Flamuri kombëtar, Foto: ZKM

Dita e Flamurit: Si i gjeti shqiptarët në Ballkan përvjetori i 112-të i pavarësisë së Shqipërisë?

28 Nëntori simbolizon datën historike e cila gërsheton përpjekjet e shqiptarëve nga të gjitha trojet për një shtet të pavarur. Si sot, 112 vjet më parë, u shënua akti i pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse jashtë kufijve të këtij shteti mbeten territore të mëdha të banuara me shqiptarë autoktonë. Dhe, pavarësisht ndarjes me kufij shtetëror, që nga viti 1912, Dita e Flamurit vazhdon të jetë frymëzim i përbashkët i shqiptarëve. Në Kuvendin e Vlorës, delegatët nga Kosova ishin në mesin e atyre që vunë firmën në aktin e Pavarësisë së këtij shteti, duke dëshmuar unitetin historik të kombit shqiptar.

Kosova u pavarësua më 2008, por 28 Nëntori vazhdon të kremtohet në këtë vend ashtu siç është festuar edhe para 16 vjetësh. Në shtetin më të ri në Europë është shpallur ditë pushimi, ndërsa rrugët e sheshet e qyteteve janë mbushur me flamuj kuqezi.

Në këtë përvjetor, dy historianë, njëri nga Kosova e tjetri nga Shqipëria, vlerësojnë se në rrethanat e tanishme- në rrafshin politik, apo thënë ndryshe në nivel udhëheqësish, shqiptarët nuk janë siç kanë qenë më përpara.

Konferenca e Londrës e mbajtur me 1913 la jashtë shtetit shqiptar mbi 40 përqind të territoreve shqiptare. Kosova iu dha Serbisë. Organizimet e ndryshme për të rrëzuar vendimet e Konferencës së Londrës në Kosovë vazhduan edhe pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Ndryshe prej asaj kohe, tashmë shqiptarët jetojnë në dy shtete të pavarura në Shqipëri e Kosovë dhe si pakica kombëtare në Maqedoni të Veriut, në Serbi dhe në Malin e Zi.

Shtete të veçanta po, por a janë ‘ftohur’ shqiptarët mes vete

Historiani nga Kosova, Jusuf Buxhovi vlerëson se në mozaikun shtetëror dhe etnik të shqiptarëve, 28 Nëntori paraqet një referencë të përbashkët historike, që lidhet me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Se a janë të përbashkuar apo të ftohur mes vete shqiptarët, ai thotë se kjo varet nga raportet politike, kulturore, ekonomike të dy shteteve shqiptare si dhe të pakicave përreth me to.

“Çfarëdo vlerësimi jashtë këtij konteksti është i natyrës emocionale”- thotë Buxhovi në një intervistë për KALLXO.com.

Ai përkujton se politikisht shqiptarët kanë qenë të ndarë që nga Konferenca e Londrës dhe vendimet e saj për ta njohur Shqipërinë e përgjysmuar, ndërkohë që pjesa tjetër e shqiptarëve (Kosova dhe Maqedonia e Veriut) mbetën nën sundimin serb dhe më vonë atë jugosllav.

Në këndvështrimin e Buxhovit, nga ajo kohë, ekzistojnë dy intermeco “të bashkimeve” shqiptare, pra kur shqiptarët kanë jetuar bashkë: në vitet 1915-1918 – gjatë Luftës së Parë Botërore, në rrethanat e pushtimeve austriake dhe gjermane gjatë viteve 1941-1944, në rrethanat e të ashtuquajturës “Shqipëri të Madhe” nën Italinë 1941-1943, si dhe gjatë Qeverisë Shqiptare të themeluar në nëntor të vitit 1943 nën pushtimin gjerman deri në tetor 1944.

“Në këto intermeco, paçka se kanë përfunduar tragjikisht, është kultivuar ndjenja e të qenit shqiptar nga aspekti kulturor dhe shtetëror. Kjo e ka ushqyer edhe idealin e bashkimit kombëtar”- thotë ai.

Sipas tij, largimet shqiptare, prej më së një gjysmë shekulli, i ka prodhuar ideologjia komuniste në të dy shtetet dhe se nga viti 1949 deri më 1991, shqiptarët i ka ndarë muri ideologjik me pasoja të rënda kulturore dhe shpirtërore.

