Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Dilema e Turqisë: Kujt po ia mban anën Erdogani?

Blitzkrieg-u i keqkonceptuar i Vladimir Putinit në Ukrainë ka dështuar falë, para së gjithash, guximit të ushtarëve dhe civilëve ukrainas. Armët antitank të furnizuara nga Britania dhe SHBA-ja kanë luajtur gjithashtu një rol vendimtar. Megjithatë, janë dronët TB2 Bayraktar të prodhimit turk e që janë në zotërim të Ukrainës tani, ata që kanë qenë arma më befasuese efektive e luftës. Befasuese jo vetëm për shkak të fuqisë së tyre vrasëse në fushëbetejë, por pse vjehrri i shpikësit dhe prodhuesit të TB2 është vetë Rexhep Tajip Erdogan – i vetmi lider evropian që e ka përshkruar dikur veten si mik i Vladimir Putinit.

Erdogan, i cili po e mban njërën këmbë në Lindje dhe Perëndim, është shfaqur si ndërmjetësi kryesor në këtë luftë – dhe besnikëria e tij po përballet në mënyrë aktive si nga Moska ashtu edhe nga Uashingtoni. Në samitin e NATO-s të që u mbajt këtë javë, SHBA-të kërkuan  ta bindin liderin e fortë të Turqisë që t’i japë Ukrainës sistemin e mbrojtjes ajrore S400 të prodhuar nga Rusia – të blerë nga Putini në 2017-ën. Në këmbim, Turqia do të merrte raketa patriotike të SHBA-së dhe do të bëheshin përsëri pjesë e programit amerikan ‘America’s Fighter Programme F-35’ nga ku ishin përjashtuar si ndëshkim për marrëveshjen S400. Megjithëse ka të ngjarë të jetë një hap shumë larg për turqit, ideja është hedhur tashmë në Ankara nga zëvendëssekretarja e shtetit e SHBA, Uendy Sherman. Pas vitesh fërkimesh midis Erdoganit dhe aleatëve të tij të NATO-s për shumëçka, duke filluar nga lidhjet ushtarake të Turqisë me Rusinë, krizën e refugjatëve dhe Sirinë, Uashingtoni tani ka shumë nevojë ta ribashkojë familjen e NATO-s kundër Rusisë.

Deri më tani, Erdogan ka mbajtur në brez bastet e tij strategjike. Ankaraja nuk i është bashkuar sanksioneve ekonomike të udhëhequra nga Uashingtoni dhe Brukseli ndaj Putinit dhe hapësira ajrore turke mbetet e hapur për trafikun rus. Në të njëjtën kohë, megjithatë, Erdogan i është referuar Konventës së Montreux të vitit 1936 e cila i lejon Turqinë ta mbyllë Bosforin dhe Ngushticën e Dardaneleve për luftanijet ruse “në kohë lufte”, gjë që i ka lehtësuar shqetësimet e NATO-s se ku qëndron besnikëria e vërtetë e Turqisë. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu e ka përshkruar konfliktin si një “luftë” – në kundërshtim me narrativën ruse – dhe vetë Erdogan e ka quajtur pushtimin rus “të papranueshëm”.

Megjithatë përgjatë gjithë krizës Erdogan ka folur rregullisht me Putinin, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe me presidentin bjellorus, Alexander Llukashenko, gjithashtu. Zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin foli për një “rrjet besimi” me Rusinë që “duhet të mbahet absolutisht i hapur në mënyrë që diplomacia të ketë sukses”. Pavarësisht mbylljes së ngushticës, Kalin vuri në dukje se Turqia mbetet homologja e vetme e besueshme e Moskës për të biseduar me Perëndimin, sepse Putini tashmë i kishte ‘djegur urat’ me të gjithë bashkëbiseduesit e tjerë të mundshëm. Dhe ai ka të drejtë. Me Perëndimin që qëndron fort pas Zelenskit dhe Xi Jinping i Kinës që ofron mbështetje të kujdesshme diplomatike për Putinin, nuk ka mbetur askush tjetër përveç Erdoganit që të veprojë si një ndërmjetës serioz. Si rezultat, resorti jugor turk i Antalias është bërë vendtakimi kryesor midis ministrit të jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov, homologut të tij ukrainas Dmytro Kuleba dhe atij të Turqisë Cavusoglu.

Roli i ndërmjetësit – nëse Erdogan mund të mbajë aktin balancues përballë mendjengushtësisë së Putinit – është vendimtar për mbijetesën e tij politike. Vizitorët rusë janë një shtyllë e industrisë së turizmit të Turqisë, e cila para Covid-it përbënte 13 për qind të PBB-së së vendit. Pjesa më e madhe e ndërtimeve të reja në Moskë gjatë viteve të bumit të naftës që kanë përkuar me shumicën e sundimit të Putinit janë ndërtuar nga kontraktorët turq. Erdogan inkurajoi fuqimisht ndërtimin e dy tubacioneve jashtëzakonisht të shtrenjta të gazit rus nën Detin e Zi që furnizojnë 30 për qind të energjisë së Turqisë. Agjencia ruse e energjisë bërthamore Rosatom është kontraktuar për të ndërtuar katër reaktorë në Akkuyu në provincën Mersin, i pari prej të cilëve do të aktivizohet vitin e ardhshëm. Ekziston edhe një kopje/replike e përmasave të një gjysmë Katedrale të Shën Vasilit të Sheshit të Kuq në një vendpushim në Antalia.

