Dialogu Pas Implementimit të Marrëveshjeve

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendësministrat Behgjet Pacolli, Hajredin Kuçi, Sllobodan Petroviq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka pasur sot një takim të veçantë me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.

Pas takimit në një konferencë shtypi, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se OKB-ja nuk mund të marrë pjesë në dialogun teknik që ka filluar tash e dy vjet me Serbinë. “Paraprakisht duhet të ndodh implementimi i marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel dhe pastaj të shikohen mundësitë e vazhdimit të dialogut teknik për fqinjësi dhe normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.

Vizitën e Banit në Kosovë, ai e ka vlerësuar si takim miqësor, produktiv dhe shumë të rëndësishëm.

“Është një vizitë jashtëzakonisht e rëndësishëm dhe historike për Republikën e Kosovës, është vizita e parë që ndodh prej një sekretari të Përgjithshëm të OKB-së në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Është një mesazh i mbështetjes së progresit të Kosovës”.

Sipas kryeministrit Thaçi, Ban Ki-moon e njeh realitetin në Kosovë dhe respekton, vlerëson dhe mbështet aspiratat e qytetarëve të Kosovës, të cilat janë e ardhmja evropiane, anëtarësimi në NATO, Bashkimin Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Më tutje, ai deklaroi se Kosova si shtet po konsolidohet dhe forcohet çdo ditë. Po ndërtojmë Kosovën e re, demokratike, atdhe të gjithë qytetarëve të saj. Ai u shpreh se Kosova është e njohur prej gjysmës së anëtarëve të OKB-së.

“E informova Sekretarin e Përgjithshëm për të gjitha të arriturat në Kosovë edhe procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, për hapat e mëtutjeshme që do të ndërmarrim, për ndryshimet kushtetuese që do të ndodhin në fund të gushtit apo fillim të shtatorit, për gatishmërinë e Kosovës për fqinjësi të mirë me të gjithë duke përfshirë edhe Serbinë që është parakusht i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë si dhe për integrim në NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi, në konferencën me gazetarë.