Diplomacia e ‘Bacit’, vetëm dy njohje në dy vite punë

678 ditë sa ishte në krye të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli arriti t’ia sigurojë Kosovës vetëm dy njohje.

“Baci”, siç e thërrasin në takime jozyrtare kolegët e tij nga politika, gjatë kohës sa drejtoi dikasterin e Punëve të Jashtme, u ballafaqua edhe me një fushatë të egër nga diplomacia serbe kundër shtetësisë së Kosovës.

Njohja nga Madagaskari në fund të vitit 2017 ishte e 115-ta për shtetin e Kosovës ndërsa në shkurt të 2018-ës kishte ardhur edhe një njohje nga Barbadosi.

Nezir Kraki, profesor në “Université Paris-Est Créteil” (UPEC), thotë se për numrin e vogël të njohjeve të shtetit të Kosovës nuk është fajtore vetëm Ministria e Punëve të Jashtme.

Sipas tij, hapja e temës së ndryshimit të kufijve ndikoi te shtetet të cilat ende nuk na kanë njohur.

“Diplomacia kosovare ka dështuar totalisht këto vitet e fundit. Fajtor i këtij dështimi nuk është veç MPJ por dështimi i përgjithshëm i shtetit te Kosovës”, thotë Kraki.

“Nuk ka diplomaci të suksesshme kur vendi që përfaqësohet është i dështuar. Aleatët dhe vendet nga të cilat presim njohje, në radhë të parë duan ta shohin një Kosovë normale dhe një Kosovë si çështje të mbyllur”, deklaron ai për Gazeta Jeta në Kosovë.

Gjatë vitit 2018, presidenti i Kosovës filloi të shpërfaqte një ide e cila ndërlidhte ndryshimin e kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse, ajo hasi në kundërshti të forta brenda vendit.

Hapja e kësaj teme, sipas njohësit të diplomacisë, Nezir Kraki, bëri që shtetet të prisnin një përfundim, çfarëdo që të jetë ai.

“Çfarë i ka ofruar Kosova botës këto vitet e fundit? I ka ofruar tregim të ri të shtetbërjes duke konsideruar se çështja e statusit nuk është e mbyllur dhe se ajo duhet të ridiskutohet me Serbinë”, thotë Kraki.

“Për botën kjo përkthehet si diçka që është në proces dhe ky proces mund të sjellë realitete të reja. Shumë vende hezituese janë duke pritur pikërisht këtë, realitetin e ri politik në mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të dihet cilën Kosovë ta njohin, me cilët kufij dhe në cilin kontekst”, vlerëson ai.

Zgjedhjet nacionale të vitit 2017 sollën një situatë në të cilën koalicioni që fitoi garën nuk arriti ta formonte Qeverinë.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ndërroi aleatët politik për të hyrë në Qeveri bashkë me PDK-në, AAK-në, Nismën dhe partitë tjera.

Ndonëse AKR në fillim kishte vetëm tre deputetë të fituar nga zgjedhjet, Behgjet Pacolli kërkoi shumë hise në ekzekutivin që i printe Ramush Haradinaj. Ai mori Ministrinë e Punëve të Jashtme, që e udhëhoqi vetë, dhe tri ministri tjera nga 21 sosh sa kishte gjithsej Qeveria e fundit.

Por, si duket pjesëmarrja në pushtet nuk pati shumë rezultate për të. Behgjet Pacolli përveç MPJ-së ishte edhe numri dy i Qeverisë së Kosovës.

Sipas Krakit, Pacolli më shumë kishte sjellë njohje për vendin sa nuk ishte ministër sesa gjatë dy viteve sa e ushtroi këtë post.

“Ministri Pacolli këtë mandat ka qenë ministër i padukshëm. Ndoshta shkaku i pazareve politike dhe halleve partiake. Nuk kam sqarim logjik për padukjen e tij si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. Diplomacia « private » e tij sillte njohje para ca viteve, tash diplomacia shtetërore duket se i humbi po ato njohje sidomos ne Afrikë”, thotë ai.

“Kjo më bën të mendoj se ai asnjëherë diplomacinë s’e ka kuptuar si proces kompleks politik por vetëm si pazar ad hoc i cili nuk i reziston ndryshimeve gjeostrategjike të kohës”, deklaron Nezir Kraki.

 Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës “CiviKos”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se shteti i Kosovës nuk kishte një strategji në politikën e Jashtme.

“Dështimi në konsolidimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës në nivel ndërkombëtar, i shoqëruar me mungesë strategjie se si të forcojmë bashkëpunimin bilateral me shtetet që tashmë kanë njohur Kosovën, reflekton një politikë të jashtme të dështuar dhe me mungesë strategjie të caktuar për pozicionimin e Kosovën në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, thotë ajo.

 Sikur ligjëruesi i politikave publike, Nezir Kraki, edhe Donika Emini thotë se hapja e diskutimit për ndryshim kufijsh në mes Kosovës dhe Serbisë ndikoi negativisht në diplomacinë kosovare.

“Në këtë drejtim, hapja e çështjes së kufijve të Kosovës dhe statusit të saj politik në kuadër të dialogut të Brukselit ka ndikuar edhe më tej në dobësimin e politikës së jashtme të Kosovës. Mungesa e kohezionit politik, ku nga njëra anë përfaqësuesi i politikës së jashtme e vë në pikëpyetje procesin mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës përmes ri-hapjes së Pakos së Ahtisaarit dhe kampanjës së Ministrisë së Punëve të Jashtme që kinse ka lobuar për njohje të Kosovës me kufij aktualë, dërgojnë mesazhe konfuze për shtetet që edhe ashtu janë skeptike ndaj Kosovës”, deklaron Emini.

“Kosova ka pasur përfaqësimin më të dobët në politikë të jashtme, Kjo dobësi fillon nga një president që nuk ftohet gati në asnjë takim bilateral, ftohet vetëm në raste të takimeve të nivelit rajonal – ku ai nuk mundet të injorohet si në rastin e Samitit të Berlinit. Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme i është lënë në duar një partie të vogël me pak ndikim në Kosovë dhe pak përvojë diplomatike”, thotë tutje ajo.

Sipas saj, Kosova ka qenë totalisht në pozicion defensiv ku jo vetëm që nuk u arrit rritja e njohjeve, mirëpo dështuam të mbajmë ato shtete që na kanë njohur tashmë.

Kosova në fund të vitit 2018 dështoi edhe njëherë, për të dytën herë, të anëtarësohet në INTERPOL.

Sipas Eminit, kjo ishte edhe një tregues tjetër se politika e jashtme e udhëhequr nga kryediplomati, Behgjet Pacolli, dështoi.

“Behgjet Pacolli duket se ka përdorur Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe postin e kryediplomatit si mundësi për të ndërtuar lidhje personale me liderë politikë në vende të ndryshme. Dështimi i diplomacisë në Interpol ishte goditja më e rëndë që ka marrë Kosova në vitet e fundit. Kjo shoqërohet edhe nga mungesa e njohjeve të reja, por edhe çnjohjet që vijnë nga vende ky ministri pretendon që ka marrëdhënie solide diplomatike”, vlerëson drejtoresha ekzekutive e Platformës “CiviKos”. 

Sipas Eminit, janë disa hapa të cilat duhet të ndjek shteti i Kosovës në mënyrë që të kthehet në vëmendjen ndërkombëtare dhe të sigurojë njohje të reja.

“Përdorimi i fuqive të mëdha perëndimore, sidomos ato që në të kaluarën ka pasur koloni. Këto shtete si Britania e Franca mund të kenë ende ndikim politik në ish-kolonitë e tyre; Shqipëria është një kanal tjetër që mund të përdoret për kontakte, kjo mund të ndodhë përmes shfrytëzimit të ambasadave të Shqipërisë në vende jo-njohëse. Vendosja e marrëdhënieve ekonomike është një mundësi tjetër”, deklaron ajo për Gazeta Jeta në Kosovë.

Sipas saj, çështja e dialogut është e rëndësishme që të mbyllet, me këtë do t’i hapet një etapë e re për njohjet e Kosovës.

“Mbyllja e suksesshme e dialogut me Serbinë, kjo do t’i jepte fund dilemave të disa shteteve të pavendosura që kanë pritur rezultatin e dialogut për të marr vendimin e tyre.  Anëtarësimi në mekanizma multi-laterale ku Kosova do të mund të bashkëpunonte dhe të bashkëvepronte me vendet që nuk e njohin pavarësinë”, thotë Donika Emini.

A do të jetë e ‘teta e vërteta’ për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

www.kallxo.com