Ndryshe nga Putini, Erdogani duhet të përballet me zgjedhje reale, të kontestuara vitin e ardhshëm. Për t’i fituar ato, ai duhet shmangur një ekonomi në rënie. Rënia prej 40 për qind e vlerës së rublës ruse pas sanksioneve shkatërruese do ta godasë rëndë Turqinë, në të gjithë sektorët turistikë, kolapsin e industrisë ruse të ndërtimit dhe aftësinë e saj për të blerë prodhime bujqësore. Të ardhurat dhe kursimet e turqve të zakonshëm tashmë janë përbirë nga inflacioni prej 38 për qind këtë vit. Kjo do të përkeqësohet nëse dhe kur çmimet botërore të energjisë rriten. Erdogan thjesht nuk mund ta përballojë, në kuptimin më të mirëfilltë, të bëhet armik i Putinit.

Në aspektin e temperamentit dhe ideologjisë, gjithashtu, Erdogan dhe Putin janë burra shumë të ngjashëm që duhet të jenë miqtë më të mirë. Të dy e kanë mbajtur pushtetin për dy dekada duke i bërë presion medias së lirë, duke i thyer biznesmenët oligarkë që i kundërshtonin, duke burgosur mijëra kundërshtarë politikë dhe duke përdorur media të dëgjuara për ta ndërtuar një kult personaliteti. Të dy kanë komplekse të thella për perandoritë e humbura të kombeve të tyre dhe të dy e përdorin historinë perandorake si justifikim për politikën e tyre të jashtme. Hegjemonia e Uashingtonit është një mashtrues i tyre i zakonshëm dhe ata ndajnë teori paranojake rreth kapitalizmit perëndimor dhe agjentëve të huaj që përpiqen ta minojnë sundimin e tyre.

Pavarësisht nga të gjitha dallgët strategjike të mëposhtme që i përbashkojnë dy autokratët e krahut lindor të Evropës, Erdogan sot gjendet në një mëdyshje sepse Putini nuk ka arritur ta bëjë atë një aleat të vërtetë. Mospajtimi i parë i madh ishte aneksimi i Krimesë nga Putini në vitin 2014, e cila ka një popullsi të konsiderueshme tatare të Krimesë në të cilën Erdogan kishte një interes pronësor etno-nacionalist. Erdogan e dënoi ashpër ‘pushtimin’ dhe e kritikoi Putinin për shkeljen e të drejtave të tatarëve. Më pas erdhi Siria, ku Kremlini dërgoi një skuadron strategjikisht vendimtar avionësh luftarakë në vitin 2015. Putini ndihej i lumtur t’i ndihmonte forcat e Bashar al-Asadit duke i luftuar forcat kurde të mbështetura nga SHBA-të – armiq të përhershëm të shtetit turk. Por më pas aeroplanët rusë bombarduan forcat siriane turkmene aleate me Ankaranë dhe në shkurt të vitit 2020 goditën një kolonë ushtarësh turq pranë fshatit Balyun në Idlibin jugor. Një vit më vonë, avionët rusë bombarduan zonat nën kontrollin e fraksioneve të Ushtrisë Kombëtare aleate turke rreth Afrinit, pak para një samiti të ftohtë midis Putinit dhe Erdoganit në Soçi, Rusi.

Ndërkohë qëa Moska dhe Ankaraja shkëmbenin akuza të ndërsjella për të drejtat e tatarëve dhe bombardimet siriane, biznesmenët turq krijuan  lidhje me Ukrainën. Për fatin më të madh, një 42-vjeçar i diplomuar për inxhinieri në MIT, Selcuk Bayraktar – i cili është i martuar me vajzën më të vogël të Erdoganit – i shiti qeverisë së Kievit dhjetëra avionë TB2 të kompanisë së tij. Dronët me helikë janë relativisht të lirë (me 1 milion dollarë, janë 40 herë më të lirë se një American Reaper), qëndrojnë në ajër për 24 orë dhe fluturojnë ulët dhe ngadalë me 70 nyje, një avantazh operacional. Operatorët e aftë ukrainas i kanë përdorur Bayraktarët e tyre me efekt shkatërrues kundër ushtrisë ruse. Dhe vetëm disa ditë para pushtimit rus, Erdogan nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Ukrainën.

Erdogan ka nevojë për Perëndimin po aq sa ka nevojë për Rusinë. Për dekada ai është përpjekur ta bëjë Turqinë një qendër energjie midis Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore, Rusisë dhe Evropës Jugore. Së fundmi ai ka inkurajuar izraelitët për një tubacion që lidh rezervat e tyre të konsiderueshme në det me Turqinë jugore. Sipas zyrtarëve izraelitë, Turqia është bërë ‘shumë bashkëpunuese’ me Jerusalemin për çështjet e sigurisë. Së fundmi, inteligjenca turke e pengoi një atentat iranian për vrasjen e një biznesmeni izraelit, Yair Geller, dhe ka goditur një organizatë të fshehtë iraniane që krijonte “komplote rrëmbimi” kundër disidentëve iranianë në Turqi.

