Dëshmi për neglizhencën e Prokurorisë së Gjakovës në rastin e vdekjes së Dëshira Lulashit

Tre muaj zgjati bartja e dosjes së vdekjes së Dëshira Lulashit mes Prokurorisë dhe Policisë nga Prishtina në Gjakovë.

Vdekja e mistershme e Dëshira Lulashit, e cila ndodhi më 19 mars të këtij viti fillimisht ishte hapur si vdekje e dyshimtë në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë.

Që nga 19 marsi e deri më 6 nëntor të këtij viti nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me këtë rast dhe deri më tani askush nuk është arrestuar.

Prokuroria e Gjakovës në një përgjigje të shkurtë për KALLXO.com ka thënë vetëm se janë intervistuar doktori dhe anesteziologu në lidhje me rastin e operimit të Dëshira Lulashit e cila vdiq një ditë pas këtij operacioni.

Por deklarata kundërthënëse janë vërejtur gjatë hulumtimit të KALLXO.com, rreth këtij rasti.

Më 8 nëntor të këtij viti, babai i Dëshira Lulashit kishte ngritur dyshimet e tij se rasti i vdekjes së vajzës së tij po neglizhohet për të amnistuar sipas tij përgjegjësit e vdekjes.

Pas këtyre deklaratave KALLXO.com kishte kërkuar nga ana e Prokurorisë në Gjakovë të dijë nëse ka marr rastin por të njëjtit ishin përgjigjur negativisht.

Në fakt, dosja e vdekjes së Dëshira Lulashit kishte shkuar në Prokurorinë e Gjakovës më 8 tetor, më saktësisht një muaj më parë, nga dita që KALLXO.com kishte pyetur për pranimin e rastit.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, iu njoftojmë se, në Prokurorinë Themelore në Gjakovë nuk ka kaluar rasti në fjalë”, ishte përgjigja e Prokurorisë së Gjakovës për KALLXO.com me datë 9 nëntor të këtij muaji.

Por Policia e Rajonit të Gjakovës, ka demantuar se rasti në prokurori nuk ka shkuar kur e kanë pranuar nga Policia e Prishtinës.

Sipas tyre, rasti është pranuar përmes postës më 4 tetor të muajit të kaluar, më datë 8 të po të njëjtit muaj raporti informues i ka shkuar Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ndërsa një muaj më pas saktësisht më 6 nëntor të këtij muaji, policia e Gjakovës u ka dhënë autorizim për ndërmarrje të veprimeve.

“Me datë 08.10.2019 Sektori në fjalë ka dërguar raportin informues Prokurorisë Themelore në Gjakovë për informim dhe njëkohësisht ka kërkuar autorizim për ndërmarrje të veprimeve hetimore. Me datë 06.11.2019 është pranuar autorizimi nga Prokuroria Themelore në Gjakovë me ç’rast janë ndërmarr veprimet siç ju kam njoftuar”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Rajonit të Gjakovës për KALLXO.com.

Rasti ishte hapur në Prishtinë pasi që Dëshira Lulashi ishte transferuar nga Spitali Rajonal i Gjakovës për në QKUK pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore pas një operacioni.

“Policia e Rajonit të Prishtinës në disa përgjigje drejtuar KALLXO.com, kanë thënë se pas inicimit të rastit, hetuesi me date 30.09.2019  ka pranuar nga prokurori kompetent (i prokurorisë në Prishtinë) raportin e Autopsisë për të ndjerën, dhe në konsultim me prokurorin e shtetit, lënda është  transferuar ne DRP –Gjakovë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Policisë së Rajonit të Prishtinës për KALLXO.com.

Veprimet e ndërmarra

Pasi kanë kaluar më shumë se tetë muaj që nga vdekja e Dëshira Lulashit, e cila ishte shtruar në spital pas një marramendje dhe probleme me stomak e kishte përfunduar në operacion, duke u transferuar më pas në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ku më pas kishte vdekur më 19 mars të këtij viti.

KALLXO.com vazhdimisht kishte kërkuar të dijë në lidhje me rastin nga organet kompetente që kishin rastin.

Nga ana e Policisë Rajonale të Gjakovës, KALLXO.com ka marrë konfirmim se janë intervistuar të dyshuar, ankues e dëshmitarë.

“Sektori i Rajonal për Hetime në Gjakovë me datë 06.11.2019 ka pranuar autorizimin e prokurorit të shtetit për kryerjen e disa veprimeve hetimore si intervistimi i të dyshuarve, ankuesve dhe dëshmitarëve, mbledhja e provave duke përfshirë këtu edhe raportet mjekësore të cilat më pas do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm, të gjitha këto veprime duhet të ndërmerren në një afat prej 15 ditësh”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Rajonit të Gjakovës.

