Dëshmia në RTS Dëmton Hetimin për Trafikim Organesh

Një intervistë kontroverse televizive e organizuar nga zyra e prokurorit të krimeve të luftës në Serbi ka rrezikuar hetimin për trafikimin e organeve gjatë konfliktit në Kosovë dhe rrezikon të traumatizojë familjet e viktimave, thonë aktivistët dhe zyrtarët e të drejtave të njeriut.

Ata paralajmërojnë se intervista, e transmetuar më 10 shtator në transmetuesin publik serb, RTS, me një person që pretendon se ka trafikuar organe në Kosovë ka alarmuar gjithashtu autorët e krimeve dhe ka vënë në pyetje motivet e zyrës së prokurorit kur ka aranzhuar intervistën.

Programi u organizua nga zëvendësprokurori për krime lufte në Serbi, Bruno Vekariq, dhe tregon një dëshmitar të mbrojtur të prokurorisë që thotë se i hoqi zemrën një të burgosuri që u shit më pas në treg të zi të organeve.

Natasha Kandiq, drejtoresha e Qendrës së të Drejtës Humanitare në Beograd, beson se intervista u transmetua për të kënaqur qeverinë e re nacionaliste në Serbi dhe është pjesë e politikës së saj për të përdorur rastet kundër shqiptarëve për të fituar pikë në politikë.

Ajo thotë se incidenti kërcënon kredibilitetin e një institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe jopolitik. “Nuk është profesionale të thirret media dhe të flitet për një hetim dhe të bëhet pa bashkëpunuar me EULEX-in dhe ekipin e BE-së që është në krye të rastit”, tha Kandiq.

Akuzat për tregti të organeve nga UÇK-ja gjatë dhe pas konfliktit po hetohen nga prokurori amerikan, John Clint Williamson, i cili u caktua nga Bashkimi Europian.

Organizatat ndërkombëtare dhe aktivistët e të drejtave të njeriut janë të shqetësuar se si dëshmia kontroverse televizive mund të ndikojë hetimin.

Një zyrtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, që monitoron proceset e krimeve të luftës në Ballkan, tha për Balkan Insight se “autorët e krimeve tani janë të informuar për rastin dhe gjetjet mund t’i shpëtojnë lehtë drejtësisë”.

Kandiq ka të njëjtin shqetësim. “Në intervistë, dëshmitari tha se me të ishin prezentë disa mjekë. Me këtë dëshmi, prokurori iu dha shenjën këtyre mjekëve që duhet të arratisen, sepse dikush ka ngritur padi kundër tyre”, tha ajo.

Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Jelko Kacin, tha për Balkan Insight se ishte i shqetësuar se si intervista televizive do të ndikojë familjet e viktimave.

 “Është një çështje e tmerrshme dhe thjesht duhet zgjidhur, por kjo duhet bërë në mënyrë profesionale dhe kjo qasje televizive nuk ishte e tillë”, tha Kacin.

 “Shpresoj se ata [prokuroria] janë në dijeni të pasojave të këtij vendimi, jo vetëm për pasojat emocionale tek ata që ende po kërkojnë për të dashurit e tyre, por edhe për kredibilitetin e Serbisë”.

Duke iu përgjigjur Kacinit, prokuroria tha se familjet e viktimave të konfliktit në Kosovë kishin aprovuar transmetimin dhe hodhi poshtë akuzat se zyra nuk kishte treguar profesionalizëm dhe kredibilitet. Zyra e prokurorisë insiston se transmetimi ishte mënyra e vetme për t’i treguar gjetjet e tyre publikut.

Autoritetet në Kosovë thonë se shfaqja e papritur e dëshmitarit të akuzuar ishte një përpjekje e Serbisë për të trazuar festimet e pavarësisë që po mbaheshin të njëjtën ditë.

Hetimi në rastin për trafikim të organeve vijon raportin e Dick Martyt, raportuesi për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, në dhjetor të vitit 2010 që përfshiu ish-luftëtarët e UÇK-së, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në krim të organizuar dhe i akuzoi se kanë shitur organet e të burgosurve serbë dhe të tjerëve në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia është akuzuar se përdor rastet e krimeve të luftës kundër shqiptarëve për përfitim politik.

“Nëse e kujtoni, disa muaj më parë kemi pasur një rast politik arrestimesh të shqiptarëve për krime lufte, gjatë fushatës zgjedhore, vetëm për të shënuar pikë në politikë”, tha Kandiq.

Kandiq po iu referohej arrestimeve në muajin maj të shqiptarëve të dyshuar për krime lufte gjatë kryengritjes së vitit 2001 në jug të Serbisë, pavarësisht ligjit të amnistisë që i kishte liruar të gjithë të përfshirët në konfliktin e shkurtër. Pas zgjedhjeve të 6 majit, shqiptarët u liruan dhe kjo nxiti kritika nga shumë që thanë se ishte lëvizje e motivuar politikisht.

Këto sulme të reja për kredibilitetin dhe motivet e prokurorisë vijnë nga një frenim javën e shkuar në një gjyq madhor ndaj shqiptarëve – rasti i Gjilanit. Dëshmia e dëshmitarit kyç të prokurorisë, me emrin e koduar Bozhur 50, u hodh poshtë nga gjyqtarët. Ata thanë se nuk besojnë dëshminë e ish-anëtarit të UÇK-së që tha se kishte marrë pjesë në krimet masive të kryera në qytetin e Gjilanit në Kosovë, në vitin 1999.

“Askush që jeton në Gjilan nuk ka dëgjuar ndonjëherë për ngjarjet që tregoi dëshmitari. Kjo ishte një ngjarje tjetër e sajuar dhe që keqpërdor vuajtjet e viktimave”, tha gjyqtarja Snezana Garotiq Nikolic.

“Ata [viktimat] të gjithë përmendën persona dhe ngjarje të tjera. Në vend që të merrej me autorët e vërtetë dhe viktimat e vërteta të krimeve, prokuroria u fokusua në një dëshmitar historinë e të cilit thjeshtë nuk e besojmë”, tha Garotiq.

Rasti i Gjilanit ishte procesi më i madh gjyqësor i Serbisë ndaj shqiptarëve të akuzuar për krime në Kosovë.