“Rënia e murit ideologjik, megjithatë kulturalisht nuk i ka afruar shqiptarët. Përkundrazi, shqiptarët në të dy shtetet kulturalisht dhe shpirtërisht sot janë më të ndarë se kurrë”- thotë Buxhovi.

Se a po bëhet mjaftueshëm nga dy qeveritë për Luginën e Preshevës, Buxhovi thotë se pakicat nuk mund të ndihmohen nga shtetet e jokonsoliduara dhe me kriza të thella ekonomike dhe politike, siç janë sot ato në Tiranë dhe Prishtinë.

Në anën tjetër, historiani nga Shqipëria, Romeo Gurakuqi vlerëson se 28 Nëntori 2024 i gjen pasardhësit e shtetformuesve të Shtetit Kombëtar Bashkëkohor të 112 viteve më parë, praktikisht në dy shtete të veçanta, por të lirë në komunikimin njerëzor.

Gurakuqi thotë se askush nuk e kishte menduar deri pak dekada më parë se nga Shkodra shqiptarët do të shkonim brenda dy orëve në “Gjakovën dhe Prishtinë tonë të dashur dhe andërruar dhe anasjelltas”.

Në pikëvështrimin e tij, dy shtetet, Kosova dhe Shqipëria përkojnë me pjesën më të madhe të territoreve ku kanë banuar historikisht paraardhësit tanë (por jo të gjithën), gjegjësisht në Shtetin e Shqipërisë së Vjetër dhe në Republikën e Kosovës.

Gurakuqi thotë se në kohën e sotme bëhet fjalë konstitucionalisht për dy shtete unitare; në dy republika parlamentare dhe sisteme qeverisjesh të racionalizuara, me spikatje të Parlamenteve dhe jo të Kryeministrave.

“Dy shtete shekullare, të europianizuara dhe të perëndimizuara, për sa i përket legjislacionit, por me cilësi të ndryshme, krejtësisht të krahasueshme, të parametrave të demokracisë, të mbrojtjes së lirive, të shtetit ligjor, të demokracisë parlamentare, të proceseve zgjedhore, përgjegjësisë publike të qeveritarëve ndaj të qeverisurve, të ndërshmerisë në qeverisje, të patriotizmit dhe qasjes gjithpërfshirëse ndaj publikut të udhëheqjeve respektive”- thotë Gurakuqi.

Kosova dhe Shqipëria gjenden në rrugë të ndryshme

Të dy historianët pajtohen se Kosova dhe Shqipëria gjenden në nivele të ndryshme integrimi në strukturat euro-atlantike, gjë që ka ndikuar edhe në marrëdhëniet mes vete.

Historiani Gurakuqi thotë se të dy vendet momentalisht kanë një impostim strategjik zyrtar pro- europian dhe pro- perëndimorë, por nivele të ndryshme integrimi në strukturat euro-atlantike, për shkak të rrjedhave të ndryshme të historisë.

Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur vetëm si rishkëputje e dytë e Kosovës në vitin 1945 nga Shqipëria e nacionalistëve të kësaj kohe, por edhe si proces i dezintegrimit të Jugosllavisë së Dytë dhe ndërlikimeve që shoqëruan këto ngjarje për kombin shqiptar në Jugosllavi.

Gurakuqi vlerëson që Kosova është një demokraci funksionale shumë më e përparuar se sa Shqipëria, një vend i sundimit të ligjit, me një Polici Shtetërore në shërbim të Republikës dhe me një “devotshmëri të lavdërueshme”.

Kështu thotë ai, me arsyetimin se kjo ka ndodhur për shkak edhe të një kulture tjetër mbi respektimin e ligjit, historisë së ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe politik, hapjes së vendit ku kanë jetuar qytetarët e Kosovës ndaj botës shumë herët se sa në Shqipëri, pas vitit 1968, si dhe “një monitorimi ndihmues të faktorit ndërkombëtar në procesin e shtetformimit dhe zhvillimit në kohën pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit serb në vitin 1999”.

