Dëshmitarët: të Ndaluarit Mbaheshin të Mbyllur në Stallë

Tre dëshmitarët e mbrojtur, “I”, “C” dhe “P” të enjten dhanë dëshminë e tyre para trupit gjykues.  Vetëm dëshmitari “I” vazhdoi të mbetet anonim dhe të mos i duket fytyra, kurse dëshmitarët “C” dhe “P” dolën para publikut që të dëshmojnë, por nuk deshën që emrat t’u përmenden.

Të tre dëshmitarët e konfirmuan se të afërmit e tyre kishin qenë të ndaluar në Llapashticë dhe ata si familjarë kishin shkuar atje për vizita.

Rrëfime prekëse të dëshmitarëve

Vetëm dëshmitarja “C” tregoi se kishte arritur të shihte një herë burrin e saj që e kishte të ndaluar në Llapashticë.

“Në një zyrë që ishte në katin e dytë, me një kompjuter, tavolinë dhe një flamur, si dhe dy karrige në ballë, e sollën burrin që ta takoja. Ai mezi lëvizte” tregoi ajo.

Dëshmitarja përshkroi edhe dhimbjet që i kishte parë tek burri, kur ai ishte futur në derë dhe kur ishte ulur në karrige.

“Unë e pashë atë me 4 shkurt 1999 në orën 11, ka ardhur shumë ngadalë duke ecur me ndihmën e dy personave. Kur hyri në derë e kishte vështirë të hynte, ai kafshoi buzën nga dhimbja” rrëfeu dëshmitarja e mbrojtur “C”.

Burri i kësaj dëshmitareje ishte ndaluar më 31 dhjetor 1998 në orën 10 dhe ishte dërguar në qendrën e ndalimit në Llapashticë. Sipas vetë dëshmitares ai në atë kohë posedonte një armë, për të cilën ajo nuk dinte në kishte leje.

Burri i saj, tani i vdekur, një kohë kishte punuar si drejtor në një shkollë, e pasi që ishte larguar nga ajo punë, ishte pranuar si përkthyes në ish “Elektroekonominë” e atëhershme.

Dëshmitarja “C” kujtoi se Latif Gashi e Nazif Mehmeti, të cilët i kishte takuar në atë zyrë, e kishin kërcënuar me likuidim.

Edhe rëfimi i dëshmitarit të mbrojtur “I” ishte po aq interesant. Latif Gashi e kishte lëshuar të afërmin e tij pas dy muajsh nga burgu, me kusht që ta vriste Tomisllav Petroviqin, me të cilin i arrestuari kishte qenë ushtar në kohën e Jugosllavisë.

Pasi që nuk e kishte kryer këtë vrasje, i afërmi i dëshmitarit ishte arrestuar për herë të dytë nga policia e UÇK-së më 22 shkurt të 1999-tës.

“Me rroba të zeza ishin futur brenda në shtëpi Jashar Ejupi dhe Jetullah Zdrella, derisa jashtë po qëndronin edhe tre ose katër persona” kujton dëshmitari.

Dëshmitari rrëfeu për ato që kishte dëgjuar që kishin ndodhur në Llapashticë, pasi që kishte vizituar familjet e të liruarve në atë vend, por i kujtohej edhe rrëfimi që kishte bërë i afërmi i tij kur ishte liruar një herë para datës 22 shkurt.

“Shaqir Mehmeti – Sheqa e ka rreh dhe i ka shti me u rreh në mes veti të burgosurit aty”, tha dëshmitari i mbrojtur “I”.

“Për Latën nuk më kanë thanë, edhe nuk muj me ja ngjitë, edhe pse nuk është hiç burri i mirë” iu përgjigj dëshmitari pyetjes se a ishte Latif Gashi ai që kishte rrahur të afërmin e tij. 

Dëshmitari “P” me shumë tension tregoi se si vëllai i tij ishte arrestuar më 4 nëntor 1998, e ai me prindin e tij kishte shkuar çdo dy – tre ditë në Llapashhticë për ta takuar atë, por e vetmja gjë që kishin arritur të shihnin ishte ta vështronin një herë familjarin e tyre nga 150 metra largësi, derisa ai ndodhej në kuzhinë.

“Unë dhe prindi im kemi qenë në Llapashticë dhe kemi kërkuar që të takohemi me Latif Gashin, por ai nuk na ka pranuar”, tha dëshmitari.

“Në ekzekutimin e vëllait tim ka qenë Nazif Mehmeti”, tregoi dëshmitari.

Tensione gjatë seancës

Dëshmitarja “C” dhe dëshmitari “P” fyen avokatët mbrojtës përkatësisht të pandehurit, madje pati edhe ngritje tonesh nga dëshmitari “P”.

Fillimisht dëshmitarja “C” iu drejtua mbrojtjes “këta janë të UDB-së dhe kanë mbytur më shumë shqiptarë se çdo kush”. Kjo bëri që mbrojtja të reagojë për këto cilësime.

Ndërsa dëshmitari “P” që në fillim të seancës, kur avokati Bajram Tmava po bënte kundërshtim se ai po i referohej dokumenteve teksa po dëshmonte, iu drejtua atij me gisht “kush je ti të më tregosh mua çfarë të bëj”.

Reagoi edhe kryetari i trupit gjykues Jonathan Carol, i cili u tërhoqi vërejtjen të dy palëve për mostensionim të situatës dhe instruktoi dëshmitarin që të shikonte vetëm nga trupi gjykues, instruksione të cilat dëshmitari nuk i përfilli gjatë gjithë seancës.

Më pas dëshmitari “P” ofendoi edhe të pandehurin Nazif Mehmeti me fjalët “ky për familjen tonë është kriminel”.

Ndërsa në fund dëshmitari “P” kur tregoi për vrasjen e vëllait të tij pati ngritje tonesh dhe fyerje në mes tij dhe avokatit Bahtir Troshupa, ky i fundit u nxorr nga salla e gjykimit derisa të qetësohej situata.

Gjykimi ndaj “Grupit të Llapit” nisi në fund të marsit, kur kryetari i trupit gjykues Jonathan W. Carol vendosi që në gjykim të rikthehet vetëm pika tetë e aktakuzës së vitit 2003.

Të akuzuar janë Latif Gashi, i njohur si Lata, deputet i Kuvendit të Kosovës, e gjatë luftës udhëheqës i shërbimit informativ ushtarak; Rustem Mustafa i njohur si Remi që në kohën e luftës ka qenë komandant i Zonës së Llapit dhe Nazif Mehmeti ish-ushtrues detyre i komandantit të Policisë Ushtarake.

Aktakuza i ngarkon të tre se kishin pasur dijeni për qendrën e ndalimit në vendin e quajtur Llapashticë, ku kishin rrahur dhe torturuar civilë shqiptarë në mënyrën me çnjerëzore. Në aktakuzë thuhet se personat e ndaluar, për të shpëtuar, duhej të tregoheshin luajalë ndaj UÇK-së.

Shumë nga dëshmitarët e paraqitur nga prokurori do të jenë të mbrojtur, disa nga ta anonimë, ndërsa do të merren parasysh edhe deklaratat e dëshmitarëve që tanimë kanë vdekur.

Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarëve, seanca u shty për datën 2 maj.