Diskursi publik në Kosovë pa filtra që parandalojnë ekstremizmin e djathtë

Publiku në Kosovë është i mbushur me gjuhë të urrejtjes, e cila nga hulumtimet tregohet se është e motivuar nga ideologjitë politike të ekstremizmit të djathtë. 

Në diskursin publik të mbushur me gjuhë të motivuar nga kjo ideologji, mediat ende janë të papërgatitura që të krijojnë filtra editorialë për ndalimin e shpërndarjes së ideologjive të së djathtës ekstreme.

Në vitin 2022, një hulumtim i #KallxoPernime konfirmoi se në Kosovë janë të identifikuara të paktën pesë organizata aktive të ekstremit të djathtë, ndërsa analiza të Policisë tregonin se celula të fshehura të këtyre organizatave janë aktive në fusha të tjera të jetës.

Dy vjet më vonë një analizë tjetër e Kallxo.com zbuloi se gjuha e urrejtjes dhe e mosdurimit ndaj grupeve të caktuara shoqërore vazhdon të jetë prezente në rrjetet sociale.

Të njohura si “narrativa të ekstremit të djathtë”, mesazhet kundër komunitetit LGBTI+, thirrjet kundër globalizmit, thirrjet kundër rendit kushtetues, lëvizjet anti-islamike dhe lëvizjet anti-migrimit janë prezente në diskursin publik dhe në rrjetet sociale të Kosovës.

Në njërin prej spektakleve të reality show në Kosovë, në “Big Brother VIP Kosova”, gazetari Vullnet Krasniqi e pranoi se është pjesë e komunitetit LGBTI+.

Ndaj deklarimit të tij në rrjetet sociale nisi një fushatë, e cila e linçonte atë për këtë deklarim publik.

Kallxo.com zbuloi se të paktën 20 platforma në rrjetet sociale komentuan një deklaratë të reperit “Stresi”, në të cilën ai e ofendonte gazetarin Krasniqi mbi bazën e orientimi të tij seksual.

Të dhënat tregojnë që narrativa, e cila përmbante deklaratë ofenduese, u shndërrua edhe temë diskutimin brenda spektaklit “Big Brother VIP Kosova”, i cili spektakël disa javë më parë u ndëshkua nga Komisioni i Mediave për promovim të dhunës në baza gjinore. Gjuha e urrejtjes kundër komunitetit LGBTI+ është njëra nga shpërfaqjet radikale të ekstremizmit të djathtë. Kjo gjuhë mund të ketë motivin religjoz e atë të skajshëm nacionalist dhe evidentohet në mesin e lëvizjeve ekstremiste.

Efektet e gjuhës së urrejtjes ndaj Komunitetit LGBTI+ në Kosovë u shpërfaqën edhe në raste të tjera. Në vitin 2023, një shfaqje në festivalin “DokuFest”, e cila përkrahte komunitetin transgjinor u shndërrua në një burim të gjuhës së urrejtjes ndaj këtij komuniteti. Thirrjet e urrejtjes kulmuan me thirrjen e një proteste, e cila mblodhi qindra përkrahës të kësaj rryme në Prizren.

Një nga personat që shpërndanë thirrjen për protestë është edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës në Prizren, Besim Berisha.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Berisha kishte ftuar të tjerët duke shkruar: “Të premten në ora 14:00, më 11.08.2023, në Sheshin Shadërvan, takohemi së bashku për ta ngritur zërin tonë kundër DokuFest, pro familjes”.

 

Shpërfaqja e rrymave anti-globaliste dhe nacionaliste 

Gjuha e urrejtjes kundër komunitetit LGBTI+ nuk është shpërfaqja e vetme e ekstremizmit të djathtë në Kosovë.

Lëvizjet anti-globaliste identifikohen edhe në diskursin publik, në të cilat lider të caktuar shpërfaqen si lider të kontrolluar nga fondacionet “Soros” etj.

Mirza Buljubašić, anëtar i grupit të ekspertëve të RNR në Ballkanin Perëndimor në Raportin e saj të vitit 2022 i identifikon si shpërfaqje të ekstremistëve të djathtë lëvizjet anti Soros në Shqipëri.

