Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

"Dokumenti" për ricaktimin e kufijve në Ballkan, kjo është përgjigjja nga BE, Këshilli Evropian dhe Qeveria sllovene

Publikimi i një dokumenti joformal, i njohur si  “non-paper”, në Slloveni, ku përmendet ricaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor, ka ngjallur reagime ndaj strukturave udhëheqëse të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Me këtë rast, tema e kufijve është rikthyer në diskursin politik të Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur është paralajmëruar rinisja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Një media në Slloveni ka raportuar se kryeministri slloven Janez Jansha, dokumentin në fjalë e ka dërguar në Këshillin Evropian. Kurse Qeveria e Sllovenisë nuk ka pranuar të komentojë këtë çështje, duke fajësuar partitë opzitare në këtë shtet. 

As Bashkimi Evropian dhe Këshilli Evropian nuk e kanë komentuar përmbajtjen e dokumentit në fjalë.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se një dokument të tillë as nuk e ka pranuar Komisioni Evropian.

“Ne kurrë nuk komentojmë për dokumente të ndryshme të botuara nga mediat. Për më tepër, në këtë rast specifik nuk i takon Komisionit Evropian ose Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm të shprehemi në lidhje me çështjen e pretenduar non-paper, pasi Komisioni nuk ka pranuar asgjë dhe nuk është në dijeni për përmbajtjen e pretenduar të një dokumenti të tillë”, thuhet në përgjigjen e tij,

Sipas Stanos, pyetjet në lidhje me të “duhet t’i drejtohen dërguesit të pretenduar (kryeministrit slloven) ose marrësit të supozuar (presidentit të Këshillit Evropian)”.

Ndërkaq, Simos Piperidis zyrtar për shtyp në Këshillin Evropian, në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka theksuar se nuk mund të japin ndonjë koment, duke mos treguar nëse kanë pranuar një dokument të tillë. 

“Fatkeqësisht, nuk kemi asnjë koment për të ndarë në lidhje me këtë”, thuhet në përgjigjen e tij.

Kurse, Qeveria e Sllovenisë në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se kryeministri i këtij shteti nuk komenton çështje që nuk ekzistojnë.

“Ne ju informojmë se Kryeministri i Republikës së Sllovenisë Janez Jansha nuk komenton non-paper dhe çështjet e tjera që nuk ekzistojnë. I gjithë mbulimi mediatik i dokumenteve të pretenduara nuk kanë asnjë lidhje me Qeverinë e Republikës së Sllovenisë. Ne gjithashtu besojmë se komenti më i përshtatshëm për këtë çështje do të ishte nga partitë e opozitës së majtë sllovene, të cilat për mendimin tonë janë burimi i kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas përmbajtjes së publikuar të non-paper-it, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Çështja e ndryshimit të kufijve ka qenë aktuale në verën e vitit 2018, kur ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas takimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, proklamonte idenë për “korrigjimin e kufirit” në kuadër të marrëveshjes mes të dyja vendeve. Pas një viti kjo ide u zbeh pas kundërshtimeve të mëdha.