Ditë më parë, në disa përgjigje për KALLXO.com të njëjtit kishin thënë se janë marrë disa nga veprimet në lidhje me rastin e vdekjes së Dëshira Lulashit.

Gjatë ditës së sotme të njëjtit sërish i kanë thënë KALLXO.com se gjatë ditës së sotme kanë njoftuar prokurorinë për veprimet e ndërmarra.

KALLXO.com ka kërkuar detaje të vonimit të hetimit të rastit edhe nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjakovë por të njëjtit deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

KALLXO.com gjatë këtij muaji ka raportuar në lidhje me rastin e neglizhuar të vdekjes së Dëshira Lulashit nga organet e rendit.

Historia e vdekjes së Dëshira Lulashit

Babai i Dëshira Lulashit, Zymer Lulashi, në emision “Drejtësia në Kosovë” kishte treguar se më 19 mars kishte marrë një telefonatë nga e bija se është shtruar në spital pasi ishte alivanosur.

Ai thotë se ka shkuar në spital për të parë gjenden e të bijës ndërsa doktorët i kanë thënë se ajo duhej t’i nënshtrohej një operacioni dhe një ditë pas operacionit ajo kishte vdekur.

“Problemi jem është me 19 të muajit mars e kam marrë një telefonatë në mëngjes prej vajzës që është në spital në Gjakovë, kam shkuar te vajza kur kam shku vajza ka qenë shumë mirë, kam fol sikurse jam duke fol me ju, çdo gjë ka qenë në rregull, i kam thanë çka ki bre bac, më tha mbrëmë më ka ra mundi edhe më ka humb vetëdija për disa minuta dhe më kanë marrë më kanë çu në Gjakovë, më kanë bo një ushqim dhe tash jam shumë mirë”, rrëfen Lulashi për takimin me vajzën e tij Dëshirën gjatë kohës sa ishe e shtrirë në spital.

Rrëfimi i Lulashit vazhdoi kur tregoi se çka kishte biseduar me doktorin për gjendjen e vajzës.

“Atëherë thash s’koka ndonjë me rëndësi tash vjen vizita edhe kalon, kam folur me mjekun dhe më ka thënë se tash do të hyjnë në vizitë. Ka hy vizita, e kanë këqyr vajzën edhe e kanë marrë e kanë dërguar në repartin e grave. Ka qëndruar një gjysmë orë atje, pastaj e kanë marrë e kanë kthyer në interno edhe aty nja 40 minuta ka ndejtë, prej atje e kanë dërgu në Kirurgji, në Infektivë”, kishte thënë Lulashi.

Babai i 35 vjeçares, Dëshira Lulashi, kishte treguar se në Spitalin e Gjakovës nuk ka arritur që të bëj fotografimin që i ishte kërkuar, ndërsa si opsion ai thotë se kishte pyetur një doktor për të kryer fotografimin jashtë spitalit.

Tutje babai i Dëshira Lulashit kishte treguar se vajza e tij ishte futur në operacion pa e ditur saktësisht mjekët se nga çka vuante ajo.

Dyshimet e doktorit kishin qenë, plasja e mëlçisë, gjakderdhje të brendshme dhe plasja e ujit të brendshëm.

Vetëm pak pasi ishte kryer operacioni, doktori që kishte operuar Dëshira Lulashin i kishte thënë Zymerit se vajza është mirë. Pas operacionit, gjendja e Dëshira Lulashit ishte përkeqësuar.

E babai i saj kishte kërkuar nga doktori që ta shikojë gjendjen e saj.

“E kam prek vajzën në duar dhe duart i ka pasë të ftohta sikur me qenë 10 ditë në frigorifer. Ka qenë e ftohtë, e ngrirë. Kam shkuar te doktori i kam thënë a po e sheh që vajza është e vdekne. Ia kanë shtuar dozën e barnave dhe prapë pas gjysmë ore kam shkuar dhe e kam pyetur doktor çka është situata?”, ishte rrëfimi i babait të Dëshira Lulashit.

Ai tutje kishte treguar se doktori i kishte thënë se vajza e tij ka pasur gripin e derrit.

Zymer Lulashi thotë se edhe pse rasti ishte një urgjencë, ai kishte pritur një orë për të gjetur një veturë për ta transferuar të bijën në QKUK.