Në rrjetet sociale të cilat kanë audiencë në Kosovë eksponentë të ndryshëm janë identifikuar tek synojnë të formësojnë mendimin që kryeministri, Albin Kurti është person i cili përkrahet nga fondacionet Soros. Ngjashëm këto narrativa janë edhe ndaj kryeministrit, Edi Rama në Shqipëri.

Lëvizjet kundër globalizmit dhe lëvizjet kundër komunitetit LGBTI+ në Kosovë mbisundohen nga narrativat e ekstremizmit nacionalist.

Brenda tri vjetëve në Kosovë pati dhjetëra incidente që janë motivuar nga grupe terroriste, të cilat e kanë bazën ideologjike tek ekstremizmi i djathtë.

Në vitin 2023, në rrjetet sociale në gjuhën shqipe u identifikua një nismë, e cila thërriste një protestë nacionaliste në Mitrovicë.

01.06.2023, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media u kishte bërë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në një protestë, e cila nuk dihej as nga kush ishte organizuar. “Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija – në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.” – kishte thënë Policia.

Por, shpërfaqja e ekstremizmit të djathtë, sidomos atij etnonacionalist, është më problematike në radhët e komunitetit serb. Harta e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) identifikon 12 organizata të ekstremit të djathtë në Shqipëri.

Luan Keka, shef i antiterrorit në Kosovë, në një deklaratë për Kallxo.com të vitit 2023 konfirmoi se në Kosovë janë të paktën 5 lëvizje, të cilat i përkasin ekstremit të djathtë.

Shpërfaqja kryesore e këtyre grupeve identifikohet në zonën e populluar me serb në Kosovë dhe në rrjetet sociale sidomos në gjuhën serbe. Më 29.11.2024, një shpërthim ishte regjistruar në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok. Një eksploziv ishte vendosur brenda kanalit, i cili shpërtheu rreth orës 19:00 të asaj date.

Vetëm pak orë më parë, në një grup në Telegram, të quajtur “Korridori” ishte bërë thirrje që të thyheshin dhe të largoheshin aparatet dhe kamerat, të cilat ishin vendosur nga Policia e Kosovës në veriun e vendit.

Thirrja ishte bërë edhe me ilustrimin e pajisjeve, për të cilat u bë thirrje që të identifikoheshin e më pas të dëmtoheshin.

“Luten qytetarët, mbi të gjitha ata që janë të gatshëm të japin mbështetje në luftën e mëtejshme kundër pushtuesit, që të thyejnë dhe të qesin këto aparate me kamerë me valë. Ato vendosen kryesisht nëpër pemë dhe nuk kanë kabllo!” – ishte thirrja që ishte shpërndarë më 29.11.2024, në ora 11:40, gjatë ditës.

Grupi “Korridori” publikon kryesisht njoftime e thirrje për aktualisht 13 mijë e 133 ndjekës, të cilët janë pjesë e këtij grupi e që kanë mundësi edhe komentimi.

Në grupin e njëjtë nuk kanë munguar as rastet kur është bërë thirrje për eliminimin e ‘tradhtarëve të kombit’, siç i kanë etiketuar ata, duke iu referuar ndonjëherë edhe qytetarëve serb, të cilët jetojnë në katër Komunat në Veri, por që punojnë në institucionet lokale apo qendrore të Kosovës.

Një grup tjetër në Telegram me emrin “Sparta”, i cili ka 14 mijë e 59 ndjekës, kohë pas kohë publikon edhe thirrje për mbrojtjen e Kosovës, si tokë e shenjtë e Serbisë.

“Nëse ua japim atyre Kosovën, u kemi dhënë të drejtën se jemi tradhtarë të popullit tonë vendas dhe ata njerëz që na dogjën Kishat dhe Manastiret na ndezën flakën e demokracisë dhe të drejtat e njeriut.” – thuhet në njërin nga postimet në grupin “Sparta serbe”.  Në zonën e veriut, janë dhjetëra grupe që shpërndajnë mesazhe të ngjashme në gjuhën serbe.

Në anën tjetër organizatat e Shoqërisë civile në veriun e vendit identifikuan shpërfaqje nacionaliste në postimet e Policisë së Kosovë.

