Dështimet në performancë që lanë komuna të mëdha pa grante shpërblyese

Dy komunat më të mëdha të Kosovës, nuk kanë mundur ta fitojnë Grantin e Performancës të vitit 2020 për performancën e tyre gjatë vitit 2018.

Prishtina dhe Prizreni  nuk kanë arritur t’i përmbushin as kriteret minimale në mënyrë që të kualifikoheshin në mesin e komunave fituese.

Meqenëse, zgjedhjet lokale janë mbajtur në nëntor të vitit 2017 dhe komunat gjatë vitit 2018 kanë pasur tjetër udhëheqësi, i bie që Komuna e Prizrenit e drejtuar nga Mytaher Haskuka ka humbur grantin e performancës në vitin e parë të qeverisjes.

Kjo komunë megjithatë kishte fituar grant prej prej 246 mijë e 773 euro në vitin 2019, grant ky që kishte matur performancën e vitit 2017.

Ndërsa komuna e Shpend Ahmetit ka humbur grantin për vitin e parë të qeverisjes në mandatin e dytë. Kjo komunë nuk kishte fituar grant as në vitin 2019.

Këto grante ndahen nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedinë dhe Norvegjinë .

Granti ka vlerën prej 4.9 milionë eurosh.

Komuna e Prizrenit nuk ka plotësuar as kushtin minimal numër 4 (shkalla e shpenzimit të buxhetit për investime kapitale për vitin 2018 së paku 75%) nuk është përmbushur. Komuna ka shpenzuar 73.83% të buxhetit për investime kapitale.

Performanca mesatare e Komunës së Prizrenit në 18 indikatorët e vlerësuar është 22 pikë nga gjithsej 58 pikë të mundshme (37.93%).

Performanca mesatare në 8 indikatorët e vlerësuar në kuadër të temës ‘Qeverisja demokratike’ është 11 pikë nga gjithsej 25 pikët të mundshme në këtë temë (44%).

Performanca mesatare në 6 indikatorët e vlerësuar në kuadër të temës ‘Menaxhimi Komunal’ është 4 pikë nga gjithsej 21 pikë të mundshme në këtë temë (19.05%).

Performanca mesatare në 4 indikatorët e vlerësuar në kuadër të temës ‘Ofrimi i shërbimeve’ është 7 pikë nga gjithsej 12 pikë të mundshme në këtë temë (58.33%).

Edhe Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti nuk është kualifikuar për grantin e performancës komunale për vitin 2020.

Kushti minimal numër 4 (shkalla e shpenzimit të buxhetit për investime kapitale për vitin 2018 së paku 75%) nuk është përmbushur. Komuna ka shpenzuar 43.53% të buxhetit për investime kapitale.

Performanca mesatare e Komunës së Prishtinë në 18 indikatorët e vlerësuar është 24 pikë nga gjithsej 58 pikë të mundshme (41.38%).

Performanca mesatare në 8 indikatorët e vlerësuar në kuadër të temës ‘Qeverisja demokratike’ është 14 pikë nga gjithsej 25 pikët të mundshme në këtë temë (56%).

Performanca mesatare në 6 indikatorët e vlerësuar në kuadër të temës ‘Menaxhimi Komunal’ është 5 pikë nga gjithsej 21 pikë të mundshme në këtë temë (23.81%).

Performanca mesatare në 4 indikatorët e vlerësuar në kuadër të temës ‘Ofrimi i shërbimeve’ është 5 pikë nga gjithsej 12 pikë të mundshme në këtë temë (41.67%).

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedinë dhe Norvegjinë kanë ndarë Grantin e Performancës Komunale në vlerë prej 4.9 milionë eurosh.

Ky grant është për vitin 2020 dhe është në bashkëfinancim i fondeve të MAPL në vlerë prej 2.5 milionë eurosh si dhe donatorëve në vlerë prej 2.4 milionë eurosh.

Me këto grante janë shpërblyer komunat, të cilat kanë pasur performancë më të mirë në qeverisje demokratike, menaxhim komunal dhe ofrim i shërbimeve publike.

Vlerësimi i performancës komunale për grantin e vitit 2020 shpërblen 23 komuna si dhe ndanë shpërblim shtesë për 3 komunat me performancën më të mirë.

