Dimal Basha: Taksat ndaj duhanit dhe alkoolit të rriten

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha në intervistën e 46 pyetjeve për KALLXO.com ka deklaruar taksat ndaj duhanit dhe alkoolit duhet të rriten, derisa ka kërkuar që taksa në bukë dhe në mallrat tjera esenciale të ulet.

Kauza që Basha thotë se do ta shtyjë nëse bëhet deputet është arsimi dhe shëndetësia.

Basha thotë se një nga amendamentet e para që ai do ta propozoj është Ligji për Zgjedhjet. Sipas tij, duhet bërë ndryshimet e nevojshme që mërgata të ketë mundësi të votoj nëpër konsullatat e Kosovës.

Tutje, ai është shprehur kundër përdorimit të qymyrit për djegie si dhe kundër ndërtimit të termocentralit të tretë më qymyr, pasi që sipas tij ka alternative tjera.

Basha është deklaruar edhe kundër përdorimit të qeseve të plastikës. Për shitjen e Telekomit, Basha ka thënë se është kundër që të shitet në gjendjen që Telekomi e ka tani.

Ai poashtu është shprehur edhe kundër privatizimit të Trepçës. Ndërsa sa i përket autostradës së Dukagjinit, Basha thotë se nuk është prioritet.

Ai është shprehur pro martesave në mes të gjinisë së njëjtë, derisa thotë se është pro bartjes së shamisë për vajzat e moshës madhore.

Basha gjithashtu ka deklaruar se është pro mbylljes së universiteteve nëpër Komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të LVV-së, Dimal Basha:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Dimal Basha: Unë mendoj që ka kauza të shumta, por mendoj që qenësorë është arsimi dhe shëndetësia. Janë shtylla kyçe, kurrizore dhe mendoj që këto dyja duhet të shtyhen paralelisht si kauza kryesore.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Dimal Basha: Unë sigurisht që jam duke kandiduar si deputet, mirëpo nëse nesër ka nevojë me i shërbye atdheut, vendit, unë jam i gatshëm me i shërbye në çdo mënyrë, unë jam i gatshëm me sakrifiku sepse për të jemi të thirrur.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Dimal Basha: Unë mendoj që mallrat luksoze duhet me iu nënshtru taksave ma të mëdha, psh si duhani, alkoolin, dy prej shembujve që po më kujtohen tash sepse edhe fiton shteti edhe në të njëjtën kohë i ndalon, por mendoj që taksat që duhet me ulë janë te buka dhe tek disa mallra tjera esenciale që s’po më kujtohen tani

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Dimal Basha: Mendoj që ka shumë por një prej shembujve është Ligji për Zgjedhjet. Unë mendoj që distriktet janë forma më e mirë, duhet dhënë mundësi diasporës me votu në konsullata si dhe ligji për reformim në arsim dhe shëndetësi.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Dimal Basha: Komuna që unë jetoj, në Ferizaj ka probleme që ballafaqohet edhe krejt vendi. Shëndetësia është problem i madh, ku s’kemi spital, kemi veç qendra të mjekësisë familjare ku gjendja është shumë e keqe, arsimi është në degradim, ka shkolla që i kanë tri ndërrime, por ka edhe një degradim urbanistik që duhet të adresohet me shtimin e inspektorëve.

 KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?

Dimal Basha: Teoria e gjasave gjithmonë ekziston, por unë qëndroj mbrapa parimeve të Lëvizjes Vetëvendosje.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Dimal Basha: Kjo është relative, unë po flas për parimet në përgjithësi. Unë dhe VV jemi në kohezion dhe nuk besoj që do të vijë deri në atë moment ku mundet me u votu ndryshe.,

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Dimal Basha: Të gjitha grupet diskriminuese. LVV qëndron për barazi dhe unë qëndroj në atë se të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë pa marrë parasysh, racën, gjininë apo religjionin.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Dimal Basha: Mendoj se ka shumë gjëra të mira që duhet bërë, Vetëvendosje e ka programin për këtë. Kemi folur për ndalimin e qeseve që është problem i madh, për energjinë që na shkakton një problem të madh. Unë jam përkrahës i madh i të gjitha politikave mjedisore dhe mendoj që duhet rritur iniciative që qytetarët të ndalojnë të përdorim qese dhe mallra tjera që dëmtojnë ambientin.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Dimal Basha: Qëndroj kundër sepse kemi zgjedhje tjera alternative.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Dimal Basha: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Dimal Basha: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Dimal Basha: Në gjendjen aktuale, kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Dimal Basha: Mendoj se nuk është prioritet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Dimal Basha: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Dimal Basha: Duhet të ndryshohet, nga tarifa në reciprocitet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Dimal Basha: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Dimal Basha: Unë jam për mbylljen e universiteteve që nuk akreditohen.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Dimal Basha: Kundër të gjitha monopoleve.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Dimal Basha: Unë jam pro.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Dimal Basha: Të gjitha vajzat që janë në moshë madhore duhet të iu lejohet e drejta e bartjes së shamisë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Dimal Basha: Mendoj se duhet të bisedohet.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Dimal Basha: Patjetër, duhet të ridizajnohet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Dimal Basha: Jam për heqje.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Dimal Basha: Vet.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Dimal Basha: Jam i papunë.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Dimal Basha: Jam i papunë dhe pasuri kam pak.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Dimal Basha: E kemi bashkë.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Dimal Basha: Sinqerisht, në Kosovë s’kam qenë ende i sëmurë.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Dimal Basha: Sigurisht se të gjithë duhet të drejtohemi në ato publike.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Dimal Basha: Në private.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Dimal Basha: Unë nuk jam i thirrur për të shti njerëz në punë, mendoj që ky mentalitet duhet të ndërroj. Momentalisht e kam shoqen të papunë.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Dimal Basha: Për momentin duhet me mbetë nën qeverisjen shtetërore.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Dimal Basha: Unë nuk kam ndonjë projekt që do ta kushtëzoj buxhetin e Kosovës por do të jem përkrahë si të gjitha politikave zhvillimore që janë në buxhet.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?

Dimal Basha: Unë mendoj që në legjislacionin në drejtësi.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Dimal Basha: Nuk mendoj se ka ndonjë numër, por do i shtroj të gjitha pyetjet që i kam.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Dimal Basha: Aq sa është e nevojshme.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Dimal Basha: Mendoj se 5 vjet, por me kusht që të hiqet akciza.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Dimal Basha: Mendoj se e kemi obligim me iniciu dëgjime publike sa herë që ka nevojë për shpjegime.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?

Dimal Basha: Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Dimal Basha: Varësisht se kush e ngrit aktakzuën dhe arsyet që janë pas saj.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Dimal Basha: Jo.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Dimal Basha: Jo më shumë se dy. Absolut jo.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Dimal Basha: Asnjëherë .

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Dimal Basha: Patjetër.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?

Dimal Basha: Mendoj se është një prej kushteve të lëvizjes, që të ketë transparencë.