Në muajin dhjetor, Nisma e Re Sociale (NSI), Qendra për Veprim Afirmativ Social (CASA), Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (INTER), OJQ AKTIV dhe Qendra e Avokimit për Kulturën Demokratike (ACDC) kanë publikuar një Raport 61 faqësh, në të cilin kanë monitoruar rrjetet sociale në lidhje me shfaqjen e simboleve nga ana e zyrtarëve policorë të Kosovës.

Në Raport përmendet edhe fakti se në këto postime e hashtags në Tik Tok më shumë se 300 oficerë policie u panë duke përdorur emblema e simbole, flamuj ose gjeste të paligjshme, që identifikojnë qartë përkatësinë e tyre etnike dhe theksojnë pikëpamjet e tyre politike nacionaliste.

Gjatë analizimit të përmbajtjes në rrjetet sociale, grupet e ndryshme kanë promovuar edhe rrymat kundër islamit duke i paraqitur ato si rrezik për kombësinë dhe shtetin. E njohur si “Lëvizja e Deçanit” – një grup i aktivistëve mori vëmendjen në media dhe rrjetet sociale pasi kërkoi publikisht largimin e shqiptarëve të Kosovës nga islami. Nga të dhënat në rrjetet sociale tregohet se narrativat e mbështetura nga kjo lëvizje u shpërndanë në 900 postime në rrjetet sociale – duke përfshirë këtu mbështetës, por edhe kundërshtarë të tyre.

 

Ekspertët: Mediat mund të bien pre e narrativave ekstreme 

Ramadan Ilazi, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se një nga pikat në të cilat shfaqet ekstremi i djathtë dhe narrativat e tyre janë përmes krijimit të uebsajteve të lajmeve, të cilat më pas shpërndajnë informacione të pavërteta apo nxitëse.

“Është praktikë shumë e shprehur në mesin e ekstremit të djathtë, pra influencerë apo individë që janë shumë aktiv në media sociale krijojnë uebsajte të lajmeve, apo uebsajte që duket se janë portale lajmesh dhe më pas diçka çka thonë në një status në rrjete sociale e shndërrojnë në lajm në këtë portal. Dhe, më pas e shpërndajnë vetë si lajm, si legjitimitet i qëndrimeve të tyre. Ndonjëherë, edhe në Kosovë bëhet kjo praktikë dhe mediat tona mund të bien pre e këtyre praktikave.” – thotë Ilazi për KALLXO.com.

Tutje, ai shton se në Ballkanin Perëndimor, mediat sidomos ato të Serbisë kur ka zhvillime apo tensione në Kosovë kërkojnë opinione nga anëtarë të Parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së, të cilët kanë në mënyrë të hapur qëndrime jomiqësore ndaj Kosovës dhe janë zakonisht anëtarë të Grupeve Parlamentare që u takojnë ekstremit të djathtë.

“Kjo pra është praktika e dytë, se si legjitimohen ose shpërndahen narrativa nga ekstremi i djathtë dhe e treta në Kosovë, siç kanë treguar edhe studimet, hulumtimet nga mediat, Telegrami është kanali më i preferuar për komunikim nga ekstremistët e djathtë.” – shton Ilazi.

Sipas tij, sa i përket aspektit të ekstremit të djathtë, Kosova aty përballet me Serbinë, derisa shton se aktualisht aplikacioni që është i popullarizuar në këtë drejtim është Telegram.

“Në veri Telegrami është shumë i popullarizuar dhe shpërndahen dezinformata të tilla përmes tij në kanale të caktuara. E para është për me dëmtu imazhin e NATO-s, BE-së, perëndimin në përgjithësi si akterë të pabesueshëm, si një akter që është duke dëmtuar interesat serbe. Pastaj, me rrit imazhin pozitiv të Rusisë si mbrojtës të popullit serb e Serbisë dhe nën tre me kallxu Kosovën si shtet të dobët apo të dështuar, që nuk po arrin të konsolidohet ndërkombëtarisht – një shtet i cili po përndjek komunitetin serb në Kosovë, e të tjera.” – shton ai.

