Diaspora shqiptare në Stamboll po i kthehet rrënjëve

Komuniteti i madh me etni shqiptare në Turqi po shkrihet gjithnjë e më shumë në diçka të pranueshme dhe po humbet identitetin e saj – megjithatë janë disa që po i rezistojnë këtij trendi.

Në videoklipin për pop baladën dygjuhëshe 2020 të këngëtares Shyhrete Behluli “Jam Shqiptar/Ben Arnavutum” (“Unë jam shqiptar”), ylli i popit turk Sinan Akçil rri ulur në një monument të përbërë me simbole kombëtare shqiptare, boshnjake dhe turke në lagjen Bayrampaşa të Stambollit. Atje, në qendër të komunitetit shqiptar në Turqi, Akçil i vajton një gjendjeje e cila është e zakonshme për një gjeneratë të re të turqve që janë pjesë e trashëgimisë shqiptare: “Unë jam shqiptar por/nuk mund të flas shqip/[gjuha] është në zemrën time por jo në gjuhën time ”.

Kënga ka të bëjë me identitetin e fortë kulturor të shumë shqiptarëve të lindur në Turqi, ndërsa teksti shqip i Shyhrete Behlulit ringjall në kujtesë tri valët e migrimeve shqiptare drejt Turqisë në shekullin e 20-të, të cilat ndanë shumë familje nga njëra tjetra.

Për dekada të tëra, shqiptarët në Turqi, si dhe komunitetet e tjera jo-turke, u detyruan që publikisht ta shndërronin në heshtje identitetin e tyre në një turqizëm homogjen. Mirëpo, përgjatë 20 viteve të fundit, janë një numër faktorësh të cilët kanë rezultuar në një rritje të përqafimit dhe festimit të trashëgimisë shqiptare në Turqi, si dhe përpjekje të përbashkëta për t’u rilidhur me kulturën, gjuhën dhe tokat që paraardhësit e tyre emigrantë i lanë pas, 50 deri në 110 vjet më parë.

Foto familjare e Bitiş nga viti 1966 kur kjo familje e vizitoi Kosovën si turistë, dy vjet pasi hoqën dorë nga shtetësia jugosllave dhe migruan në Turqi. Foto:  Kamil Bitiş

Një rezultat i kësaj tendence ishte hapja në Bayrampaşa në vitin 2013 të Qendrës së parë Kulturore të Kosovës atje. Me fonde të përbashkëta nga komuna lokale, misioni i Qendrës Kulturore të Kosovës është rritja e kontakteve të ndërsjella kulturore midis Kosovës dhe Turqisë dhe, njëkohësisht,  promovimi i kulturës kosovare dhe asaj shqiptare.

Nëse Akçil ka dëshirë të mësojë shqip, ai do të ishte mëse i mirëpritur t’i bashkohej orëve të mësimit gjatë natës të cilat ofrohen falas nga Kamil Bitiş, drejtor i pasionuar i kësaj qendre dhe punonjësi i vetëm i saj. Orët e mësimit shqip reflektojnë një interes të vogël, porse në rritje për mësimin e gjuhës shqipe në Stamboll. Orët e mësimit janë ofruar prej kohësh në një numër shoqatash kulturore shqiptare dhe për pesë vitet e fundit në Universitetin Teknik të Yildiz po ashtu.

Sipas Bitiş, i cili që nga fillimi i viteve 1990 ka qenë i përfshirë në aktivizmin shqiptar në Turqi, interesi për orët e mësimit shqip shënoi rritje pas luftës për pavarësinë e Kosovës në vitin 1999. Megjithëse shqiptarët e Turqisë i kushtuan vëmendje të madhe shtëpisë së tyre stërgjyshore në ish Jugosllavi gjatë viteve 1990, dhuna dhe kushtet e paqëndrueshme i parandaluan shumë prej tyre për ta vizituar Kosovën, duke e bërë gjuhën shqipe të kufizuar në përdorim praktik. “Mirëpo, pas luftës, njerëzit filluan të vizitojnë Kosovën më shpesh,” deklaroi Bitiş dhe komunikimi me të afërmit kërkonte riinvestim në aftësitë e gjuhës shqipe.

