fliste përpara zgjedhjeve parlamentare në Kosovë në shkurt, në të cilat ajo kandidoi si pjesë e një grupi politikanësh të udhëhequr nga Vjosa Osmani, e cila ishte larguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, dhe u bë aleate me Vetëvendosjen e Kurtit.

Gërvalla-Schwarz mori më shumë se 71,000 vota, numri i katërt më i madh midis kandidatëve të Vetëvendosjes dhe partia fitoi i zgjedhjet me një rezultat të thellë.

Vetëvendosja fitoi më shumë se 50 për qind të votave dhe 58 deputetë në parlamentin me 120 vende, duke mundur thellë partitë tradicionale në pushtet të vendit, Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, dhe ish-partinë e saj, LDK.

Një fëmijëri e vështirë

Vjosa Osmani dhe Donika Gervalla-Schwarz. Foto: Facebook/Vjosa Osmani.

Më 17 janar 1982, Gërvalla-Schwarz përjetoi një tragjedi kur babai i saj, së bashku me vëllain e tij, Bardhoshin, dhe aktivistin r Kadri Zeka, u vranë afër shtëpisë së tij në qytetin gjerman Untergruppenbach. Ata dyshohet se u vranë nga shërbimi sekret jugosllav, megjithëse çështja mbetet e pazgjidhur.

“Babai im ishte personi më lirik që kam njohur në jetën time”, tha ajo kur iu kërkua të përshkruante se si e mbante mend atë.

Muaj më pas, familja e saj u zhvendos në Shqipërinë komuniste ku qëndroi deri në 1992. Më pas u kthye në Gjermani në fillim të të 20-ave me vetëm 100 dollarë në xhep, kujtoi ajo.

Atje ajo studioi juridik, por gjithashtu u përfshi në veprimtari politike si pjesë e diasporës së Kosovës me LDK-në, e cila në atë kohë perceptohej më shumë si një lëvizje popullore sesa një parti tipike politike.

Ajo u bë një zë i rëndësishëm për shqiptarët e Kosovës në mediat gjermane gjatë viteve 1990, por nuk mori një rol të shquar në parti politike deri në 2015, kur u zgjodh kryetare e degës së LDK-së në Gjermani.

Por kur erdhi në Kosovë, asaj nuk iu lejua të merrte pjesë në një takim të LDK-së si kryetare e degës gjermane, sepse pretendohej se ishte kritike ndaj lidershipit të LDK-së në atë kohë, dhe sigurimi e nxori atë jashtë kur ajo u përpoq të hynte në takim.

Të moshuarit në Kosovë ndonjëherë vazhdojnë t’i referohen ende asaj si “vajza e Jusuf Gërvallës”, por ministrja e re e jashtme tha se dëshiron të gjykohet sipas meritave të saj.

“Unë kam një mbiemër që respektohet nga shumë qytetarë të Kosovës, por gjatë gjithë jetës time jam përpjekur t’i bëj njerëzit të më vlerësojnë jo bazuar nga mbiemri im, por si Donika”, tha ajo.

“U thashë votuesve të mi: ‘Më votoni vetëm nëse unë, Donika, e meritoj votën tuaj, sepse babai im nuk është përgjegjës për mëkatet e mia’”, shtoi ajo.

Një zë kritik

Enver Robelli, një gazetar i lindur në Kosovë që punon në Zvicër, tha se pas luftës 1998-1999 për pavarësi nga Jugosllavia, Gërvalla-Schwarz u bë “një zë kritik i keqbërjeve që zunë rrënjë në Kosovën e çliruar”.

“Në këtë pikë ajo është shumë ndryshe nga shumica e e politikanëve të Kosovës të cilët, në një farë mënyre, u bënë pjesë e kësaj të keqeje”, tha Robelli për BIRN.

Ajo pati mundësinë të shikonte nga afër disa nga problemet kur mori përsipër drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Stacioni televiziv KTV me qendër në Prishtinë raportoi më 26 mars se kur mori detyrën, ajo gjeti dy persona që punonin atje të cilët mbanin të njëjtin post si drejtor i përgjithshëm i ministrisë.

Për vite me radhë, ministria ka punësuar diplomatë dhe konsuj bazuar më shumë në përkatësitë e tyre politike dhe lidhjet familjare sesa bazuar në meritat e tyre, kështu që Gërvalla-Schwarz ka shumë punë për të bërë, duke filluar me “depolitizimin” e stafit të ministrisë, tha Robelli.

“Është skandaloze që Kosova të ketë diplomatë të paguar mirë dhe të cilët, në pozitat e tyre, janë më të interesuar se cila parti fiton në një komunë specifike të Kosovës. Ka diplomatë që, para zgjedhjeve, kthehen në Kosovë për të mobilizuar votuesit për të votuar për partinë që i punësoi në ministri”, shpjegoi ai.

Gërvalla-Schwarz ka treguar se është në dijeni të situatës në të cilën gjendet tani.

Ajo ka pranuar se emërimet politike kanë dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe se struktura politike e vendit “nuk merret seriozisht nga vendet në të gjithë botën”.

“Ministria e Punëve të Jashtme, si shumë institucione të tjera të Kosovës, është përballur me probleme serioze në të kaluarën. Ne nuk mund t’i zgjidhim të gjitha këto probleme brenda një dite”, tha ajo për BIRN në një intervistë pasi u emërua.

Gërvalla-Schwarz është e martuar me një politikan gjerman, ish-deputeti i Bashkimit Demokristian Stefan Schwarz dhe ka pesë fëmijë. Ajo jetonte në Bon para se të kthehej në Kosovë përpara zgjedhjeve të këtij viti./REPORTEL AL