Ilazi tregon se në kohë të ndryshme varësisht nga zhvillimet, rastet merren, trajtohen, shpërndahen e keqinterpretohen.

“Shqetësimi në krejt këtë vorbull të dezinformatave është që zërat kritikë racionalë dhe konstruktiv nga veriu i Kosovës apo ankesat legjitime konkrete, ose ankesat që janë të qytetarëve të Kosovës nga komuniteti serb, mbizotërohen dhe nuk dëgjohen, nuk shihen, fare këta zëra e ankesa. Prandaj, duhet të ketë kujdes të shtuar në mënyrën se si po sillemi në Veri, sepse po keqpërdoret kjo për të mobilizuar të djathtën ekstreme.” – tregon Ilazi.

Burim Ramadani, ish-Kryeinspektor i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, tani ekspert i çështjeve që prekin narrativat e ekstremit të djathtë, thotë se e djathta ekstreme në vazhdimësi thellon narrativën e vet jo vetëm në shtetet në konsolidim të demokracisë, por me theks të veçantë në to.

“Shoqëritë post-konfliktuoze edhe gjatë demokratizimit e kanë më të vështirë të kuptojnë thelbin e qëllimeve të narracionit të së djathtës ekstreme, kryesisht për shkak se janë shoqëri të cenueshme nga motive të ndryshme nga e kaluara e afërt.” – tregon Ramadani.

Ai shton se Rusia normalisht prin në përhapjen e narrativave ekstreme apo të djathta, “me synimet që të destabilizojë shoqëritë demokratike dhe të dëmtojë mundësitë që shtetet të bashkëpunojnë në mirëbesim”.

“Në rastin e Kosovës, përhapja e këtyre narrativave mbetet synim i vazhdueshëm derisa opinioni i gjerë dhe mediat më specifikisht janë në fazë të të kuptuarit të këtyre qëllimeve. Informacionet e nxjerra si pjesë e kësaj narrative janë shpeshherë indirekte, prandaj politikat redaktoriale duhet në vazhdimësi të avancohen në këtë drejtim.” – shton tutje ai.

Sipas të njëjtit, Kosova si shtet e ka të domosdoshme të ndërtojë platforma nacionale në promovim të demokracisë liberale, si pjesë e angazhimeve në përballje me narrativat e ekstremeve të të gjitha llojeve.

Dren Gërguri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës – dega e Gazetarisë, thotë se mediat në Kosovë duhet të kenë politika të qarta redaktoriale për të trajtuar narrativat e ekstremit të djathtë, si dhe të kenë një qasje kritike ndaj këtyre narrativave.

“Mediat duhet të kenë në fokus verifikimin e informacionit, shmangien e sensacionalizmit dhe paraqitjen e një konteksti më të gjerë, me qëllim të deshifrimit ose të ekspozimit të natyrës manipuluese ose të rrezikshme të këtyre narrativave. Aktualisht, jo të gjitha redaksitë e mediave tona u kushtojnë rëndësinë e duhur këtyre narrativave, që mund të jetë edhe reflektim i resurseve financiare apo kapaciteteve të atyre redaksive.” – thotë Gërguri.

Sipas tij, marrë parasysh që narrativat e ekstremit të djathtë në të shumtën e herave përdorin gjuhë provokuese e sensacionale për të tërhequr vëmendjen, raportimi i mediave pa i ballafaquar ato narrativa me një kontekst më të gjerë dhe kritik mund të çojë në përhapjen e atyre ideve.

“Tri pasojat kryesore në shoqëri mund të jenë: rritja e polarizimit, normalizimi i ideve ekstremiste, si dhe nxitja e dhunës. Transmetimi i këtyre narrativave pa u sfiduar me trajtim paraprak të duhur nga ana e mediave mund të kontribuojë në tri pasojat e lartpërmendura: qoftë në forcimin e ndarjeve shoqërore, në krijimin e përshtypjeve se ato ide ekstremiste janë të pranueshme shoqërisht apo në nxitjen e individëve ose grupeve për të ndërmarrë veprime të dhunshme.” – thotë Gërguri.

