FOTO-Ilustrim

Dhuna verbale ndaj grave, nën petkun e lirisë së shprehjes

Fija e hollë mes lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes, mendësia patriarkale dhe mungesa e edukimit medial janë vetëm disa nga faktorët e përdorimit të gjuhës së urrejtjes në komentet e lajmeve për gratë dhe vajzat-viktima të dhunës. Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe ekspertët e mediave e sociologjisë konsiderojnë se këta faktorë duhet të trajtohen seriozisht.

“More ty mirë ta paskan pas bo keq që nuk e kan zanë edhe qeta te mediave me dhunu ma keq se ty” është një ndër komentet me diskurs të urrejtjes në një artikull që flet për dhunimin seksual të një gruaje  në Kosovë.

Komente të ngjashme shihen shpesh si përgjigje në produkte  mediale që kanë të bëjnë me gratë dhe në veçanti ato që veçse përshkruajnë dhunën ndaj grave.

Arta Avdiu aktiviste për të drejtat e njeriut dhe juriste tha se komentet në portale shfaqin atë që shoqëria e mendon dhe e beson për gratë.

“Mendimi se është faji i grave kur ato përdhunohen, rrahen apo vriten nuk është diçka e re që papritur na doli në rrjete sociale, por është pasoje e mendësisë së kultivuar dhe të ngulitur  me kujdes në kulturën dhe besimin tonë si shoqëri” tha Avdiu.

Aktivistja mendon që gjithë kjo mos kulturë e shprehur në komente pason nga kultura e  shoqërisë të pazhvilluar, varfër dhe rrjedhimisht  jo mjaftueshëm e arsimuar.

“Nuk ka se si të jetë ndryshe kur këta komentues shqiptarë në komente asnjë fjali të vetme, madje asnjë fjalë nuk mund ta shkruajnë pa gabime drejtshkrimore” tha Avdiu.

Në lajmin e publikuar për një grua të dhunuar në Kosovë e cila i përket kombësisë franceze u hasën komente seksiste, ksenofobike e raciste nga përdoruesit e Facebook-ut.

Komente në lajmin e publikuar në KALLXO.com: “Shtetasja franceze rrëfen si u dhunua seksualisht në Prishtinë”

Sipas saj, nuk mund të pritet që komentuesit e tillë kenë pikëpamje universale, e të kuptojnë se edhe gratë si ata vetë duhet të kenë liri, dinjitet, mirëqenie.

Ajo tha se dhuna kibernetike nuk kufizohet vetëm brenda botës  online, por edhe manifestohet me dhunë fizike në jetën reale.

Avdiu tha se nxitja e urrejtjes publikisht në baza gjinore, racore, fetare, etnike është vepër penale dhe se shteti duhet shtuar monitorimin nëpër rrjete sociale e media si dhe duhet t’i ashpërsojë dënimet për nxitësit e urrejtjes.

Aktivistja e të drejtave të njeriut Arta Avdiu; Fotografi nga Arta Avdiu

Përpos mendësisë patriarkale, sipas profesionistëve të mediave edhe vet mediat janë nxitëse e urrejtjes përmes mënyrës së raportimit.

Dren Gërguri, asistent në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës konsideron se ekziston një korrelacion në mes  shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes dhe ndikimit të saj në nxitje të dhunës.

“Gjuha e urrejtjes shpesh është motivi prapa nxitjes së dhunës apo kriminalitetit. Përdorimi i gjuhës së urrejtjes mund të çojë edhe në krim të urrejtjes” tha Gërguri.

Ndërsa, në lidhje me përpilimin e një ligji të veçantë që do ndalonte gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale, Gërguri tha se nëse praktikohet korniza ligjore në fuqi nuk do të ketë nevojë për ligj të ri.

“Unë e shoh të domosdoshme që të ketë ndërgjegjësim më të madh të shoqërisë për lirinë e shprehjes dhe për gjuhën e urrejtjes, nëpërmjet arsimimit formal, si dhe atij joformal” tha Gërguri.

Sipas tij, qytetarët duhet ta kuptojnë se çdo fjalë e shkruar në media sociale është fjalë publike dhe për të mund të dënohen.

“Qytetarët shpesh mendojnë se çdo mendim mund të thuhet duke u mbrojtur me lirinë e shprehjes, që është e drejtë e siguruar nga Kushtetuta e Kosovës. Mirëpo, e njëjta Kushtetutë sqaron se liria e shprehjes tejkalohet në momentin që përdoret gjuhë fyese apo gjuhë urrejtjeje ndaj tjetrit” sqaroj ai.

