Kandidatët e koalicionit AAK-Nisma. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

“Direkt në NATO”: Plani i koalicionit AAK-Nisma për sigurinë në Kosovë

Anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike (NATO) është një prej synimeve kryesore që i ka dhënë vetes koalicioni AAK-Nisma dhe të tjerët, të cilin zotohet se do ta përmbushë nëse e merr drejtimin e Qeverisë, pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Koalicioni i AAK-së me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal beson që mund ta anëtarësojë Kosovën në NATO – qëllim të cilin e kanë pasur të gjitha partitë që kanë qeverisur vendin ndër vite, por që nuk kanë arritur ta jetësojnë deri më tani. Rruga për t’u bërë pjesë e NATO-s nuk është e lehtë, duke e marrë parasysh faktin që Kosovën nuk e kanë njohur ende disa shtete, që janë anëtare të kësaj Aleance.

Në vitin e kaluar, Asambleja Parlamentare e NATO-s e miratoi rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar. Megjithatë, duhet ende punë që vendi të kalojë në hapa më specifik për anëtarësim.

Kandidatët e koalicionit AAK-Nisma. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Duke shpalosur zotimet në fushën e sigurisë, katër kandidatë për deputetë nga koalicioni AAK-NISMA, u zotuan në “Debat Përnime”, më 17.01.2025, se pos angazhimit për anëtarësimin  e vendit në NATO, do t’i përmirësojnë raportet me SHBA-në, do të rrisin buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), do të bëjnë Vetting në Policinë e Kosovës, si dhe do të themelojnë Departamentin për Mjedis brenda në Polici.

Ndërsa, për planet për rajonin e Prizrenit, ata premtuan se nëse do të qeverisin do ta përfundojnë autostradën Prizren-Tetovë, do ta bartin Presidencën atje dhe do të zhvillojnë Qendrat e Skijimit në Brod dhe Brezovicë.

“Direkt në NATO”

Slogani i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është “Direkt në NATO”.

Ahmet Isufi, kandidat për deputet i cili kaherë është pjesë e kësaj partie ka deklaruar se në plan të parë e kanë fuqizimin e raporteve me SHBA-në dhe se në fokus të tyre do të jetë angazhimi për siguri, përkatësisht anëtarësimi në NATO.

“Ne e kemi në Programin tonë, edhe sloganin i cili është ‘Direkt në NATO’. Dhe, qëllimisht e kemi bërë këtë, sepse konsiderojmë që pa siguri nuk ka asnjë zhvillim tjetër, që mund të jetë efikas për qytetarët e Kosovës dhe për vendin tonë.” – tha Isufi.

Kandidati tjetër për deputet, Besnik Krasniqi shpalosi disa nga projeksionet konkrete që kanë planifikuar për anëtarësim në NATO.

“Do të punojmë për të përmbushur kriteret një nga një, për t’u anëtarësuar në NATO.” – tha ai, duke shtuar se kanë në plan që të fillojnë një Dialog politik konkret për anëtarësim direkt dhe qysh në fillim të mandatit ta nënshkruajnë Planin për anëtarësim.

Kandidati i koalicionit AAK-Nisma, Ahmet Isufi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Përveç këtyre, ai tha se planifikojnë që ta krijojnë një ekip të plotë të diplomatëve, të cilët do të akreditohen në NATO dhe me urgjencë të hapen Ambasada në të gjitha shtetet e NATO-së: aty ku nuk ka, kurse në ato ekzistuese t’i shtojnë diplomatët e fushëveprimit të sigurisë.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-atlantike. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm që të ruhet paqja në rajon.

Edhe pse trupat e NATO-s ndodhen në Kosovë që nga lufta e fundit 1998/1999, shteti më i ri në Europë nuk ka zënë ende vend aty. Më 09.02. 2022, Qeveria e Kosovës kishte marrë Vendim për Themelimin e Grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Kryeministri Albin Kurti, kandidat për Kryeministër edhe për një mandat, kishte thënë se objektivi kryesor i këtij Grupi do të jetë avancimi i procesit të integrimit në NATO, fuqizimi i pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma rajonalë e ndërkombëtarë të sigurisë, si dhe bashkëpunimi me aleatët strategjikë ndërkombëtarë.

Blerja e armatimit

Kosova ka nënshkruar Marrëveshje me Turqinë për Ndërtimin e fabrikës së parë të municionit. Me një Marrëveshje të nënshkruar më 16.12.2024, me kompaninë turke të armëve – MKE, Kosova synon të ndërtojë një fabrikë të municioneve të kalibrave të ndryshëm, të parën në vend.

Se çka do të bëjë koalicioni AAK-Nisma për këtë fabrikë të municionit, Ahmet Isufi tha se duhet të vlerësohet dhe të shikohet paraprakisht kjo gjë.