Përgatitja e mediave profesionale për t’u përballur me ekstremizmin e djathtë

Vendimi i KPM-së për të dënuar “Big Brother VIP Kosova” për shkak të gjuhës denigruese ndaj grave, vlerësohet të jetë një sinjal që gjuha e urrejtjes nuk mund të depërtojë në mediat profesionale.  Një anketë me shumicën prej mediave online në Kosovë, e realizuar për qëllime të këtij hulumtimi, tregon se mediat nuk kanë politika të qarta editoriale për trajtimin e ekstremizmit të djathtë. Megjithatë, një pjesë e mediave kanë treguar se kanë marrë masa për të vendosur standarde.

Përpos Kallxo.com që ka një politikë editoriale strikte në këtë punë edhe 7 anëtarë të tjerë nga Këshilli i Mediave të Shkruara kanë konfirmuar se kanë ndërmarrë hapa për të trajtuar gjuhën e urrejtjes. KMSHK ka 50 anëtarë dhe pjesa tjetër prej 47 anëtarësh nuk janë përgjigjur në interesimin e këtij hulumtimi, për të kuptuar politikat editoriale për trajtimin e ekstremizmit të djathtë.

“Betimi për Drejtësi” që funksionon në kuadër të organizatës joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi” thotë se ka të hartuar politika të brendshme redaktoriale për fusha të caktuara të raportimit. “Në këtë drejtim, politikat redaktoriale, përcaktojnë qartë qasjen që ndjekin hulumtuesit dhe redaksia në hulumtimin dhe raportimin e lajmeve nga të gjitha fushat. Respektimi i standardeve etike dhe profesionale të gazetarisë, shmang mundësinë e lejimit të përdorimit të narrativave ekstreme.” – thotë, Betim Musliu, kryeredaktor në “Betimi në Drejtësi”.

Kosovo 2.0 është një tjetër anëtar i KMSHK-së, të cilët thonë se sigurojnë që kur trajtohen përmbajtjet që mund të përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përçarëse, nënçmuese apo përmbajtje të tjera të dëmshme për një grup shoqëror, të mos riprodhohen qoftë përmes citateve, qoftë përmes parafrazimit.

“Ndonëse në vazhdimësi trajtojmë gjuhën përçmuese që përdoret ndaj disa komuniteteve në Kosovë, sigurohemi që përmbajtja të mos trajtohet në atë formë që të riprodhojë apo të përforcojë sterotipet ekzistuese, e as të mos u jepet platformë kësaj përmbajtje.” – thotë Gentiana Paçarizi, redaktore menaxhuese e këtij mediumi.

Sipas Paçarizit, në raste krejt të rralla, kur përmbajtja e trajtuar duhet të transmetohet për qëllim specifik të informimit, K2.0 sigurohet që të ofrojë kontekst të plotë dhe t’i kundërvihet kësaj gjuhe, me faktet që i kundërshtojnë këto narrativa.

“Pos kësaj, K2.0 sigurohet që edhe në seksionet e komenteve, qoftë në rrjetet sociale të K2.0, qoftë përbrenda uebfaqes të moderohet përmbajtja e gjeneruar nga përdoruesit/et, specifikisht komentet. K2.0 është transparente rreth parimeve të komentimit, të cilat janë në uebfaqen tonë dhe largon secilin koment që nuk u përmbahet atyre parimeve.” – thotë, tutje, redaktorja menaxhuese e Kosovo 2.0.

Koha është një portal tjetër anëtar i KMSHK-së. Brikenda Rexhepi, kryeredaktore në Koha.net, flet për politikat e portalit në lidhje me publikimin e lajmeve, që përçojnë mesazhe nga grupet e ekstremit të djathtë.

“Politika redaktuese e KOHËS bazohet në parimet themelore etike, që bëjnë dallimin mes faktit dhe opinionit dhe duke e konsideruar interesin e publikut si shtyllën kryesore të raportimit – pra të vlerësimit të çështjeve për të cilat raportohet.” – thotë Rexhepi.

“Suhareka Online” është një portal lokal i bazuar në Komunën e Suharekës, por që përcjell në baza ditore lajme të ndryshme të cilat ndodhin në Kosovë.

