Takimi i 04.05.2022 | Foto: Mirosllav Lajcak

Dialogu 'i ngulfatur', zgjidhja e çështjeve të veriut vetëm në tavolinën e Brukselit

Edhe pse zbatimi i marrëveshjeve të dala nga dialogu Kosovë-Serbi po çalon në vitet e fundit, gjatë këtij viti Kosovës i është kërkuar pesë herë që pesë çështje të ndryshme (vendime të autoriteteve kosovare) të zgjidhen vetëm përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dialog i lehtësuar nga Bashkimi Europian.

Secili veprim që është ndërmarrë në veri të vendi, është pasuar me reagime të faktorit ndërkombëtar, duke i quajtur veprimet e Kosovës veprime të njëanshme, të pakoordinuara dhe që bien ndesh me dialogun Kosovë-Serbi.

Viti filloi me kërkesën që çështja e ndalimit të dinarit për transaksionet në Kosovë të fillojë të zgjidhet përmes dialogut. E kërkesa e fundit për zgjidhjen në tavolinën e negociatave të ndërmjetësuara nga BE është për degët e Postës së Serbisë, të cilat autoritetet e Kosovës i mbyllën në javën e parë të gushtit.

Mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit

Disa orë pas aksionit të Policisë së Kosovës, gjatë të cilit në katër komuna në veri të vendit u mbyllën nëntë pika të Postës së Serbisë, reagoi Bashkimi Europian me frazën e zakonshme “I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

BE-ja është shprehur e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut dhe pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.

Këto pika të Postës së Serbisë, sipas Policisë, vepronin në mënyrë ilegale dhe se ky aksion bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.

BE-ja u shpreh e zhgënjyer duke thënë që këto “veprime shkelin marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se aksioni i autoriteteve kosovare si rezultat i të cilit u mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, çon në tensione të reja.

“Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, veprime të pakoordinuara. Ky nuk është shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Një gjë e tillë duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë” – tha Stano në një konferencë për media më 06.08.2024.

Edhe SHBA i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”- deklaroi Ambasada amerikane në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh kryenegociator në dialogun me Serbinë, ka thënë se dialogu në Bruksel do duhej të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes bazike dhe aneksit implementues të Ohrit.

Sipas tij, në vend të këtyre, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale.

“Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”- ka shkruar Bislimi në Facebook më 06.08.2024.

Hapja e Urës së Ibrit

Synimi i autoriteteve të Kosovës për ta hapur për qarkullim edhe të automjeteve Urën e Ibrit në Mitrovicë ka përplasur sërish autoritetet kosovare me përfaqësuesit e vendeve perëndimore.

“Hapja e urës i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin” – tha kryeministri Albin Kurti më 18.07.2024, një ditë pas takimit që mbajti me ambasadorët e QUINT-it për këtë çështje.

Lidhur me veprimet për hapjen e Urës, misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se herët në mëngjes, më 06.08.2024, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Megjithatë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, tha që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog.

“Diskutimet janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë”- tha Stano për KALLXO.com më 23.07.2024.

BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.

“Të gjitha marrëveshjet e Dialogut, duke përfshirë edhe Urën, duhet të zbatohen plotësisht”- shtoi ai.

Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës, aktualisht”- ka thënë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, më 02.08.2024 pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Më 01.08.2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratës të Bashkimit Europian, i cili tha se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Osmani tha se çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë.

Sipas presidentes, një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në Kosovë.

Më 31.05.2024, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.

Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikadat si kundërshtim ndaj autoriteteve të Kosovës.

Ndërsa dy vite më pas, më 2013, më saktësisht duke u bazuar në ligje të Kosovës, u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe me pemë. Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi që u largua në vitin 2015.

E derisa ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve, karabinierët qëndrojnë në të dy anët e saj të “përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt”.

Mbyllja e zyrave të Bankës së Kursimeve Postare Serbe

Më 20.05.2024, Policia e Kosovës dhe Administrata Tatimore mbyllën gjashtë njësi të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës.

Ky veprim i autoriteteve kosovare u cilësua si i pakoordinuar dhe se mund t’i përshkallëzojë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Si rezultat i një aksioni të Policisë së Kosovë u konfiskuan prova të ndryshme materiale, siç janë: rreth 1.6 milionë euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga dhe mbi 13 mijë dollarë amerikanë.

Edhe këto veprime, Bashkimi Europian i quajti të pakoordinuara dhe që vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit.

BE u shpreh se mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe cenon Kosovën.

Statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, sipas Stanos, është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”- shkruante në reagim, duke i kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga BE-ja.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Kallxo.com që janë të zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të tilla në zyrat financiare në veri të Kosovës me udhëzim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet” – thuhet në përgjigjen e DASH-it.

Ky “aksion i pakoordinuar”, sipas zëdhënësit të DASH-it, minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla kishte thënë se ky aksion është zhvilluar me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit.

Sipas tij, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi për të cilin janë zotuar në vazhdimësi.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”- shkroi Sveçla në Facebook më 20.05.2024.

Policia kishte bërë të ditur se në objektet e këtyre njësive janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre.

Mbyllja e institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë

Më 27.01.2024, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë në aksionin e mbylljes së katër komunave paralele serbe në jug të Kosovës.

Këto komuna, sipas autoriteteve kosovare, që nga paslufta po vepronin jashtëligjshëm në jug të Kosovës në qarkun e Dragashit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se komunat paralele u mbyllën në fshatin Vranisht në Dragash, ku ato vepronin në një objekt të përbashkët dhe lëshonin dokumente të jashtëligjshme për qytetarët serbë të komunave Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Dragash.

Bashkimi Europian kishte reaguar duke u shprehur se komunat ilegale serbe që u mbyllën nga autoritetet në Kosovë, nuk do duhej të mbylleshin në këtë moment, pasi sipas tyre, kufizon qasjen e komunitetit serb në shërbimet themelore sociale.

BE-ja ka thënë se Kosova duhet të shmangë veprimet e njëanshme “që mund të rrisin tensionet në vend”.

Përmes një komunikate për media, BE tha se ka përcjellë me shqetësim të madh operacionet e Policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, si dhe objektin e organizatës joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.

“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment” – thuhet në reagimin e Bashkimit Europian.

BE-ja ka thënë se statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialog, në lidhje me themelimin e Asocioacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

“Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja” – thuhet në reagimin e Bashkimit Europian.

Rregullorja për dinarin

Më 01.02.2024, ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë euro.

Një gjë e tillë nxiti tensione në veri dhe reagime të shumta nga faktori ndërkombëtar.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka kërkuar që Kosova “të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja’”– kishte thënë Stano.

BQK kishte sqaruar se “valutat e tjera jo euro në Kosovë mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Pavarësisht takimeve, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, – takime që mbahen nga kryenegociatorët e të dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel.

Çështja e dinarit kishte nxitur mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Dialogu Kosovë-Serbi

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.

Edhe pse janë nënshkruar marrëveshje, shumica prej tyre nuk janë zbatuar.

Marrëveshja e fundit e nënshkruar është ajo e vitit 2023, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe ajo ka mbetur e pazbatuar.