FOTO - Atdhe Mulla

Dialogu e vizat, dhjetëra vizita të zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë në 10 ditë

Në 10 ditët e fundit, krerët e institucioneve të Kosovës kanë pritur dhjetëra përfaqësues ndërkombëtarë të vendeve të ndryshme, përfshirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët bënë thirrje mes tjerash, për gjetje të zgjidhjeve në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, që do të çonin drejt marrëveshjes përfundimtare mes të dyja vendeve.

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe liberalizmi i vizave, janë temat kyçe që u diskutuan në këto gjatë dhjetë ditëve të fundit.

Në fokus të disa prej këtyre vizitave ka qenë edhe çështja e targave, pak ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e automjeteve nga targat ilegale, në ato të Republikës së Kosovës – RKS.

E fundit në këtë seri vizitash, ishte presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është takuar të enjten me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Në takimin me Osmanin, von der Leyen ka përmendur se Kosova ka plotësuar gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, duke shtuar se Kosova e ka vendin në BE.

“E e dini që e keni një aleat, i keni përmbushur kriteret (për vizat) dhe e meritoni. Kemi konfirmuar që i plotësoni kriteret. Detyra jonë është që të bindim Këshillin Evropian. Do të bëjmë gjithçka për këtë rrugëtim” – tha ajo.

Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën do të vazhdojnë në grupin punues të Këshillit të Bashkimit Evropian më 9 nëntor, ndërsa deri atëherë, vendet anëtare do të zhvillojnë edhe konsultime mes vete.

Përveç kësaj, Ursula Von der Leyen, në takim me Osmanin ka thënë se do të japin grant në vlerë prej 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.

Kjo mbështetje u rikonfirmua edhe në takimin e kryeministrit Albin Kurti, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për sa i përket rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Lidhur me këtë, Kurti ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti.

Infografika: Diar Vuqetaj/ KALLXO.com

Më 24 tetor, Kosovën e ka vizituar i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Sir Stuart Peach ka zhvilluar takime ndaras, me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, më të cilët kanë diskutuar për disa çështje, ndërsa fokusi ka qenë dialogu Kosovë-Serbi.

Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi ka thënë se angazhimi i Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër, zbatimi i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin ndër temat e takimit me të parin e qeverisë së Kosovës.

Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar konstruktivitetin e vazhdueshëm të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Bislimi theksoi angazhimin dhe konstruktivitetin e vazhdueshëm, që nga fillimi i mandatit, në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me fokus në marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër” – ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Peach në këtë takim ka theksuar që Mbretëria e Bashkuar do ta përkrahë Kosovën nga pozita ku ndodhet, sidomos në kuadër të aleancës së NATO-s.

Me ftesë të presidentes Osmani, me 23 tetor, Kosovën e ka vizituar, Presidenti i Maltës, George Vella i cili është pritur me ceremoni shtetërore.

Tema e liberalizimit të vizave ka qenë në fokus të diskutimeve më krerët e institucioneve të Kosovës.

Vella, pas takimit që pati me homologen e tij në Kosovë, Vjosa Osmani ka shprehur përkrahjen e vendit të tij për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Në kuadër të vizitës në Kosovë, Vella u takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Në takim me Kurtin, u fol edhe për bashkëpunimin rajonal, Procesin e Berlinit, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ballafaqimin me krizën evropiane energjetike dhe sigurinë e rajonit e të kontinentit pas agresionit të provokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Presidenti i Maltës ka qenë pjesëmarrës edhe në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizuar nga presidentja Osmani, fundjavën e kaluar.

Në kuadër të këtij forumi, në Kosovë ka qëndruar edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Ajo në një konferencë për media ka deklaruar se përveç Francës ka edhe më shumë shtete që kanë rezerva lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në pyetjen se a pritet të ketë liberalizim të vizave për kosovarët këtë vit, ajo ka thënë se nuk ka datë se kur përfundon procesi. Po shton se ka mesi i nëntorit do të votohet në Këshillin Evropian.

“E kam parë që kjo ishte në agjendë për herë të parë. Do të ketë edhe një votim tjetër ka mesi i nëntorit ose fundi i dhjetorit. Po punojnë shumë në prapaskenë që ta shohim një vendim pozitiv që qytetarët e Kosoves e kanë merituar moti dhe nuk mund tia shpjegosh askukt se ke kur i shikon vlerësimet pozitive dhe reformat jo që janë hartu e ratifiku por edhe zbatu”-ka thënë ajo.

Ndërsa me 22 tetor, në kuadër të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, qëndoi në Kosovë Anna Luhrmann, Ministre për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Luhrmann në kuadër të kësaj vizite është takuar me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin diskutuan folën për bashkëpunimin me Gjermaninë në kuadër të agjendës së Republikës së Kosovës për integrim evropian, për Tregun e Përbashkët Rajonal si pjesë e Procesit të Berlinit, aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, energjinë dhe çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës.

Kurti më 22 tetor u takua edhe Zëvendës kryeministren dhe ministre e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi, Jovana Maroviq.

Në herën e saj të parë në Prishtinë, Marović u shpreh mirënjohëse për mikpritjen, duke konfirmuar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dypalëshe ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Data 22 ishte “rezervuar” edhe për përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajçak u takua me kryeministrin Kurti, dhe temë diskutimi patën mbarëvajtjen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Mbarëvajtja e procesit të dialogut, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zbatimi i plotë dhe i shpejtë i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin temat kryesore të diskutimit. Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajçak për angazhimin e tij në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”- është thënë në komunikatën e ZKM-së, pas takimit me dyer të mbyllura.

Tri ditë para Lajcakut, Kosovën e ka vizituar i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Më 19 tetor, Escobar e nisi vizitën në presidencë ku u prit nga presidentja Vjosa Osmani dhe vazhdoi pastaj për në objektin e Kryeministrisë.

Pas takimeve, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ka kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, të shtyhet vendimi për targat.

Më tej, ai ka thënë se për shtyrjen e këtij vendimi nuk morën zotim nga Osmani e Kurti.

“Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga Quinti që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë”, ka thënë Escobar.

Një ditë pas kësaj deklarate, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për KALLXO.com ka thënë se e kanë për obligim respektimin e ligjit dhe vendimet qeveritare.

“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS”, ka thënë Kryeziu.

Vendimi për regjistrimin e automjeteve është marrë në mbledhjen e 19 qershorit të kabinetit qeveritar, ndërsa afati është hapur më 1 tetor dhe do të vazhdojë deri më 31 tetor.

Këtë 10-ditësh të vizitave në Kosovë, e kishte filluar, përfaqësuesi special i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjornstad.

Ai ka qëndruar në Kosovë më 17 tetor dhe është pritur në takim nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Sipas komunikatës, me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive në procesin e dialogut drejt marrëveshjes ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke” – citohet të ketë thënë Kurti.

Në këtë takim, Kurti ka folur për punën dhe arritjet e Qeverisë, sfidat e qeverisjes dhe përballjen me to.

Ndërsa, më 21 tetor, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim zëvendës presidenten e Palaut, njëherësh ministre e Drejtësisë, J. Uduch Sengebau Senior.

Osmani ka thënë se ia konfirmuan njëra-tjetrës marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve dhe u zotuan për thellim të tyre.

Presidentja e Kosovës e ka falënderuar atë edhe për pjesëmarrjen në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.