Ndryshe nga Putini, i cili ka arritur ta tjetërsojë rrënjësisht pothuajse çdo fqinj dhe ish-aleat sovjetik, me përjashtim të Bjellorusisë dhe Sirisë, Erdogan ka dëshmuar një mjeshtëri të së kaluarës për t’i futur në lojë  miqtë e tij kundër njëri-tjetrit. Dhe në javët e fundit akti delikat balancues i Erdoganit midis Uashingtonit, Moskës dhe Kievit ka dhënë rezultat – jo vetëm për Turqinë, por edhe për Rusinë. Putini po kërkon një zgjidhje urgjente për ta shpëtuar fytyrën – dhe është armiku i tij i vjetër turk që mund ta sigurojë një gjë të tillë.

Në vend të një progresi të planifikuar e të stuhishëm ushtarak, forcat e Putinit janë bllokuar, duke rezultuar në braktisjen e objektivit të tij strategjik të supozuar për ta rrëzaur qeverinë e  Kievit dhe për ta gjymtuar shtetin ukrainas. Sa p;r krahasim, kërkesat e Kremlinit në takimin e fundit të Antalias ishin jashtëzakonisht modeste – vendimi që Ukraina të mos  pranoj  t’i bashkohet NATO-s, duke u dakorduar me kufizimin e ushtrisë e saj dhe duke bërë koncesion për disa territore në lindje. Megjithëse këto kërkesa do të jenë të dhimbshme, një marrëveshje armëpushimi u shkon për shtati gjithashtu ukrainasve. Pavarësisht nga një rezistencë heroike, ata nuk mund të shpresojnë ta fitojnë një luftë kundër forcave superiore ruse. Opsioni i tyre më i mirë është të mos humbasin – dhe ta imponojnë një ngërç të përgjakshëm në Moskë.

Ekziston një arsye tjetër urgjente që Erdogan ta zgjidhë krizën e Ukrainës: refugjatët. Dhjetëra mijëra rusë të klasës së mesme janë shkapërderdhur në Stamboll dhe Antalia përgjatë javëve pas pushtimit të Ukrainës nga Putini, disa duke ikur nga arrestimet dhe persekutimet, por shumica kanë shpëtuar nga kolapsi ekonomik. Turqia është një nga vendet shumë të pakta në të cilat rusët mund të udhëtojnë pa viza – dhe një nga destinacionet e pakta që ende fluturojnë për në Moskë. Nuk janë rusët e rinj të bardhë të arsimuar dhe relativisht të begatë që e shqetësojnë Turqinë, por perspektiva e dyndjeve të refugjatëve nga Lindja e Mesme. Rusia dhe Ukraina janë të dyja eksportuesit kryesorë të grurit në rajon dhe në botë. Lufta kërcënon ta prishë atë furnizim jetik të ushqimit, duke shkaktuar rritjen e çmimeve dhe nxitjen e një vale të re emigracioni për shkak të urisë nga Iraku dhe Siria.

Me pak fjalë, Erdogan po i ngutet shumë për ta rregulluar konfliktin midis dy prej partnerëve të tij më të rëndësishëm tregtarë – ndoshta më shumë po i ngutet për shijen e Uashingtonit. Presidenti i SHBA Joe Biden, së bashku me shumicën e anëtarëve kryesorë të NATO-s, nuk mund të lejojnë që Putini të dalë si një fitimtar këtë luftë. Shumë diplomatë perëndimorë kanë folur në heshtje se ndryshimi i regjimit është mënyra e vetme për t’i normalizuar marrëdhëniet me Rusinë.

Për miqtë e Putinit, të tillë si Xi dhe Erdogan, nga ana tjetër, Putini është një kuantitet i mirënjohur – dhe investimi i tyre politik dhe ekonomik në Rusi do të prishej rëndë nga çdo gjë si një kolaps kaotik i regjimit të tij. Me Zelenskyn që tashmë e ka pranuar efektivisht se anëtarësimi ukrainas në NATO është jashtë tavolinës së bisedimeve, Erdogan do ta mbështesë një zgjidhje që do t’i shpëtojë fytyrën Putinit. Kjo do ta vendosë atë në një kurs përplasjeje me aleatët e tij të NATO-s dhe potencialisht do të shkaktojë probleme me miqtë e tij të rinj në Izrael. Por ky është një debat për të ardhmen. Për momentin, Ukraina, po aq shpesh si në konfliktin shekullor midis perandorive osmane dhe ruse dhe Fuqive të Mëdha të vjetra të Evropës, e gjen veten të kapur në një lojë strategjike të froneve, fjala e së cilës nuk qon shumë peshë./The Spectator

Owen Matthews shkruan për Rusinë për The Spectator dhe është autor i Red Traitor

 

Përgatiti: Nuhi Shala