Praktikisht të gjithë nxënësit e Bitiş janë pjesë e, të paktën, trashëgimisë së pjesshme shqiptare, por siç tha ai për BIRN pak para pandemisë COVID, “ne kemi çdo moshë dhe çdo aftësi gjuhësore në klasat tona. Për shembull, gjatë orëve mësimore të natës së mbrëmshme, kemi pasur një nxënës të shkollës fillore dhe një dentist 77 vjeçar në pension i cili ka lindur në Tetovë [në Maqedoninë e Veriut]. Ne kemi 17-vjeçarë dhe 73-vjeçarë – njerëz të çdo moshe.”

I lindur në Turqi, por akoma ndjehet Shqiptar 

Ceren Çelik ka qenë një nga studentet e pakta të qendrës në fjalë duke mos qene e lidhur me trashëgiminë shqiptare. Me origjinë nga Antalia, një qytet në jug të Turqisë, ajo po studionte në Stamboll ndërkohë që  po përgatitej të bashkohej me prindërit dhe vëllain e saj në Kosovë, ku ishin zhvendosur disa vjet më parë për të hapur një biznes bizhuterish.

Tani me klientët dhe miqtë e saj në qytetet e Kosovës në Suharekë dhe Prizren ajo flet shqip me plot vetëbesim, por ajo kishte filluar me mësimet e gjuhës, “Nuk dija asgjë për Kosovën ose Shqipërinë”, tha ajo dhe fillimisht ishte e hutuar nga shokët e saj të klasës.

“Të gjithë janë si turqit, kanë lindur në Turqi, por në të vërtetë janë të gjithë shqiptarë,” tha Çelik, duke i përshkruar shokët e saj të shkollës. “Unë jam e sigurt se ata madje e duan [themeluesin e republikës turke] Ataturkun më shumë se unë, por ata ndihen shqiptarë dhe duan të vizitojnë familjen e tyre në Kosovë dhe Maqedoni dhe të informohen aq shumë për historinë e tyre.”

Ashtu sikurse Çelik, shumica e studentëve më të rinj po mësojnë shqip për herë të parë, por aftësitë gjuhësore në klasat e Bitiş përfshijnë një gamë të gjerë të gjërave tjera. Shumë prej tyre  janë sikurse dentisti në pension, i cili u transferua në Turqi nga Tetova si i ri. Ai flet shqip rrjedhshëm, por përdor një dialekt rajonal të gjeneratës së prindërve të tij dhe dëshiron të praktikojë shqipen standarde. “Disa studentë dinë shqip, por fjalori i tyre është shumë i mangët”, tha Bitiş. “Ndoshta ata flisnin shqip si fëmijë, por tani dinë vetëm 500 fjalë, ose dinë vetëm fjalë që lidhen me ushqimin ose fenë. Ndonjëherë ata e dinë mirë shqipen, por ajo shqipe e tyre është plot me terma maqedonas dhe serbë ”.

Një pjesë e nevojës për kurse të gjuhës shqipe vjen nga fakti se shumë prej atyre që kanë lindur në trojet shqipfolëse po vdesin tashmë. “Për nxënësit e moshuar, me kalimin e kohës dhe miqtë me të cilët ata erdhën në Turqi së bashku po vdesin, aftësitë e tyre në shqip po zvogëlohen”, tha Bitiş. Gjithnjë e më shumë, gjeneratat e reja nuk e kanë askë nëpër familjet e tyre për të folur shqip.

Ishte kjo tendencë që doli të jetë motiv për një grup shqiptarësh në lagjen Stamboll të Merdivenköy për të themeluar një shoqatë të re kulturore shqiptare tre vjet më parë.

