Dëshira e Çmendur për Trashëgiminë

Tomica Dujankovic, 60 vjeçare nga Prishtina, tash e gjashtë vjet është e vendosur në Qendrën për Integrim dhe Rehabilitimin e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë (QIRSKP) në Shtime. Në të shumtën e rasteve ajo nuk ka probleme me kujtesë ndonëse është ‘sistemuar’ në këtë qendër.

Për dallim prej shumë banorëve tjerë të atyshëm të cilët kanë probleme të mbajnë mend dhe të kujtojnë moshën e tyre, Dujankovic e di saktë kohën kur ka mbërritur aty. Ajo e di edhe se tash gjashtë vjet nuk ka takuar askënd nga familjarët.

“Nuk ka ardhur askush të më vizitojë”, thotë Tomica Dujankovic. “Por, këtu jam mirë, kujdesi është korrekt dhe nuk na mungon asgjë”.

Tomica e kalon shumicën e kohës në një punë që i ka gjetur vetës – duke u ndihmuar punëtorëve higjenik në larje të rrobave.

“Marrë cigare për këtë punë dhe është më mirë të merrem me diçka sesa vetëm të rri”.

Cigaret janë të mirëseardhura në këtë ambient i cili gjendet pranë institutit të Shëndetit Mendor në Shtime. Ky i fundit është nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për ndryshim prej QIRSPK’së që funksionon nën Ministrinë e Shëndetësisë.

Një dhomë e mbushur plot tym, fotografi të vendosura në mure me vizatime autoktone, me ndonjë melodi kitare të rastit, është ambienti ku banorët e kalojnë kohën më së shumti.

“Është kënaqësi të punosh këtu”, thotë Blerim Sadiku, ndihmës mjekësor në Institut. “Mundohemi t’i angazhojmë banorët në aktivitete të ndryshme dhe ta bëjmë kohën interesante”.

Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë lehtë. Infermieri tjetër Blerim Sadiku tregon se si ka raste kur është dashur të kërkohet ndihma e policisë për shkak të përleshjeve në mes të banorëve.

Ditëve tjera mes njerëzve në ‘Shtime’ ka edhe dashuri, në raste të caktuara aq shumë sa që kanë lindur edhe fëmijë si rrjedhojë.

“Ka pasur raste kur kanë lindur edhe fëmijë, është fjala për vitet e mëhershme”, tha një punëtor shëndetësor për gazetën. “Një pjesë e këtyre fëmijëve janë dërguar për adaptim”.

Një raport i këtij viti i Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) përmendë një fëmijë të lindur në këto rrethana, por punëtori flet për numër më të madh. Vetëm ai dinte për katër raste lindjesh.

“Para një kohe një rezidente ka mbetur shtatzënë, aty e ka mbajtur edhe shtatzëninë”, thuhet në raportin e QKMRT’së. “Pas lindjes fëmija është dërguar në organet kompetente për përkujdesjen e fëmijëve të cilët nuk kanë përkujdesje nga familja e tyre”.

Ndonëse femrat dhe meshkujt kanë dhomat e tyre të ndara të fjetjes, ata takohen në oborr dhe nuk ka rregulla të cilat i përcaktojnë të drejtat private dhe jetën intime të rezidentëve, sipas raportit.

Dashuria në këtë shtëpi, megjithatë, nuk do të mund të ndikojë më në natalitet sepse  dikush ka menduar edhe për këtë.

“Femrave të vendosura në këtë qendër tash u jepet ampulla depo-provera për mbrojtje nga shtatzënia”, thotë infermieri, Burim Osmani. “Ajo u jepet çdo tre muaj”

Në Qendrën për Integrim dhe Rehabilitimin janë të vendosur 58 banorë, prej tyre 27 të gjinisë femërore. Qendra posedon 3500 metra katrorë dhe aty punojnë 40 punëtorë teknikë, por mungon stafi i lartë mjekësor.

Aziz Mustafa, 63 vjeçar, është i vendosur tash e një vit në këtë qendër. Sikur Tomica, edhe ai është në gjendje më të mirë shëndetësore.

“Vëllai ka ardhur nga Gjermania, m’i ka sjellë një palë pantolla…edhe ata dikush i vodhi”, ankohej Azizi, i cili shumicën e kohës e kalon duke luajtur shah. Vizitat e rralla familjare në këtë qendër janë të mirëseardhura për këta banorë, e sidomos kur këtyre qytetarëve të ‘harruar’ u vijnë dhurata.

Azizi po kërkon që të kthehet në familjen e tij.

“Nuk e di pse po rri këtu. I kam tre fëmijë, dy çika e një djalë, ata tash duhet të vijnë të më marrin”, thoshte Azizi, gishtërinjtë e të cilit kishin marrë ngjyrë të verdhë nga thithja e duhanit që nuk e ndalte për asnjë çast.

Megjithatë, ai nuk e di çfarë ka ndodhur me pasurinë që kishte përpara se të vendosej në këtë institut.

E drejta e trashëgimisë u takon edhe këtyre personave me ligjet në fuqi, përkatësisht derisa Gjykata të marrë një vendim për heqjen e zotërimit të pronës edhe njerëzit me çrregullime mentale kanë të drejtë të trashëgojnë pasurinë.

Për problemet me pasurinë e qytetarëve në institucionet e shëndetit mendor, ka alarmuar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Në një raport të titulluar ‘të drejtat e njeriut në institucionet e shëndetit mendor’,  thuhet se “e drejta e trashëgimisë është një shqetësim tjetër për këta rezidentë”.

“Edhe pse jo të gjithë kanë familje, ata të cilët kanë dhe familjarët e tyre i kanë vendosur në Shtime, nuk kujdesen fare për ta edhe në rastet kur këta kanë lënë pasurinë e tyre prapa”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, në disa raste pasurinë e këtyre personave e trashëgojnë të afërmit ndërsa për familjarët e tyre rezidentë të qendrës nuk ofrojnë kurrfarë përkrahje.

Për banorët e “Shtimes”, përkrahja dhe mbikëqyrja e vetme vjen nga institucionet e vendit, kështu të paktën vlerësohet nga QKRMT.

“Është shumë e lehtë ta qitësh dikë nga shtëpia dhe të mos kujdesesh kurrë më për të. Ende familjet tona nuk janë vetëdijesuar se edhe këtyre personave u takon pasuria”, thotë Ajet Bunjaku, drejtor i Shëndetit Mendor në Shtime.

Sipas tij, tashmë është duke u folur që edhe këtyre personave t’iu njihet e drejta e trashëgimisë dhe se për këtë duhet të vetëdijesohen edhe familjarët.

Nëse të sëmurët nuk kanë trashëgimtarë, atëherë shpesh ndodhë që pasuria t’u merret ose nga fqinjët ose nga kushërinjtë më të afërt.

Banorja e Tomica Dujankovic nuk e di se ku ka mbetur pasuria e saj. “Nuk di kush e posedon tash pasurinë time, nuk e di as ku janë të vendosur të afërmit e mi”, shprehet ajo.

QKRMT’ja ka paralajmëruar se në muajin dhjetor do të publikojë një raport të ri i cili pritet të hedhë më shumë dritë mbi gjendjen e pasurisë dhe trashëgimisë së personave me probleme psikike dhe të shëndetit mendor.