“Të gjitha Marrëveshjet të cilat janë obligative për shtetin e Kosovës, e që janë të dakorduara me faktorë ndërkombëtarë duhet të shikohen; duhet të bëhet vlerësimi dhe duhet të bëhet  implementimi i tyre, sepse ne kemi të bëjmë me elemente të cilat e stabilizojnë Kosovën dhe e forcojnë shtetin.” – tha ai.

Për fabrikën e municionit, ai tha që më shumë është një propagandë që është përdorur nga Qeveria Kurti, pak para Zgjedhjeve. Megjithatë, ai shtoi se duhet të analizohet gjendja. Fundja, sipas tij, pse mos të ketë fabrikë të municionit në Kosovë, derisa shtetet e tjera kanë avancuar në këtë drejtim.

“Shumë deklarime e premtime që janë dhanë ne i dimë që s’janë realizuar nga kjo Qeveri. Prandaj, edhe këtë e shohim si një veprim për propagandë të fushatës zgjedhore.” – theksoi ai.

Për blerje të armatimit, Isufi tha se do të shkojnë konform të gjitha interesave të Kosovës dhe të aleatëve.

Kurse, Besnik Krasniqi tha se kanë në plan të bëjnë blerje të armatimit me Pentagonin, siç e bëjnë disa shtete të tjera.

Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë do të jetë 207.8 milionë euro në vitin 2025, apo 54 milionë euro më shumë sesa në vitin 2024.

Kosova, viteve të fundit, ka siguruar armë edhe nga dy fuqi të NATO-s: SHBA-ja dhe Turqia.

Ushqimi dhe buxheti për FSK-në

Ushqimin për ushtarët e Forcës të Sigurisë, Ahmet Isufi thotë se si AAK, e kanë në plan ta rregullojnë në bazë të Ligjeve fuqi, por nuk shpalosi diçka më konkrete.

AAK është një ndër partitë që si opozitë më së shumti ka fajësuar Qeverinë e tanishme, në lidhje me ushqimin e ushtarëve.

“Të  gjitha do të jenë konform buxhetit, si dhe zbatimit të Ligjit dhe mosndërhyrjes politike në ushtri, sepse janë segmente të cilat duhen vëmendje, më shumë në funksionim e në profesionalizëm sesa ndërhyrje për të plotësuar apetite politike.” – tha ai.

Isufi deklaroi se në planin e tyre nuk kanë përcaktuar ndonjë shifër se sa do ta rrisin buxhetin për FSK-në.

“Nuk kemi përcaktuar shifër të buxhetit, sepse do të bëjmë analizën e brendshme e të mos japim premtime blanco, por të shkojmë në ngritjen nga 2% në 3 deri në 5%.” – tha ai.

Kandidati i koalicionit AAK-Nisma, Zafir Berisha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Kurse, Zafir Berisha, i cili ka mbajtur postin e Koordinatorit Nacional për Siguri Kibernetike në Qeverinë Haradinaj, tha se ka pritur sidomos prej ministrit të Forcës të Sigurisë, Ejup Maqedonci, që të jetë më i kujdesshëm në këtë aspekt.

“Me fol për shujta për policët dhe ushtrinë është gjëja më minore që nuk duhet me qenë as pjesë e debateve publike.” – tha ai

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës ishte krijuar pasi që Kontrata për tenderin e fundit të shpallur nuk ishte nënshkruar. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar Kontrata, më 30.09.2024.

Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikimit të njoftimit për Kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të papërgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e FSK-së.

Për tenderët njëburimor, kandidati i AAK-së, Fatmir Matoshi tha se në ditën që vijnë në qeverisje do t’i hapin të gjitha dosjet e tenderëve njëburimor që janë dhënë gjatë qeverisjes Kurti.

“Do t’i hapim për të gjithë ata që janë të interesuar.” – tha ai për këto Dosje, duke përjashtuar ato që janë sekrete.

Ndërsa, Zafir Berisha në lidhje me këta tenderë e akuzoi Qeverinë Kurti për hajni, anipse nuk ofroi një zgjidhje konkrete.

“Ku ke pa ti që tenderët njëburimor me u jep për një objekt. Mundet me prit edhe 2 muaj qysh ka prit 25 vjet. Këta prej pandemisë… për shkak të emergjencës botërore ia kanë vazhdu me dhënë tender njëburimor edhe për asfalt.” – theksoi ai.

A do t’i kthejnë policët serbë në institucione?

Mbi 500 policë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave me targa RKS.

Se a e ka plan koalicioni AAK-Nisma që t’i kthejë këta policë përsëri në pozitat e tyre, Zafir Berisha tha se nuk bëjnë marrëveshje në çështje profesionale.

