Dervishi: Klinika Është Si Një Restorant

Klinika është sikurse një restorant. Secila palë që dëshiron ka të drejtë të hyjë aty dhe të marrë shërbime. Këtë krahasim e bën urologu Lutfi Dervishi, gjatë një interviste për “Jeta në Kosovë”.

Pronari i Medicus-it, i cili akuzohet nga prokuroria për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore, ka thënë se në klinikën e tij është kryer vetëm një transplantim.

Ai tha se e di saktë se çfarë ka ndodhur në klinikën e tij. Dhe se, nuk ka mundësi që aty dikush të ketë kryer transplantime, pa dijeninë e tij.

Urologu turk , Yusuf Somnez, i njohur ndryshe në vendin e tij si doktor Vampiri, sipas Dervishit, është një humanist që ka ndihmuar mijëra njerëz.

Dhe nofka që i kanë vënë atij, pretendon se është rezultat i qëndrimeve pro e contra të disa mediave turke.

I pyetur për rrugët nëpër të cilat kanë ardhur njerëzit në Medicus, Dervishi ka thënë se asnjëherë nuk i ka interesuar se qysh kanë mbërritur pacientët aty. “Ne na interesojnë vetëm të dhënat shëndetësore të tij”.

Duke folur për aktakuzën e prokurorit, Dervishi tha se aty ka shumë të pavërteta. “E keni aty një Tarik Eren, që është një serviser që ka ardhë më servisu aparatin e dializës. Në aktakuzë thuhet që ai është donor. I janë ba rentgenat dhe kanë pa që njeriu i ka të dy veshkat”.

Klinika Medicus ka ndikuar keq në imazhin e Kosovës si shtet, pasi për të kanë shkruar shkruar shumë medie ndërkombëtare. Për këtë, Dervishi nuk ndjehet aspak fajtor. “Absolutisht nuk ndjehem fajtor. Transplantimi është operacion human. Nuk është krim, po përveç human, është dhe si ndihmesë për njeriun”.

Më tej, Dervishi ka thënë se akuzat ndaj tij janë kryekëput politike. Si argumente ai ka përmendur librin e prokurores Karla del Ponte, raportin e Dick Martyt si dhe fjalimet e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, përmes të cilave, siç thotë Dervishi i kanë dhënë Medicusit, konotacion politik pa asnjë arsye.