Ky portal për KALLXO.com ka thënë se sa i takon narrativave të grupeve të djathta, u shmangen atyre dhe kanë kujdes ndaj deklaratave që mund të nxisin dhunë e urrejtje.

“Prioriteti ynë është të promovojmë dialogun konstruktiv dhe të ndërtojmë një shoqëri më të bashkuar.  Ne në ‘SuharekaOnline’ besojmë se një gazetari e mirë fillon me një verifikim të kujdesshëm të fakteve. Edhe pse është tejet sfiduese për një medium lokal, ne hetojmë me kujdes çdo informacion që marrim dhe e krahasojmë me burime të tjera të besueshme, duke theksuar këtu politikën redaktoriale të Kallxo.com, që është shembull në të cilin ekipi ynë bazohet. Çdo mesazh që nuk përmbush kriteret tona të saktësisë dhe të objektivitetit nuk përfshihet në përmbajtjen tonë.” – thonë nga ky portal për KALLXO.com.

Ata thonë se kanë një kod që udhëzon punën ditore.

Një tjetër media online “Arbresh.info” thotë se kanë Rregulloret dhe politikat e brendshme editoriale.

“Sigurisht që lajmet që ndërlidhen me grupet që kanë narrativë ekstreme, sidomos mesazhet, filtrohen, madje disa prej tyre edhe nuk publikohen fare.” – thuhet në përgjigjet e tyre për KALLXO.com.

Tutje, shtojnë se jo të gjitha që ndërlidhen me ekstremizmin e djathtë mund të anashkalohen.  “Aktivitetet dhe qëndrimet e këtyre grupeve, apo individëve nuk përkrahen, mirëpo deklaratat e tyre, nëse kanë qenë nxitëse, veprimet e tyre (nëse ka pasur) janë publikuar, po ashtu edhe reagimet rreth këtyre deklaratave, apo veprimeve. Sepse, e dimë shumë mirë që ekstremizmi i djathë që është evident edhe në sport – gjë që në këtë rast është thuajse e pamundur të anashkalohet.” – thuhet në përgjigjet e tyre.

Të njëjtit kanë marrë disa shembuj në lidhje me thirrjet nacionaliste, thirrjet urrejtëse gjatë ndeshjeve sportive, të cilat sipas tyre nuk mund të mos publikohen.

“Por, janë disa lajme që nuk i plasojmë, p.sh. thirrjet dhe mesazhet urrejtëse fetare, thirrjet urrejtëse kundër grupit LGBTQ etj. Pra, misionet dhe qëllimet e grupeve të tilla që nxisin urrejtje fetare, racore, kombëtare, gjinore, etj., nuk përkrahen, nuk u jepet hapësirë mediale te ne si ‘Arbresh.info’.” – thuhet në përgjigjet e tyre.

“Ekonomia Online” është një agjenci lajmesh, e cila në baza ditore ndjek e përcjell ngjarje kryesore në vendin tonë.

Shkurt, në një përgjigje për KALLXO.com, të njëjtit kanë thënë se bazohen në Kodin e Mediave të Shkruara.

Ky Kod ndalon skajshmërisht gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtjet e tjera, të cilat nxisin dhunë dhe gjuhë të urrejtjes.

 

Ky artikull u zhvillua në partneritet me nismën rajonale Western Balkans Anti-Disinformation Hub, që zbatohet nga Fondacioni “Metamorphosis”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kallxo.com dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e partnerëve dhe mbështetësve të projektit.

This article was developed in partnership with the regional initiative Western Balkans Anti-Disinformation Hub, implemented by the Metamorphosis Foundation with financial support from the Ministry of Foreign Affairs of the Kingdom of the Netherlands. The contents of the article are the responsibility of Kallxo.com  and do not necessarily reflect the positions of the project partners and donor.

 Ovaj članak  napisan je u partnerstvu sa regionalnom inicijativom Western Balkans Anti-Disinformation Hub koju sprovodi Fondacija Metamorphosis, i to uz finansijsku podršku Ministarstva vanjskih poslova Kraljevine Holandije. Sadržaj članka je u domenu odgovornosti organizacije Kallxo.com  te nužno ne odražava stavove projektnih partnera kao ni finansijera.