Dëshmitari: Isha Lodhur Nga Ridraftimi i Kontratës PTK-Dardafone

Afrim Bejtullahi, anëtar i një grupi punues për marrëveshjen “PTK-Dardafone” më 2008, tha të mërkurën gjatë vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor se ishte dorëhequr nga grupi për shkak se ishte lodhur nga procesi i ridraftimit të kontratës.

“Isha lodhur nga procesi i ridraftimit të kontratës në të cilën më tepër i kushtohej rëndësi gjuhës sesa parametrave kryesore”, tha dëshmitari.

Grupi ishte i njohur si “Task Force 1” dhe ishte takuar me përfaqësuesit e Dardafone-it në gusht dhe shtator 2008 me qëllim të arritjes së marrëveshjes mes PTK-së dhe kësaj kompanie private për angazhimin e saj si operator virtual, një marrëveshje që llogaritet se e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës për miliona euro.

Dëshmitari tha se kishte marrë pjesë edhe në një mbledhje të fundit, në cilësinë e ekspertit, ku edhe ishte analizuar drafti i fundit i kontratës.

“Në një moment u dha pauzë, e pas saj nuk u ftuam më në takim”, tha dëshmitari. “Më vonë nga mediat kam kuptuar se është formuar grupi i dytë punues që i ka pushuar kompetencat e atij të parit. Nga mediat jam informuar lidhur me raportin e grupit punues të dytë që ka cilësuar MVNO-në të dëmshme për PTK-në ”, tha dëshmitari Bejtullahi

Vazhdimit i shqyrtimit kryesor të rastit “Devolli et alia”, apo më shumë i njohur si “PTK-Dardafone”, u zhvillua në ambientin e gjykatores së Fakultetit Juridik në Prishtinë, të mërkurën.

Të pandehur në këtë çështje janë Shkëlqim e Blerim Devolli, Ismet Bojku, Shyqyri Haxha e Rexhë Gjonbalaj.

Tre të pandehurit e parë nga kompania “Devolli” akuzohen se kanë kryer veprat penale të “mashtrimit”, “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe “falsifikim i dokumenteve”.

Duke përdorur infrastrukturën e PTK-së, Dardafone do të merrte 78 për qind të fitimit, që është cilësuar e paprecedentë për MVNO-të.

Dyshimet e prokurorisë, shkojnë prapa deri në vitin 2008, kur PTK-ja kishte nënshkruar kontratë me “Dardafone”, si konzorcium i “Devolli Group” dhe kompanisë “Unitel” nga Neë York.

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, ART, e kishte licencuar kompaninë “Dardafone” për të operuar si Operator i Rrjetit Virtual Mobil, pra për të ofruar shërbime telefonike, duke përdorur infrastrukturën e një kompanie tjetër, në këtë rast atë të PTK-së. Sipas marrëveshjes, “Dardafone” do të merrte 78 për qind të fitimit, që është cilësuar e paprecedentë për MVNO-të.

Para se të nënshkruhej kjo marrëveshje, emri në kontratë ishte ndryshuar nga “Dardafone” dhe ishte bërë Dardafone.net .

“Devolli Group” dhe “Unitel” kishin bërë më vonë një marrëveshje jashtëgjyqësore.

Menaxhmenti i PTK-së dhe “Devolli Group”, me këtë kontratë, thuhet se i kanë shkaktuar më shumë se 200 milionë humbje ndërmarrjes publike, respektivisht buxhetit të vendit.