Siç tha një burrë shqiptar me origjinë turke në shoqatë: “Ne kemi folur [shqip] me prindërit tanë, por nuk kishte asnjë nevojë ose mundësi tjetër për ta zhvilluar më tej gjuhën tonë. Megjithatë, kemi gabuar duke mos folur shqip me fëmijët tanë. ”

Pothuajse çdo shqiptar në Merdivenköy i ka rrënjët nga Kaçaniku i Kosovës dhe fshatrat përreth tij. Familjet e tyre erdhën në Turqi në vitet 1930 dhe në fund të viteve 1950. Kur shqiptarët migruan në Turqi, shumë prej tyre rindërtuan fshatin apo i zgjeruan rrjetet e tyre familjare në kryeqytet. Ashtu siç janë shqiptarët e Merdivenköy pothuajse tërësisht Kaçanikli, edhe shqiptarët nga Shkupi janë përqendruar në Bayrampaşa, ndërkohë që shqiptarët që jetojnë në lagjen Küçükçekmece të Stambollit janë në mënyrë proporcionale të ardhur nga Peja dhe Kumanova.

Ndërkohë që në të kaluarën një rrugë e tërë e Stambollit mund të përbëhej nga shqiptarë të një fshati të vetëm, ndryshimi i dinamikës urbane, asimilimi, martesa me jo-shqiptarë si dhe vdekja e gjeneratës së vjetër, i ka dhënë fund këtyre hapësirave të dendura, shqipfolëse. Në vend të kësaj, shqiptarët po krijojnë hapësira të reja përmes aktiviteteve dhe orëve të mësimit shqip përmes shoqatave kulturore.

Presidenti i shoqatës Merdivenköy, Ziya Şenkardeş, thotë: “Ne kemi një grup nxënësish që përbëhet nga njerëz të gjeneratave të reja deri në moshën 65 vjeç. Është diçka e mirë për 65-vjeçarët të vijnë dhe të mësojnë, por ne, posaçërisht, hapim klasa mësimi në mënyrë që të rinjtë të mund të mësojnë “.

Për të dhënë orë mësimi në shqip, ata kanë punësuar Kremtim Krasniqin, instruktor teatri dhe aktor nga Kosova si dhe banor prej disa vitesh në Stamboll. Megjithëse kjo punë nuk kishte të bënte me profesionin e tij, Krasniqi pranoi të punonte me këtë shoqatë “sepse pashë se sa shumë këta njerëz donin ta zhvillonin shqipen e tyre dhe ti ruanin lidhjet e tyre me Kosovën”, tha ai.

Siç edhe e tha për BIRN një burrë nga kjo shoqatë: “Ne ndihemi si shqiptarë të cilët kemi rastisë të jemi edhe shtetas turq. Familjarët tanë janë në Kosovë, zemrat tona, shpirtrat tanë janë atje, ne jemi këtu [në Turqi] vetëm me trup.”

Valë emigrimesh që datojnë me shekuj

Lagjja e Arnautköy në Stamboll (“Fshati Shqiptar” në turqisht) e mori emrin e saj qysh në shekullin e 15-të, një nga shumë treguesit që shqiptarët kanë jetuar në Anadoll për shekuj me radhë. Gjatë asaj kohe ata luajtën një rol vendimtar në Perandorinë Osmane dhe disa nga figurat më të rëndësishme historike Osmane ishin me prejardhje shqiptare.

Shumë shqiptarë gjithashtu luajtën role kryesore në krijimin e republikës moderne turke. Autori i himnit kombëtar të Turqisë ishte djali i një shqiptari nga regjioni i Pejës në Kosovë. Historitë kombëtare shqiptare dhe turke i ndajnë disa intelektualë të përbashkët, të tillë si Sami Frashëri.

