Foto: Kallxo.com

Dëshmitë e gazetarit britanik për masakrën e Krushës së Vogël ndihmojnë drejtësinë

Gazetari britanik John Sweeney gjeti prova për një masakër të kryer në Kosovë në vitin 1999, të cilat u përdorën në gjyqin e zyrtarëve të lartë serbë, dhe dy dekada pas përfundimit të luftës, dëshmia e tij ndihmoi në dënimin e një tjetër burri për hedhjen e trupave të pajetë në lumë.

 

Kur një gjykatë në Prizren, Kosovë, dënoi ish-policin rezervist serb Darko Tasiq për krime lufte muajin e kaluar për përfshirjen e tij në masakrën e më shumë se 100 shqiptarëve etnikë në fshatin Krushë e Vogël në mars 1999, një nga njerëzit që ndjeu një lloj kënaqësie ishte gazetari investigativ britanik John Sweeney.

Tasiq u dënua me 22 vjet burg për djegien dhe hedhjen e kufomave të viktimave të masakrës në një lumë, si dhe për vjedhjen dhe shkatërrimin e pronave të fshatarëve shqiptarë.

Sweeney, i cili fitoi një çmim Emmy për raportimin e tij për masakrën në Krushë e Vogël, ishte një nga dëshmitarët që dëshmoi në gjyqin e Tasiq.

“Kur dëgjova se kishin arrestuar dikë në Kosovë, thashë po, do të jem dëshmitar. Kjo është puna ime si reporter dhe detyra ime si qenie njerëzore”, tha ai për BIRN.

Në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, Sweeney shkoi në Krushë e Vogël dhe raportoi se çfarë gjeti atje për Televizionin Channel 4 të Britanisë, gazetën Observer dhe programin “Panorama” të BBC-së.

Sipas raportimit të tij për masakrën në fshat, ku më shumë se 100 burra të moshës nga 13 deri në 72 vjeç u qëlluan me armë nga luftëtarët serbë në një hambar, aty tregohej qartë tmerri i krimeve të kryera nga forcat e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, të cilën ai e përshkroi si një “e keqe sistematike, e orkestruar”.

Disa vite më vonë, ai bëri një raportim tjetër të thelluar për programin e BBC-së “Newsnight” për vrasjet në Krushë e Vogël, përpjekjen për ta fshehur krimin dhe gjykimin pasues të zyrtarëve jugosllavë dhe serbë në gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në Hagë.

John Sweeney

Sweeney u paraqit si një nga dëshmitarët në atë gjyq në Hagë, duke dëshmuar në çështjen kundër ish-presidentit serb Milan Milutinoviq, zv/kryeministrit jugosllav Nikola Sainoviq, shefit të shtabit të Ushtrisë Jugosllave Dragolub Ojdaniq, gjeneralëve të Ushtrisë Jugosllave Nebojsa Pavkoviq dhe Vladimir Lazareviq, dhe gjeneralit të policisë serbe Sreten Lukiq.

Milutinoviq u lirua nga akuzat, por të gjithë të tjerët u dënuan për përgjegjësinë për krimet e luftës në Kosovë, përfshirë masakrën në Krushë e Vogël.

Burri me duar të djegura

Sweeney dhe kolegët e tij hynë në Kosovë nga Shqipëria më 12 qershor 1999, dy ditë pas përfundimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s që detyroi Millosheviqin të tërhiqte forcat e tij nga Kosova.

Para kësaj, një grup burrash kishin ndaluar makinën e tyre në anën shqiptare të kufirit, sepse ishin lodhur shumë nga ecja për ditë me radhë. “Kush mund të ishin ata djem?” pyeti veten Sweeney, para se t’i thoshin se ata ishin të afërm të burrave që ishin vrarë në një masakër në një fshat të quajtur Krushë e Vogël.

Raporti i parë që bëri Sweeney ishte i bazuar në intervistat e dhëna nga këta burra dhe refugjatë të tjerë shqiptarë të Kosovës për vrasjet e civilëve në Krushë e Vogël më 26 mars 1999.

Burrat që intervistoi Sweeney i treguan atij për dikë që quhej Mehmet Krasniqi, “njeriu me duart e djegura”.

Krasniqi kishte arritur t’i mbijetonte të shtënave në një hambar fshati duke u fshehur poshtë kufomave. Pasi vranë gati të gjithë fshatarët meshkuj, luftëtarët serbë i vunë zjarrin hambarit, por Krasniqi shpëtoi nga djegia duke u hedhur jashtë nga një dritare. Duart e tij ende të djegura dëshmojnë për atë që ndodhi atë ditë.

Kur Sweeney arriti në fshat për të filmuar raportimin e tij të radhës, ai zbuloi se “të gjitha shtëpitë e shqiptarëve” ishin djegur “. Banorët serbë të fshatit ishin larguar gjithashtu pasi forcat e Millosheviqit u tërhoqën në Serbi.

I vetmi person që mundi të shihte ishte një djalosh 14-vjeçar, i veshur me një “beretë ushtarake” dhe me një armë në dorë. “Ai ishte shumë i vogël për të pasur armë”, kujton Sweeney.

Varreza e martirëve në Krushë të Vogël

Ai kujtoi gjithashtu britmat e grave që po ktheheshin atëherë në fshat dhe mësuan se të të dashurit e tyre nuk u mbijetuan dot të shtënave në mars: “Ato e kuptuan tmerrin që kishte ndodhur – burrat e tyre kishin vdekur.”