Kosova është vendi i vetëm në rajon i cili ka një sistem të menaxhimit të performancës, duke rritur në këtë mënyrë llogaridhënia dhe transparenca e punës së komunave. Granti i Performancës i implementuar nga Helvetas Demos është projekt, i cili ka filluar në vitin 2017.

Që nga viti i krijimit të grantit, komunat janë shpërblyer katër herë.

Në pranverë të vitit 2018 është realizuar vlerësimi i performancës së komunave për performancën e vitit 2016 për grantin e vitit 2018, sipas skemës së përditësuar, ku 25 komuna janë kualifikuar dhe kanë përfituar grant të performancës komunale. Në verë të vitit 2018 është realizuar vlerësimi i performancës së komunave për performancën e vitit 2017 për grantin e vitit 2019, ku 19 komuna janë kualifikuar si përfitues të grantit.

Gjatë vitit 2019, MAPL dhe SDC përmes projektit DEMOS kanë rishikuar SMPK-në dhe kanë bashkuar skemat e granteve duke krijuar një grant të vetëm që synon përmirësimin e performancës së komunave në fusha të caktuara. Kësisoj ne fundvitin e vitit 2019 është realizuar vlerësimi i performancës komunale  për vitin 2018 të grantit 2020. Njëzet e tre (23) komuna janë kualifikuar si përfituese të grantit.

Komunat përfituese të grantit të vitit 2020 për vlerësimin e performancës së vitit 2018 janë: Pejë, Junik, Lipjan, Kaçanik, Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Vushtrri, Hani i Elezit, Klinë, Rahovec, Shtime, Skenderaj, Gjakovë, Suharekë, Malishevë, Viti, Gracanicë, Kllokot, Ranillug, Gllogovc, Shtërpcë, Mamushë dhe Leposaviq.

Ndërsa tri komunat të cilat do të shpërblehen me mjete shtesë janë: Komuna e Pejës- vendin e parë, Komuna e Junikut-vendin e dytë dhe Komuna e Lipjanit- vendin e tretë.

Komuna e Pejës do të përfitojë nga Granti i Performancës 566 mijë e 558 euro ndërsa do të shpërblehet me 245 mijë euro si komuna më e mirë, që në total do të përfitojë 811 mijë e 558 euro.

Komuna e Junikut do të përfitojë 40 mijë e 254 euro nga Granti i Performancës si dhe do të shpërblehet me 147 mijë euro si një ndër komunat më të mira, që në total i bie 187 mijë e 254 euro.

Komuna e Lipjanit do të përfitojë 302 mijë euro nga Granti i Performancës si dhe do të shpërblehet me 98 mijë euro si një ndër komunat më të mirë, totali i bie të jetë 400 mijë euro.

Komuna e Gjakovës do të përfitojë 389 mijë e 732 euro, komuna e Gjilanit do të përfitojë 430 mijë e 423 euro, komuna e Gllogovcit do të përfitojë 287 mijë e 151 euro, komuna e Gracanicës do të përfitojë 53 mijë e 998 euro.

Tutje, komuna e Hani i Elezit do të përfitojë 49 mijë e 315 euro, komuna e Kaçanikut do të përfitojë 169 mijë e 508 euro, komuna e Klinës do të përfitojë 183 mijë e 976 euro.

Kllokoti do të përfitojë 11 mijë e 895 euro, komuna e Leposaviqit do të përfitojë 7 mijë e 685 euro, komuna e Malishevës do të përfitojë 203 mijë 147 euro, komuna e Mamushës do të përfitojë 11 mijë e 261 euro, komuna e Mitrovicës së Jugut do të përfitojë 346 mijë e 427 euro.

Komuna e Rahovecit do të përfitojë 255 mijë e 731 euro, komuna e Ranillugut do të përfitojë 20 mijë e 938 euro, komuna e Shtimes do të përfitojë 124 mijë e 461 euro, komuna e Skenderajt do të përfitojë 207 mijë e 315 euro, komuna e Shtërpcës do të përfitojë 31 mijë e 142 euro.

Gjithashtu,komuna e Suharekës do të përfitojë 231 mijë e 956 euro, komuna e Vitisë do të përfitojë 150 mijë euro ndërsa komuna e Vushtrrisë do të përfitojë 335 mijë euro.

Peja, komuna me performancën më të mirë në ofrimin e shërbimeve

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).