Dhjetëvjeçari Nxirret i Gjallë nga Pusi

Një djalë dhjetëvjeçar, i cili po ruante bagëtinë në vendin e quajtur “Palimaçka” në Mamushë, aksidentalisht ka rënë në një pus prej gypave të betonit, të thellë rreth pesë metra, ka njoftuar policia rajonale në Prizren.

“Nuk dihet saktësisht koha e incidentit, mirëpo për fat të mirë, dy vëllezër me mbiemër Taç që po punonin në ara kishin dëgjuar britmën e fëmijës dhe menjëherë kanë lëvizur në drejtim të zërit që vinte nga fundi i pusit”, bën të ditur zëdhënësi Hazir Berisha.

Viktima është nxjerrë i gjallë nga vëllezërit dhe me përcjellje të policisë së Mamushës është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.

Sipas mjekëve, viktima është jashtë rrezikut për jetë edhe pse i ishte ulur ndjeshëm temperatura e trupit nga mërdhirja.