Dialog me Motive e Rrethana Tjera

Një eufori e re dialogu ka përfshirë marrëdhënien e Bashkimit Europian me Ballkanin, më saktësisht me Kosovën e Serbinë. Duket se Brukseli nuk ka mësuar asgjë nga dështimet e “dialogut teknik” dhe po kërkon të vazhdojë të njëjtin proces që nuk garanton se do të sjell dobi.
Dialogu mes Kosovës e Serbisë, i nisur para një viti dhe i ndërprerë për shkak të zgjedhjeve në Serbi, po paralajmërohet se do të vazhdojë e madje edhe të ndryshojë në “kualitet” dhe të kalojë në dialog politike mes lidershipit më të lartë politik mes dy vendeve.

Kosova vazhdon të jetë e gatshme për dialog, sikur ka qenë e gatshme gjatë tërë këtyre viteve prej kur Serbia ka dhunuar Kosovën.  Por, Kosova ka nevojë për një dialog të sinqertë, me motive të sinqerta dhe me synime të qarta, e jo dialog sa për sy e faqe e me motive jo të sinqerta. Ata që ishin skeptikë ndaj procesit të dialogut “teknik” të zhvilluar gjatë vitit të fundit kanë arsye të mbesin skeptikë. Marrëveshjet e arritura mes Kosovës e Serbisë kanë sjellë shumë pak të mira për Kosovën. E kur këto dobi të krahasohen me koncesionet që është dashur të bëjë Kosova – fusnota apo mbajtja e dokumenteve kadastrale në Serbi – atëherë është vështirë të shihet se çfarë në të vërtetë ka fituar Kosova me të qenët konstruktive në këtë proces. Kjo e bën Kosovën skeptike ndaj paralajmërimeve për dialog të ri.

Bashkimi Europian ka nevojë për një sukses në skenën ndërkombëtare, që të dëshmojë se ka politikë të jashtme dhe se mund të jetë protagonist i rëndësishëm. Dhe ku më mirë të dëshmojë këtë se sa në oborrin e vet, në Ballkan. Gjithashtu, BE, sikur edhe të tjerët që janë të përfshirë në Ballkan që dy dekada, për shkak të krizës financiare, janë duke kërkuar rrugë që të zvogëlojnë sa më shumë prezencën e vet në Ballkan. Për të bërë këtë, duhet prezantuar Ballkanin si një kënd të stabilizuar, pa konflikte, dhe në rrugë drejt integrimeve evropiane. “Therë” në këtë synim është sidomos marrëdhënia mes Serbisë e Kosovës dhe tensionet mes dy vendeve. Pa pasur fuqi që të gjej ndonjë zgjidhje me afatgjatë, BE ka vendosur që të shtyjë Serbinë dhe Kosovën që të bashkëjetojnë sikur dy Gjermanitë në kohën e Luftës së Ftohtë, por pa e përmendur këtë emër dhe pa implikuar se dy Gjermanitë në fund megjithatë janë bashkuar. Se Kosova nuk do të bëhet më me Serbinë e pranojnë të gjithë në Evropë, madje edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Brukselit po i nxitohet që këtë plan ta realizojë brenda vitit 2012. Një vonesë këtij plani i sollën zgjedhjet në Serbi, por tani që zgjedhjet mbaruan, BE ka nisur presionin që të vazhdohet sa më parë me dialogun.

Për BE-në Beogradi nuk ka qenë asnjëherë më pro-evropian. Është e vërtetë që konstelacioni aktual politik në Serbi nuk është dominuar asnjëherë më shumë se sa tani nga forcat që deklarohen pro integrimeve evropiane.

Nga Prishtina, megjithatë, pamja është krejt tjetër. Konstelacioni i tashëm i forcave politike në Serbi mbetet po aq armiqësor ndaj Kosovës sa ishte më parë. Prandaj, ndonëse e hapur për dialog, Kosova ka çdo arsye që të ketë dyshime në dobitë e vazhdimit të dialogut.

Megjithatë, presioni për të vazhduar dialogun do të jetë tepër i madh dhe sigurisht i papërballueshëm edhe për Kosovën e edhe për Serbinë. Në këto rrethana, për Kosovën është më e rëndësishme që të shohë se cilat janë alternativat dhe se çfarë dobish mund të nxjerrë nga ky proces. Sidomos mbetet e rëndësishme që të përcaktohen vijat e kuqe të cilat nuk bën të preken në këtë proces.

Çështja e veriut të Kosovës, që përmendet si një prej temave kryesore që do të diskutohen është një nga këto vijat e kuqe. Gjetja e një zgjidhjeje për problemet në veri të vendit është çështje e brendshme e Kosovës e në të cilën mund të ndihmojnë BE-ja dhe SHBA-ja. Serbia në këtë çështje ka qenë vetëm pengesë dhe asnjëherë pjesë e zgjidhjes së problemit.

Përfaqësuesit politikë të Kosovës me vend po kërkojnë që para se të vazhdohet me raunde tjera të dialogut, duhet që marrëveshjet e arritura deri me tani të implementohen plotësisht. Do të ishte njësoj e udhës që përfaqësuesit politikë të Kosovës të shtojnë edhe disa kërkesa tjera, krejtësisht parimore:

–    Bisedimet të mos nisin deri sa Serbia vazhdon të cenojë integritetin dhe shtetësinë e Kosovës në pjesën veriore të vendit dhe deri sa mos të plotësohen kushtet e vëna tani nga vet BE, që Serbia të largojë prezencën e vet ilegale e kriminale në territorin e Kosovës;
–    Që Kosova të trajtohet e barabartë nga BE dhe të eliminohet asimetria e deri tashme që ka bërë që Serbia të jetë e trajtuar ndryshe nga Kosova;
–    Që të ofrohet një orar i bisedimeve që tregon jo vetëm se kur do të mbahen bisedimet por edhe se sa do të zgjasin ato dhe – ç’është më e rëndësishme – të tregojë se çfarë do të fitojë secila palë nga këto bisedime dhe cilat do të jenë garancat se marrëveshjet vërtetë do të implementohen në tërësi.

Në rrafshin e brendshëm, Qeveria e Kosovës duhet që më në fund t’ia japë primatin Kuvendit të Kosovës në çështjet e dialogut dhe të jetë më transparente me opinionin publik për tërë procesin.

Normalizimi i marrëdhënieve me të gjitha shtet, pra edhe me Serbinë, është prioritet për Kosovën dhe dialogu me Serbinë duhet të jetë në funksion të këtij synimi. Por, një vit pas “dialogut teknik” mes Kosovë e Serbisë marrëdhëniet mes dy shteteve jo që nuk kanë filluar të normalizohen por janë edhe më keq se sa ishin para dialogut. Prandaj, ndonëse duhet të ketë dialog, ai duhet të përgatitet dhe të mbahen me motive dhe rrethana krejtësisht tjera nga ky deri tani.