Do të Gjykohen për Duhan

Këtë të martë do të filloi procesi gjyqësor kundër Naim Huruglicës dhe Lulzim Rafunës të akuzuar nga Prokuroria Speciale për veprën penale Shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit nga neni 339 të Kodit Penal të Kosovës, vepër e cila është e dënueshme nga 1 deri në 8 vite burgim.

Sipas aktakuzës Naim Huruglica dhe Lulzim Rafuna, në dhjetorin e 2008-së e kishin lejuar importin e një sasie të madhe të cigareve (duhanit) nga kompanitë vendore si Gekos, Buqaj, Tabakos dhe Kosova Tobacco, kjo pasi që Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që në fillim të janarit 2009 të ngritet akciza për importimin e duhanit të vend.

Fillimisht, Prokuroria Speciale e Kosovës me 8 qershor 2011 kishte ngritur aktakuzë kundër Naim Huruglicës, Drejtor i Doganave të Kosovës dhe Lulzim Rafunën, kryesues i zyrës ligjore të Doganave të Kosovës. Ata akuzoheshin se kanë kryer veprat penale, Shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit nga neni 339 të Kodit Penal të Kosovës e dënueshme nga 1 deri në 8 vite burgim dhe Keqpërdorim i autorizimit në ekonomi nga neni 236 të Kodit Penal të Kosovës e cila po ashtu është e dënueshme nga 1 deri në 8 vite burgim.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë në fillim të shtatorit mbajti seancën për konfirmimin e aktakuzës kundër zyrtarëve të doganave. Në këtë seancë prokurori special i EULEX-it mbeti në tërësi pranë aktakuzës ndërsa mbrojtja e kundërshtoi në tërësi aktakuzën. Sipas mbrojtjes veprimet e të pandehurve nuk kanë qenë veprime të kundërligjshme por veprime të mbështetura në Kodin për dogana dhe akciza.

Me 9 shtator 2011, Gjykatësi i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, e bëri publik vendimin me të cilin e refuzoi në tërësi aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për të dy të pandehurit.

Mirëpo një ankesë e Prokurorit Special të EULEX-it në kolegjin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, bëri që Gjykata të ndërroj vendimin e gjykatësit të EULEX-it. Me këtë vendim kolegji i gjykatësve e konfirmoi aktakuzën pjesërisht për Naim Huruglicën dhe Lulzim Rafunën dhe atë vetëm për veprën penale Shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit.