Deutsche Bahn aplaudon biletën 9 euroshe të transportit publik

Gjatë tre muajve të verës, bileta ultra e lirë u mundësoi gjermanëve qasje në shërbimet e trenave, metrosë dhe autobusëve në mbarë Gjermaninë. Operatori hekurudhor Deutsche Bahn ka deklaruar se ka shitur 26 milionë bileta, ndonëse shifra përfundimtare ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë.

Kjo skemë e transportit publik me kosto të ulët të qeverisë, ishte prezantuar për t’i kompensuar një rritje të madhe të kostos së jetesës.

Gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit, banorët gjermanë mund të udhëtonin me tren, U-bahn (Metro) dhe shërbimet e autobusëve në mbarë vendin për një biletë mujore prej vetëm 9 eurosh – megjithëse shërbimet hekurudhore të shpejtësisë së lartë ishin të përjashtuara nga kjo biletë.

Programi i biletave të lira, i cili kushtoi më shumë se 2.5 miliardë euro qeverisë gjermane, përfundon javën e ardhshme.

Gjermanët i lënë veturat e tyre në shtëpi

“Një në pesë përdorues të biletave 9 euro e ka rizbuluar transportin publik,” tha Evelyn Palla, drejtoresha e re rajonale e transportit të Deutsche Bahn, duke iu referuar afërsisht 20% të biletave të shitura për njerëzit që normalisht nuk përdorin trena, autobusë dhe metro.

Ajo tha se më shumë pasagjerë përdorën transportin publik rajonal gjatë verës sesa para pandemisë COVID-19.

Numri i saktë i biletave prej 9 eurosh të shitura do të zbulohet nga Shoqata e Kompanive Gjermane të Transportit (VDV) javën e ardhshme, ndërsa shifra përfundimtare pritet të jetë shumë më e lartë.

Në fillim të këtij muaji, shoqata tha se rreth 38 milionë bileta u shitën në dy muajt e parë, në krye të rreth 10 milionë pasagjerëve që kishin tashmë bileta sezoni.

Përdorimi i veturës është reduktuar 

Analistët e industrisë së transportit thonë se skema e biletës prej 9 eurove i inkurajoi njerëzit të bënin udhëtime që normalisht nuk do të ishin në gjendje t’i përballonin dhe ndihmoi në uljen e përdorimit të automjeteve në disa zona me rreth 3%.

Bileta ofronte gjithashtu një zbritje të madhe për udhëtarët e përditshëm në një kohë kur çmimet e ushqimit, karburantit dhe energjisë janë rritur shumë. Për shembull, bileta mujore e transportit publik të Berlinit zakonisht kushton 86 €.

Pasardhësi i biletës 9 euroshe është planifikuar, por me çfarë kostoje?

Kancelari gjerman Olaf Scholz javën e kaluar e etiketoi skemën një “sukses të madh” dhe njoftoi planet për një pasardhës.

Por me një kosto vjetore të vlerësuar prej 14 miliardë eurosh, Ministri i Financave Christian Lindner paralajmëroi se do t’i tërheqë investimet e shtetit në fusha të tjera, si arsimi dhe infrastruktura.

Në vend të kësaj, tha Lindner, njerëzit do t’i mirëprisnin strukturat e thjeshtuara të tarifave të transportit.

Agjencia Federale e Mjedisit (UBA) është gjithashtu në favor të një pasuesi të biletës me kosto të ulët.

Të dielën, presidenti i saj Dirk Messner tha se ndërkohë që 9 euro do të ishin të papërballueshme për shtetin në planin afatgjatë, një biletë në mbarë Gjermaninë që kushton midis 49 dhe 69 euro mund të financohet duke i reduktuar subvencionet për përdoruesit e veturave.

“Njerëzit ndryshojnë nëse është e lehtë, nëse është e lirë dhe nëse mund të përdoret në mënyrë fleksibël,” tha Messner për agjencinë e lajmeve DPA.

Kreu i Social Demokratëve (SPD) të qendrës së majtë të Scholz, Lars Klingbeil, ka hedhur idenë e pagimit të biletave të lira me një taksë të papritur për firmat e energjisë./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala