Dhuratat

Ja disa sugjerime se si me festue në mënyrë të gjelbërt, tue u kujdesë për ambientin e Kosovës.

* Mendo për atë që merr jo vetëm dhuratë por edhe për paratë që ke harxhue për të. Kosova ka produkte të mrekullueshme që janë prodhue në vend dhe shitjet e tyre iu ofrojnë përkrahje njerëzve që me siguri kanë nevojë për para më shumë sesa kanë pronaret e shitorës Duty Free në aeroport ose të dyqanit me brend që sapo hapet në Mall jashtë qytetit. Konsidero blerjen e produkteve prej zanatlive vendas (për shembull, filigran prej Filigran ShPK në Prizren – dyqani i tyre është tek Ura e Gurit, ose prej Krenare Rakovicës në Prishtinë – shitorja e saj midis Hotel Grand dhe dyqan GEOX). Ka edhe punëdore me qëndisje prej grupit të grave Emina në Mitrovicë, ose tava prej Luan Qukanit në Gjakovë.

* Në panairin që është organizue prej UNKT dhe vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar në Elzar, ka pasë OJQ që kanë produkte prej projekteve fitimprurëse. OJQ-ja jonë, The Ideas Partnership, ishte aty e përfaqësuar nga gratë e projekteve tona që mbështesin familjet në Fushë Kosovë përmes sapunëve me aromë prej vajit esencial, secila në një çantë të vogël të qepur me dorë, dhe mbajtëse të qirinjve prej tegllave të ricikluara dhe të zbukuruara. Kartolinat dhe punëdorët tjera ishin në shitje atë ditë dhe ende janë të disponueshme prej OJQ-ve të tjera që bajnë punë të mrekullueshme, tue përfshi Derën e Hapur, SOS Kinderdorf dhe Down Syndrome Kosova.

*Blej sendet e dorës së dytë – për shembull librat (ndoshta prej librarisë 7Arte në Mitrovicë), veshmbathje, gjëra antike (thesari i shitorës ‘Delvina’ është në katin e parë të ndërtesës përballë Swiss Casino-së, në Bulevard Bill Clinton). Aty mund të gjesh tepihë, qëndisje dhe dru të gdhendur në vend se të kërkosh edhe një gropim të burimeve natyrore të tokës për me krijue diçka të re.

*Mendo për mënyrën se si i bartë dhuratat prej shitores – nëse po planifikon një ditë me shoping, merr me vetë një çantë të ripërdorshme prej pambukut (siç janë ato të prodhuara në projektin e The Ideas Partnership në Istog ku gratë fitojnë të ardhura) ose qese të plastikës të përdorura në vend se me kërkue qeset e reja për çdo gjë që blen.

*Mendo edhe për mbështjelljen e dhuratave: letra për mbjeshtjellje mund të jetë e shtrenjtë por edhe harxhohet shpejt. Ruaj çka të është dhuruar ty për ripërdorim, ose ofroji dhuratat në një qese të letrës, të ripërdorshme e me ngjyra të bukura (Talens, afër Ben Afit prapa Teatrit Kombëtar ka një varg të mirë) ose mbështjelle dhuratën me diçka të ripërdorur dhe interesant – një faqe gazete me foto prej një reviste që nuk do të lexosh më – ose në një shall.

*Dhuro përvojë, jo gjësende. Një letër me premtimin për një drekë së bashku, premtim për një pasdite tu mbjellë fara të luleve së bashku në pranverë, një kurs vallëzimi, një fundjavë pushim (diku bukur në Kosovë!), një shëtitje në Gërmi,  ushqimi i preferuar i shoqës i gatuar për ta (prej përbërësve të shijshëm e vendore, kuptohet)… të gjithë janë mënyra me dhurue diçka që nuk prodhon bërllog.

Dhe kujtdo i dhuron, kurdo që dhuron, dhe çfarëdo dhurata, ju uroj festa të mbara.

Hollësitë për prodhues të përmendur në këtë shkrim mund të gjesh në Faqet e Gjelbërta, të disponueshme falas ose per shkarkim në www.Kosovogreenpages.wordpress.com

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]