Devolli kërkon edhe 50 milionë euro të tjera nga Telekomi

Një tjetër çështje ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe kompanisë ‘Dardafon.net L.L.C.’ ka përfunduar në Gjykatën e Arbitrzhit. Këtë herë kompania ‘Dardafon.net L.L.C.’ po i kërkon 50 milionë euro nga Telekomi i Kosovës.

90% të aksioneve të kompanisë ‘Dardafon.net L.L.C.’ janë në pronësi të Blerim Devollit, ndërsa kompania “K-com group l.l.c.” i ka në pronësi pjesën tjetër të aksioneve. Kapitali i kësaj kompanie është vetëm 150 mijë euro.

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se arbitrazhi ka nisur në vitin 2019 dhe është në fazën e përgatitjes.

Padia e nisur në vitin 2019 ka të bëjë rreth mos vazhdimit të Marrëveshjes të MVNO, që është operatori virtual për “Z-Mobile”. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në janar të vitit 2009, në kohën kur kishte qeverisur PDK me LDK-në ndërsa vitin e kaluar nuk i është vazhduar marrëveshja.

“Kërkesë padia e ‘Dardafon’ pretendon për shumën mbi 50 milionë euro, për të gjitha pikat nga padia”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Telekomi këtë padi e ka cilësuar tërësisht të pabazë dhe të pa argumentuar.

“Telekomi i Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha masat legale që të kryej mbrojtjen adekuate në tribunalin e Arbitrazhit sipas rregullave të ICC.  Telekomin e Kosovës në këtë çështje legale e përfaqëson kompania ligjore “Hogan Lovells” me seli ne Paris”, bëhet e ditur nga ana e Telekomit për KALLXO.com.

Telekomi nuk kanë dhënë detaje tjera me arsyetimin se mund të dëmtojnë procesin që vec ka nis në arbitrazh.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka dërguar pyetje në kompaninë “Devolli Group”, por deri në publikimin e shkrimit ata nuk kanë kthyer përgjigje. KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e kompanisë Dardafon.net, Vyrtyt Ibrahimaga, por ai nuk është përgjigjur.

Ministri i Ekonomisë Blerim Kuçi, nuk ka qenë i qasshëm në telefon për tu përgjigjur për këtë çështje.

Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim, Ministria e Ekonomisë ka thënë se është në dijeni për arbitrazhin e dytë të Devollit ndaj Telekomit, por që më tej nuk ka dhënë ndonjë sqarim.

“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është e njoftuar se ‘Telekomi i Kosovës’ ka dy lëndë aktive në procedurë të Arbitrazhit, njëra prej të cilave është edhe padia me ‘Dardafon Net’. Nga Telekomi i Kosovës po ashtu jemi të informuar se rasti ka të bëjë me mosvazhdim të kontratës për MVNO, që është Operatori i Rrjetit Virtual Mobil dhe disa pretendime të vonesave në liferim të shërbimeve nga kontrata bazë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë për KALLXO.com.

Kjo do të jetë përballja e dytë e Telekomit me biznesin e Blerim Devollit. Në përballje e parë, kompania “Dardafone.net LLC” e kishte fituar rastin, duke e obliguar Telekomin të paguajë rreth 30 milionë euro, pasi shifra e saktë nuk është bërë e ditur asnjëherë.

Gjykata Themelore Prishtinë me 10 korrik ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh të çështjes tjetër në mes të Telekomit e të ‘Devollëve’, borxh i cili kapte shifrën e 26 milionë eurove.

“Dardafon.net LLC” ka operuar me emrin tregtare “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit.

Ndërkohë, pasi Telekomi nuk kishte mundësi të paguante, llogaritë e tij u bllokuan nga përmbaruesi privat, e me 21 korrik përmbaruesi i kishte dhënë 60 minuta afat Telekomit për shlyerjen e borxhit.

Më pas me 28 korrik llogaritë e Telekomit u zhbllokuan, pasi të dyja palët ishin marrë vesh që të zhbllokohen, deri në arritjen e një tjetër marrëveshje.

Telekomi dhe Z-Mobile “janë pajtuar” vetëm për zhbllokim të llogarive