I lindur në Shqipërinë e Jugut, Frashëri ishte një intelektual shqiptar Osman, i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Stamboll, dhe vdiq atje në vitin 1904. Për shqiptarët, ai është intelektuali kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare i fundshekullit të 19-të, ndërsa për Turqit, të cilët e njohin atë si Şemseddin Sami, ai ishte një aktivist i hershëm dhe i rëndësishëm për reformat në gjuhën turke.

Mirëpo, shqiptarët e epokës osmane u asimiluan me shumicë në kulturën mbizotëruese përgjatë gjeneratave të tëra dhe sot janë të paktë ata shqiptarë të Turqisë të cilët e kanë mundësinë ta gjurmojnë historinë e tyre para shekullit të 20-të. Ata e gjurmojnë ardhjen e tyre në Turqi në tri valë të mëdha migrimi përgjatë shekullit të 20-të: në vitin 1912, në periudhën mes dy luftërave botërore dhe prej mesit të viteve 1950 deri në fund të viteve 1960.

Shqiptarët pretendojnë se ka të paktën 5 milion shqiptarë etnikë që jetojnë në Turqi. Megjithëse numri i turqve me prejardhje shqiptare është më i madh, numër ky për të cilët identiteti shqiptar luan një rol domethënës në jetën e tyre,  është shumë më i vogël se aq.

Historia familjare e drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës, Kamil Bitiş, është tregues i qartë i këtyre valëve historike të migrimit.

Bitiş ka lindur në vitin 1959 si Kamil Bytyqi në fshatin Sllovi të komunës së Lipjanit në Kosovë dhe erdhi në Turqi në vitin 1964 në moshën pesëvjeçare kur gjyshi i tij bashkë me 16 anëtarë të familjes u zhvendosën në Stamboll.

Kur u larguan nga Kosova dhe Jugosllavia, vende këto për të cilat ata supozuan se nuk do t’i shihnin më kurrë, zyrtarët serbë – Kosova atëherë ishte provincë e Serbisë – regjistruan mbiemrin e tyre si Bitiç. Me të arritur në Turqi, ata u detyruan ta turqizojnë emrin e tyre. Në shenjë mirënjohjeje që iu dha strehim, shumë të sapoardhur shqiptarë zgjodhën mbiemra simbolikisht turq pa asnjë lidhje me mbiemrat e tyre shqiptar, të tilla si “Öztürk”, që do të thotë “Krye turk”. Mirëpo gjyshi i Bitişit e donte një mbiemër turk që i kujtonte familjes së tij të kaluarën e tyre shqiptare, andaj mbiemri Bytyqi u shëndrrua nën Bitiş.

“Kur erdhëm gjyshi im pyeti se ku jetojnë shqiptarët”, tha Bitiş. “Ata ishin këtu në Bayrampaşa, kështu që edhe ne u vendosëm dhe kemi qëndruar këtu për 55 vjet.” Brenda disa vitesh nga ardhja jonë, dhjetëra anëtarë të familjes së gjerë kanë jetuar pranë njëri-tjetrit në Bayrampaşa.

Shumë shpejt Bitiş e mësoi gjuhën turke në rrugë dhe shkollë, mirëpo në rrethin e tij ku jetonte ishin të shumtë ata që flisnin shqip. “Në të kaluarën të gjithë fqinjët tanë ishin shqiptarë, krejt familja jonë ishim bashkë,” tha Bitiş, ” andaj, për shembull, nëna ime e cila është në mes të viteve ’80, ende sot nuk është në gjendje të flasë mirë turqisht.”

Babai i Bitişit, si shumë burra shqiptarë, gjeti punë në ndërtimtari, ku punoi së bashku me boshnjakët, Torbeshët, Goranët dhe turqit etnikë ballkanas, të cilët kishin migruar në Turqi në të njëjtën kohë me shqiptarët.