Udhëheqja e sotme kosovare, sipas Gurakuqit, ka treguar pastërti në administrim, përkushtim maksimal në mbrojtjen sovranitetit, rikuperimin e plotë në territorin shtetëror, tolerancë zero me krimin e organizuar dhe përpjekjet destabilizuese të Serbisë.

Në anën tjetër, për Shqipërinë thotë se fatkeqësisht, është ana tjetër e medaljes së situatës Kosovës nga pikëpamja e entuziazmit dhe pritshmërive të publikut liridashës dhe paqedashës.

“Po t’i referohemi çdo manuali të shkencave politike dhe të studiojmë çfarë është një Shtet, jo thjesht i dobët, por i dështuar, ju menjëherë do kujtoheni se ato fenomene që përcaktohen aty në teori nga politologët dhe filozofët, si sëmundje të një shteti të tillë, do t’i gjeni ato simptoma dhe lëngata, në Republikën e sotme të Shqipërisë”- thotë Gurakuqi.

Kurse, historiani Buxhovi thotë se viteve të fundit Qeveria e Shqipërisë është orientuar kah integrimet rajonale, duke përfshirë edhe Serbinë si partner të rëndësishëm.

Si anëtare NATO-s dhe e institucioneve të tjera relevante ndërkombëtare, Buxhovi thotë se Shqipëria ka luajtur me kartën e faktorizimit të saj rajonal, me pretendimin që të luajë rol sa më të madh në planin e integrimeve.

“Është vërejtur se Tirana zyrtare dëshiron që të rivalizojë me Beogradin në këtë drejtim për sa më shumë ndikim rajonal, qoftë edhe duke anashkaluar Kosovën, si subjekt shtetëror”- vlerëson ai.

Kurse për Kosovën, Buxhovi shprehet se ajo mbetet e ballafaquar me problemin e veriut dhe mosgatitshmërinë që të gjejë zgjidhje në përputhje me qëndrimet e aleatëve në këtë drejtim.

Sipas tij, kjo ka mundësuar që Kosova të gjendet në një shpërputhje në njërën anë me Shqipërinë, që ka kërkuar reflektim nga Kosova, dhe në tjetrën anë me aleatët, për ç’gjë, edhe është futur nën sanksionet e BE-së.

Në anën tjetër, Gurakuqi thotë që dy njerëz, dy bashkësi krahinore e kulturore, fundja edhe dy shtete në të cilat flitet e njëjta gjuhë dhe jeton i njëjti popull, me të njëjtën origjinë të lashtë, si në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, “që të bëjnë pjesë në një nacion, duhet që ata të ndajnë të njëjtën kulturë dhe kultura e tyre nënkupton një sistem të ideve, shenjave dhe të asocimit, mënyra të sjelljeve dhe të komunikimit dhe një qasje strategjike për të ardhmen e vendit/vendeve tona”.

Ftohja mes dy qeverive

Historiani Buxhovi vlerëson se qëndrimet e ndryshme kanë nxjerrë në pah atë që quhet “ftohje” midis dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Dy qeveritë sivjet as nuk organizuan mbledhje të përbashkët ndërqeveritare si dy herët e kaluara.

Mbledhja e dy qeverive kishte dështuar të mbahej në qershor të vitit të kaluar, pas anulimit të pjesëmarrjes nga kryeministrit Edi Rama, shkaku i dallimit në qëndrime me kryeministrin Albin Kurti. Edhe pse takimi nuk u mbajt, Kosova dhe Shqipëria nënshkruan dhjetëra marrëveshje nga distanca, shumica e të cilave, sipas Qeverisë së Kosovës janë zbatuar.

Kryeministri Kurti ka thënë se është shumë i gatshëm dhe i interesuar të mbajë sa më parë edhe një mbledhje tjetër me qeverinë e Shqipërisë, pas asaj që mbajti me Maqedoninë e Veriut në nëntor të këtij viti.

Ai tha se tashmë Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë barazuar, pasi që sot u mbajt mbledhja e dytë mes dy qeverive, njësoj siç ka ndodhur me Shqipërinë brenda këtij mandati.