“Unë konsideroj se ajo është një kapitull i mbyllur. Këta që e kanë lëshuar Policinë me urdhër të Vuçiqit, unë mendoj se nuk kanë vend në Policinë e Kosovës… Ata duhet t’i nënshtrohen një procedure të rregullt të inkuadrimit dhe natyrisht duhet të përshtaten me realitetin që është krijuar.” – tha ai.

Më 28. 12. 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “zbrazëtia” e krijuar pas “dorëheqjeve të detyruara” duhet të plotësohet dhe u bëri thirrje të gjithë serbëve të Kosovës, veçanërisht atyre që nuk kanë pasur mundësi për të pasur një vend pune deri më tani, për të aplikuar për vende të reja pune.

Komuniteti ndërkombëtar në disa raste u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucione, por edhe Kosovës që ta lehtësojë kthimin e tyre.

Beogradi zyrtar e ka përkrahur largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe në këmbim, atyre iu dha Kontrata në bazë të së cilave, përveç pagës, rregulloheshin edhe marrëdhëniet e punës juridike, si pensioni dhe sigurimi shëndetësor.

Një premtim tjetër në lidhje me Policinë e shpërfaqi kandidati Fatmir Matoshi, i cili në Qeverinë Haradinaj ka qenë ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tha se duhet që të krijohet një Departament i Policisë Mjedisore, në mënyrë që të hetohen shkatërrimet që bëhen në mjedis.

Kandidati i koalicionit AAK-Nisma, Fatmir Matoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Matoshi tha se secili Stacion Policor në Kosovë duhet t’i ketë zyrtarët e vetë policorë, që punojnë në kuadër të Departamentit të Policisë Mjedisore. Siç parashikoi ai, duhen rreth 200 sosh të shpërndahen nëpër Stacionet e Kosovës.

“Nuk ka një dorë të fuqishme dhe të fortë që po e parandalon krejt atë që bëhet gjithandej nëpër Kosovë. Mjafton me dal me i pa pyjet dhe brezin rrugor. Gjithandej vazhdon me pas degradime nga mbeturinat. Ky kish me qenë një prej Departamenteve të duhura.” – tha ai, duke shtuar se duhet të shihet prania e Policisë në këto ambiente.

Kurse në përgjithësi për Policinë e Kosovës, Zafir Berisha tha se Drejtoria e Përgjithshme dhe mekanizmat udhëheqës brenda Policisë duhet të kenë certifikatën e pastërtisë në momentin e avancimit në pozicione të ndryshme.

“Duhet me kalu nëpër disa filtra, që për fatin e keq deri tash nuk janë bërë.” – tha ai.

Planet për Prizrenin

Kandidati Besnik Krasniqi tha se projektin e autostradës Prizren-Tetovë do të përfundojnë, anipse nuk e quajti autostradë, por “një rrugë rajonale”.

“Ne jemi duke përcjellë punimet. E kemi parë projektin. E kemi parë Kontratën-Bazë-Kornizë. Është një rrugë rajonale. Kanë filluar punimet me intensitet shumë të ulët. Sigurisht që do ta ndryshojmë këtë projekt dhe ta shndërrojmë në një autostradë moderne, siç kemi bërë edhe në të kaluarën me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi.” – tha ai.

Sipas tij, kostoja varion nga 100 milionë deri në 240 milionë, varësisht prej trasesë kah do të shtrohet kjo rrugë.

Kandidati i koalicionit AAK-Nisma, Besnik Krasniqi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Një premtim tjetër i këtij koalicioni, të cilin e shpalosi Krasniqi, ishte bartja e Presidencës të Kosovës nga Prishtina në Prizren.

“[Ky projekt] Nuk e prek Pakon e Ahtisaarit, sepse e kemi trajtuar me ekspertë të fushës së Kushtetueses. Do të prek vetëm dy Ligje, atë për Presidencën e Kosovës dhe të Kryeqytetit të Kosovës, të cilat me një shumicë të thjeshtë mund të plotësohen e të ndryshohen, në mënyrë që këto institucione të kalohen në qytetin historik.” – tha ai.

Ndërsa për Qendrat e Skijimit në Brod dhe në Sharr, ai theksoi se e kanë në plan që t’i zhvillojnë përmes Partneritetit Publiko-Privat.

“Ne konsiderojmë që kjo është mënyra e vetme për të zhvilluar këta sektorë të industrisë: edhe Prevallën, edhe Dragashin, por edhe pjesë të tjera të Sharrit të cilat kanë potencialë të jashtëzakonshëm.” – tha ai.

Përvoja e Aleancës në pushtet

Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.

Kjo parti e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017, pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020 pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.

Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.