“Më tha po, masnej e ka marrë e ka përgatit, 1 orë nuk ka pasur veturë të spitalit me çu çikën për Prishtinë, çika ka qenë pa vetëdije. Ka ardhë, doktoresha, tekniku, edhe ata një orë kanë pritë se s’ka pasë kerr për Prishtinë. Edhe më në fund e kem pru në Prishtinë, e kanë marrë e kanë dërgu në kujdestari”, tha ai.

Ai madje shtoi se e kishin pyetur se nga çka ishte bërë operacion Dëshira Lulashi, e Zymer Lulashi iu kishte përgjigjur doktorëve të QKUK-së se nuk e dinte as vetë.

“Fjalën e parë që më kanë pyet, për çka është operuar dhe ju kam thënë se nuk e di. Për sa di unë veç qekaq më kanë thënë asnjë send tjetër. Më kanë pyetur (QKUK) a ke dokumente, i kam thënë se s’kam asnjë dokument dhe më janë drejtuar se si ka mundësi që me u kry operacioni pa e ditur se çka ka dhe unë prapë iu kam përgjigjur se nuk di asgjë, unë e kam pyet doktorin. Ai më tha se i vjen shumë keq po na do të mundohemi çdo gjë më kthy në jetë por kjo është thuajse e vdekur”, tregon tutje Zymer Lulashi.

Babai i Dëshira Lulashit tregon se si të nesërmen vajza i kishte vdekur në mëngjes.

‘’Janë munduar në të gjitha mënyrat, por nuk kanë mundur me kthy në jetë ma”, përfundon rrëfimin e tij Zymer Lulashi.

Doktorët në Gjakovë nuk kishin pranuar të japin sqarime për rastin duke i thënë ekipit të “Drejtësia në Kosovë” se lëndën e ka marrë Oda e Mjekëve.

Në atë kohë emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte kërkuar nga Prokuroria në Prishtinë si dhe Policia e Prishtinës të dijë se çfarë kishin ndërmarrë për rastin.

Pasi që operacioni ishte kryer në Gjakovë, e vajza kishte vdekur në Prishtinë, rasti ishte hapur në Prishtinë si vdekje e dyshimtë.

“Duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke e trajtuar këtë rast dhe se momentalisht ndodhet në fazën e grumbullimit të provave, pra në fazën e hetimeve”, kishte thënë Prokuroria e Prishtinës për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

“Sa u përket pyetjeve tuaja rreth rastit, vdekje e dyshimtë që është hapur në stacionin policor Jugu në Prishtinë, me datën 19 mars 2019, ju njoftojmë se nga njësitet policore janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Puna e hetuesve policor rreth këtij rasti, po vazhdon në koordinim me Prokurorisë Themelore në Prishtinë, saktësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda. Andaj marrë parasysh fazën në të cilën ndodhet hetimi aktualisht, ne nuk mund të japim detaje të tjera rreth këtij rasti”, kishte thënë Policia në Prishtinë.

“Drejtësia në Kosovë” kishte kontaktuar edhe me doktorin/kirurgun Sabahudin Bytyqin, e pasi që i njëjti nuk kishte pranuar të flasë para kamerave me anë të telefonit kishte mohuar akuzat e Zymer Lulashit.

“Jo nuk është e vërtetë. Shiqo, do të merret drejtësia me këtë rast. Unë kam qenë i intervistuar nga Prokuroria për kërcënimin që më ka bë ai. Këto për çështje nëse ai ka bërë padi, atëherë merret Oda e Mjekëve, ata japin shpjegimin sepse nuk jam marrë vetëm unë me atë paciente janë marrë edhe 20 mjekë të tjerë në Prishtinë”, kishte thënë Bytyqi.

Pasi që as Oda e Mjekëve nuk ka pranuar që të flasë për “Drejtësia në Kosovë” në lidhje me rastin, doktori Sabahudin Bytyqi tha se të njëjtit do të duhej t’u japin llogari organeve të drejtësisë.

“Edhe mua më kanë porosit mos me e shkapurit këtë rast më, para një javë kam dhënë intervistë që na ka thirr Prokuroria për shkak të kërcënimit e ai duhet të ngris padi për me u aktivizu lënda, nëse dëshironi me e zbardh çështjen që nuk është i kënaqur me atë që i ka ndodh në QKUK. Nuk ia vlen me u marrë me kësi sene, është gjykata ajo që do zgjidhë këtë punë, ata janë kompetent”, kishte thënë tutje doktori Sabahudin Bytyqi.