Pse kaq shumë shqiptarë dhe myslimanë nga Ballkani emigruan në Turqi ndër vite? Për familjen e Bitişit, qëllimi ishte të shpëtonin nga shtypja serbe. Gjyshi i Bitişit e kishte dëshmuar vrasjen e babait dhe xhaxhait të tij nga ushtria serbe në vitin 1912 kur Serbia e pushtoi Kosovën nga Perandoria Osmane në rënie atëbotë.

Ai pastaj iku në Turqi në vitet 1920 për ta evituar rekrutimin ushtarak në ushtrinë Jugosllave, por u kthye në Kosovë pas disa vitesh. Në mjedisin antishqiptar të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore, gjyshi i Bitişit kishte një parandjenjë. “Gjyshi dhe babai im kishin frikë se çfarë do të ndodhte, nëse do të kishte një masakër tjetër nga serbët. Nga frika, kemi ardhur këtu në Turqi,” deklaroi Bitiş.

Këto frikëra u konfirmuan shumë qartë në vitin 1999. Në mesin e muajit prill të vitit 1999, policia dhe paramilitarët serbë u futën në fshatin familjar të Bitişit, Sllovi, ku dogjën dhe plaçkitën shtëpitë dhe masakruan 35 njerëz. Nga 16 viktimat, eshtrat e të cilave u zbuluan më vonë në bazën ushtarake Batajnica pranë Beogradit, tre prej tyre ishn me mbiemrin Bytyqi.

Shqiptarët në Turqi u mobilizuan politikisht në vitet 1990, duke lobuar tek qeveria turke për të mbështetur shqiptarët në Kosovë si dhe bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë. Në vitet 1990, Bitiş ndihmoi në sjelljen e një numri udhëheqësish shqiptarë të Kosovës në Turqi, të tillë si Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani, për t’u koordinuar me shqiptarët atje dhe për të siguruar një takim me qeverinë turke.

Pasi shpërtheu lufta në shkallë të gjerë në vitet 1998 dhe 1999, shumë shqiptarë të Kosovës gjetën strehë në Bayrampaşa dhe Turqi, shumë sosh tek të afërmit e tyre atje.

Historia familjare e Bitiş nuk është vetëm tregues i migrimit të shqiptarëve në Turqi, por edhe e sfidave në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe jashtë atdheut. Gruaja e Bitişit është një shqiptare, familja e së cilës kishte ardhur në Turqi në vitin 1912 dhe e ka ruajtur gjuhën shqipe për gjenerata të tëra sepse ishin vendosur në një fshat që ishte pothuajse tërësisht shqiptar. Ndonëse fëmijët e Bitiş flasin shqip, të gjithë ata janë të martuar me turq jo-shqiptarë. “Kjo do të thotë se nipërit dhe mbesat e mia janë fëmijë shqiptarë që nuk e dinë shqip  dhe ndoshta nuk do ta marrin vesh asnjëherë një gjë të tillë,” tha Bitiş. Por Bitiş e sheh këtë asimilim si të natyrshëm dhe pothuajse të pashmangshëm. Sidoqoftë, si shumë shqiptarë në Turqi, edhe ai është i pasionuar me përhapjen dhe ndarjen e kulturës së tij sa më shumë e më gjerë të jetë e mundur.

Për këtë qëllim, këtyre ditëve ai nuk kërkon para prej atyre që dëshirojnë ta mësojnë gjuhën shqipe. “Disa pëlqejnë të shkojnë në ndeshje futbolli,” tha Bitiş, “dhe të tjerët pëlqejnë ta shikojnë televizorin apo të udhëtojnë.” Mirëpo, hobi i Bitişit është ndryshe: “Nëse jam në gjendje t’ua mësoj qoftë edhe një fjalë të vetme shqip një ose dy njerëzve, atëherë unë ndihem i lumtur.”

Ky artikull është publikuar në balkaninsight dhe mund të gjeni edhe në linkun e mëposhtëm.

Përktheu: Nuhi Shala

Istanbul’s Albanian Diaspora Reconnect With Their Roots