Deutsche Welle: Pse ka tensione në veri të Kosovës?

Agjencia e lajmeve gjermane Deutsche Welle i ka kushtuar një artikull relativisht të gjatë tensioneve më të fundit në Kosovë, respektivisht në veriun e Kosovës, pas veprimeve të javëve të fundit të qeverisë së Kosovës atje si dhe reagimit të serbëve etnik që rezultoi me tensionim dhe vendosje të barrikadave në rrugë. 

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë sërish në ballinat e lajmeve ndërkombëtare si rezultat i tensioneve të fundit midis serbëve etnik dhe autoriteteve në Kosovë kanë arritur një nivel të rrezikshëm, me Serbinë që kërcënon të dislokojë trupa të saj atje. Komuniteti ndërkombëtar po kërkon një zgjidhje, shkruan Deutsche Welle.

Kosova veriore është e ndarë në katër komuna, popullsia e të cilave është pothuajse ekskluzivisht etnike serbe, me lidhje të ngushta me Serbinë. Shumica prej tyre nuk e pranojnë shtetësinë e Kosovës ndonëse ata kanë 10 vende të garantuara në parlamentin e Kosovës dhe dy ulëse ministrore në qeverinë e Prishtinës.

Që nga fundi i luftës së Kosovës në vitin 1999, qeveria e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë kontroll të plotë në veri të vendit — kjo do të thotë se zona në veri të lumit Ibër, i cili ka një popullsi prej rreth 60,000 banorësh, është në fakt një zonë pa ligj dhe, si rrjedhojë, një parajsë për kriminelët dhe kontrabandistët e atjeshëm.

Pa përjashtim, politikanët kryesorë serbë në këtë zonë janë besnikë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Serbët etnik të Kosovës nuk i besojnë qeverisë në Prishtinë, gjë që mbështetet nga fakti se njësitë speciale të policisë së Kosovës dërgohen rregullisht në zonën veriore….

Çfarë i shkaktoi tensionet aktuale?

Protesta e serbëve në veri u organizua pas arrestimit të një ish-zyrtari policie të dyshuar për terrorizëm. Prokuroria e Kosovës e akuzon atë se ka kryer një sulm me bombë në objektin e komisionit zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Sikurse edhe më parë, serbët në veri të Kosovës kanë organizuar grupe në internet dhe brenda pak minutash i kanë bllokuar rrugët dhe pikat kufitare përmes barrikadave. 

Serbët e atjeshëm kishin si qëllim t’i pengonin zgjedhjet lokale që u bën të nevojshme në atë rajon pas dorëheqjes kolektive të të gjithë serbët etnik të punësuar në isntitucionet shtetërore të Kosovës në fillim të nëntorit. Ata u dorëhoqën edhe nga parlamenti dhe qeveria dhe të katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhanë dorëheqje po ashtu. Disa qindra policë serbë u larguan nga Policia e Kosovës bashkë me gjyqtarët serbë të cilët po ashtu dhanë dorëheqjen e tyre nga institucionet gjyqësore të Kosovës.

Ky bojkot ishte një reagim ndaj planit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të futur rregullore të reja që kanë të bëjnë me targat e automjeteve: përmes së cilës rregullore parashihej ndalimi i targave të lëshuara nga autoritetet serbe dhe ndërrimi i tyre me targa të Kosovës. Sa i përket Kurtit, ka qenë çështje parimore sepse Serbia nuk i pranon targat e Kosovës. Për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe serbët e Kosovës, veprimi i Kurtit ishte përgatitje për “spastrim etnik”.

Vendosja e targave të reja tani për tani është lënë pezull, ashtu sikurse edhe zgjedhjet lokale, si pasojë e presionit të BE-së dhe SHBA-së ndaj autoriteteve të Prishtinës.

Perëndimi gjithashtu i ka bërë thirrje Serbisë që të ndihmojë në zbutjen e tensioneve.

A mund t’i dërgojë Serbia trupat ushtarake në Kosovë?

Edhe pse nuk ka gjasa që Serbia t’i dislokojë ato në të vërtetë, Vuçiq i ka vënë trupat në “gatishmëri të shtuar” disa herë në vitet e fundit. Këtë muaj, Beogradi zyrtar ka thënë se është afër kërkesës për vendosjen e forcave të sigurisë në territorin e Kosovës.

