Dinamika për dialogun - Kosova mes Amerikës dhe BE-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë nisur sërish përpjekjet vetanake për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Me një dinamikë të shtuar, ShBA-ja kanë shkuar një hap para duke ftuar të dyja palët në një takim në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 27 qershor, përderisa emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka nisur vizitën e parë të tij zyrtare në Kosovë të martën.

Zhvillimet  rrodhën pasi Qeveria e re e Kosovës, me kryeministër Avdullah Hotin (LDK), sapo erdhi në pushtet hoqi reciprocitetin tregtar me Serbinë, duke iu referuar asaj se tashmë janë larguar “të gjitha pengesat” për rifillimin e negociatave.

Masat e reciprocitetit ishin vendosur nga qeveria paraprake e udhëhequr nga Albin Kurti (LVV), pas heqjes së tarifës 100 për qind, që ishte vendosur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj (AAK), më 2018-n, kohë kjo kur edhe ishte pezulluar dialogu.

Ndërkohë, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se më 27 qershor do të ketë takim në Shtëpinë e Bardhë për bisedime rreth dialogut.

“Lajm i madh. Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht ta pauzojnë fushatën e mosnjohjes dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Washington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”, shkroi ai në Twitter pak ditë më parë.

Në anën tjetër, i emëruari i BE-së për negociatat Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se nuk e di nëse do të marrë pjesë në takimin në ShBA, ndonëse ka shtuar se presin bashkëpunim të ngushtë me Amerikën në këtë proces.

“Deri sot, nuk e di [nëse marr pjesë në takimin në ShBA]”, ka thënë Lajçak kur është pyetur nga gazetarët të martën në Prishtinë për këtë çështje.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se i ka konfirmuar përfaqësuesit të BE-së se procesi i dialogut me Serbinë duhet të fillojë me liberalizim të vizave dhe të përfundojë me njohje reciproke.

Presidenti i vendit ditë më parë ishte deklaruar se nuk pretendon të marrë pjesë në negociatat në Bruksel, me ndërmjetësim të Lajçakut.

Kohët e fundit, presidenti Thaçi në vazhdimësi ka qenë kritik ndaj BE-së për çështjen e vizave, duke kërkuar nga ta heqjen e pengesave për lëvizje të lirë të kosovarëve.

Ndërkaq, kryeministri Avdullah Hoti pas takimit me emisarin Lajçak, është shprehur se “korniza për dialogun” e qeverisë ruan integritetin territorial të Kosovës.

“Pata rastin që me z. Lajçak t’i diskutoj të gjitha temat me interes për palën kosovare si dhe për përkushtimin tonë në rrugën e integrimeve euro – atlantike! Korniza për dialogun e Qeverisë së Kosovës, garanton adresimin e të gjitha temave të mbetura me Serbinë, duke ruajtur integritetin teritorial të Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

Tema e kufijve është kundërshtuar tash e dy vite nga spektri politik i vendit, pas deklarimeve të presidentit Thaçi për idenë e korrigjimit të kufirit. Në Kosovë dhe më gjerë ka pasur raportime për një marrëveshje të mundshme që mund të prekte kufijtë aktual, por një gjë e tillë është mohuar nga kreu i shtetit të Kosovës.

Kundër negociimit për territore është shprehur edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me zyrtarin e BE-së, Lajçak.

Kryeparlamentarja theksoi se Kuvendi ka miratuar një sërë rezolutash të cilat presin të respektohen nga ana e Qeverisë.

Sipas saj, këto rezoluta përcaktojnë qartë që nuk ka negoccim për territorin e Kosovës, “nuk ka negociim për sovranitetin e vendit dhe nuk ka negociim të rendit tonë të brendshëm kushtetues”.

“Këto edhe duhet të jenë tri parimet udhëheqëse mbi të cilat ndërtohet procesi i dialogut, përdryshe do të prodhonte një rezultat i cili do të ishte i pa impelmentueshëm në terren”, tha Osmani.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011, ndërsa shumë pak marrëveshje nga këto bisedime kanë arritur të implementohen.

“Paralelet e ndara” për bisedimet

Lidhur me zhvillimet e fundit në këtë drejtim, Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës “CiviKos”, thotë për KALLXO.com se vizita e të dërguarit të BE-së Mirolsav Lajçak është tentativë e fundit e BE-se për të rimarrë drejtimin e procesit të dilaogut, “diçka që BE e ka humbur në dy vitet e fundit”.

“Mirëpo,  kjo gjë duket e pamundur tashmë kur kemi të bëjmë me një administratë të ShBA që është shumë aktive dhe këmbëngulëse në arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thotë ajo.

Sipas Eminit, ndryshe nga BE – e cila ka zgjatur negociatat për gati 10 vite me arritje shumë modeste në proces – ShBA nuk ka qasje të tillë.

“Andaj nëse palët janë ftuar në Shtëpinë e Bardhë – janë ftuar për të negociuar marrëveshjen e fundit që drejton në nënshkrim të marrëveshjes së fundit. Nëse palët nuk nënshkruajnë marrëveshjen kësaj here, ShBA mund të largohet përsëri nga rajoni ashtu siç ka ka thënë edhe Ambasadori Grenell”, vlerëson ajo.

Njohësja e zhvillimeve politike, shton se për momentin, duket sikur janë dy paralele të ndara në të cilën ShBA në njërën anë dhe BE në anën tjetër janë duke tentuar që të marrin kryesimin për nënshkrim të kësaj marrëveshje.

“ShBA me qasje me jo-konvencionale ka një qasje më shumë drejt zhvillimit ekonomik duke potencuar edhe njohje reciproke si rezultat, kurse BE ende është e përhumbur në ambiguitet ku normalizimi e mbizotëron diskursin e kësaj të fundit”, tha Emini për KALLXO.com.

Marrëveshja, siç thotë ajo, ka për të qenë shumë vështirë e implementueshme duke marrë paraysh kompleksitetin dhe sensitivitetin politik të saj.

“Andaj, është imperative për Kosovën të ketë një marrëveshje të implementueshme të pranueshme për ShBA dhe BE të cilat edhe do të garantonin implementimin e saj. Pra, është tejet me rëndësi të këmi gjithëpërfshirje në proces”, theksoi Donika Emini (CiviKos).

Në kërkim të unitetit politik kosovar para takimit të 27 qershorit në ShBA është kryeministri i vendit Avdullah Hoti. Ai i ka ftuar liderët e partive politike për bashkërendim të qëndrimeve.

Por partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e PDK-ja janë shprehur kundër iniciativave të Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje ditë më parë ka mohuar pjesëmarrjen në bisedimet rreth dialogut, ndërkaq PDK-ja ka nisur përpjekjet për rrëzimin e ekzekutivit.

 

Hoti apo Thaçi, në duar të kujt është dialogu me Serbinë?