“Është shumë e rëndësishme që gazetarët ta kuptojnë se roli i tyre në parandalimin e urrejtjes mes grupeve të ndryshme shoqërore është i madh dhe mund të jetë edhe vendimtar” shton ai.

Sa i përket  aspektit sociologjik, gjuha e urrejtjes parashihet si pasojë e frustrimit shoqëror, kulturor dhe seksual.

Sociologu Labinot Kunushevci tha se dikursi urryes është pasojë e mos edukimit publik, mungesës së debatit publik, refleksion trashëgues nga tradita patriarkale dhe imitim apo modelim nga diskursi politik i cili gjithashtu është diskurs seksist, diskriminues e njëherazi edhe primitiv.

“Gjuha e urrejtjes dhe gjuha seksiste duhet të ndëshkohen përmes ligjit dhe të kategorizohen qartë shprehjet të cilat përmbajnë fyerje dhe që prodhojnë efekte fyese të integritetit të qytetarit” tha Kunushevci.

Ai shton se ky diskurs mund të shkaktojë pasoja te vajzat dhe gratë si në ulje të vetëbesimit, pasiguri dhe dekurajim të tyre.

“Mungesa e një mekanizmi ndëshkues dhe kontrollues të komenteve publike, mungesa e përgjegjësisë editoriale, e bën të lehtë këtë gjuhë” tha ai.

Për këtë sitautë të  indinjuara janë edhe organizatat jo-qeveritare e grupet të cilat kanë qëllim zhdukjen e gjuhës së urrejtjes.

 Adelina Berisha, menaxhere e programit mbi dhunën në baza gjinore nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) tha se komentet e tilla ndaj vajzave dhe grave janë indikatorë se si shoqëria kosovare toleron dhunën ndaj tyre.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovë; Fotografi: RrGK

Sipas Berishës, komentet kanë ndikim në riprodhimin e kësaj mendësie që shtyp dhe dhunon gratë.

“Sa më të zëshme gratë, aq më të dobëta rrënjët e patriarkatit, pushtetit që i mban gratë të shtypura dhe të dhunuara. Prandaj, vajzat dhe gratë paragjykohen më shumë dhe janë cak kryesor i ngacmimit nga shoqëria kosovare” tha Berisha.

Megjithatë, për këtë situatë Berisha po i konsideron fajtore edhe disa medie që sipas saj janë përgjegjëse për promovim të dhunës dhe komenteve denigruese ndaj grave dhe vajzave, përderisa nuk i fshijnë komentet që nxisin replikime tjera urryese.

“Këtu duhet të ketë kujdes edhe mediat se si i vendosin titujt, sepse me sa kemi vërejtur shpesh titujt bombastikë dhe mjaft seksist për gratë dhe vajzat shtynë përdoruesit e rrjeteve sociale të komentojnë në gjuhë denigruese ndaj grave dhe vajzave” tha Berisha.

Komente në lajmin: Shtetasja franceze rrëfen si u dhunua seksualisht në Prishtinë

Berisha u shpreh se pavarësisht fushatave të vetëdijesimit edhe vet mediat dhe shteti duhet të krijojnë zgjidhje për ndalimin e gjuhës së urrejtjes.

Neni 40 i Kushtetutës së Kosovës për Lirinë e Shprehjes thotë se “Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

 Edhe një ndër krijuesit e grupit #kputeurrejten i cili ka qëllim shuarjen e gjuhës së urrejtjes në rrjete sociale, Paris Guri thotë se komentet fyese, që nxisin urrejtje e paragjykime janë si pasojë e mendësisë patriarkale por edhe të edukimit jo cilësor.

Paris Guri, bashkëkrijues i grupit #kputeurrejten; Fotografi nga Paris Guri

Sipas tij, mënyra më e mirë e parandalimit afatgjatë të komenteve fyese është edukimi i shoqërisë mbi ndikimin që kanë komentet dhe pasojat që mund të lënë ato te personat dhe grupet e caktuara.

“Shumicën e rasteve komentet fyese i hasim ndaj personave të grupeve të margjinalizuara dhe kjo e bënë akoma më serioz problemin, pasi ndikon drejtpërdrejt në nxitjen e urrejtjes ndaj këtyre grupeve” tha Guri.

Ai thotë se edukimi për mposhtjen e stereotipeve të tilla duhet të filloj nga familja e pastaj nga mësimdhënësit në shkolla, të cilët ende e konsiderojnë tabu ligjërimin e edukatës seksuale.

“Nëse këto tema do të ishin trajtuar në mënyrë adekuate në shkolla nuk do të kishte nevojë për fushata të vetëdijesimit ” tha Guri.