“Jam shumë i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që sa më parë të mbajmë edhe një mbledhje me Shqipërinë. Përndryshe, 58 marrëveshje i kemi bërë me Shqipërinë në ato dy mbledhje dhe zbatimi i tyre pavarësisht se nuk kemi mbledhje të tretë këtë mandat ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe më mirë se sa në të gjitha mandatet e mëhershme”- u shpreh Kurti.

Mbledhja që nuk u mbajt sivjet mes dy qeverive, historiani Buxhovi thotë se më së miri e shpjegon faktin se as Tirana e as Prishtina nuk kanë prioritete të përbashkëta, pos atyre të natyrës pragmatike, gjë që dëshmon se këto qeveri nuk dëshirojnë të harmonizojnë as qëndrimet e tyre në raport me vendet tjera të rajonit.

Për këtë ftohje që manifestohet në takime të përbashkëta, Buxhovi thotë se të dy qeveritë bartin etiketat e liderëve qeveritarë, të cilët protagonizmin dhe egot karrieriste i ngrehin mbi interesat e përbashkëta.

“Këtu, pra, ka vend për sjellje të papërgjegjësisë të të dy palëve, por asimetrikisht, ngaqë Shqipëria është shtet i pranuar ndërkombëtarisht”- thotë ai.

Qeveria e tanishme e Shqipërisë, ndonëse përballë ka një realitet tjetër nga ai që prodhoi Konferenca e Londrës e vitit 1913 ose Marrëveshja e Paqes e Parisit 1945, sipas Buxhovit, në shumë aspekte sillet në përputhje me këtë logjikë.

Buxhovi thotë se për kosovarët kanë qenë të pakuptueshme edhe veprimet e Fan Nolit, Ahmet Zogut e Enver Hoxhës në raport me Serbinë e Jugosllavinë, “por ato janë udhëhequr nga interesa shtetërore, ku Kosova rëndom është sakrifikuar për to”.

Kështu është shprehur ai kur u pyet nëse ka ndikuar “Ballkani i Hapur” në këtë ftohje mes dy qeverive, duke shtuar se kanë ndikuar edhe nismat për manifestime sportive, siç është bashkëpunimi i Shqipërisë me Serbinë për Kampionatin U21, ku anashkalohet Kosova dhe interesat e saj. Për organizimin e këtij kampionati, Shqipëria kishte ftuar për bashkëorganizim Serbinë, por jo edhe Kosovën.

Në tetor 2019, nisma “Ballkani i Hapur” apo “Mini-Schengeni”, ishte iniciuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev – të cilët kishin arritur një sërë marrëveshjesh – gjë që kishte hidhëruar Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës kishte mbajtur qëndrimin e tij se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Në anën tjetër, historiani Gurakuqi thotë për shkak të tranzicionit të dështuar në Shqipëri dhe shmangies nga rruga rugoviane në Kosovë e shtetit demokratik dhe të shekullarizuar, ripërsëritën në një farë mënyrë, sfidat e së shkuarës.

“Kjo popullsi, pak a shumë, ndan të njëjtën kulturë popullore, të njëjtën gjuhë, të njëjtat të drejta zakonore të origjinës, i përket të njëjtit popull dhe teorikisht i ka mundësitë të shndërrohet, në një kulturë të re të lartë, në qoftë së faktorët shtrëmbërues identitar, eliminohen ose zhvendosen nga vendimmarrja politike”- tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe homologia e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali, pas një takimi që kanë zhvilluar në Prishtinë, më 11.09.2024, patën thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve asnjëherë nuk janë ftohur.

Konjufca tha se pavarësisht që ka pasur ndonjë mospajtim mes dy kryeministrave për çështje të caktuara, kjo nuk do të thotë që ndonjëherë ka pasur një ngrirje raportesh mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

“Unë mendoj që edhe në nivel të qeverive është bashkëpunimi i shkëlqyeshëm. Në nivel të ministrive nuk kemi pasur kurrë bashkëpunim më të madh e raporte më intensive se këto 3-4 vitet të fundit”- ishte shprehur Konjufca.

Ndërkaq, Spiropali tha se bashkëpunimi mes dy kuvendeve  dhe qeverive është reflektim i marrëdhënies vllazërore, “marrëdhënies krejt të natyrshme”.