Kjo është një mundësi e parashikuar sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuar në vitin 1999, pas një dorëzimi de fakto nga Serbia. Rezoluta e lartcekur lejon që disa qindra oficerë të zbatimit të ligjit të dërgohen në Kosovë – por vetëm nëse misioni paqeruajtës ndërkombëtar i KFOR-it pajtohet paraprakisht.

Edhe vetë Vuçiq e ka pranuar hapur se propozimi i tij me siguri do të refuzohet dhe sipas analistëve ai po bën propagandë. Kritikët e tij argumentojnë se ai dëshiron të dallohet si një kampion i “gjithçkaje që është serbe”. Vëzhguesit e shumtë thonë se edhe nëse Vuçiq do ta konsideronte seriozisht opsionin ushtarak, një gjë e tillë të ishte e kotë sepse do të rezultonte me një konfrontim të drejtpërdrejtë me policinë ndërkombëtare dhe njësitë ushtarake të stacionuara në Kosovë.

A po shihet në horizont një zgjidhje për konfliktin?

Me gjithë presionin e madh nga Perëndimi, ka pak shpresë për një zgjidhje. Pozicionimet janë të ngulitura fort nga të dyja palët: Beogradi “asnjëherë” nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, për të cilën thotë se shkel të drejtën ndërkombëtare. Në anën tjetër, Prishtina thotë se bisedimet me ish-“pushtuesit serbë” do të kishin kuptim vetëm nëse do të rezultonin me njohje.

Më shumë se 100 shtete, duke përfshirë 22 shtete anëtare të BE-së, e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Kosova ka nevojë për miratimin serb për t’u bërë anëtare e OKB-së – sepse Rusia dhe Kina, të cilat janë të dyja partnerë të Serbisë, kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.

Franca dhe Gjermania e kanë prezantuar një propozim për të arritur një marrëveshje për statusin e Kosovës, por deri më tani detajet lidhur me këtë propozim janë të pakta. Sipas burimeve të brendshme, ky propozim do të bazohet në Traktatin Themelor të vitit 1972 ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane – Serbia nuk detyrohet ta njohë Kosovën në mënyrë eksplicite, por do të duhej ta pranonte integritetin dhe sovranitetin e saj territorial dhe të mos e bllokojë Kosovën në mënyrë aktive në rrugën e saj të anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Karrota për të dyja palët do të ishte perspektiva e anëtarësimit në BE përfundimisht. Serbia ka aplikuar zyrtarisht për t’u anëtarësuar në bllokun e BE-së, mirëpo negociatat kanë qenë të ngadalta. Kosova nuk është ende kandidate, mirëpo planifikon të aplikojë për anëtarësim para fundit të këtij viti.

Cili është ndikimi i luftës në Ukrainë?

Që nga muaji shkurt, ka pasur shqetësime se Rusia mund t’i përdorë lidhjet e saj të ngushta me Serbinë për ta hapur një “front të dytë” në Ballkan. Kryeministri i Kosovës Kurti ka sugjeruar se Serbia, ashtu si Rusia, ëndërron ta rivendosë “botën serbe” në rajon. Nga ana e tij, presidenti serb Vuçiq ka thënë se Kurti po sillet si një “Zelenskiy i vogël”.

Argumentet janë qartësisht kundër Vuçiqit. Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Sipas sondazheve, mbi 80% e serbëve refuzojnë t’i imponohen këto sanksione “shtetit vëlla” rus. Serbia nuk është e varur vetëm nga gazi rus, por edhe nga mbështetja ruse në çështjen e Kosovës.

Megjithatë, pjesa më e madhe e ekonomisë serbe është e orientuar drejt Perëndimit. Kompanitë gjermane në Serbi ofrojnë rreth 75,000 vende pune. Politikanët perëndimorë, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz, duken të vendosur për ta frenuar ndikimin rus në Ballkan.

Kryeministri kosovar Kurti ka thënë se “marrëveshja gjithëpërfshirëse e normalizimit” mes Serbisë dhe Kosovës pritet të finalizohet në pranverën e vitit 2023. Ashtu siç qëndrojnë gjërat për momentin, diçka e tillë tingëllon tepër optimiste./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala