Foto: Kallxo.com

Dimër i ngrohtë  në zemër të Prishtinës

Nën  melodinë e  këngëve  të vjetra  qytetare, të rinj e të moshuar po shijojnë ngrohtësinë festive në sheshin  e Prishtinës.

Ajri  i ndotur nuk po i ndalon ata të shijojnë dritat, dekorimet, pijet e ushqimet në shtëpizat e vendosura në kryeqytet.

Në fillim të sheshit muzika e vjetër angleze i shoqëron vallëzimet e vizitorëve që kanë ardhur nga qytetet e ndryshme të Kosovës dhe jo vetëm.

Studentja, Leonora Xhakoli  me një salep të ngrohtë në dorë po e shijon atmosferën e fundvitit.

“Edhe pse shumë ftohtë po ia vlen me dal këtë muaj. Angazhimet e fakultetit po na i zbut kjo kënaqësi që po e dhuron muzika dhe pijet e nxehta”, tha ajo.

Shtëpizat e vendosura në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe në  atë “Skënderbeu” janë të hapura gjatë tërë ditës deri në orët e vona të natës. Edhe vet shitësit pranojnë që po argëtohen tejmase nga ardhja e madhe e njerëzve.

Sipas tyre vera dhe çokollada e nxehtë po kërkohen më së shumti nga personat që po vijnë.

“Edhe gjatë natës së ndërrimit të moteve do punojmë madje edhe me një janar do i mbajmë të hapura shtëpizat” tha njëra shitëset.

Nën mesin e shumë njerëzve, fëmijët po e shijojnë më së shumti magjinë e këtij dimri. Mjekërbardhët  janë ata që po sjellin buzëqeshje në fytyrat e engjëjve të vegjël.

Kjo atmosferë festive po përcillet çdo natë me muzikë live nga këngëtarë dhe grupe të ndryshme muzikore.

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com