Në njërën nga shtëpitë, Sweeney pa ato që kishin ngelur nga një karrige mr rrota, që përdorej nga një burrë i paralizuar 35-vjeçar, Sait Hajdari, i cili ishte marrë bashkë me të gjithë burrat e tjerë nga fshati për t’u qëlluar – “e mbajti në kurriz drejt vdekjes një tjetër njeri i dënuar”, siç raportoi Sweeney për  The Observer the programin “Dispatches” të Channel 4.

Ai gjithashtu arriti të gjente të mbijetuarin Krasniqi, i cili i tregoi historinë e tmerrshme, duke shpjeguar “si ishte ulur përtokë para se të qëllonin me mitraloz dhe si u fsheh për t’i shpëtuar vdekjes. Ai kujtoi se si ata rënkonin në agoni dhe se si ndjeu erën e tymit dhe kuptoi se serbët i kishin vënë zjarrin hambarit”, siç shkroi më vonë Sweeney.

“Ai i duroi sa mundi flakët dhe pastaj u largua me vrap, duke menduar se më mirë ta vrisnin me armë sesa të digjej i gjallë.”

Fshatarët etnikë shqiptarë që u rikthyen i treguan Sweeney se cilët serbë vendas ishin përfshirë në sulm, kështu që ai shkoi në një nga shtëpitë e serbëve dhe gjeti dokumente dhe fotografi që konfirmonin identitetin e tyre, të cilat ai më pas ia kaloi gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krime lufte.

Kjo u bë provë e rëndësishme në gjyqin pasues në Hagë, pasi hetuesit zbuluan se të njëjtët burra ishin paguar nga Ministria e Mbrojtjes serbe.

Një kamion plot me trupa

Në Krushë të Vogël mund të gjeje akoma më shumë prova. Prova që përfundimisht do të citoheshin dy dekada pas masakrës në gjyqin e Darko Tasiq, i cili u dënua muajin e kaluar.

“Nga fundi i kohës që ndenjëm në Prizren, dëgjuam historinë që Darko Tasiq e kishte hedhur këtë kamion me kufoma në lum”, shpjegoi Sweeney.

“Shkova për t’u larë në lum dhe kamioni ishte gjysmë në ujë dhe gjysmë jashtë tij”, tha ai.

Trupat nuk ishin më në kamion, por “në anë të kamionit kishte një gjumë gjaku dhe një kockë”.

Megjithatë, ai tha se i dukej shqetësuese që “hetuesit erdhën në fshat muaj ose vite më vonë”, duke e bërë të vështirë sigurimin e provave, shumë prej të cilave ishin zhdukur prej kohësh.

“Ata duhet të kishin shkuar, ta merrnin kamionin dhe të fotografonin njo0llën e gjakut”, argumentoi ai.

Dëshmitarët më vonë dëshmuan në gjykatë në Kosovë se panë Tasiçin dhe babanë e tij të ngisnin kamionin që po transportonte kufomat. Më pas i vunë zjarrin dhe e shtynë në lumë pas masakrës në mars 1999.

Sweeney shpreson ende se do të bëhet më shumë për të gjetur trupat që gjendeshin në kamion, për të cilët ai beson se i ka marrë lumi dhe se mund të gjenden ende të varrosur në shtatin e lumit.

Fakti që provat janë zhdukur me kalimin e kohës, prova që mund të kishin dënuar më shumë autorë të këtij krimi, tregon se “është shteruar energjia” në kërkimin e drejtësisë për krimet e kohës së luftës. Ai u shpreh: “Drejtësia po harrohet”.

Në gjyqin e zyrtarëve serbë në Hagë, avokatët e tyre të mbrojtjes u përpoqën të vinin në dyshim paanshmërinë e Sweeney, duke pretenduar se raportimet e tij ishin të njëanshme. Megjithatë, këto pretendime u rrëzuan nga fakti se raportimet e tij përfshinin edhe tregime të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që digjnin shtëpitë e serbëve në shenjë hakmarrjeje.

“Ne po tregonim provat që milicia serbe kishte vrarë njerëz, por se edhe UÇK-ja mund të bënte gjithashtu gjëra të këqija, për shembull, të digjte shtëpi. Kështu që po tregoheshim të drejtë”, tha ai.

Sweeney foli me BIRN javën që prokurorët në Hagë njoftuan se kanë përgatitur një aktakuzë për krime lufte për ish-zyrtarë të lartë të UÇK-së, përfshirë edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Ai tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës, gjykata me bazë në Hagë që u themelua pesë vjet më parë për të gjykuar ish-anëtarë të UÇK-së për krime lufte dhe pas lufte, nuk e bëjnë të ndihet i qetë.

“Ata nuk mund të gjykojnë serbë, sepse ata janë në Serbi. Kështu që duket e padrejtë. Është gabim që po gjykohet vetëm njëra anë”, tha ai.

Ai sugjeroi se BE-ja, ku Serbia po kërkon të anëtarësohet, duhet t’i bëjë presion Beogradit “të dorëzojë njerëzit që kryen krime”.

“Kosova po thotë se ajo do t’i dorëzojë kriminelët e saj të luftës dhe kjo është një gjë e mirë”, tha ai. “Nëse ka prova kundër njerëzve, atëherë ata duhet të gjykohen.”