“Jo vetëm ngrirja që nuk është fjala që përdoret në një kontekst të tillë, por shumësia dhe bashkimi i këtyre, i ndërveprimeve, vetëm na bën mirë. Dobësia juaj është dobësia jonë dhe forca juaj është forca jonë- dhe anasjelltas: sa më e fortë, e zhvilluar dhe e mbarë të jetë Shqipëria, aq më e zhvilluar do jetë edhe Kosova”- kishte thënë ajo.

Ideali “i zbehur” për bashkim kombëtar

Jusuf Buxhovi thotë se formula e bashkimit kombëtar, në formën që e prodhoi Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, kur në njërën anë u pranua shteti i përgjysmuar shqiptar, ndërsa Kosova dhe Maqedonia e Veriut mbeten të shkëputura nën pushtimin serb dhe jugosllav, nuk është më e qëndrueshme, madje e tejkaluar nga realitetet e të dy shteteve shqiptare në Ballkan.

Ky fakt, sipas tij, një të drejtë historike, siç është bashkimi kombëtar, politikisht e kthen tek opsioni i marrëveshjeve demokratike (me referendum të të dy popujve) për federatë apo konfederatë të përbashkët gjithnjë në përputhje me faktorin ndërkombëtar.

“Politika në Tiranë dhe Prishtinë duhet të sillet në përputhje me realitetin e dy shteteve shqiptare që ai të shfrytëzohet si përparësi e madhe gjeopolitike dhe jo të bëjë propagandë elektorale me këtë çështje siç bëri  Vetëvendosja deri sa erdhi në pushtet, ndërkohë që tash, radikalisht i është kthyer Kosovocentrizmit”- thotë ai.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti pati thënë se ende është në shërbim të përpjekjeve për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, por sipas tij, në kushtet aktuale dy vendet duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën nëpërmjet marrëveshjeve.

“Ky ideal është ideal i rilindësve tanë. Nuk besoj se është një ideal që e përzgjedhim ne, besoj se është një intencë historike që na ka përzgjedhur ne. Ne jemi në shërbim të tij, padyshim. Duhet të forcohet dhe të bashkëpunojnë sa më shumë që janë dy shtete, por jo dy kombe”- tha ai para një viti.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama, kishte prezantuar idenë e një projekti për bashkim kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës në vitin 2018, por një gjë e tillë kishte mbetur vetëm si fjalë që e merr era.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen me dy qeverive në Pejë, Rama i kishte bërë ftesë Haradinajt që të niste puna nga dy Ministritë e Jashtme për hartimin e një strategjie të përbashkët për bashkimin e shqiptarëve deri në vitin 2025.

Historiani Gurakuqi, thotë se të dyjave, Kosovës dhe Shqipërisë i mungon një politikë arsimore e edukimit të rinisë me patriotizmin e kulluar, albanianizmin, përmes vendosjes së lëndëve mësimore, që themeluesit e shkollës publike shqiptare të Shqipërisë se Parë, e kishin programuar si të rendit të parë në programin shkollor.

Përveç saj, ai thotë se dy shteteve u mungon formësimi i rinisë, pavarësisht përkatësive religjioze dhe krahinore.

“Është çështje identitare, vendimtare madje, për mbijetesën tonë si komb i bashkuar edhe në brezat e ardhshëm, që nuk do të duhet të neglizhohet, që shtetet tona nesër, natyralisht të bashkohen si dy Republika të Konfederuara në një Shtet të Europianizuar Shqiptar, anëtar i Bashkimit Europian”- thotë ai.

E, bashkëlidhur me këtë, Gurakuqi thotë se është edhe ruajtja e pastërt e laicitetit të shtetit.

“Atdheu nuk janë veç toka, malet, deti dhe qielli mbi ato, por edhe njerëzit që jetojnë, të cilët duhet të lihen për të jetuar. Kjo është detyra e qeverive tona”- shprehet ai.

E Buxhovi thotë se metafora e thuprave të Gjergj Kastriotit duhet kuptuar si realitet i dy shteteve shqiptare në rajon, që mund të jenë të forta, po qe se forcohen si shtete dhe si shtete ua hapin rrugën integrimeve kulturore, ekonomike në të dy anët- për ç’gjë askush nuk i ndalon.