Dhurohet Gjak në Shesh të Prishtinës

14 Qershori-Dita Ndërkombëtare e Dhurimit të Gjakut është shënuar edhe në Prishtinë me dhurim të gjakut nga qytetarët.

Aktiviteti është zhvilluar në sheshin “Zahir Pajaziti”, në qendër të Prishtinës, ku në një tendë të improvizuar me pajisjet e nevojshme, vullnetarët shkuan të japin një sasi gjaku për ata që mund t’u nevojitet.

Mjekët dhe teknikët e QKUK-së të vendosur në këtë tendë patën shumë punë të premten, ndërsa një aktivitet i ngjashëm po zhvillohet edhe të shtunën.

Doktoresha Safite Maliqi-Qorrmemeti, shefe e dhurimit të gjakut në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë është e kënaqur me qytetarët që morën pjesë në këtë aktivitet humanitar.

“Ka pasur mbi 150 dhurues të gjakut[të premten], në mesin e tyre edhe një grup i organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, thotë Maliqi-Qorrmemeti për gazetën Jeta në Kosovë.

Pamje nga dhurimi i gjakut në Prishtinë

Qytetarja Sofije Thaçi-Havolli, njëra nga dhurueset e rregullta thotë se ndjehet shumë mire kur dhuron gjak, ngase këtë gjë e bën për të shpëtuar jetë.

Studenti Gazmend Gashi nga Klina që dhuron gjak për herë të tretë shprehet se të gjithë njerëzit duhet të japin gjak.

Motra medicinale Fatmire Pakashtica që përgatit gjakun e dhuruar për ta transportuar të pacenuar drejt Qendrës së Transfuzionit të Gjakut tregon se interesimi për të dhuruar gjak është shumë i madh.

Aktivitetet e dhurimit të gjakut, të nisura para ditës ndërkombëtare që i kushtohet këtij qëllimi, pritet të zgjasin një javë. Edhe të shtunën qytetarët e interesuar mund të japin gjak në qendër të Prishtinës.

Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve të Prizrenit, një tendë e ngjashme me këtë të Prishtinës për dhurim të gjakut është vendosur të premten edhe atje.