Dobësitë e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës është karakterizuar kryesisht me mungesë kuorumi në vendimmarrje, gjë që ka bërë që një numër i konsiderueshëm i projektligjeve, marrëveshjeve dhe raporteve të mos votohen.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, Kryesia e Kuvendit ka caktuar 22 gushtin, datën kur legjislativi do të vetë shpërndahet, për t’i hapur rrugë kështu zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, përderisa projektligjet e papërfunduara do të kthehen në pikën zero.

Në anën tjetër, as vetë deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk janë të kënaqur me punën parlamentare të legjislaturës aktuale.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se  legjislatura e gjashtë pa dyshim është përcjellë me shumë të meta dhe dobësi.

“Përkundër që janë votuar një pjesë e madhe e projektligjeve që janë paraparë me agjendë, janë votuar edhe një pjesë e raporteve të agjencive që i përgjigjen Kuvendit, nuk mund të themi që e kemi përmbushur misionin për shkak se gjatë tërë kohës kemi pasur mungesë të kuorumit votues. Dhe besoj që mungesa e kuorumit votues dhe mungesa e qeverisë në seancat e Kuvendit janë dy pikat më të dobëta që e kanë përcjellë këtë legjislaturë”, ka theksuar deputeti.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se Kuvendi i Kosovës gjatë sesionit pranveror ka funksionuar vetëm në seanca të jashtëzakonshme.

“Nga janari e deri më tani, Kuvendi ka mbajtur 24 seanca, prej të cilave vetëm 6 të rregullta, 3 solemne, ndërkaq 15 të jashtëzakonshme. Seancat e jashtëzakonshme kanë qenë gati të gjitha të iniciuara nga opozita. Kjo qasje e opozitës ka qenë e domosdoshme, pasi në mungesë të shumicës qeverisës dhe legjitimitetit të PAN-it, Kryetari i Kuvendit e ka bllokuar funksionimin e Kuvendit”, ka thënë Hoti.

Sipas Hotit, gjatë kësaj kohe roli mbikëqyrës i Kuvendit karshi Qeverisë është pamundësuar gjithashtu pasi kryeministri dhe ministrat [në dorëheqje], rrallë janë paraqitur në seanca dhe në komisione parlamentare.

“Ka plot raste kur mbledhjet e komisioneve kanë dështuar në mungesë të pranisë së ministrave”, vlerëson ai.

Kurse, Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Gazetën JnK se  të gjitha projektligjet që kanë mbetur në procedurë, do të kthehen në pikën zero me shpërndarjen e kësaj legjislature.

“I takon legjislaturës dhe ekzekutivit të ri që të vendosin nëse duan që t’i përfshijnë në agjendë legjislative këto projektligje”, shtoi Haxhiu.

Ndërsa, deputeti Elmi Reçica thotë se pikat e rendit të ditës të papërfunduara do të duhej të shqyrtoheshin nga legjislatura e ardhshme.

“Besoj që jo është çështje e procedurave paraprake që për ato pika që ka pasur njëfarë pajtueshmërie ne komisionet funksionale parlamentare dhe që janë të domosdoshme, legjislatura e radhës do të duhej ti ketë parasysh dhe po shpresoj dhe besoj që do t’i votojë qysh në seancat e para”, theksoi ai për Gazetën JnK.

Viti i mbrapshtë i Kuvendit

Ngecjet në punën e Kuvendit të Kosovës, kanë qenë më të theksuara sidomos në sesionin pranveror të këtij viti.

Hulumtuesja Agnesa Haxhiu (KDI), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se punën e legjislativit gjatë sesionit pranveror të vitit 2019 e ka karakterizuar mungesa e theksuar e kuorumit në punimet plenare dhe mbarëvajtje e çrregullt të punës që kanë bllokuar në tërësi vendimmarrjen.

“Mospjesëmarrja në votim ka ndikuar negativisht në performancën e Kuvendit, e cila ka ndikuar kryesisht në zvarritjen e procesit legjislativ ku vetëm 18% agjendës legjislative është përmbushur për këtë periudhë kohore. Pjesa dërrmuese  ligjeve të miratuara janë nga agjenda e vitit të kaluar të cilat veçse kanë qenë në procedurë të shqyrtimit gjatë vitit paraprak dhe janë bartur për këtë vit. Për më tepër, Kuvendi gjatë këtij viti ka punuar pa një plan – program të punës”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar, se pamundësia për të marrë vendime në seanca ka ndikuar që numri i seancave të reja plenare të jetë i vogël gjatë këtij sesioni.

“Vetëm pesë seanca të reja plenare janë inicuar gjatë gjithë sesionit pranveror të këtij viti ndërkaq 7 herë këto seanca kanë vazhduar për ditë të tjera. Në anën tjetër, ky sesion është karakterizuar me numër shumë të madh të seancave të jashtëzakonshme, duke mbajtur 15 seanca të tilla, njëherit numri më i madh i seancave të jashtëzakonshme të mbajtura në një sesion  të punës së Kuvendit nga të gjitha legjislaturat”, thotë ajo.

Një sërë pikash të papërfunduara, janë përcjell seancë pas seance që nga muaji tetor i vitit 2018.

Në anën tjetër, sipas deputetit Elmi Reçica funksionimi i mirëfilltë i legjislaturës së ardhshme, është përgjegjësi e partive politike

“Është përgjegjësi e partive politike në radhë të parë se kë do ta kandidojnë në këto zgjedhje që janë të pashmangshme dhe të domosdoshme tash. Në mënyre që deputetët që kandidojnë, në listat e partive ta kenë edhe një marrëveshje kushtimisht them, që ata që zgjidhen si deputetë në radhë të parë ta kryejnë misionin e tyre që e lanë obligativ dhe pastaj të thirren në punë të tjera”, vlerëson deputeti i PDK-së.